Diplomat që s’kanë vlerë në tregun e punës

17 Korrik 2016 - 08:00 - Elmaz Isufi      

Me gjithë konstatimin, edhe të tyre, se arsimi ka probleme dhe se duhet reformë e thellë, ata (qeveritarët) nuk duan ta ndryshojnë politikën e masivizimit të arsimit të lartë me shtimin e vazhdueshëm të kuotave dhe akreditimin e programeve që nuk kanë perspektivë, sidomos në raport me nevojat e tregut të punës

Mbi 15 mijë maturantë do të regjistrohen në universitetet publike të Kosovës në këtë vit akademik. Deri diku në tetor, meqë praktika na ka mësuar, ky numër mund të fryhet në 20 mijë. Nëse i shtohen edhe të regjistruarit në institucionet private të arsimit të lartë, atëherë ky numër arrin në 30 mijë. Mbresëlënëse për një shoqëri me më pak se dy milionë banorë dhe me ekonomi në nivelet e saj më të ulëta të zhvillimit, që të ketë gati 10-përqindëshin e popullsisë, të gjithë me moshën nga 18 deri 24 vjeç, që duan të kenë diplomë universitare.

Në praktikat e njohura mbi arsimin dhe edukimin kjo pjesëmarrje masive në studime, që raportohet edhe nga Agjencia e Statistikave e Kosovës (120.420 studentë aktivë, prej tyre afro 50 mijë në sektorin privat) do të vlerësohej entuziaste. E në raport me numrin e maturantëve, shifër rekorde. Nga viti 2011, kur në Kosovë ishin 86 mijë studentë, 5 vite më vonë ky numër rritet edhe për 40 mijë.

Ky vullnet institucional dhe ky përkushtim për ngritje profesionale të gjeneratave të reja do të duhej të ishte garanci se shoqëria po lëviz drejt emancipimit ekonomik, social e kulturor. Madje nga një këndvështrim pozitivist (si ato që pritet të dëgjohen më 1 Tetor nga ndonjë drejtues shteti drejtuar brucoshëve), nuk mund të përkufizohet assesi si fenomen që prodhon krizë, përkundrazi, si vlerë e shtuar. Të shtohen më mijëra ekonomistë, juristë, mjekë, edukatorë, inxhinierë..., për çdo vit, do të thotë të kesh minimum nja 3 për qind në nivel vendi më shumë qytetarë profesionist. Dhe po aq për qind me pak komunitet që mund të jetë barrë për politikat sociale dhe ato të sigurisë.

Këta 30 mijë kuadro të së ardhmes, pas pak vitesh do të mund të jenë mijëra prindër që edukimin dhe arsimin do t’i kenë në krye të agjendës së tyre familjare dhe të rrethit të afërt social. Duke qenë më mendjehapur, ata do të përbënin një armatë aktivistësh që do të ndihmonin shoqërinë në fazat e saj të zhvillimit e të shtetndërtimit. Gjithnjë duke ditur se këto tipare ata do t’i kultivojnë gjatë aktivitetit studimor - duke marrë parasysh se për së paku tri vite, ata do të kalojnë kohën më të madhe duke bashkëjetuar me librin, duke monitoruar online studimet ndërkombëtare, duke marrë pjesë në konferenca shkencore, duke bërë hulumtime individuale dhe në grup, duke shkëmbyer përvoja me kolegë nga vendi dhe nga jashtë dhe duke forcuar komunikimin dhe bashkëpunimin me profesorët e tyre. Në këtë marrëdhënie ata do të krijonin botëkuptimin tjetër mbi vendin, mbi qeverisjen e saj, mbi nevojat e tregut dhe të ekonomisë, mbi nivelin edukimit, arsimit, shkencës dhe të kulturës. Më kryesorja, ata do të fitonin lirinë, pavarësinë individuale dhe të gjykuarit jouniformë. Ata nuk do të bëheshin mall që të tjerët ua caktojnë çmimin, ata nuk do t’u vardiseshin dhe t’u përuleshin atyre që në një moment të caktuar kanë vënë kontrollin mbi fatet e njerëzve. Do të ngrinin zërin kundër të këqijave të shoqërisë, do të bëheshin pjesë e lëvizjeve dhe protestave qytetare, të reagimit pozitiv, e të pjesëmarrjes në debatin publik për ndryshime.

Nga kjo perspektivë ideale, ky entuziazëm dhe ky insistim i mijëra të rinjve për shkollim superior do të duhej të na bënte të lumtur të gjithëve.

Por cila është e vërteta që ndryshon nga kjo që është thënë më lartë, e që është vetëm një “potpuri dëshirash”.

E vërteta, këta 30 mijë studentë të rinj, si edhe mijëra të tjerë që janë regjistruar nëpër vite, ka pak shanse që të mos ndjejnë krizën e madhe të papunësisë e të varfërisë që rri këmbëkryq në çdo cep të vendit. Dhe kjo për fajin e vogël të tyre. Projektuesit dhe drejtuesit e sistemit të arsimit, që do të duhej të merrnin përgjegjësinë kryesore për krizën, vazhdojnë me kokëfortësi të kujdesen vetëm për njërën nga dy anët e medaljes – mirëqenien e kuadrit universitar, pjesë e së cilës janë edhe vetë. Me gjithë konstatimin, edhe të tyre, se arsimi ka probleme dhe se duhet reformë e thellë, ata nuk duan ta ndryshojnë politikën e masivizimit të arsimit të lartë me shtimin e vazhdueshëm të kuotave dhe akreditimin e programeve që nuk kanë perspektivë, sidomos në raport me nevojat e tregut. Nëpërmjet përfshirjes sa më të madhe të maturantëve, ata duan të realizojnë edhe qëllime politike – duke angazhuar gati një gjeneratë të tërë në studime, tentojnë të krijojnë paqe të rrejshme sociale dhe të ulin artificialisht shifrat e papunësisë.

Dhe pavarësisht se është ngritur disa herë alarmi se Kosova ka shumë analfabetë funksionalë, universitetet tona insistojnë të nxjerrin një model të avancuar të këtij lloji - kuadro jofunksionalë. Dhe kjo ndodh sepse një pjesë e madhe e studentëve do të mësojnë, por nuk do të arrijnë mjaftueshëm të përgatiten për të përballuar kërkesat e punëdhënësve. Ata nuk do të gëzojnë as respektin e të qenit student në rrethet sociale, siç ishte dikur.

Më shumë se kaq, këta të rinj që futen për herë të parë në universitete do të habiten nga mënyra se si trajtohen institucionet arsimore nga drejtuesit e tyre. Do të shohin nga afër cilësinë e një pjese të kuadrit, do të mësojnë të vërtetën e ngjitjes së tyre akademike, të ndërskamsave, grupeve rivale dhe luftës për poste drejtuese. Do të shohin se si disa profesorë janë të përkushtuar për punë por në numër janë pak, e do të trishtohen se si disa të tjerë që përbëjnë shumicën abuzojnë me “pakicën” dhe me vendin e punës. Sesi për të rritur vlerën e të hyrave mujore angazhohen në shumë vende pune, pushtojnë disa lëndë mësimore (17 angazhime një profesor në FSHMN) dhe mentorojnë diplomimin e deri 460 studentëve brenda vitit (siç ka ndodhur gjatë 2014-s nga një profesor në Fakultetin Ekonomik). Do të skuqen sesi profesorët e tyre do të shndërrohen në personazhe mediale, për shkak të aferave brenda dhe jashtë fakultetit. Sesi modelet e tyre prej “eksperti”, që mbajnë poste ministrore, të deputetit, të shefave të agjencive të pavarura, të klinikave, bizneseve dhe çfarë jo tjetër, kapen në veprimtari kriminale, madje edhe në abuzime seksuale.

Do të marrin vesh se kush ka arritur të promovohet si kuadër universitar me meritë, kush me stupc në krah, e kush se është “daja i shefit të shtetit”. Se si praktikohen ende metodat e 40 viteve më parë, se si qarkullojnë të ashtuquajturat “skripta”, përmbajtja dhe volumi i të cilave është më i vogël sesa i cilësdo lëndë në shkollat e mesme.

Do të hasin studentë që nuk duken fare në ambientet e fakultetit por lëvizin me shpejtësi rekorde drejt cakut - duhet t’u besojnë syve kur ndonjëri nga ta edhe mund t’ju shfaqet një ditë në derë si mësimdhënës. Do të “trajnohen” për format alternative të kryerjes së provimit, për miqësinë me profesorë si njëra nga mënyrat që u bën rrugën më të lehtë e më të shpejtë të diplomimit, se si në vend të organizimit të grupeve që merren me hulumtime shkencore e aktivitete në dobi të ngritjes profesionale, do të mobilizohen se kush do të drejtojë “partitë” studentore, dhe si mund të përfaqësohen në këshillat e fakulteteve e në rektorat, duke u bërë pjesë e strukturave që në vend të shkencës bëjnë politikë e klane.

Nuk do të humbin kohë për t’u bërë pjesë e debateve të brendshme, meqë ato thuajse nuk ekzistojnë, e as të bëhen pjesë e lëvizjeve qytetare për kauza ku preken interesat dhe ardhmja e tyre.

Në fund, kur ikin nga aty, shumica do të mbajnë në mend fare pak nga ato që kanë “dëgjuar” dhe “mësuar” për drejtimin që kanë zgjedhur. Do t’i qajnë vitet e humbura, do të heshtin të vërtetën se janë të diplomuar dhe do të nisin gjithçka nga fillimi. Do të fajësojnë shtetin që pak ditë para se të përfundojnë maturën apo pak ditë para se të dorëzojnë kërkesën për regjistrim në fakultet, nuk nxori në publik një zë që me kompetencë do t’ua bënte të ditur të vërtetën. Atë të vërtetë që për ta ka kuptimin e vendimit për të ardhmen e tyre.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...