Operacioni “Dr. Dalipi”

27 Mars 2016 - 08:00 - Elmaz Isufi      

Makina ku isha unë ishte përplasur fort me një makinë britanike të KFOR-it, aty pas konvikteve, në rrugën që shpie te “Furra e Qerimit”... Kur hapa sytë pashë veten të shtrirë në spital, në sallën e ndërhyrjes së shpejtë. Mbi mua u shfaq për çudi fytyra e doktor Dalipit. Nuk dija nëse jam ëndërr apo jam çmendur. “O kushëri, çka u ba puna jote? Ti dhe unë jemi kah e çojmë luftë”, më tha ai. Ishte hera e tretë për 15 muaj që atij i dilte punë me mua

Në kujtim të 17-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s, në vend të një analize mbi rëndësinë, ndikimin politik dhe gjeostrategjik të saj, po sjell rrëfimin personal, një nga 2 milionë të tjerë të asaj kohe. Një rrëfim më pak dramatik se i të tjerëve, e edhe më pak se i atyre që sot nuk janë me ne

***

Një ditë para se të “bëhesha për spital”, më 21 mars të vitit 1999, nga Zhegra u ktheva në Prishtinë. Vendin e lindjes e lashë të pushtuar nga ushtarë e rezervistë serbë, por më shumë me frikën dhe dilemat e banorëve për ditët që vinin. Imazhe të ngjashme pashë edhe në Gjilan, por edhe gjatë rrugës deri në Prishtinë. I pamësuar që të rrija mbyllur, në mesditë u lëshova nga Xhambazët drejt qendrës. Aty takova disa shokë, mes tyre edhe gazetarin Fehmi Ajvazi.

Nuk ndenjëm shumë, por mjaftueshëm për t’i dhënë një rafal bisedës për situatën, për më tepër, që kishte dështuar zgjidhja politike dhe në horizont shihej përshkallëzimi i luftës e i dhunës, me apo pa intervenimin e NATO-s. Me Fehmiun më pas u ngjitëm rrugës “Dubrovniku”, e njëjta na çonte tek banesat tona. Kishte ende lëvizje të njerëzve dhe nuk dallonte nga ditët paraprake. Nuk fliste kush për rreziqet (edhe pse të gjithë e ndienin), për braktisjen e shtëpive edhe më pak se ekzistonte një plan dëbimi masiv.

Rrugës ndjeva dhimbje dhe shtrëngime të forta në bark. Nuk e bëra me zë, as kur u përshëndeta me Fehmiun. Mora në telefon të fejuarën dhe i tregova se nuk ndihesha mirë. Erdhi me shpresën se është kaluese. E pa se ishte më keq dhe qëndroi me mua. U përpëlita tërë natën deri në mëngjes, ndërsa të nesërmen (22 mars) u afruam te kushëriri im, doktor Dalip Limani, në klinikën private pranë parkut të qytetit (tash rruga “Isa Kastrati”). E dija ku punonte, meqë një vit më parë (mars 1998) kisha kryer një tjetër intervenim. Mbaj mend se pas atij operacioni, nga Prishtina deri në Gjilan, ku punoja si korrespodent i “Kohës Ditore”, nuk kam parë asnjë makinë në lëvizje. Kishte arsye - ishin pak ditë që kishte ndodhur sulmi mbi familjen Jashari në Prekaz.

Doktori më bëri një kontroll rutinë dhe më këshilloi për analiza. Me atë rrugë shkova në një nga laboratorët më të afërt. I mora rezultatet dhe pasi i analizoi, ai më tha që duhet urgjent të futesha në operacion. Me nxitim kontaktoi edhe dr. Mehmet Maxhunin. Nuk vonuan shumë, organizuan ekipin dhe më futën në sallën e vogël të operacionit. Prerjen e nisën ende pa arritur anestezioni efektin e plotë. Nuk kisha zë që të bërtisja, ani që dëgjoja muhabetin e tyre. Buzët më ishin mpirë dhe e ndieja se po humbja vetëdijen – ose për shkak të dhimbjes, ose të anestezionit.

Atë mbrëmje qëndrova në klinikë, ishte nata mes 22 dhe 23 marsit. Të nesërmen u ktheva në banesë dhe si gjithë të tjerët prisnim se kur do të nisnin sulmet e NATO-s. Me mua, përveç të fejuarës, ishte edhe njëri nga vëllezërit e mi, tre vjet më i ri. Në orët e mesnatës nisi ajo që pritej. Dridhjet që shkaktuan bombat e para të NATO-s na krijonin njëfarë përzierje emocionale - në njërën anë ishim të trembur se forcat serbe do të na hakmerreshin, e në anën tjetër të gëzuar se kësaj drame tragjike po i vinte fundi.

Të nesërmen duhej të shkoja për të marrë injeksionin, jo në klinikë, meqë ishte mbyllur (aty kam dëgjuar se ishin trajtuar edhe pjesëtarët e plagosur të UÇK-së), por te shtëpia e dr. Dalipit, që ishte pranë asaj të familjes së Albin Kurtit. Teksa të afërmit e të fejuarës me mbajtën në krah, shkallëve takova disa nga serbët që ngjiteshin lartë. U mor vesh, ata kishin qenë në “strehimoret” më të afërta të qytetit. Dhe, derisa mora gjilpërën, e fejuara dhe vëllai i saj më sugjeruan që të shkonim në shtëpinë e tyre në Velani.

“Ta bëjmë ndonjë supë...”, më thanë. Pranova të shkoja në Velani, në shtëpinë e tyre, që gjendej disa metra afër shtëpisë së presidentit Rugova. Nuk kisha idenë se çfarë kishte ndodhur pas daljes nga banesa, por e kuptova çfarë po të isha kthyer aty. Ngase pak orë më vonë në derën e miqve u paraqit vëllai im. Ishte i zbehur dhe i tensionuar.

Në fillim u përmbajt, për të treguar krejt se çfarë i kishte ndodhur.

“Pasi ke dalë ti, disa minuta më vonë, në derë të banesës janë shfaqur shumë policë. Ata nuk pritën as t’ua hapja derën, e nxorën me forcë nga vendi. Me të hyrë më goditën me kondak dhe më përplasën në dysheme. M’i lidhën duart dhe më mbajtën me fytyrë përtokë. ‘Gdje je ranjenik’ (ku është i plagosuri) më pyesnin. Nuk e kuptoja mirë serbishten, por ma mori mendja se po të kërkonin ty. E kuptova edhe atë se fqinjët serbë që të kishin takuar shkallëve kanë njoftuar policinë. Ata ishin të sigurt se këtu strehoheshin ushtarët e UÇK-së. Mezi i binda se ka ditë që ti ishe shtruar në spitalin e shtetit dhe se nga frika e bombardimeve ke qëndruar vetëm mbrëmë këtu në banesë...”

E këshillova vëllanë të mos kthehej më aty. Më tha se do të kontaktojë një shok tonin, me të cilin së bashku studionin mjekësinë dhe të gjenin një mënyrë për t’u bashkuar me UÇK-në.

Ato 4-5 ditë që qëndrova tek e fejuara, prindërit e saj u kujdesën maksimalisht, më ofruan edhe shërbimin mjekësor nëpërmjet një infermiereje, fqinje e tyre. Për vëllanë nuk mora vesh më asgjë derisa përfundoi lufta. Tërë kohën ndieja një faj të madh se isha bërë sebep që ai të maltretohej në banesë, e pas kësaj e lashë vetëm dhe me rrezikun që të humbet pa gjurmë.

“Ku e keni NATO-n?”

Mëngjesin e 27 marsit, lagjja “Velania” u mbush me policë e ushtarë serbë. Derë më derë ata nxirrnin shqiptarët dhe i drejtonin nga qendra e qytetit. Ashtu na nxorën edhe neve – duke mos harruar për të na thënë: “Ku e keni NATO-n?”. Isha shumë nervoz që isha bërë peng i sëmundjes, dhe nuk arrija të besoja se e kisha prurë punën që serbët të më gjenin duarthatë në shtëpi.

Zbritëm në drejtim të “Moravskas” (e banuar kryesisht me romë), për t’iu afruar lagjes “Dodona”. Aty ende nuk kishte nisur dëbimi. Prindërit e të fejuarës donin të rrinin sa më afër shtëpisë, me shpresën se mund të ktheheshin sërish. U futëm në një shtëpi që njiheshim mes vete. Qëndruam dy-tri orë, derisa nuk u shfaq policia. Unë ndihesha më mirë, por i paforcë – nga dita e operacionit isha ushqyer kryesisht me biskota. Na nxorën edhe nga aty, bashkë me njoftimin se njerëzit po i drejtojnë te stadiumi i qytetit, se po i ndanin burrat nga gratë dhe se më pas po i dërgonin në drejtim të Nishit. Edhe nuk mund të imagjinohej ndonjë trajtim tjetër nga regjimi që deri atë ditë kishte masakruar shumë familje anekënd Kosovës.

Ne, në vend se t’ia mbanim nga stadiumi devijuam rrugën dhe u ndalëm afër shkollës “Elena Gjika”. Aty jetonte një shoqe jona nga studimet, Lindita Ibishi. Trokitëm në derë dhe i pyetëm nëse mund të qëndronim pak kohë që më pas të ktheheshim në “Velani”. I ati i saj, Malushi, u tregua shumë bujar. “Po more!”, tha. “Hajdeni këtu e rrini derisa të ketë nevojë!”.

Më shumë ai nisi të brengosej për mua, ani që ne nuk ishim të vetmit të huaj aty. Familja e Linditës u tregua e kujdesshme. I fejuari i saj, Skënderi (Boshtrakaj), që qëlloi të ishte aty, m’i bënte gati biskotat me qaj. Por i ati i Linditës nuk mjaftohej me kaq, insistonte të gjente një mjek që të më kontrollonte mua. Ne bujtëm atë natë (28 mars), e të nesërmen paradite ma sollën mjekun. Më tha që është stomatolog, por merr vesh në kirurgji. Më pastroi plagën dhe tha se duhet hequr penjtë, ngase nuk është mirë të qëndrojnë gjatë në trup.

Pak minuta pasi shkoi mjeku, të cilit nuk arrita t’ia mësoja emrin, në shtëpi u futën policët serbë. I kishte ardhur radha edhe kësaj pjese të qytetit që të zbrazej. Na nxorën një nga një. Me të dalë në rrugë, nga unë kërkuan t’i nxirrja të gjitha që kisha në xhepa. Bashkë me disa marka gjermane, me vete kisha edhe çelësat e veturës. M’i morën paratë, por më shumë interesoheshin për veturën. Më bënë presion që t’u tregoja ku ishte, i thashë që nuk e kam me vete, sepse është e vëllait dhe ai mund ta ketë diku në Gjilan.

Më lëshuan duke na urdhëruar që t’ia mësynim stacionit të hekurudhës. Nga të gjitha rrugët shiheshin njerëz që vinin si lumë dhe që drejtoheshin në një pikë. Te “Tre rremshi” rrinin tubë mbi 30 policë me maska në kokë. Vetëm njëri nga ta nuk e fshihte fytyrën. Dhe ishte pikërisht ai që bërtiti në drejtim timin: “Hej mali, dodji ovamo!”. E kisha të fejuarën për dore, pranë na rrinte babai, ndërsa disa metra më larg nëna dhe dy vëllezërit e saj.

Pyetja e parë ishte: “A ke para?”. I thashë që policët tjerë m’i morën. Nëse s’ke para më tha se duhet me ta marrë këtë vajzën. Për mua, si edhe për shumicën e njerëzve, jeta dhe vdekja sikur ishin shkrirë në një – i thashë po rri unë me ju! Ma ktheu: “Sta ces ti mene koji k...” (Çka në k... më duhesh ti).

E fejuara filloi të dridhej dhe të ma shtrëngonte dorën me krejt forcën. Aty ndërhyri edhe babai i saj, por atë e përmblodhën shpejt. I thanë që të largohej. Pasi m’i bëri edhe disa pyetje m’u drejtua me fjalët: “Mi ipak nismo kao vasi teroristi koji siluje nase zene (ne megjithatë nuk jemi si terroristët tuaj që dhunojnë femrat tona).

Pse, qysh e tek, nuk e di, por edhe neve na thanë që të ikim. Rrugës pa mbërri te kompleksi “Qafa”, nga ana tjetër e rrugës më thirri një tjetër polic i maskuar që rrinte ulur në karrige, në trotuar, dhe mbante automatin në duar. Eja këtu, më tha edhe ai. Ndërsa unë dola në anën tjetër të rrugës, e fejuara dhe familjarët e saj u detyruan të vazhdonin rrugën për të mos humbur ritmin e turmës. Nuk guxuan as ta kthenin kokën. E unë derisa ia dhashë letërnjoftimin, pashë se rruga po zbrazej. Aty-këtu lëviznin vetëm makina me policë e me civilë të armatosur.

Pasi pa letërnjoftimin më kërkoi të holla. Procedura dhe muhabeti i njëjtë, si me ata të mëparshmit. Më liroi, por kjo liri zgjati shkurt. Pak metra më poshtë nga tuneli i “Qafës”, aty ku kisha qëndruar një javë më parë me Fehmi Ajvazin, doli një tjetër person, ma futi automatikun në qafë dhe më shtyri në sokakun që çonte te dyqani i fotografit Gani Ibërdemaj. Kërkoi para nga unë, m’i kontrolloi xhepat. Meqë nuk gjeti gjë, u mendua gjatë nëse duhej të më ekzekutonte (më vonë pata marrë vesh se aty pranë serbët kishin vrarë disa shqiptarë).

Stacioni i lotëve

E shkruar për të mbetur gjallë, më liroi edhe ai. Turma ishte larguar dhe unë isha i vetëm në rrugën që çonte deri te kryqëzimi i “Dragodanit” (tash “Arbërisë”). Nuk guxoja të shpejtoja, por edhe po të doja nuk mundja. Kur mbërrita aty pashë shumë njerëz që vinin edhe nga kjo lagje, ishte si një pikëtakim i të dëbuarve të Prishtinës. Me dhjetëra policë nuk lejonin të kalonte askush pa legjitimim dhe kontroll. Mua më ndali njëri nga ta, me maskë. Më mori dokumentin dhe më shikoi në sy.

“Zhegran si ti (I Zhegrës je ti?)”, më pyeti. Tregoi pak “dashamirësi”. Ma ktheu letërnjoftimin dhe me tha - shko nga binarët dhe ndalu te stacioni i trenit se nga aty do t’ju transportojnë për në Maqedoni.

Te stacioni hekurudhor ishte dramë e vërtetë. Me mijëra njerëz, të trembur, të plaçkitur, me fëmijë që qanin dhe pleq të dërrmuar. Vajit të fëmijëve ua shtonte trishtimin shiu që binte dhe moti i ftohtë. Të mbushej mendja se të gjithë ishin kthyer kundër, përveç NATO-s.

Pas disa orësh mbërriti një tren. Njerëzit, pasi morën vesh se nuk po dëboheshin në drejtim të Serbisë, por të Maqedonisë, shtyheshin sa mundeshin për të hyrë në tren. Kishte edhe të tillë që përbiroheshin nëpër dritare. Nuk e di si ia dolëm, por mbaj mend se u gjendëm edhe ne brenda. Burrat qëndronin në korridore e gratë me fëmijë dhe të moshuarit nëpër kabina (kupetë). Unë nuk mbahesha më në këmbë. Një kohë u ula në dysheme, pastaj më shtrinë në njërën nga kupetë, por nuk pranova të qëndroja aty dhe dola prapë në korridor. Ndërkohë dikush nga njerëzit brenda tha se duhet të mbledhim para që kur të futen policët t’i kemi të gatshme – ua japim dhe ata nuk kontrollojnë secilin veç e veç. Dhe kështu ndodhi dy herë derisa mbërritëm në zonën neutrale në mes Kosovës dhe Maqedonisë, ku qëndrova katër ditë... Nga Bllaca më nxori një ekip i Kryqit të Kuq (duke iu falënderuar Ekrem Hajdarit që punonte në këtë organizatë, pas lufte u bë drejtor i Doganës). Në Reçicë të Vogël gjeta të fejuarën dhe familjen e saj.

Afro dy muaj në Maqedoni u angazhova në gazetën “Koha Ditore”, që vazhdoi punën atje. Por brengën e kisha tek familja ime që kishte mbetur brenda Kosovës dhe për të cilët dëgjoja rrëfime nga më bizaret... Shumë herë kam udhëtuar nga Tetova deri në Shkup, Kumanovë e Likovë, për të takuar njerëz të zhvendosur e për të marrë ndonjë lajm.

Takimi i tretë me doktor Dalipin

Historia ime me dr. Dalipin dhe me NATO-n nuk u mbyll as pas 11 qershorit, kur u nënshkrua kapitullimi i Serbisë. Meqë ende nuk ishin krijuar kushtet për punë, “Koha Ditore” vazhdoi edhe disa ditë të përgatitej në Maqedoni. Unë u ktheva nga atje, nga fundi i qershorit. Zbrita në hyrje të Prishtinës, Te Rrethi. Pasi prita afro 15 minuta, para këmbëve ndaloi një makinë “Lada Samara” me ngjyrë të zezë. Ishin dy veta brenda. Fytyrat e tyre përshkruanin më së miri të jetuarit në rrethana lufte. Madje njëri kishte përjetuar dy drama të ndara.

Përveçqë ishte torturuar gati deri në vdekje, atij i ishte ndarë familja në dysh. Nga tetë fëmijë, katër prej tyre bashkë me nusen e tij i kishin përfunduar në SHBA. Dëbimi i nuses me katër fëmijë i kishte ndodhur derisa ajo ishte te familja e prindërve të saj. Katër të tjerët, më të rritur, që kishin qëndruar në shtëpi, bashkë me të e kishin pritur fundin e luftës në Kosovë.

Ata kishin pasur aty afër punë, por vendosën të më çonin deri te banesa. Më pyetën se kush isha, nga vija, çfarë profesioni kisha. U kallëzova që jam gazetar... Dhe ndërsa ndërruam pak fjalë, dëgjova një krismë të madhe. Nga ai çast isha pa vetëdije. Makina ku isha unë ishte përplasur fort me një makinë britanike të KFOR-it, aty pas konvikteve, në rrugën që shpie te “Furra e Qerimit”. Kur hapa sytë pashë veten të shtrirë në spital, në sallën e ndërhyrjes së shpejtë. Mbi mua u shfaq për çudi fytyra e doktor Dalipit. Nuk dija nëse jam ëndërr apo jam çmendur.

“O kushëri, çka u ba puna jote? Ti dhe unë jemi kah e çojmë luftë”, më tha ai.

Ishte hera e tretë për 15 muaj që atij i dilte punë me mua. Ai ma tregonte shuplakën e dorës dhe më pyeste se sa gishta janë. E pashë se edhe ai ishte i shqetësuar me gjendjen time psikike. Kisha kaluar disa orë në komë. Më pyeti edhe për vitin në të cilin ishim. Nuk e qëllova.

E pyeta se çfarë ka ndodhur me mua. Më tha se je në spital dhe se ke pasur aksident. Më tregoi edhe se si ai tash është duke punuar në spital dhe se Kosova është e lirë. I gjori unë, s’e kisha idenë as të luftës, as të NATO-s, e as se spitali ishte tash në duar të shqiptarëve.

Më dërguan diku dy kate më lart, dy persona më bartnin shkallëve dhe ndaleshin shumë shpesh. Në dhomën ku më shtruan, karshi meje qëndronte një pacient, por që kokën e kishte të mbështjellë me fasha, mezi i shiheshin sytë. Pas pak dëgjova një zë sikur po më vinte diku pas murit. “Ku je more gazetar?” – m’u drejtua ai. U shtanga. A thua nga po më njeh kjo “fantazmë”! “Qysh bre s’po më njeh!”, ma ktheu shpejt. I thashë që s’po të njoh se me këtë fytyrë ti nuk e njeh as veten. Tha unë me ty kemi qenë në kerrin që u aksidentua sot, se të kam nxjerrë zvarrë dhe të kam hedhur në trotuar.

Tash e mora vesh se Enveri i mbuluar me fasha, bashkë me Selatinin, të dy nga rrethi i Vushtrrisë, në orët e para të lirisë kishin qenë bashkudhëtarët e mi. Selatini kishte lënduar këmbët, por nuk ishte rëndë, kurse unë dhe Enveri kishim marrë plagë në tërë trupin. Sipas mjekëve isha më i rrezikuar, meqë njëra nga plagët ishte në kokë. Enveri, që ishte ende i tronditur nga ndarja e familjes, më rrëfeu sesi forca goditëse e përplasjes e kishte nxjerrë atë jashtë makinës. Koka dhe fytyra i ishin mbushur me copa xhami.

Në Kirurgji, përveç doktor Dalip Limanit, takova edhe kunatën e tij, që një ditë pas fillimit të bombardimeve të NATO-s më kishte dhënë injeksionin. Edhe Mehmet Maxhunin, që kishte asistuar në operacionin e asaj kohe. Kurse dy-tri ditë më pas takova vëllanë tim, që ishte larguar për në mal dhe ishte bashkuar me UÇK-në. Ai kishte sjellë në spital dy të plagosur nga Gjilani dhe rastësisht ka takuar të fejuarën time në korridorin e Kirurgjisë... Malush Ibishit i bëmë nderimin e fundit në varrimin që u organizua për të, pas lufte. Ai nuk kishte arritur ta shijonte lirinë.

Operacioni i “Dr. Dalipit” ishte urgjent dhe me dhimbje, sikur edhe intervenimi i NATO-s. Misioni i tyre nuk përfundoi në qershor të vitit 1999. Falënderimi në 17-vjetorin e çlirimit kësaj here shkon për ta, por edhe për dëshmorët dhe të gjithë njerëzit solidarë në Kosovë, Maqedoni, Shqipëri dhe kudo në botë, që 1 milion shqiptarëve u gjetën strehim dhe u ofruan shpëtimin. 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...