4 Janar 2015 - 08:00 - Elmaz Isufi
E, i ati i tij, i gjendur në presion të rrethit shoqëror dhe për të mos u gjykuar si prind i padenjë, bëri gjithçka që ai të paktën të diplomohej. E mendoi gjatë e gjatë dhe vendosi ta orientojë në fushën e tij, nga e cila vetë kishte krijuar prestigj dhe pasuri të madhe. U nxit edhe nga përparësitë se disa nga shokët e tij të gjeneratës tashmë kishin zënë vend në universitet, e kishte fituar mjaft autoritet edhe për vetë punën që kryente në organet e drejtësisë.
Pak me zor e pak me hatër, ia doli ta bëjë djalin ekspert me letra. Duke parë se i doli më lehtë seç e kishte menduar, e shtyri që edhe specializimet t’i çojë deri në fund. Me kalimin e kohës, dhe për t’ia bërë më të kollajshme këtë sfidë familjare, edhe i biri i mësoi hilet e avancimit. Por, jo edhe të zanatit, ashtu si dinte i ati i tij tashmë i dalë në pension.
Dhe kjo u mor vesh kur një ditë i biri u kthye nga puna, ku kishte nisur të punonte si gjykatës.
Sa dukej i entuziazmuar aq edhe sikur donte të shfryhej për diçka që e zinte përbrenda. Por u përmbajt. Vetëm e përshëndeti të atin dhe u nis për të shkuar në dhomën tjetër. E plaku, që rrinte ulur në kolltuk, nuk duroi dhe e pyeti:
“Si ishte sot?”
“He, mor, babë! Po mirë ishte!”, ia ktheu i biri, siç e kishte zakon sa herë që provonte t’i shmangej debatit me të.
“Mirë, de, mirë, po çfarë pati të re, se kjo puna jote nuk është kaq e thjeshtë. Ka raste të ndryshme, njerëz të ndryshëm”, këmbëngulte ai.
“Për fillim, mirë. Pata një rast dhe e ia lidha kryet shpejt”, i foli shkurt i biri.
“Ani si, e çfarë lidhe?”, i ndërhyri i ati, që me sa duket donte të dinte nëse ka vepruar mirë apo nëse e ka huq krejt. Edhe ashtu nuk i zinte shumë besë, duke ditur se si e kishte përfunduar shkollimin.
E djali që nuk po arrinte t’u shmangej pyetjeve si prej gjykatësi të të atit, hoqi pallton dhe shpërtheu me fjalë.
“Qysh, bre, çfarë lidhe! Qysh, bre, ju garda e vjetër lidhje me profesionalizëm nuk kishit pas. Jam tmerruar se si një rast krejt banal e keni zvarritë me vite”.
Plaku duke parë se djali ishte nxehur, nuk e shikonte në sy. Por ishte kureshtar të dëgjonte rrëfimin edhe me çmimin që muhabeti të dilte prej kontrollit.
“E çfarë paske bërë ti, gjykatësi i kohëve moderne?”, e pyeti ai pak me ironi.
“Po si, bre, ‘moderne’ a ‘primitive’ - drejtësia është drejtësi. Konfliktin e gjatë të dy familjeve që e keni zvarritë ju gjykatësit me përvojë, me dekada, unë e zgjidha për një ditë”.
“S’po kuptoj! Kjo nuk ndodh gati kurrë!”, ia ktheu i ati.
“Qe po ta them, se s’po mundem të duroj”, i tha djali, për të zënë vend në karrigen përballë të atit.
“Dy familje shqiptare kishin ngatërresa për një mezhde. Sipas dosjes aty ndër vite kishte pas rrahje, plagesa e edhe vrasje. Njëra palë thoshte se një shkallë e gjykatës më ka njohur të drejtën mua, e tjetra insistonte se shkalla tjetër e ka kthyer mbrapsht vendimin pas disa viteve. Dhe historia e tyre nuk kishte sos kurrë. Të dy familjet ishin lodhur e dërmuar, besa edhe ishin harxhuar shumë. Ishin ba trokë, e ishin gati edhe për t’u pajtuar, po askush s’kishte treguar vullnet për t’u dalë në ndihmë. Bile m’u duk se edhe njerëzit përreth tyre, si pleqnarët dhe të ashtuquajtur pajtues mahallash veç çka u kishin dhënë zjarr”, rrëfeu gjykatësi i ri.
“Ani, si ia bëre, se po më duket rast i njohur?”, e pyeti plaku me qetësi, me besimin se ndoshta djali i tij ia ka dalë të veprojë me “profesionalizëm”.
“Si ia bëra? Po ata ishin përplas për një dardhë, dhe ç’është e vërteta ma shumë punë inati, qysh dinë veç shqiptarët me ba. Njëri thoshte që pema është në tokën time, e tjetri në timen. Për mua rasti ishte i thjeshtë dhe për mos me e zgjat urdhërova që të pritet dardha”.
“Ha-ha-ha-ha-ha!”, qeshi i ati pak edhe prej zori, para se të ngrihej në këmbë dhe ta ngrinte zërin.
“Po qysh, more, me u pre dardha! Po çfarë gjykatësi je ti! Unë prej asaj dardhe kam hangër 30 vite. Po ti e paske pre nafakën tënde more dështak...”
Dilema
Meseleja me “dardhën” mund të jetë e dëgjuar edhe nga të tjerët, ndoshta edhe në versionin ndryshe. Por, kështu si është na çon te pyetja se kur do të kemi një shkollë tjetër të kultivuar të drejtësisë që u humb terren të dy ekstremeve - gjykatësve naivë dhe atyre të rryer e hilexhinj.
Ngase ata që duhet ta mbajnë frontin në paqe, ashtu si gjeneralët në luftë, në realitetin tonë i kanë lëshuar terren ligjit të bandave dhe kriminelëve. Me mijëra lëndë nuk janë trajtuar ende nga gjykatat. Disa janë fshehur me vite nën tavolina, disa janë parashkruar, e disa kanë humbur arsyen për t’u gjykuar. Edhe për shumë të tjera dyshohet se janë vendosur në favor të palëve të forta - fajtore.
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...