9 Nëntor 2014 - 09:00 - Elmaz Isufi
Ndërsa diskutohet për presionin e vazhdueshëm ndaj medieve të pavarura në Kosovë, nuk mund të mos kujtohen dy emra që lanë gjurmë të mëdha në zhvillimin e demokracisë dhe lirisë së shtypit në botë.
Poeti anglez John Milton, më 1644, në fjalimin e tij të quajtur “Areopagitica“ mbajtur në Parlamentin anglez, e zë në gojë për herë të parë lirinë e shtypit. Milton me këtë trakt polemizues u ngrit kundër censurës. Vendimi për censurë ka thënë ai është humbje më e madhe për shtetin sesa t’i bllokohen atij rrugët dhe limanet nga ana e një shteti tjetër.
Pra, historia e diskutimit për të drejtën e të shprehurit dhe të shkruarit lirshëm ka nisur dy shekuj e gjysmë para se shqiptarët të mburreshin me hapjen e shkollës së parë, apo me daljen e gazetës e revistës së parë, tre shekuj para se të kenë shkollim cilësor dhe gati katër shekuj para se në Tiranë e Prishtinë të themeloheshin katedrat për studime të gazetarisë.
Idetë e Miltonit për lirinë e shtypit, të mendimit, e të fjalës kanë gjetur përkrahje në shoqëritë e emancipuara dhe si të tilla janë inkuadruar në Deklaratën për të Drejtat e Njeriut (1789).
Jo shumë vjet më vonë, ish-presidenti i SHBA-së, Thomas Jefferson, ia vuri vulën rolit të rëndësishëm të medieve.
“Në rast se do të duhej të zgjedh ndërmjet qeverisë pa gazetë dhe gazetës pa qeveri, nuk do të hezitoja për asnjë moment ta zgjidhja këtë të dytën”, ka thënë Jefferson.
Kjo deklaratë e njeriut që konsiderohet themelues i demokracisë amerikane dhe autor i Deklaratës së Pavarësisë nuk flet vetëm për fuqinë e medies, atëbotë e edhe tash, por më shumë për respektin dhe vlerën që i jepte ai asaj, 200 vjet më herët.
Pse nga ne nuk doli një poet si Miltoni që ka kërkuar heqjen e censurës apo një burrështetas si Jeffersoni që i jep peshën e duhur medies, nuk është për të vajtuar ngase edhe shumë të tjera vlera njerëzore e shoqërore janë brumosur nga individë dhe popuj të caktuar, por i papranueshëm është refuzimi për të përqafuar këto vlera, e po aq edhe prirja për të cenuar lirinë e shtypit e të fjalës.
Dhe dy rastet e fundit nga qindra të tjera të presionit ndaj medies, e ilustrojnë këtë në mënyrë specifike, për shkak të ngjashmërisë, por më shumë të origjinës. Gazetarit të “Kohës Ditore”, Vehbi Kajtazi, në njërën, nga autoritetet vendëse i ndalohet zyrtarisht qasja në dokumente zyrtare, e në tjetrën, nga autoritetet ndërkombëtare nuk i jepet përgjigje në interesimet e tij, madje kërcënohet me ndjekje penale.
Mëkati i gazetarit është se në të dyja rastet ka kërkuar informacion zyrtar, ashtu siç e kërkon rregulli, për disa dyshime të ngritura. Ndonëse ka mundur të zgjedhë dy rrugë të tjera joprofesionale - që dyshimet për manipulime në tenderët e Komunës së Skenderajt dhe dyshimet për korrupsion në EULEX t’i nxjerrë vetëm mbi bazën e informacioneve që ka në dispozicion, pa provuar të komunikojë me palët e tjera, dhe e dyta, të bëjë siç bëjnë shumë gazetarë në mediet e tjera, të mos lodhet as për fenomenin e korrupsionit e as për njërën e palën tjetër, por në vend të saj, të heshtë dhe ndërkohë të shkruajë për rendimentet që pritet të ketë gruri në vitin 2015, pse jo edhe për ndonjë storie tjetër “suksesi”, ashtu siç edhe na pati këshilluar përfaqësuesja e një mediumi në Kosovë gjatë një debati, kur pati thënë: “Boll ma me këso shkrime për krim e korrupsion, qytetarët kanë nevojë për më shumë lajme relaksi e jo depresioni”.
Ndryshimi mes dy kërcënimeve, atij të firmosur nga kryetari i Skënderajt, Sami Lushtaku, dhe të zyrtarëve të EULEX-it, qëndron në peshën publike që mbajnë këto dy institucione. Nga komuna që menaxhohet nga një pushtet absolut as që pritet më shumë - ky ndalim është vetëm njëri në zinxhirin e gjatë të ndalesave dhe kërcënimeve për moskomunikim. Më shqetësuese është qasja e Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX). Të një organizate që me praninë e saj u ka dhënë shpresë qytetarëve të Kosovës, se përveçqë nuk vë në dyshim të drejtën dhe lirinë e shprehjes së tyre, ata mund të ndihen të lehtësuar shumë shpejt edhe për faktin se shoqëria do të dekontaminohet nga krimi dhe korrupsioni.
Ndërsa e përbashkëta e Komunës së Skenderajt dhe e EULEX-it është se të dy këto institucione brenda harkut njëjavor kanë dhënë prova se nuk janë të gatshme për transparencë. E para, duke bërë publik vendimin e firmosur nga kryetari i saj që gjendet në paraburgim, ka kërcënuar Grupin KOHA për ndërprerjen e çdo komunikimi, kurse i dyti, EULEX-i, ka shkuar më tej - ka kërcënuar gazetarin Kajtazi me ndjekje penale. Dhe e përbashkëta tjetër, mbase më e rëndësishme e dy institucioneve që i shtyri të mbylleshin e edhe të kërcënonin medien, është se diçka të madhe po tentonin ta mbanin sa më larg publikut.
Qasja kërcënuese e kryetarit të Skënderajt dhe e shumë kryetarëve të tjerë të komunave, ministrave, drejtorëve të kompanive publike, agjencive të pavarura e të varura, si dhe përfaqësuesve të grupeve të interesit ndaj medieve të pavarura nuk është diçka e re në Kosovë, ajo ka kohë që ka marrë formë - gazetarët profesionistë janë mësuar dhe nuk u tremben, e joprofesionistët janë bërë miq me ta dhe u shërbejnë atyre.
I pakuptimtë për qytetarët e Kosovës tash është trajtimi që i bëhet medies së pavarur në Kosovë nga përfaqësuesit ndërkombëtarë, nga misione që në themelet e veprimit të tyre kanë ndihmën për vendosjen e rendit dhe të ligjit.
Kërcënimi i EULEX-it ndaj gazetarit të “Kohës Ditore” se nëse dokumentet që flasin për korrupsion dalin në publik do të ndiqet penalisht, shkojnë përtej një reagimi. Dyshimet e zbardhura nga gazeta për bashkëpunimin e gjykatësve me të akuzuarit dhe korruptimi i tyre e bënë misionin jo të besueshëm. Ndërsa përpjekja e drejtuesve të tij për të zhvendosur vëmendjen nga akuzat për korrupsion tek hetimi për rrjedhjen e informacionit e çon në një nivel më të lartë presionin publik ndaj medies. EULEX-i me këtë qëndrim ka dhënë shembullin e keq se si duhet të trajtohen mediet në një vend që pretendon të jetë demokratik.
“Prezenca e një diskursi që flet për demokraci nuk mjafton për të besuar se një vend po lëviz drejt demokracisë. Një shtet me një shoqëri civile të gjallë dhe me një nivel të lartë të gatishmërisë për demokratizim nuk është në pikën e njëjtë të rrugës me një shtet pa këto. Këto lloj matjeje janë të rëndësishme sepse shpesh demokratizimi i një vendi varet nga faktorë të jashtëm. Nganjëherë Perëndimi zgjedh se cilin shtet do ta përkrahë drejt demokratizimit dhe shpesh pajtohet me stabilitet në dëm të demokracisë. Në këto raste puna e shoqërisë civile është e kotë”, kanë shkruar ekspertët Lewitksi dhe Way në një analizë për shtetet e dala nga konfliktet.
Heshtja e zyrtarëve të EULEX-it ndaj denoncimeve të brendshme për korrupsion nuk është vetëm çështje mediale. Emrat e të akuzuarve që përmenden nëpër dokumente dhe në përgjime, si dhe lirimi i tyre “në mungesë të fakteve”, e bënë këtë mision aspak më dinjitoz se ato që i kemi, e për të cilat rezervat kanë qenë gjithmonë të theksuara.
E qytetarët e Kosovës kanë pasur dhe kanë ende nevojë për institucione të besueshme dhe transparente. Institucionet, përfshirë edhe ato ndërkombëtare, nuk duhet të kenë frikë nga “hapja e letrave”, përkundrazi, transparenca ua bën më të lehtë hapat e tejkalimit të krizave dhe i amniston më shpejt nga lëshimet. Ngase një administrim i keq në aspektin mediatik do të ketë ndikim në ecurinë e vetë misionit, apo siç ka thënë ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Amerikane, gjenerali Eric Shinseki: “Nëse nuk flasim ne për ushtrinë, këtë do ta bëjnë të tjerët”.
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...