30 Nëntor 2014 - 09:12 - Elmaz Isufi
Dyshoj që dikush të jetë bindur nga këto pallavra, ngase ishte shumë e dukshme se tërë përmbysja e idesë për largimin e Thaçit nga pushteti dhe e marrëveshjes së bllokut paszgjedhor, ndodhi pas një deklarate që u bë “hit i vitit”, të ambasadores amerikane, Jacobson, dhe vizitave që kreu i LDK-së i bëri Berlinit e besohet edhe Brukselit.
Do të duhej të ishe idiot, të besosh se ka pasur vullnet për ta nxjerrë vendin nga ngërçi, nga palët që vetë e kishin futur atë në krizë. E edhe më shumë idiot, të besosh se pjekuria politike e dy liderëve ka çuar në një zgjidhje “pragmatike”, e assesi që krejt kjo është bërë për shkak të joshjes për pushtet. Mjafton të dëgjosh e lexosh deklaratat e zyrtarëve të LDK-së, ku këmbëngulet në postin e kryeministrit, si dhe kërcënimin e tyre se në të kundërtën do ta prishin koalicionin me PDK-në, ashtu siç u prishën me partnerët e bllokut, për të kuptuar motivet e tyre. Këtë ego të shfrenuar për pushtet e kuptuan “ndërmjetësuesit” dhe nuk e patën të vështirë t’ia lidhin kryet kësaj pune. LDK-së i premtuan se do të marrë atë që ëndërronte, e Thaçit ia siguruan votat për të mos shkuar në opozitë.
Ky perceptim për mënyrën se si bëhen marrëveshjet dhe kompromiset, natyrshëm shpie tek opinioni i përgjithshëm se ky vend nuk po bëhet pa të huajt.
“Nëse nuk ndërhyn ambasada amerikane, rektorin kanë me e fshi”, është shkruar këto ditë në rrjetin social “facebook”.
Ky qytetar ka thënë atë që e thonë shumë të tjerë për shumë vjet, e edhe tash, sa herë që shoqëria jonë dështon të gjejë zgjidhje për çështje dhe fenomene që në vendet tjera jo që nuk ekzistojnë, por edhe nuk janë të dëgjuara.
Dhe nevoja për mbështetje ndërkombëtare në Universitet ishte shfaqur para se ajo “nevojë” të bëhet në politikë – me rastin e krijimit të një aleance të papritur për qeverisjen e vendit.
Por, me gjithë pritjet e qytetarit që parashikoi skenarin e zgjidhjes në “facebook”, Rektoratin e UP-së nuk e vizitoi ambasadorja amerikane, Jacobson, por homologia e saj nga Franca, Maryse Daviet. Kjo vizitë e diplomates franceze bëri me dije se shqetësimet për budallallëqet tona shkojnë jo vetëm te një “dhomë e rrëfimit” në Dragodan. Ngase një ditë pas vizitës së ambasadores Daviet dhe mesazhit përkrahës ndaj këtij institucioni, erdhi reagimi i Robert Boschit, ambasadori i Holandës, një vendi tjetër të BE-së. Porosia ishte e qartë – sistemi i arsimit duhet të ndërtohet mbi standarde të shëndosha dhe se ato nuk mund të ndërrohen për arsye politike. I njëjti, po të njëjtën ditë, i kërkoi Qeverisë së re, që jo vetëm të mos prekë në autonominë e Universitetit, por të mos futë duart as në sistemin e drejtësisë.
Dy deklaratat e fundit të diplomatëve mund të përkthehen si mbështetje, këshillë (siç preferon t’i quajë vetë ambasadori Bosch), kërcënim, presion, ndërhyrje apo përzierje në punët e brendshme.
Dilema nuk është se me çfarë termash do ta quajmë përzierjen e ndërkombëtarëve në punët e brendshme të Kosovës. Mbetet të analizohet nëse ne jemi ata që po i vëmë në presion ata, më shumë sesa ata ne. Apo nëse durimi i tyre po soset më shpejt sesa i qytetarëve të Kosovës, sa herë që vendi futet në krizë, apo sa herë që ta zëmë një grup që ka kapur vlerat e luftës dhe në emër të tyre jo vetëm që ka kapur shumë nga institucionet, ka pushtuar ekonominë dhe politikën, tash shantazhon dhe kërcënon me dhunë UP-në në kërkim të zbatimit të memorandumeve “sui generis”.
Do të doja që ky abuzim me ligjin dhe institucionin e dijes, si dhe kërkesa e çoroditur për pranimin e kandidatëve që nuk e plotësojnë kriterin bazë – atë të dijes, nga shoqatat, të mos jenë në agjendën e të huajve dhe të mos ekzistonin në realitetin e vitit 2014. Do të doja të kishim politikëbërës, që secili, nga i pari e deri tek i fundit, të reagonin ndaj këtij skandali. Të thonë të paktën atë që kanë thënë të huajt. T’i duan dhe t’i mbrojnë institucionet të paktën sa shprehen diplomatët e akredituar.
Por, Qeveria që në sfond të saj ka pikërisht këso strukture si të shoqatave, jo që ka heshtur, por në fakt i ka dhënë flakë konfliktit me vendimin e ministrit Ramë Buja që Rektorati t’i pranojë me automatizëm mbi 1.000 kandidatë të padijshëm në Universitet. Pra nuk bëhet fjalë për 5 veta, por për mijëra. Kanë heshtur ndaj këtij fërkimi serioz edhe partitë tjera, LDK, AAK, VV, Nisma, që të gjitha që për pesë muaj na premtuan se do t’i sjellin ndryshimin këtij vendi, duke nisur nga “çkapja” e institucioneve, me prioritet atyre të pavarura, siç është arsimi universitar.
Shpesh na bie t’i kthehemi së kaluarës dhe duke numëruar dëmet e regjimit të Milosheviqit, i vajtojmë më shumë ato që në fakt kanë pasur më pak efekt në perspektivën e vendit. Serbia vërtet ka shkatërruar ekonominë e Kosovës, por ajo me më shumë vullnet e dije ka mundur të rimëkëmbet. Ka djegur dhe plaçkitur qindra e mijëra shtëpi banimi e prona të shqiptarëve, por dhe ato nuk është dashur shumë kohë që të sanohen, madje deri në shkallën sa kanë humbur gati të gjitha gjurmët e luftës. Ka vrarë mijëra njerëz, por disa nga ta tash përmenden për statistika e besa përdoren për abuzim me privilegjet publike, e shumë më pak për t’u dhënë atyre respektin për sakrificën - me logjikën se jeta vazhdon.
E dëmin më të madh Serbia na e ka bërë me shkatërrimin e vlerave morale. Ato kemi dështuar t’i sanojmë qe 15 vjet dhe kam frikë se me këtë qasje banditësh e “kapjesh” do të na duhet ndoshta edhe disa 15-vjeçar të tjerë. Pra më shumë pasoja mund të sjellë anarkia në sistemin e arsimit dhe të kulturës sesa çdo krizë tjetër që matet me euro. Dhe për sa kohë që ky vend ka krizë morale, do të na duhen moralizuesit e huaj. Dhe për sa kohë që ne zëvendësojmë vlerat morale, edukative, arsimore dhe shkencore me vlera që në bazë kanë historira dhe kontribute të sajuara, me kuadro kallashësh, e me emërime “partizançe”, të huajt do të na rrinë mbi kokë.
Sepse kjo brishtësi e menaxhimit të vendit, në teorinë e marrëdhënieve ndërkombëtare quhet edhe anarki. Pra anarkia përkufizohet jo vetëm si rrëmujë apo mungesë e plotë e strukturave qeverisëse dhe ligjeve, por më shumë mungesë e një qeverie që mund të krijojë detyrime për respektimin e rregullave.
Në këto kushte dhe të tjera që lidhen me sovranitetin e kontestuar të vendit, rrisin shqetësimin e ndërkombëtarëve për mundësinë e dështimit të projektit të shtetit të Kosovës. Dhe nga këndvështrimi i tyre, sado që nuk na pëlqen, ndërhyrja në çështjet e brendshme është bërë e domosdoshme.
“Shtetet e dobëta përbëjnë rrezik të madh për Shtetet e Bashkuara”, ka thënë Francis Fukuyama, ekspert i çështjeve politike, duke arsyetuar strategjinë e politikës së jashtme. "Problemi me të cilin përballen Shtetet e Bashkuara është se qeveritë e dështuara mund të krijojnë kërcënime të patolerueshme të sigurisë në formën e grupeve terroriste, grupe të cilat në raste ekstreme arrijnë të fusin në posedim armët e shkatërrimit në masë dhe këto armë t’i përdornin kundër SHBA-së”.
Por a duhet të kenë rol kaq gjithëpërfshirës zyrtarët e huaj, në një vend që e konsideron veten të pavarur dhe sovran. Nëse themi që sipas praktikës ndërkombëtare ky rol tejkalon mandatin e tyre, atëherë Kosova po del se nuk ka sovranitet të brendshëm dhe se një formë e protektoratit vazhdon ende. Se vendi nuk ka arritur të krijojë një elitë politike të emancipuar, se sundimi i rendit dhe i ligjit është i pjesshëm, apo se mbi to ende marrin frymë “memorandumet e bashkëpunimit” të arritura nga nipa e dajë, të parët shefa institucionesh e të dytët shefa shoqatash. Se mentaliteti i liderëve primitivë jo vetëm rrezikon stabilitetin e brendshëm, por mund të provokojë edhe tensione në rajon.
Fundja edhe nuk mund të shtiremi se jemi shtet i mirëfilltë, duke marrë parasysh realitetin në terren - sigurinë na e garanton KFOR-i, sundimin e ligjit e ndihmon EULEX-i, standardet evropiane dhe respektimin e të drejtave, sidomos të pakicave dhe grupeve të margjinalizuara, i monitoron përfaqësuesi i BE-së, e vijat e kuqe të buxhetit i vendosin institucionet financiare, si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe BERZH-i.
Për më tepër nuk jemi të pavarur, meqë nuk arrijmë të krijojmë institucione që i shërbejnë dhe i japin llogari qytetarit, pra institucione që do të ishin të denja të pengonin ikjen masive të qytetarëve jo vetëm nga varfëria dhe papunësia, por nga dëshpërimi dhe humbja e shpresës për të ardhmen.
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...