10 Maj 2015 - 08:06 - Elmaz Isufi
Kosova ende e ka të hapur temën e vijëzimit të kufirit ndërkombëtar me dy nga katër vendet fqinje. Mali i Zi ka shtyrë gurët disa kilometra, e fqinji tjetër, Serbia, këmbëngul se me Kosovën s’ka kufij dhe se bëhet fjalë vetëm për një farë ndarjeje administrative. Kjo e fundit, në të vërtetë kufirin dhe pushtetin e ka shtyrë deri te ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë. E për veriun ajo flet hapur si të ishte rajoni i Shumadisë.
Trepçën, Kopaonikun e Gazivodën i konsideron të vetat, dhe nuk heq dorë nga to. Me këtë qasje ajo përpiqet të përmirësojë atë që e quajnë gabim të ish-politikanit Petar Stamboliq. Ai sot e kësaj dite akuzohet për tradhti, meqë gjatë viteve të komunizmit duke rënë nën ndikimin e politikanëve shqiptarë të kohës, sidomos të Fadil Hoxhës, ia paska bashkuar 197 kilometra katrorë të Serbisë Komunës së Leposaviqit, përkatësisht Kosovës. Serbët i kanë rënë në qafë edhe Slobodan Milosheviqit, që sipas tyre ndonëse kishte shansin historik, nuk e përmirësoi gabimin e Stamboliqit, në vitet ‘90, kur kishte pushtetin absolut.
Të dy ish-liderët politikë serbë nuk jetojnë më, por në Serbi mbahet gjallë ende dëshira, nëse jo për kthimin e plotë, të paktën për mbajtjen brenda territorit të saj të pjesëve vitale të Kosovës, që aktualisht shtrihen në atë që quhet “zonë e sigurisë” dhe që garantohet nga ndërkombëtarët.
Dhe ndërsa Perëndimi duke ia humbur kuptimin kufijve i ka dhënë më shumë shansin paqes e zhvillimit mes popujve, vendet fqinje të Kosovës i shfaqin hapur pretendimet e tyre për më shumë territor, siç kanë bërë historikisht në dëm të shqiptarëve. Ato funksionojnë me hartat ku Kosova ka humbur sërish terren. Madje, po të kapën brenda vijave që i kanë vizatuar, e pakta që mund të ndodhë është të përfundosh në burg. Disa shtetas shqiptarë të Kosovës viteve të fundit kanë gjetur edhe vdekjen. Nuk është hetuar kurrë me saktësi nëse ata ishin viktima apo fajtorë për hyrje ilegale në territorin e shtetit tjetër.
Kjo marrëdhënie kufitare, ndonëse me intensitet më të dobët, ka mjaft të ngjarë shumë me kufijtë konfliktuozë e të përgjakshëm të disa vende të botës, kryesisht të pazhvilluara.
E qeveritarët e Kosovës vazhdojnë të ndihen komod në gjithë këto zhvillime, duke harruar se jetojnë në Ballkan, ku edhe vendet “model” si Sllovenia e Kroacia kanë negociuar gati 20 vjet për kontestin kufitar. Kënaqen dhe mburren se Kosova po i “kontribuon paqes dhe stabilitetit rajonal”.
Këta politikanë vizionarë, të njohur për përulësi ekstreme ndaj të huajve, jo që nuk arrijnë t’i kundërshtojnë këto ambicie aneksuese të fqinjëve, por heshtin edhe para shqetësimit të qytetarëve, sidomos të atyre që shtrihen në zonat kufitare. Krejt çfarë kanë bërë në këtë drejtim ka qenë krijimi i një Komisioni shtetëror për demarkacion, për të cilin qytetarët nuk dinë gjë, e të cilin ish-kryetari i Pejës dhe anëtari vëzhgues i vijëzimit të kufirit me Malin e Zi, Ali Lajçi, e ka quajtur të papërgjegjshëm dhe profesionalisht të lodhët.
Vlerësimi i Ali Lajçit, sado që mund të duket “elektoral”, meqë përfaqëson grup të interesit politik, megjithatë është alarmues. Ai, sikur edhe banorët e zonës pranë kufirit, kanë bërë me dije se si pushteti në Podgoricë ka zhvendosur gurët thellë brenda territorit të Kosovës, madje deri në 7 kilometra, duke cenuar pronat e disa fshatrave dhe duke përvetësuar pjesë të rëndësishme strategjike. Mali i Zi me këtë vijë kufitare ka krijuar librat kadastralë dhe si të tillë e shfrytëzon në negociatat për përcaktimin e ndarjes me Kosovën.
Lajçi ka folur ashtu si e sheh problemin nga këndvështrimi i tij dhe ka kërkuar më shumë përgjegjësi institucionale para se të jetë vonë. Ka denoncuar publikisht moralin e njerëzve në Komision dhe rrezikun që mund të vijë nga neglizhenca e tyre.
E drejtuesit e Komisionit shtetëror që kritikohen nga ai, kanë dhënë prova edhe gjatë javës së fundit, që ose nuk duan, ose nuk dinë, e ajo që mund të jetë më afër së vërtetës - ose nuk kanë guxim të flasin për këtë çështje kaq të ndjeshme nga frika e vetme se shefat mund t’i largojnë nga Komisioni. Gjatë tërë javës kreu i Komisionit shtetëror është kontaktuar nga gazeta me qëllimin që të sqarojë disa nga dilemat e ngritura e që janë në interes të publikut. Ka premtuar se do të flasë sapo të konsultohet me anëtarët e tjerë dhe në fund ka hequr dorë nga intervista. Nuk ka dhënë sqarim pse është i shtrënguar të heshtë.
Po ky zotëria duhet ta dijë se para se t’u rrijë gatitu shefave të vet të Qeverisë apo të atyre që e kanë vendosur aty, e ka për obligim të rrëfehet para popullit, atij që i përket dhe është sovran i tokës. Nëse për asgjë, të paktën “të gënjejë” siç na kanë “gënjyer” eprorët e tij për shumë vjet se “punët po shkojnë mirë dhe se Kosova nuk do të lejojë që t’i merret asnjë pëllëmbë tokë”.
E ka për borxh ta thotë të vërtetën e tij dhe të Komisionit. Të përgatisë qytetarët, sidomos ata që ndihen më shumë të lënduar për epilogun. Nëse vërtet Mali i Zi ka të drejtë në atë që konsiderohet aneksim nga banorët e shqetësuar, atëherë pse të mos thuhet publikisht. Kjo sado e dhimbshme, eliminon mundësitë e keqkuptimeve, apo të reagimit të dhunshëm të paralajmëruar të banorëve të zonave në brezin kufitar.
Në të kundërtën, duhet bashkuar me zërin e banorëve të Karaqevës, të Rugovës dhe të vendbanimeve të tjera. Për të mos lejuar përsëritjen e historisë, si atëherë kur u vendos për kufijtë e Shqipërisë më 1913, për faljen e Shën Naumit më 1924 nga Ahmet Zogu, apo edhe skandalin e fundit të gushtit 2007, kur ish-kryeministri Sali Berisha, vartësi i tij Lulzim Basha dhe një grup i vogël ekspertësh të manipuluar, bënë pazar me detin jugor të Shqipërisë, pa pyetur askënd, duke ia falur një pjesë të tij shtetit të Greqisë.
Ne s’e kemi luksin që si atëherë, edhe tash t’ua besojmë pazarin me tokën individëve, qofshin edhe të “votuar”. Nuk duhet të lejojmë që një grusht njerëzish t’ia vërë pikën këtij procesi.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...