Shkëlqimi i humbur i “Trepçës”

25 Janar 2015 - 08:05 - Elmaz Isufi      

Mitrovicën për të parën herë e kam vizituar në fund të viteve 80, si gjimnazist. Mbaj mend që pasi kaluam urën mbi Ibër dhe bëmë goxha rrugë, bashkë me një shok klase, mbërritëm në rrugën “Luja Braja”, aty ku banonte vëllai im, që atëbotë studionte shkencat e teknologjisë.

Aty rastisa t’i takoja edhe dy studentë nga Iraku. Njëri nga “cimerët” e vëllait, duke dashur të rrëfente më shumë nga ato që ai i konsideronte të veçantat e “fqinjëve” nga vendet arabe më tha: “A di ti që këta falen nga pesë herë në ditë?”

Atij dhe çdokujt tjetër do t’i falej që e nisi bisedën me këtë “kuriozitet”, meqë ishte e padëgjuar ato vite që një i ri, e edhe më pak student, të bënte namaz pesë herë në ditë. Madje, nuk më kish rënë syri as mua të shihja një të ri të frekuentonte objektet e kultit fetar. Në xhami zakonisht shkonin numër simbolik i të moshuarve, kryesisht të pashkollë.

Aty ndër të tjera mora vesh se studentët irakianë dhe të tjerë nga shtetet e largëta shkojnë shumë rrallë në shtëpi, madje vetëm pasi mbarojnë studimet. E për njërin që kishte shkuar në qytetin e lindjes, në Bagdad, pas katër vjet studimesh dhe ishte kthyer për të përfunduar edhe të fundit, të pestin, më treguan se ishte detyruar të merrte një taksi për t’ia gjetur shtëpinë.

“Bagdadi kishte lulëzuar shumë. Nga ndërtimet dhe investimet e shumta e pata të pamundur të orientohem”, u kishte rrëfyer ai.

Në mbrëmjen e parë, për darkë, shkuam në mensën e punëtorëve të njërës nga njësitë e “Trepçës”, që shfrytëzohej edhe nga studentët, ashtu siç shfrytëzoheshin edhe të gjitha kapacitetet prodhuese dhe teknologjike për qëllime studimi. Pas darke vajtëm në një turne futbolli që luhej deri në orët e vona dhe që ishin bërë përditshmëri. Aty arrita të kuptoj se të rinjtë e Mitrovicës ishin të pasionuar pas sportit e muzikës. Njerëzit shihej se kishin gjetur edhe paqen sociale dhe atë ndërnjerëzore. Dhe arsyeja ishte e thjeshtë: kombinati “Trepça” kishte arritur që shumë nga ta t’i bënte me bukë e me strehë – t’i bënte të dinjitetshëm.

Nuk vonoi shumë dhe kjo paqe sociale u sfidua rëndë nga politika dhe ambiciet hegjemoniste të Serbisë. Ndërhyrja e politikës, edhe në “Trepçë”, shkatërroi ëndrrën e mijëra familjeve që mbaheshin nga djersa e tyre, por edhe të studentëve që shpresonin të afirmoheshin si kuadër, po aty.

Fotografia e Mitrovicës si në tërë Kosovën u deformua. Rrënimi i ekonomisë nëpërmjet futjes së masave të dhunshme në ndërmarrjet shoqërore, largimi i njerëzve nga puna, mungesa e perspektivës dhe pamundësia e qytetarëve që të përshtaten me kushtet e të jetuarit nën okupim e pa përkujdesje institucionale, e pllakosi qytetin me varfëri dhe mjerim.

Në vitet 90, në qytetin e minatorëve, nisi numërimi mbrapsht. Ishte e qartë se po vyshkej qyteti i rokut, i futbollit e i basketbollit. Se po thellohej varfëria në qytetin simbol i arit e i argjendit, plumbit e zinkut, në qytetin e divergjencave kulturore e nacionale, por edhe të revoltës e të guximit.

Im vëlla braktisi Mitrovicën pak çaste para se të mbërrinte cakun. Edhe kolegët e tij që i takova atje për herë të parë dhe i njoh edhe tash, meqë na janë bërë miq shtëpie, ndërprenë studimet. Një gjeneratë shumë ambicioze, që deri në vitin e pestë kishin marshuar në afat rekord. Një gjeneratë që do të duhej të ishte bartëse e menaxhimit të ndërmarrjes “Trepça” dhe aseteve të saj të shpërndara gjithandej Kosovës.

Ata i përfunduan studimet ndërkohë për të mos u mbetur “pikë”, porse gjatë viteve 90 ata u degdisën si mundën. Dy nga ta nisën me tregti të vogël, dy tjerë me instalim uji dhe ngrohje, e njërin më pati rënë ta shihja tek shiste karburante me shishe e kanistra në njërën nga lagjet periferike të Gjilanit, si mundësi e vetme mbijetese e viteve të pushtimit serb.

Nuk di se si kanë përfunduar studentët irakianë. Por, fati i tyre, duke marrë parasysh ato që ndodhën në Lindjen e Mesme në 15-vjetshin e fundit, duket të mos ketë qenë hiç më i mirë se i kolegëve shqiptarë nga Kosova, e i qyteteve të tyre po ashtu si i vendit ku ata morën mësimet për xehetarinë dhe metalurgjinë.

“Trepça” në kujtesën tonë del se ishte jo vetëm forcë ekonomike. Por sa mjafton kjo mburrje, kur tash, në vend se të hartohen bilance të prodhimit e të shitjes, thuren “legjenda” për xehet që i nxirrnin zanatlinjtë ilirë, për investimet e anglezëve e deri te roli politik e revolucionar i kësaj ndërmarrjeje për shembjen e diktaturës së Jugosllavisë. E harrohet se copëzat e shtetit që kishte arritur t’i trajtonte me dinjitet qytetarët dhe punëtorët e Mitrovicës, arritën të mbahen mirë edhe pas shpërbërjes së tij. Disa nga to (Sllovenia e Kroacia) tashmë janë pjesë e BE-së dhe nuk e kanë idenë se dikur një kombinat me dhjetëra ndërmarrje vartëse të shtrira gjithandej Jugosllavisë kishte pasur ndikim edhe në emancipimin e tyre ekonomik. Pa “Trepçën” nuk qëndrojnë keq as ish-republikat tjera të Jugosllavisë.

E, Mitrovica, në vend se të reflektojë mbi dhe atë që ka nën dhe, gati sa nuk është shndërruar në “qytet fantazmë”. Sot konsiderohet pjesa më e varfër dhe më e pazhvilluar e Kosovës.

Ndërsa “Trepça” që ishte krenari, strehë e ushqim për dhjetëra e mijëra qytetarë, bashkë me Kosovën kanë mbetur të ngujuara, ashtu si 25 vjet më parë. Paradoksalisht kjo ndërmarrje dikur me prestigj ndërkombëtar, sot është bërë për lëmoshë - gati për 15 vjet mbahet në jetë nga taksapaguesit kosovarë, duke ia shpenzuar buxhetit të shtetit afro 100 milionë euro.

“Trepça” në vetvete këto vite nuk përbën fare as lajm në kuptimin e rolit të saj në zhvillimin ekonomik të vendit. Asnjë projeksion dhe strategji më nuk përmend kapacitetet e saj gjeneruese. Qytetari i ri i Kosovës “Trepçën” tash e njeh më shumë nga emrat që me fanatizëm i mbajnë klubet e sportit në Mitrovicë, sesa për pasurinë së cilës i referohen statistikat.

Edhe ekspertët flasin me terma të përgjithësuar për potencialin dhe të ardhmen e saj. Vihet re ngurrimi për ta trajtuar këtë ndërmarrje si të rëndësisë së veçantë. Edhe nëse, të udhëhequr nga euforia dhe patriotizmi e ngrenë në qiell forcën e saj, megjithatë nuk ia dalin ta argumentojnë, të paktën aspektin real ekonomik të saj. Tek dëgjon se si infrastruktura dhe shumë horizonte të saj janë shkatërruar nga trajtimi i keq gjatë administrimit nga Serbia e edhe nga siç e quajnë ata mafia e veriut dhe e jugut, të shtyjnë të mendosh nëse debati për të është i orientuar gabimisht. Apo, nëse “misteri” i krijuar për pamundësinë e zgjidhjes së shpejtë të problemit të pronësisë së tij është më shumë lojë e aktorëve politikë, në njërën anë të Kosovës dhe manipulimit me minatorët, e në anën tjetër të Serbisë nëpërmjet manipulimit me eksponentët e tyre politikë në veri. Ngase, këto vite, ajo është përdorur e keqpërdorur kryesisht për përfitime të grupeve mafioze, për interesa elektorale dhe për akomodim të militantëve partiakë në pozitat menaxhuese, andej e këndej Ibrit.

Andaj për pasojë edhe protesta e fundit e minatorëve dhe ngujimi i tyre në horizontin e tetë ka lënë shumë për të dëshiruar. Nuk ishte reagim i tipit të minatorëve që kemi idealizuar ne, gjenerata e transicionit, por më shumë një shqetësim i moderuar sindikal i tipit të BSPK-së së Haxhi Arifit, që duan dialog me pushtetin dhe nëpërmjet tij të sigurohen që të mos humbin vendet e punës, duke kundërshtuar privatizimin e ndërmarrjes. Minatorët mbase e ndiejnë se nuk e kanë shkëlqimin dhe autoritetin e dikurshëm, e as “Trepça” rolin e saj. Ata dhe qytetarët e Mitrovicës tash duan vetëm t’u sigurohet puna dhe mbijetesa - nuk besojnë më në “legjenda” me të cilat u ushqyen kot 25 vjetët e fundit.

© KOHA.net 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...