Edhe lypës, edhe zgjedhës

24 Prill 2016 - 08:00 - Elmaz Isufi      

Pushtetarët, në vend se të ndërtojnë politika për hapje ndaj tregut ndërkombëtar, e bëjnë të kundërtën – krijojnë barriera për ndërmarrësit e huaj, duke vënë pragun prej 10 milionë eurosh e përpjetë, si kusht, siç i quajnë ata, për investime strategjike në bujqësi. Pra, një qeveri që mezi ndan 50 milionë euro në vit, kërkon nga investitorët që ata vetë të kenë të paktën çerekun e këtij buxheti për vetëm një projekt

Qeveria e Kosovës, në “vitet e saj më të mira financiare” ka ndarë nga afro 50 milionë euro grante e subvencione për fermerë. Është dyfish më shumë, krahasuar me tri vite më parë dhe gati dhjetëfish krahasuar me vitet skajshmërisht të dështuara të pasluftës. Por është tepër larg nga premtimet elektorale të kryeministrit të tashëm Isa Mustafa që kishte përmendur 1.2 miliardë euro dhe të presidentit të tashëm, Hashim Thaçi, që ishte treguar pak më modest – kishte premtuar gjysmë miliardi brenda një mandati.

Kjo rritje dhe donacionet nga shtete dhe organizata të huaja kanë kthyer shpresën e mijëra fermerëve se mund të sigurojnë mirëqenien dhe të garantojnë të paktën vetëpunësimin. Edhe qeveritarët, pasi kanë dëgjuar zyrtarë të BE-së dhe të vendeve të tjera të zhvilluara, kanë nisur të deklarojnë se është koha që të kthehet vëmendja nga ky sektor.

Por, as milionat e ndarë që janë shifra simbolike për mijëra fermerë, e as propagandimi për rëndësinë e bujqësisë nuk janë të mjaftueshme e as amnistojnë këtë qeveri dhe të tjerat para saj, për lënien pas dore të këtij sektori. Nuk i falet as qasja e tashme ndaj saj, marrë për bazë faktin se ky, që quhet çelës i zhvillimit ekonomik, me këtë trajtim nuk hap perspektivat për të ardhmen ekonomike të vendit.

Pushtetarët, në vend se të ndërtojnë politika për hapje ndaj tregut ndërkombëtar, e bëjnë të kundërtën – propozojnë barriera për afaristët e huaj, duke vënë pragun prej 10 milionë eurosh e përpjetë, si kusht, siç i quajnë ata, për investime strategjike në bujqësi. Pra, një qeverisje që mezi ndan 50 milionë euro në vit, kërkon nga investitorët që ata vetë të kenë të paktën çerekun e këtij buxheti për vetëm një projekt.

Kjo qasje vjen në kohën, kur të gjithë njëzëri nxjerrin konkluzionin se sektori i bujqësisë është shansi më i madh për zhvillim ekonomik dhe për rritjen e punësimit. Vjen po në kohën kur qeveria është futur në konflikt me BE-në pikërisht për shkak të përmbajtjes së Ligjit për investime strategjike, e ku ekzekutivi i Kosovës insiston që për projektet të rëndësishme të negociojë drejtpërdrejt me të interesuarit nga jashtë, me arsyetimin që të shmangen procedurat burokratike. Dhe vjen po ashtu në kohën kur vendet e tjera “pushtuese” të tregut tonë kanë ikur me “qindra kilometra” larg me potencialet prodhuese dhe kur mundësia për t’i rivalizuar ato është e vogël, pavarësisht se Kosova nga prilli i këtij viti, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit ka mundësi që t’i qaset tregut prej 500 milionë konsumatorëve.

Investitorët, që në mendjet “vizionare” të politikbërësve kosovarë shihen duke sjellë miliona euro, tashmë kanë nisur operimin në Serbi, Maqedoni, Kroaci dhe në vende të tjera të rajonit dhe më larg, ku jo që nuk keqtrajtohen, por u vihen në dispozicion shumë shërbime falas, madje edhe parcelat e tokës. Edhe të tjerët që mund ta shohin Kosovën si terren të përshtatshëm, do të tremben me të marrë vesh për standardet e ligjvënësve të saj. Investitorët që “nuk plotësojnë standardet” e deputetëve të partive në pushtet, një ditë do të jenë në Kosovë (nëse tashmë nuk janë) por vetëm si ofrues të produkteve që i kanë kultivuar në vendet e tjera.

Por, para se t’u kërkosh të paktën 10 milionë euro investim, t’u kërkosh dëshmi se kanë emër me peshë në tregun ndërkombëtar dhe se janë ndërmarrës të besueshëm, duhet paraprakisht vetë t’i dëshmosh këto “virtyte”. Ngase praktika ka treguar se janë investitorët atë që zakonisht shtrojnë pyetje - çfarë keni bërë për 17 vite, çfarë strategji keni implementuar, sa para keni investuar, çfarë kuadri profesional keni shkolluar, çfarë infrastrukture ligjore dhe fuqi blerëse keni, dhe më kryesorja se çfarë niveli të sundimit të ligjit keni. Do të na pyesin se pse institucionet tona vazhdojnë të kryesojnë për të keq listën e vendeve që vuajnë nga fenomeni i korrupsionit, krimit të organizuar dhe qeverisjes së keqe. Pse ne jemi kaq shumë të papunë, kaq shumë të padijshëm dhe për me keq, edhe të papërgjegjshëm...

Meqë për asnjërën prej këtyre pyetjeve ne nuk kemi përgjigje, atëherë nënkuptohet edhe epilogu. Të huajt ikin ende pa ia nisur, ndërsa neve na mbetet që të durojmë edhe më tej marrjen e vendimeve që arsyetohen si preventive, por në thelb dalin të dëmshme.

Jo vetëm të dëmshme, por edhe të dyshimta, duke marrë mësime nga vendimet për energjetikë, telekomunikacion, infrastrukturë rrugore, arsim, e shëndetësi.

Politikanët tanë s’kanë lënë gur pa lëvizur për të shtyrë para procese “patriotike” siç janë, ta zëmë autostradat, nga të cilat kanë përfituar ata dhe bandat e tyre që fshihen pas firmave nënkontraktuese. Dhe po ashtu kanë zvarritur me vite të tjera projekte, që aktivizimi eventual i tyre do të dëmtonte operacionet e tyre afariste dhe partnerëve që kanë në rajon.

Kush është i interesuar që të mos ketë investime të reja në energji, përveç mafisë energjetike të rajonit dhe miqve të tyre në Kosovë. Kush është i interesuar që të pengohen investimet e huaja në bujqësi, përveç atyre që sot kontrollojnë një pjesë të tregut të miellit, qumështit, mishit e produkteve të tjera. Kush ishte i interesuar që për katër-pesë vite rresht me një vendim absurd të bllokohen investimet në PTK, përveç konkurrencës së saj që kërkonte të shtrijë tregun. A ka dikush interes që të përmirësohen shërbimet në QKUK dhe në institucionet e tjera publike shëndetësore, të shndërruara gati në institucione fantazmë, përveç iniciativave private-politike ku fshihen aksionet e atyre që s’kanë pasur guximin, që paratë e fituara jashtëligjshëm nëpërmjet tenderëve dhe ryshfeteve për punët e pista, as t’i mbajnë nën jastëk e as t’i depozitojnë në Panama.

Kush na bind se vërtet këta drejtues shteti duan që t’ia kthejnë hijeshinë tokës që për kaq vite është lënë shkret. Apo që do t’i vënë në siklet dhe do t’u ndalin rrjedhën e madhe të “çezmës” nga importi i frutave, i grurit dhe i miellit, i mishit e vezëve, i qumështit dhe lëngjeve... Pra, të na bindin se këta, për ta ndryshuar kursin e zhvillimit ekonomik dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, janë në gjendje të hapin frontin me ata që duke ndihmuar arkat e partive politike kanë diktuar edhe përmbajtjet e ligjeve dhe të strategjive zhvillimore.

Deputetët, jo vetëm të Komisionit për zhvillim ekonomik, derisa nuk është bërë vonë duhet të sqarojnë – sa investitorë të huaj, nëse veç ka të tillë në sektorin e bujqësisë, këto vite kanë investuar mbi 10 milionë euro. Të sqarojnë se çfarë rezultate kanë dhënë reformat dhe strategjitë e brendshme zhvillimore dhe sa ka qenë ndikimi i investimeve nga buxheti i Kosovës dhe i donatorëve të huaj për këto vite. Sa këto forca politike që janë apo ishin në krye të shtetit kanë arritur ta rrisin rëndësinë e tokës dhe ta mbrojnë atë nga degradimi masiv. Sa sipërfaqe të përshtatshme për mbjellje janë zhdukur këto vite (jo zyrtarisht thuhet se në vit afro 1.000 hektarë tokë e punueshme ndërron destinacionin) dhe sa të tjera sipërfaqe ka arritur shteti t’i riaftësojë për kultura bujqësore. Si u bë që deri në vitin 2008, buxheti për bujqësinë të mjaftonte vetëm paga, mëditje, mallra dhe shpenzime të administratës.

Të na sqarojnë po ashtu se çfarë ka bërë ky shtet që të garantojë cilësinë e ushqimit, tregun për prodhimet e fermerëve, t’i mbrojë ato nga importet e subvencionuara nga shtetet fqinje, të garantojë fonde kredituese për fermerët me mundësi të kthimit afatgjatë dhe me norma të ulëta të interesit – pra pse kësaj qeverie nuk i besojnë as bankat që operojnë në Kosovë për të dhënë kredi, me gjithë garancitë që ofron shteti.

Deputetët, ata që edhe në Komisionin parlamentar kundërshtuan vendosjen e kuotave të larta për investitorët e huaj, duhet të mos mjaftohen me faktin se në një moment të caktuar janë shprehur kundër këtij amendamenti të Projektligjit për investime strategjike. Kundërshtimi i tyre duhet të shoqërohet me argumentime më të forta publike, ngase dëmi më i madh nuk vjen nga vlera financiare e investimeve, por nga importi i produkteve bujqësore që arrin në mbi 500 milionë euro në vit. Të mbrojnë argumentin që është thënë edhe në Komision, se më shumë se për vlerën e investimit nga të huajt, shteti të angazhohet në krijimin e klimës për bërje biznes, dhe jo vetëm për të huajt.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...