Shansi për një lëvizje sindikale ndryshe

18 Shtator 2016 - 08:04 - Elmaz Isufi      

Shoqëria e Kosovës ka nevojë urgjente për më shumë përgjegjësi dhe mobilizim qytetar. Ndryshimi duhet të fillojë nga lëvizja sindikale, që mbahet e bllokuar për shkak të favoreve dhe partneritetit që drejtuesit e saj kanë bërë me pushtetin

Nënkryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka deklaruar këtë javë se udhëheqësit e tashëm të këtij institucioni do të kërkojnë edhe një mandat qeverisje. Lehtësia me të cilën ai e shfaq ambicien e kësaj strukture dhe mburrja për punët “e kryera” e bëjnë të vështirë diskutimin, për ta dhe me ta, për përgjegjësinë publike dhe atë morale.

Shqetësues është sidomos diskursi i tyre për rolin e organizatës, funksionin e saj dhe detyrat që kanë marrë përsipër. Qasja e tyre nuk dallon nga ato të partive politike, të cilat asnjëherë që nga themelimi nuk kanë bërë vetëkritikë dhe na prezantohen si më idealet - disa për të drejtuar edhe më tej shtetin, ndërsa të tjerat për ta marrë apo rimarrë pushtetin.

Në BSPK nuk flasin për bilance të punës, për ndikimin që kanë pasur në politikat qeveritare, për masivizimin e Sindikatës e as për strategjitë me të cilat mund të përmirësojnë kushtet e punës dhe mirëqenien e punëtorëve. Nuk kanë qëndrim as për gjetjet e auditorit e as për dyshimet për keqpërdorime financiare. Në vend të tyre ironizojnë me kritikat e bëra nga kundërshtarët. Madje, atyre dhe neve na japin mësim se cilat janë procedurat demokratike për marrjen e “pushtetit” në BSPK dhe çfarë kushtesh duhet t’i plotësojnë federatat rebele për t’u kthyer brenda gjirit të saj.

Më e pakta që mund t’iu ndodh atyre që kanë drejtuar 10 vjet njërën nga lëvizjet më masive në vend, dhe që nuk kanë bërë asnjë veprim për t’u mbajtur mend, është t’u merret mandati nëpërmjet procesit zgjedhor nga struktura më të përgatitura dhe më vizionare. Janë me dhjetëra arsye që ky grup drejtuesish duhet të shkojë nga aty, qysh në Kuvendin e ardhshëm zgjedhor të BSPK-së. E janë po aq të tjera që imponojnë një tjetër udhëheqje dhe një tjetër qasje organizative e vepruese të Sindikatës. Shoqëria e Kosovës ka nevojë urgjente për më shumë përgjegjësi dhe mobilizim qytetar. Ndryshimi duhet të fillojë nga lëvizjet sindikale që mbahen të bllokuara për shkak të favoreve dhe partneritetit që drejtuesit e saj kanë bërë me pushtetin.

Një shoqëri demokratike nuk mund të deklarohet e lirë nëse aty nuk janë të fuqishme opozita dhe shoqëria civile, përfshirë edhe organizimin sindikal. Në raport me pushtetin, këto shtylla do të duhej të garantonin ekuilibër forcash dhe të rrisnin përgjegjësinë qytetare dhe institucionale.

Në Kosovë ky trekëndësh nuk ka funksionuar asnjëherë si duhet dhe prandaj kemi demokraci formale, ku me akte kushtetuese dhe ligjore promovohen parimet demokratike, kurse në realitet këto parime shpërfillen dhe shkelen nga organet dhe institucionet shtetërore. Mosbashkëpunimi për kauzat e rëndësishme nga joqeveritarët ka bërë që sot të kemi qytetarë të lirë të papërfaqësuar. Opozita ka shfrytëzuar çdo gabim në udhëheqjen e institucioneve për të kërkuar largimin e Qeverisë, shoqëria civile ka insistuar në shtet ligjor duke mbajtur qëndrim qytetar, kurse BSPK-ja është distancuar nga kërkesat e të dyjave, me arsyetimin se janë “politike”. Shefat e saj na kanë mbajtur për vite leksione sesi dialogu është mënyra më e mirë për të bindur partnerët, siç i quajnë ata pushtetin dhe punëdhënësit e tjerë, për realizimin e kërkesave të tyre. Për të na bindur se kanë gjetur formulën e suksesit, ata nuk ndalen së përmenduri rritjen e rrogave për punëtorët e sektorit publik dhe implementimin e disa nga kërkesat e Kontratës kolektive. Protestat, grevat dhe format e tjera të reagimit publik ata i konsiderojnë të panevojshme. Ky model i BSPK-së, mbase mund të jetë “mësim” për sindikatat e Francës, shtetit me politikat më të avancuara sociale, të cilat nga prilli i këtij viti, për disa muaj rresht, nuk lejonin të miratohej reforma në Ligjin e punës, duke mobilizuar në protestë masive qindra e mijëra punëtorë e qytetarë në të gjitha qytetet e saj.

E vërteta është se asnjërën kauzë BSPK-ja nuk e ka shtyrë para.

Për më tepër, nuk dimë nëse Qeveria ishte ndonjëherë e shtrënguar të ulej në tryezë me BSPK-në, e trembur nga presioni i kësaj të fundit. Diçka më shumë në këtë drejtim ka bërë Sindikata e Arsimit, e cila nuk e njeh legjitime Kryesinë e tashme të BSPK-së, dhe së bashku me atë të Shëndetësisë, të Policisë dhe të Shërbyesve Civilë angazhohet për ndryshime.

Të gjitha veprimet që janë ndërmarrë nga Qeveria, sidomos nga ato Thaçi 1 dhe 2, nuk kanë pasur të bënin fare me BSPK-në e Haxhi Arifit. Ato lëvizje pagash në sektorin publik kanë qenë rritje elektorale. Qeveria ka dëshmuar se është edhe pushtet, edhe sindikatë. Ajo punëson, ajo largon, ajo shpërblen, ajo stimulon..., ajo bën ligjin e reformën si do vetë. Ajo ka mbështetur edhe disa kërkesa të Kontratës kolektive, për shkak se i duhej të përmbushte detyrimet karshi kërkesave integruese në BE. Ajo nuk i ka rritur rrogat për shkak se sindikatat janë të fuqishme dhe se mund t’ia lëkundin themelet, por se i duhej të kujdesej për armatën prej afro 100 mijë vetave – familjeve, për vota nëpër çdo proces zgjedhor.

Hajde ta zëmë se ka diçka të vërtetë në suksesin e Sindikatës në rritjen e pagave. Por, a është mirëqenia e punëtorit e garantuar vetëm nga eurot që marrin në çdo fundmuaj.

Punëtorëve, para se shkelja e të drejtave të tyre të përfundojë në organet e drejtësisë, u duhet kujdes parësor për trajtimin që u bëhet nga punëdhënësi, për kushtet e sigurisë që garantojnë më pak viktima dhe të lënduar në vendin e punës, për përfshirjen e tyre në sistemin legal të pagesës, për sigurimin shëndetësor dhe atë pensional. U duhet ndihmë nga ana e Sindikatës, që të kuptojnë më mirë Ligjin e punës, të drejtat e tyre - si mund t’i realizojnë ato dhe si mund të mbrohen nga abuzimi dhe keqpërdorimi. Një fushatë informimi dhe afërsia më e madhe komunikuese do të rrisnin edhe besimin e punëtorëve në këtë organizatë.

BSPK-ja nuk e ka bërë asnjërën prej tyre. Ajo madje nuk ka mundur asnjëherë të organizojë një konferencë serioze në nivel ekspertësh për të diskutuar për sëmundjet profesionale, për përfshirjen e të miturve në punë, për barazinë gjinore. Ajo nuk e di se duhet të ketë edhe agjendë mjedisore, se duhet të reagojë me forcë ndaj problemeve që janë shfaqur në disa nga ndërmarrjet private e publike, të cilat kanë vënë në rrezik shëndetin e punëtorëve, por edhe shëndetin e përgjithshëm. Se duhet të jetë e gatshme në çdo kohë të ofrojë asistencë dhe mbrojtje ligjore për anëtarësinë e saj.

Ajo nuk ka guxuar të heshtë kaq shumë e kaq gjatë për keqtrajtimin e punëtorëve të ndërmarrjeve shoqërore për 20-përqindëshin. Për, më tepër që shefi i BSPK-së, Haxhi Arifi, është pjesë e Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit dhe insiston që të mbetet aty edhe nëse e largojnë nga kreu i Sindikatës. Ai nuk është dashur për shkak të privilegjeve të heshtë e të shpërfillë gjendjen e rëndë të ish-punëtorëve, ndërmarrjet e të cilëve ka vite që janë shitur e stërshitur, ndërsa ata nuk kanë mundur të marrin atë pak kompensim që u takon me ligj.

Nganjëherë më shkon mendja se kjo strukturë nuk e di që duhet të punohet ndryshe, dhe se duke i kritikuar mund “t’iu hyjmë në hak”. Por, për të mos lejuar që padija e tyre të çojë në shuarjen e lëvizjes sindikale, është mirë të ndodhë ndryshimi dhe të mos na gjejë fati i Shqipërisë, ku nga afro 200 organizata sindikale nuk funksionon gati asnjëra. Këtë e kishte konfirmuar edhe kryeministri Edi Rama, kur kishte pritur në Shqipëri homologun e tij italian, Matteo Renzi. Me atë rast ai kishte ftuar afaristët italianë për investime duke i joshur edhe me faktin se atje taksat janë të ulëta dhe nuk ka sindikata. E kur gazetarja e televizionit “La7” e kishte pyetur se si mund të bëhet pa sindikata, Rama i ishte përgjigjur: “Për të qenë të sinqertë, ne nuk e ndiejmë mungesën e tyre“.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...