Prioritetet e gabuara

20 Korrik 2014 - 08:05 - Elmaz Isufi      

Të gjithë atyre që ia kanë mësyrë të paktën një herë Shqipërisë, viteve kur nuk ekzistonte “Rruga e Kombit”, nuk ka nevojë t’u tregohet se sa e rëndësishme është infrastruktura e mirë rrugore. Përshkimi i rrugës së vjetër të Kukësit për të zbritur në Milot ka qenë si një lojë mes jetës dhe vdekjes. Edhe kur ke mbërritur në Milot, dhe në të kundërtën, kur i je afruar Prizrenit, nuk është diskutuar as lodhja e as kohëzgjatja e udhëtimit që arrinte deri në 10 orë, porse ke shpëtuar i gjallë.

Ndërtimi i “Rrugës së Kombit” ka ndryshuar hartën në mes Kosovës dhe Shqipërisë, e indirekt edhe me Malin e Zi. Për tre-katër vjet, gjendja e rrugëve nga Vërmica për në qytetet e Kosovës ishte e mjerë krahasuar me cilësinë e autostradës shqiptare. E nuk vonoi shumë, rolet ndërruan. Tash ajo vlerësohet e dorës së dytë, madje e rrezikshme, krahasuar me “Ibrahim Rugovën”, ndërtuar këndej kufirit.

Perceptimi i rëndësisë së ndërtimit të rrugëve nuk ngelet vetëm në dëshirën dhe interesin e ngushtë individual të qytetarëve. Rrugët janë konsideruar gjithmonë të shenjta dhe nuk u kanë shërbyer vetëm banorëve lokalë. Edhe njerëzit e vullnetit të mirë që kanë lëshuar tokat e tyre për rrugë në interes të komunitetit, janë vlerësuar humanistë dhe mendjehapur.

Nga ky këndvështrim, autostrada që lidh Kosovën me Shqipërinë mund të arsyetohet në planin afatgjatë. Të mirat e saj nuk mund të jenë çastit, ato vijnë më ngadalë dhe për këtë nuk ka shumë dilema.

Por, për këtë projekt, vërejtjet janë të një karakteri tjetër, që nuk lidhen me rolin që ka ai për afrimin e njerëzve e kulturave, për shkëmbimin e mallrave dhe vlerave tjera, për daljen më të shpejtë në det dhe si një mundësi më e mirë për të komunikuar me botën në një kohë kur qytetarët dhe mallrat e Kosovës nuk e kanë të lehtë lëvizjen nëpër vendet tjera fqinje.

Koncepti “autostradë”, ashtu si “ministër”, “kryetar” e “drejtor” tek njerëzit në Kosovë shpesh asocon në hajni, keqpërdorim, mungesë transparence dhe mashtrim elektoral. Kjo, sepse ata që menaxhuan me të, kanë dështuar t’i japin publikut përgjigje në shumë pyetje. Të tregojnë se cili është interesi i vërtetë ekonomik dhe kur mund të priten efektet pozitive, të tregojnë dhe arsyetojnë koston, shkallën e degradimit të ambientit, dështimin për ta çuar deri në kufi me Serbinë siç ishte premtuar, numrin e kosovarëve të punësuar... Kanë dështuar të tregojnë, apo thënë ndryshe kanë refuzuar të hetojnë pse u ndryshua traseja dhe a është bërë kjo që njerëzit “me muskuj” të përfitojnë nga procesi i shpronësimit.

Pra, t’ua marrësh një miliard euro qytetarëve me qejf e me zor, dhe t’u thuash se mënyra e shpenzimit të tyre është sekret, përbën më shumë se një krim. Edhe më keq - të vazhdosh së talluri me ta në emër të “modernizimit të infrastrukturës rrugore dhe përfshirjes së Kosovës në hartën gjeostrategjike”, duke filluar një tjetër të ngjashme, me kosto të njëjtë, mbi 10 milionë euro për kilometër.

Të kotë kanë qenë zërat që thonin se autostrada në drejtim të Shkupit është e nxituar dhe se Kosova ka nevojë të ndërhyjë më me urgjencë në sektorë të tjerë. Duke i marrë disa prej tyre si zëra që mund të vijnë nga blloqe politike kundërshtare, shumë prej të tjerëve do të duhej të ishin referencë korrigjimi për Qeverinë Thaçi para se të merrte vendimin për ndërtimin e saj. Debati publik, konsensusi politik dhe hartimi i një programi zhvillimi – jo si ai bullgar, do të duhej të ishin domosdoshmëri, në mënyrë që investimet, përfshirë edhe këto në asfalt, të kenë qëndrueshmëri. Edhe përfshirja e ekspertëve të huaj, bashkë me koston, do të ishin më të dobishme sesa shpenzimi i qindra miliona eurove në projekte që në vend të rezultateve, prodhojnë efekte negative në zhvillimin ekonomik, e për rrjedhojë edhe në gjendjen sociale të qytetarëve.

Meqë kjo nuk ka ndodhur, dyshimi i bazuar çon në përfundimet se këto projekte janë ideuar nga klane dhe grupe të caktuara interesi, e për llogari të tyre.

Edhe shpenzimi i parasë publike për projekte të shtrenjta kapitale, në vend të huas, lë shumë për të dyshuar. Po të ishin investime nga jashtë, shanset për keqpërdorim do të ishin dukshëm më të vogla, për shkak të kërkesës për raportim të hollësishëm.

Në mes të lëvdatave dhe kritikave për autostradat, së fundi kanë ndërhyrë përfaqësuesit ndërkombëtarë të vendeve që i njohim si mike dhe donatorë potencialë. Shumë nga ta, në një konferencë të organizuar nga Zyra e Bankës Botërore, e kanë thënë troç: Kosova ka dështuar në caktimin e prioriteteve. Atyre, aty u është kërkuar nga drejtuesit e Korporatës Energjetike të Kosovës ndihmë për tejkalimin e krizës, pas shpërthimit të ndodhur në njërin nga termocentralet e “Kosovës A”. E përgjigjja e tyre ka qenë – do ta shqyrtojmë këtë me vendimmarrësit e shteteve nga vijnë. Por, para se ta thonë këtë, ua kanë bërë me dije menaxherëve të KEK-ut dhe përfaqësuesve të Qeverisë Thaçi, se kriza energjetike do të shmangej sikur të ishin hartuar politika më të shëndosha dhe buxheti të mos ishte orientuar me këtë masë në ndërtimin e autostradave.

Ndërkombëtarët, po aq sa edhe qytetarët, kanë të drejtë të shtrojnë pyetjen - a ka kuptim të harxhohen 1 miliard për tre vjet nga rreth 4 miliardë buxhet dhe spirales së harxhimeve t’u shtohen edhe mbi 600 milionë të tjera për tre vjetët e ardhshëm, e të njëjtën kohë të kërkohet ndihmë nga jashtë për të shmangur krizën energjetike. Të harxhohet kjo shumë parash, duke e ditur se në një të afërme të afërt vendi do të sfidohet nga kriza energjetike.

Të gjithë në Qeveri e kanë ditur se termocentrali “Kosova A” është në listën e zezë të komunitetit energjetik evropian dhe se jetëgjatësia e tij ka kaluar kufijtë e lejuar. Edhe “Kosova B”, që prodhon afro 70 për qind të rrymës elektrike, ka nevojë për investime të vazhdueshme. Të tjera potenciale prodhimi Kosova nuk ka aktualisht. Ato projekte që mban në letër, edhe sikur të nisnin sot së realizuari, nuk premtojnë shfrytëzim brenda kësaj dekade.

Bashkë me problemet energjetike, Kosova lëngon nga problemet në shëndetësi e arsim. Dy sektorë që shpërfaqin më së miri cilësinë e jetës së qytetarëve, e sidomos cilësinë e menaxhimit të vendit në të gjitha vitet e pasluftës.

Tash, pas nisjes së autostradës së dytë, kërkesa për ndihmë në energji, arsim e bujqësi ka humbur kuptimin, ashtu si edhe për sigurimin e ujit të pijshëm dhe për vaditje. Këto fusha janë direkt të lidhura me dinamikën e zhvillimit ekonomik të vendit.

Ta zëmë: faza e dytë e projektit “Ibër-Lepenc”, e studiuar nga Banka Botërore, përveçse zgjidh problemet me furnizim për një pjesë të madhe të Kosovës, garanton ujë edhe për KEK-un, prodhimtaria e të cilit vazhdon të varet direkt nga liqeni i Ujmanit në veri. Ndërsa përmirëson zhvillimin e bujqësisë, si njërin nga sektorët që mund ta shpëtojë vendin nga kolapsi dhe mund të ndryshojë statistikat negative mes importit dhe eksportit.

Këto projekte që janë neglizhuar nga “misionarët e së ardhmes” dhe që kushtojnë më pak se autostrada drejt Shkupit dëshmojnë se Kosova nuk e ka problem se çfarë duhet të bëhet, porse çfarë nuk duhet të bëhet.

© KOHA.net 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...