Kosovës i duhet një prokurore si Laura Kovesi

14 Qershor 2015 - 08:07 - Elmaz Isufi      

Prokurorja rumune Kovesi nuk u është trembur njerëzve të fuqishëm të politikës, medieve e biznesit. Ajo ka shpërfillur “imunitetin” e të fortëve dhe “mandatin e popullit”. Nuk heziton që ta hetojë, e nëse gjen fakte edhe ta fusë në burg presidentin që e ka dekretuar në këtë post. Ajo ka shpërfillur edhe heronjtë e demokracisë e të shembjes së diktaturës së Çausheskut, titujt akademikë dhe fuqinë e milionave

Gazeta “The New York Times” kishte shkruar një artikull të gjatë për “gruan e hekurt” të drejtësisë rumune, Laura Codruta - Kovesi. Kjo prestigjioze amerikane nuk kishte rrëfyer se ku i kalon ajo pushimet dhe kush kujdeset për “frizurën” e saj, por se si ajo drejton një institucion antikrim, se si e ka fituar betejën me bandat qeveritare e nëntokën në Rumani, dhe se si shumica e tyre kanë përfunduar në burg e me faqe të zezë.

“Një prokurore e cila flet pak, por në Rumani ka shkaktuar një ‘tërmet’, duke u kthyer në simbolin e luftës së pakompromis kundër korrupsionit... Ajo tashmë ka çuar pas hekurave kryeministrin e vendit, ministra dhe senatorë”, shkruante NYT.

E Vladimir Tismaneanu, profesor i politikës në Universitetin e Maryland, kishte thënë se Kovesi është kthyer në gruan që e kanë frikë të gjithë.

“Për disa edhe më e urryera në Rumani”, kishte thënë ai. “Ajo ka shkaktuar dridhjen më të madhe politike të ndodhur ndonjëherë në Rumani, që nga viti 1989”.

Hajdutët e pushtetit dhe instrumentet e tyre medialë e kanë quajtur atë prokurore staliniste, ndërsa metodat e hetimeve dhe të përgjimeve ia kanë krahasuar me ato të frikshmet të diktatorit rumun Çaushesku. Kritiku i saj më i egër e që është përpjekur ta njollosë punën e Drejtorisë Kombëtare të Antikorrupsionit është grupi mediatik i udhëhequr nga Dan Voiculescu, politikan dhe biznesmen i dënuar me 10 vjet burg për korrupsion.

“Sulmet, deklaratat shpifëse vijnë nga njerëz që janë duke u hetuar nga DNA-ja”, ka thënë ajo, për t’u arsyetuar se metodat e hetimeve që përdor agjencia e saj nuk janë të shpikura, por janë të njohura në gjithë botën demokratike. Ekipi i prokurorëve që menaxhon ajo janë të diplomuar pas vitit 1989, dhe sipas saj nuk kanë asgjë të përbashkët me sistemin e diktaturës. Madje, prokurorët dhe policët e DNA-së janë përzgjedhur nga agjencia dhe i raportojnë vetëm asaj.

Koves, një ish-basketbolliste, në tetor të vitit 2006, si 33 vjeçe, ishte emëruar prokurore e përgjithshme e Rumanisë, duke u bërë femra e parë dhe personi më i ri në moshë që mban këtë post në historinë e këtij institucioni. Kishte arritur të përmbyste praktikën e hetimit vetëm të zyrtarëve të ulët dhe mungesën e rezultateve në luftën kundër korrupsionit. Pa dallim, nga momenti i marrjes së përgjegjësisë kishte futur në skanim zyrtarët e niveleve më të larta. Afro 90 për qind të dosjeve që ajo dhe ekipi i saj kanë çuar në gjykatë kanë qenë të suksesshme, ndërsa institucioni i saj ka arritur të jetë më i besueshmi në Rumani.

Prokurorja Kovesi sa herë ka arrestuar kriminelët e niveleve të larta, përfshirë kryeministrin Adrian Nastase, ka pasur mbështetjen e ligjit dhe të qytetarëve. Afro 95 për qind të denoncimeve në Rumani, sipas saj, vijnë nga qytetarët. Në shtatë vjetët e fundit në Rumani janë dërguar në gjykatë më shumë se 110 prokurorë dhe gjykatës, nga të cilët pothuajse gjysma janë dënuar dhe vuajnë dënimin në burg. Janë dënuar edhe një kryeministër, një zv.kryeministër, 9 ministra, 30 deputetë dhe 8 senatorë.

Prokurorja Koves nuk u është trembur njerëzve të fuqishëm të politikës, medieve e biznesit. Ajo ka shpërfillur “imunitetin” e të fortëve dhe “mandatin e popullit”. Nuk heziton që ta hetojë, e nëse gjen fakte ta fusë në burg edhe presidentin që e ka dekretuar në këtë post. Ajo ka shpërfillur edhe heronjtë e demokracisë e të shembjes së diktaturës së Çausheskut, titujt akademikë dhe fuqinë e milionave. Ajo i ka bërë të turpërohen para popullit të gjithë keqbërësit, që deri në demaskimin nga drejtësia ishin konsideruar hyjnorë. I ka bërë t’i pështyjnë në fytyrë dhe përgjithmonë të mos duken më në publik.

Prokurorja Koves, të qenit shefe e Drejtorisë Kombëtare të Antikorrupsionit në Rumani,e konsideron vetëm vend pune. Ajo nuk shikon në fund të muajit se cili është bilanci financiar i të hyrave në xhirollogarinë bankare. Ajo suksesin e mat me bilancin e kapjes së kriminelëve, me ndihmën që i jep drejtësisë, vendosjes së ligjit dhe kthimit të besimit të qytetarëve në institucione.

Në Kosovë nuk kemi ende prova që ndonjë prokuror ka guximin, vullnetin dhe përkushtimin e saj profesional. Të vetmen të përbashkët të rumunes me kolegët e saj në Kosovë e kemi gjetur emrin - me atë të prokurores së shtetit, Laura Pula.

Ndryshimi i madh mes tyre nis me famën - rumunes Laura iu deshën shumë vjet punë dhe suksese për të bërë emër në një vend me mbi 22 milionë banorë, e kosovares Laura i mjaftuan vetëm disa ditë. Ende pa e nisur mirë dhe pa lënë gjurmë si koordinatore nacionale kundër korrupsionit, Pula për një kohë të shkurtër u shndërrua në yll medial. Meqë premtoi dorën e fortë të ligjit, u krijua perceptimi se më në fund gjetëm njeriun e duhur për të bërë punën e duhur.

Por, nuk doli ashtu. Përveç që drejtoi një “task forcë” të prokurorëve për mbarëvajtjen e zgjedhjeve qendrore të vitit 2010, Pula nuk bëri diçka të veçantë për t’u mbajtur mend. Për më keq, humbi besimin e të qenit zyrtare e sistemit të drejtësisë, që kur kërkoi nga Gjykata Speciale “zbutjen”, përkatësisht lirimin nga burgu të Elez Hoxhës, një të dënuari me katër vjet burg për marrje ryshfeti në vlerën mbi 60 mijë euro. E Elez Hoxha nuk është dosido njeri. Ai është ish-gjyqtar dhe vëllai i shefit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, që po ashtu kishte dhënë pëlqimin për këtë zbutje, ndërsa që në kohën e kërkesës së Laura Pulës ishte edhe ushtrues detyre i kryeprokurorit të Shtetit.

Prokurorja Pula mbase kishte një pretekst për ta kërkuar këtë nga Specialja. Gjashtë muaj para se ajo të kërkonte “mëshirë” për Elez Hoxhën, që kishte përfituar jashtëligjshëm 60 mijë euro, ish-kryetari i Gjykatës Komunale të Prishtinës, Nuhi Uka, dhe shtatë kolegë të tij, për dëmin e vlerësuar 60 milionë euro, ishin dënuar nga 8 muaj deri me dy vjet burg me kusht.

Pra, prokurorja Pula me “humanizmin” e saj dëshmoi të kundërtën e pritjeve. Jo që nuk dha prova se mund të bëhet një “gjenerale e drejtësisë” dhe se nuk zmbrapset, por, përkundrazi, dha një kontribut për drejtësinë e deformuar për vite dhe iu shtua numrit të madh të protagonistëve të kësaj shtylle që bartin përgjegjësinë kryesore për amnistimin dhe fuqizimin e krimit.

E ndryshe nga ajo, prokurorja rumune Laura Codruta - Kovesi është shembulli më i mirë në praktikën e sundimit të ligjit se si nuk bëhet kompromis me kriminelët. Ajo nuk kërkon amnisti si kolegia e saj kosovare, as kur të burgosurve “u hip tensioni”. Dhe jo që nuk bën çfarë bëjnë prokurorët e gjykatësit në Kosovë, por bashkë me kriminelët do t’i kishte çuar para drejtësisë edhe këta që nuk i gjykojnë, e edhe këta që fshehin faktet, dhe krejt në fund bëjnë kërkesë për lirimin e tyre.

Kosev e kishte kuptuar me kohë logjikën e suksesit.

“Harrojeni antikorrupsionin pa drejtësi të pastër”, kishte thënë ajo në intervistën për “Top Channel”, ndërsa kishte zbritur në Tiranë, për t’iu dhënë leksione prokurorëve shqiptarë për luftimin e korrupsionit, në vendin ku për 25 vjet janë dënuar vetëm dy gjyqtarë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...