Listat që e komprometojnë UÇK-në

22 Mars 2015 - 08:03 - Elmaz Isufi      

Historia nuk mund të ketë personazh kryesor djalin që merr ngrykë nënën, babën, motrën e nusen e tij dhe ia “mbath” në mal. Djali me pushkë në krah edhe mund të quhet hero, por për mua superheronj janë prindërit, nusja dhe motra e tij, që më shumë se sa një lajm të mirë për të, jetuan me ankthin e frikës se një ditë masakruesit serbë do të futeshin brenda shtëpisë. Ata nuk i mbrojti askush. Dhe kjo është një e vërtetë e madhe.

Vënia në diskutim e rëndësisë së luftës ka qenë gjëja e fundit që mund ta bëja në publik. Për arsyen e thjeshtë - se nga perspektiva ime shënonte fillimin e fundit të vuajtjes kolektive, se shuante iluzionet se liria vjen me predikime moralo-politike, dhe se finalizonte ciklin e emancipimit të shoqërisë kosovare për bërjen e shtetit. Dalja në skenë e njerëzve me uniformë dhe pushkë për mua ishte momenti që shënonte kapërcimin e madh dhe përmbyste mitin e krijuar se “për sa të jetë jeta ne nuk guxojmë të futemi në luftë me Serbinë”.

Si e çfarë ndodhi, deri në qershorin e vitit 1999 është rrëfim në vete dhe do të ishte e pandershme që të përkufizoja me pak fjalë, atë që unë dhe qytetarët e tjerë e kanë parë e përjetuar.

Por çfarë shqetësonte pas lufte dhe fatkeqësisht edhe 15 vite të tjera pas, është trajtimi dhe keqtrajtimi i luftës, i sakrificës së njerëzve dhe i së drejtës për të jetuar i barabartë.

Duke qenë njëri nga ata që luftën e armatosur e kam vlerësuar dhe mbështetur publikisht nga fillimi i viteve 90, si të vetmen mundësi për t’i dhënë fund një procesit që nuk i dukej fundi, madje i gjykuar për këtë qëndrim timin atëbotë edhe nga ata që sot konsiderohen krahu i luftës, s’ka se si të mos shqetësohem nga “uzurpatorët” e asaj përpjekjeje dhe nga nëpërkëmbësit e asaj sakrifice.

Dhe ky shqetësim nuk është i tashëm. Nuk e ka burimin në maskarallëkun me listat e veteranëve e invalidëve të UÇK-së. Madje, i mësuar me abuzimet në seri, as kam pritur që problemi i listave të mos jetë edhe një hallkë në zinxhirin e veprimeve të ndyta dhe të paturp.

Çështja që shtrohet është se si mund të ngatërrohen emrat, kontributet, përgjegjësit e një organizate që, sipas skemave të bëra publike tash, del se ka qenë e strukturuar si të ishte një anëtare e NATO-së, madje edhe me departament të informimit nëpër zona, me shefa dhe me nga 5-6 zyrtarë për informim.

Si mund të jetë profesional, një formacion ushtarak që nuk ka dokumentacion dhe tek pas 15 viteve përpilon lista, dhe, për dhe kundër përfshirjes në to vendosin individë të caktuar. Vendosin komandantët dhe të tjerë në hierarkinë e lartë, që paslufte, shumica e tyre, një nga një braktisën atë që mbeti nga UÇK-ja, njerëz që kanë dhënë prova të bollshme se janë skajshmërisht subjektivë dhe të prirë për mashtrim e uzurpim.

Vendosin ata që në ditët përkujtimore për dëshmorët, duken sa për sy e faqe dhe nuk arrijnë kurrë të nxjerrin në shesh të vërtetën e një beteje të madhe, triumfale dhe që mund të jetë model për të tjera luftëra të tipit çlirimtar. Që asnjëri dhe asnjëherë nuk ka mundur të ligjërojë në nivel ekspertësh për një aspekt të thjeshtë të menaxhimit të luftës. Pra, vendosin ata, që, jo që nuk arritën ta lartësojnë luftën, por e zhvleftësuan aq shumë me sjelljet e tyre, sa sot, në disa tubime përkujtimore në vend të mijëra, sherri i tyre marrin pjesë vetëm dhjetëra veta.

Më prekëse është jo vetëm manipulimi, fryrja e listave dhe ky diferencim i kontributeve në luftë duke i ndarë të gjallët në disa kategori, por edhe diskriminimi që u bëhet të vdekurve - dëshmorëve dhe familjeve të tyre. Eskortat e liderëve institucionalë dhe të atyre që kanë marrë për vete trofetë e luftës, u bëjnë nder vetëm disa individëve dhe familjeve që kanë lënë pas trashëgimtarë me muskuj, apo që heroizmi i tyre si produkt medial tentohet të dallohet nga heroizmat e të tjerë dëshmorëve.

A ka më fyese, se kur presidentja, kryeministri, liderët politikë e ish-komandantët me rroba civile, kalojnë pranë nënave, nuseve dhe fëmijëve të X-dëshmorit, nuk ndalin aty, por marrin turrin për t’i bërë nder, vit për vit, vetëm emrave të përveçëm. Si ndihen familjet e dëshmorëve kur edicionet e lajmeve mbushen me informacione se si ky apo ai shef institucioni bëri homazh tek ky apo ai dëshmor, se si vizituan kullën e atij apo këtij luftëtari dhe lartësuan veprën e tij, e në pragun e shtëpive të tyre nuk shkel kurrë njeri i gjallë.

Se si është e mundur që të gjithë këta bajraktarë, në fjalimet e tyre falënderojnë popullin për sakrificën, kontributin, qëndrueshmërinë e guximin, ndërsa përpilojnë lista vetëm për një grup njerëzish e familjesh. Hartojnë ligje e premtojnë përfitime po vetëm për ta. Si mund të zhvleftësohet heroizmi i nënave, motrave, grave, vajzave tona, e deri te fëmijët, që as nuk i thirri e as nuk i la kush t’u ngjiten kodrave, por të gjithë ata u bënë pre e gjallë e njësiteve vrasëse e dhunuese të policisë, ushtrisë dhe paramilitarëve serbë.

Askush nuk e vë në diskutim vullnetin e djemve dhe vajzave që morën vendimin e madh për t’u bashkuar njësiteve të luftës. Askush nuk mund të vërë në diskutim kontributin e tyre dhe sakrificën e mbi një mijë dëshmorëve. Por, askush nuk mund ta injorojë guximin e qytetarëve të tjerë që ndryshe nga ushtarët që kapën malet, ata qëndruan në shtëpitë e tyre, të mbështetur për muri, teksa pranë tyre endeshin ujqërit e uritur për gjak e dhunë.
Historia nuk mund të ketë personazh kryesor djalin që merr ngrykë nënën, babën, motrën e nusen e tij dhe ia “mbath” në mal. Djali me pushkë në krah edhe mund të quhet hero, por për mua superheronj janë prindërit, nusja dhe motra e tij, që më shumë se sa një lajm të mirë për të, jetuan me ankthin e frikës se një ditë masakruesit serbë do të futeshin brenda.
Ata nuk i mbrojti askush. Dhe kjo është një e vërtetë e madhe.

Serbisë nuk i duhej t’i pushtonte malet, ajo bëri çfarë deshi në rrafsh, aty ku ishte shumica e popullsisë - qytetarë të pafuqishëm, por që nuk donin të largoheshin nga shtëpitë edhe me çmimin e vdekjes. Serbia nuk e kishte shumë hallin e UÇK-së, për të mjaftonte ta mbante atë në kodra, me shpresën se një ditë ata do ta hanë veten. Ajo kishte punë me fshatrat dhe qytetet e pambrojtura. Më shumë forcat e saj u përpoqën ta lëndojnë atë pjesë të popullsisë, ta plaçkitin, ta dëbojnë e ta masakrojnë, sesa të shpenzojnë mund për të ndjekur mijëra luftëtarë të UÇK-së.

Dhe këta që sot përpilojnë lista dhe fërkojnë duart, shkojnë deri aty sa ua mohojnë po qytetarëve që kishin mbetur në mëshirën e fatit gjatë luftës, të kenë hise në liri, në histori.
Ata që u dhunuan, u plaçkitën, e u dëbuan, sot janë një hiç në këtë ambient lirie. Ata paguajnë ende për atë që u bëri Serbia, e po paguajnë edhe atë që po u bëjnë disa nga njerëzit e maleve – plaçkitjet e pronës publike, abuzim me institucione, keqpërdorim të pozitave (kuptohet të gjitha drejtuese), punësime familjare, korrupsion, krim i organizuar.
Dhe krejt në fund, po nga populli - viktimë e luftës, të njëjtët tash duan të tjera privilegje, duan pensione suplementare, duan regjistrim të fëmijëve në shkolla pa kriter e nuk di se çfarë nuk duan tjetër.

Për të mos u hyrë në hak e për të mos u mallkuar përjetësisht ne dhe ky vend, qytetarët dhe luftëtarët e ndershëm, duhet të mos heshtin, por të distancohen nga ky maskarallëk. Të heqin dorë nga kjo skemë për hatër të prindërve, nuseve dhe fëmijëve të njerëzve të vrarë, të njerëzve të zhdukur e për hatër të atyre që u dhunuan mizorisht nga egërsirat serbe. Të heqin dorë edhe për një arsye të thjeshtë. Të na lënë edhe pak kohë, neve “frikacakëve”, që jemi ushqyer me idealin e atdheut, me idealin e lirisë (kontributin mos na e llogaritni se mund të dalë më i madh se i shumicës së atyre që sot janë në lista) dhe ende jetojmë me shpresën se një ditë do të bëhet ky vend. Se mjaft e kemi barrë një pjesë të kolegëve tuaj që kanë kapur vendin, që kanë uzurpuar me farë e fis çdo cep të saj, që kanë shantazhuar e kërcënuar këdo që ua ka “zënë” rrugën apo nuk u është bindur epsheve për më shumë luks e më shumë famë.

Në vend të përplasjes mes vete – ju që nuk keni arsye t’i përlyeni emrat tuaj, bëjeni një listë emergjente të veteranëve të vërtetë që kanë halle, që “shefat” tuaj, të pangopurit dhe profiterët e luftës e të paqes i kanë harruar. Bëjeni një listë që ne të gjithë së bashku t’u kthejmë dinjitetin, jo se ishin në luftë, se lufta nuk është bërë vetëm maleve dhe se ajo nuk ka njohur as gjini, as moshë e as vendbanim, por se ata dhe familjet e tyre para se gjithash janë qytetarë të Kosovës.

E ju që bëni jetë luksi duke u thirr në “luftën e lavdishme” dhe mbi kurrizin e popullit, e që jeni në numra me mijëra, hiqni dorë nga manipulimi i listave se nuk ju bëjnë nder. Se i turpëroni djemtë, vëllezërit, motrat dhe shokët tanë, që vdiqën dhe lanë gjymtyrët e trupit në front e nëpër shkrepat e maleve për të sjellë armë, ushqime e barna.

Se i turpëroni ata që shëruan plagë e gatuan bukën, i turpëroni ata që janë përlotur nga gëzimi kur kanë parë uniformën e kur ju kanë bërë pritje e nderim si heronj – pa pyetur e pa ditur se kush e sa ka kontribuar. Atyre që historitë i kanë më rrëqethëse se secili nga ju me armë në brez.

Kam bindjen dhe do të duhej të ishte kështu – se shpërblimi më i madh për ju e ne, është fakti se ky vend u bë i lirë. Ngarendja për të marrë edhe diçka tjetër nga ky popull i tronditur e me pak shpresë, na bën të dyshojmë se ju i keni vënë çmimin lirisë, se ju vendin e të mirat e saj i konsideroni plaçkë lufte.

Keni shansin të mos e bëni këtë.

© KOHA
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...