Parajsa në politikë

19 Qershor 2016 - 08:00 - Elmaz Isufi      

“Makrot” në Kosovë janë kryesisht drejtuesit e partive politike, ata që kontrollojnë buxhetin, caktojnë prioritetet, përshtatin ligjet, orientojnë investimet kapitale sipas agjendave të tyre afariste, kontrollojnë tenderët dhe privatizimin, emërojnë keqbërës me sfond partiak në institucione të pavarura (Polici, Prokurori, Gjyqësi...), mbipopullojnë administratën dhe ndërmarrjet publike me çfarë gjejnë mbi tokë – me shkollë e pa shkollë dhe i sigurojnë vetes pushtet nëpërmjet masës kritike të manipuluar

Zvicra për aq sa mbaj mend ka qenë që moti pikë referente për shumicën e qytetarëve të Kosovës në atë që konsiderohej projekti i tyre për të ardhmen. U ka pëlqyer gjithmonë standardi i jetesës, saktësia, disiplina në punë, por edhe dashuria që shfaqin ata për vendin e tyre. Më shumë se kaq nuk kanë ditur.

“Edhe shiu bie ndryshe atje, me plan”, e thoshin shpesh ata, që për shtetin model të botës kishin vetëm disa copëza informacioni nga të afërmit që u jetonin atje. Në vitet kur shteti te ne ishte ende koncept utopist, shkonin edhe më tej duke thënë: “Veç s’e kemi lirinë, se qysh jemi patriotë, punëtorë të zotë, inteligjentë edhe Zvicrës ia kishim kaluar”.

Duke ia bërë qejfin vetes dhe duke dashur të bindnin edhe të tjerët se kjo edhe mund arrihet, disa përmendnin potencialet ekonomike të Kosovës, për të cilat s’kishin ide çfarë janë, të kujt janë e si funksionojnë. Ishin gati të thurnin legjenda për to.

“Me ba me punu Trepça qysh duhet, na krejt n’kokërr të shpinës kishim jetu si asht ma s’miri!”

Se sindroma e të jetuarit me pak punë, pse jo edhe pa punë, është kultivuar për shumë dekada nuk do shumë analizë, ashtu si nuk do argument shtesë edhe nxjerrja e përfundimit se ne s’kemi asgjë të përbashkët me mënyrën e të jetuarit të zviceranëve dhe menaxhimin që i bëjnë ata shtetit të tyre. Pa përmendur vlerat e mëdha historike, qytetare e demokratike, fuqia ekonomike dhe monetare e Zvicrës është e jashtëzakonshme. Për shumë vite ky shtet thuhet se e mban artificialisht të kontrolluar vlerën e frangut, në mënyrë që të mos shkaktohen tronditje në ekonominë ndërkombëtare.

Duke “mos ditur ku dhe si t’i harxhojnë kursimet”, së fundi atje ishte dhënë një propozim që sipas perceptimit tonë, 100 për qind e qytetarëve do të duhet të votonte pro tij. Por, në votimet e mbajtura në javën e parë të qershorit të këtij viti, 78 për qind e zviceranëve nuk e kanë përkrahur propozimin e shtetit që secilit të rritur t’u garantohen 2.500 franga në muaj dhe 650 franga të tjera për secilin fëmijë. Vërtet e habitshme. Ata me dorën e vetë kanë refuzuar të marrin rrogë pa punuar!

Ndryshe prej Zvicrës, ku të paguarit prej shtetit edhe nëse nuk punon është provuar të shndërrohet në ligj, në Kosovë kjo funksionon pa pasur nevojë për formën juridike. Ama si e tillë nuk vlen për të gjithë. Në Kosovë duhet të kapesh për politikën që ka kapur shtetin dhe të gëzosh privilegjet që i kanë refuzuar zviceranët. Madje, përfitimet janë më të mëdha sesa pragu financiar prej 2.500 frangave në muaj. Në Kosovë, po qe se je aktivist i zellshëm politik, zyrtar komunal apo qeveritar, prokuror, gjyqtar, avokat, autoritet në arsim e shëndetësi, ambiciet duhet të tejkalojnë “ëndrrën zvicerane” dhe medoemos duhet të mbërrijnë shifrën e 1 milion eurove pasuri për pak vite.

Pra, nuk është më privilegj të jetosh e të punosh në Zvicër dhe në vendet e tjera të Perëndimit, madje e as të kesh një pasaportë të tyre, sa është të jesh pjesë e strukturave politike dhe parapolitike në Kosovë ku sektori publik në partneritet me biznesin e pistë është shndërruar në parajsë financiare, sektori privat i ndershëm mezi mbijeton, e në mes të dyjave është shtresa e të papunëve që vazhdon të ruajë nivelet e përqindjes kritike.

Është e vështirë të bësh një prerje se cili profesion të sjellë më shumë përfitime, në vendin ku sistemi i vlerave edhe ashtu i brishtë, është përmbysur 25 vjet më parë. Deputetët apo ministrat që nuk kishin një tjetër vend pune, bënë gjithçka në mandatet e tyre të “shkollohen” që t’ua mësyjnë universiteteve dhe të ndihen të realizuar si intelektualë. Profesorët e universiteteve dhe elitat ua kthyen me të njëjtën monedhë. Nuk mjaftoheshin me autoritetin si mësimdhënës dhe përfaqësues të shoqërisë civile, andaj u kapën për liderë analfabetë e me fuqi politike, për t’u ngjitur majave të institucioneve, si deputetë, ministra, zv.ministra, këshilltarë, drejtorë, ambasadorë... Dyfishimi e trefishimi i pagave nëpërmjet të të ashtuquajturave punë u kthye në trend. Nuk përbënte problem as nëse këto angazhime duhej të “kryheshin" në të njëjtin orar.

Ky model i pasurimit është realizuar nëpërmjet abuzimit me vendet e punës, me zhvleftësimin profesional, moral, intelektual, si dhe me pamundësimin që në shumë sektorë të mund të depërtonin të tjerë kuadro që mbahen qëllimisht jashtë “parajsës financiare” pasi nuk përmbushin kriteret për të qenë pjesë e strukturave kriminale.

Kjo specie, që në pamje të parë nuk bën vjedhje klasike, ka shtrirjen më të madhe në shoqëri dhe përbën rrezikun e madh, ngase jo vetëm që janë armatë e madhe “prostitutash” partiake, por u shërbejnë direkt “makrove”, që në numër janë pak, por që kontrollojnë shtetin dhe përfitojnë shuma më të mëdha financiare. “Makrot” në Kosovë janë kryesisht drejtuesit e partive politike, ata që kontrollojnë buxhetin, caktojnë prioritetet, përshtatin ligjet, orientojnë investimet kapitale sipas agjendave të tyre afariste, kontrollojnë tenderët dhe privatizimin, emërojnë keqbërës me sfond partiak në institucione të pavarura (Polici, Prokurori, Gjyqësi...), mbipopullojnë administratën dhe ndërmarrjet publike me çfarë gjejnë mbi tokë – me shkollë e pa shkollë dhe i sigurojnë vetes pushtet nëpërmjet masës kritike të manipuluar. Janë po këta që shfrytëzojnë bizneset e tyre, të kamufluara në emër të miqve dhe të afërmve të tyre për të kontrolluar tregun. U lejohet futja e mallrave kontrabandë, fshehja e të hyrave, shmangia nga tatimi, angazhimi i punëtorëve në të zezë e deri te shpërblimet me tenderë milionësh. Dhe krejt në fund janë po këto banda që pa fije turpi na flasin për angazhimin e tyre për shtet të së drejtës, për sundim të rendit e ligjit, dhe për luftë kundër krimit, korrupsionit, kontrabandës e informalitetit.

E qytetari i (vetë)përjashtuar, i shtyrë të qëndrojë në “tribuna” dhe të paguajë shtrenjtë për shfaqjen, i mbetet të shikojë e të durojë edhe më tej skuadrat e njëjta e me lojtarë të njëjtë, me shpresën se një ditë ata do të ikin, ndërsa vendi të marrë drejtimin e një shteti që i bën ata të dinjitetshëm sikur zviceranët ku puna është e shenjtë e hajnia e dënueshme.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     info@koha.net    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...