12 Tetor 2014 - 09:59 - Elmaz Isufi
Raporti i Progresit i Komisionit Evropian në krye të listës së defekteve në funksionimin e shtetit të Kosovës ka nxjerrë sërish korrupsionin, e më të përhapurin në fushën e prokurimit publik. Ky dështim është i përhershëm në këtë raport, po aq sa është i përhershëm edhe pranimi i fajit për praninë dhe mos luftimin e tij nga drejtuesit e shtetit.
Kosova nuk do të vuante sa vuan tash po ta kishte vetëm klasën politike të korruptuar dhe të përfshirë në krim. Por, e keqja është se në këtë epidemi vjedhjesh të buxhetit janë përfshirë edhe shumë segmente të tjera, e më të ndjeshmit, gjyqësori dhe Policia e Kosovës - dy institucione që do të duhej të ishin të pavarura dhe funksionimi i të cilave po të ishte i mbarë, të paktën do të duhej ta ndalte rritjen e kësaj sëmundjeje shkatërruese, për të tashmen dhe të ardhmen e qytetarëve të Kosovës.
Nga gjyqësori edhe nuk mund të pritet shumë se do ta luftojë korrupsionin brenda trupit të vet. Për këtë ka dhënë mjaft prova. Por duket se këtë nuk e bën dot as Policia e Kosovës (jo policët me uniformë, por drejtuesit e tyre me kollare).
Është pikërisht një tender në Policinë e Kosovës që e ilustron pangopësinë e njerëzve vendimmarrës dhe lidhjen e pushtetit me krimin. Historinë e tenderit skandaloz e ka zbardhur për hesape të veta kompania “Unikat”, e cila e kishte furnizuar Policinë e Kosovës me uniforma për gati 10 vjet, dhe të njëjtën kishte pretenduar ta bënte edhe për tre vjetët e ardhshëm. Si i ka fituar tenderët dhe çfarë uniformash ka ofruar në të kaluarën kjo kompani, nuk është tash çështje e debatit. E diskutueshme mbetet vetëm nëse pantallonat e policëve për këta 10 vjet kanë pasur mjaft vega të rripit që të mos u bien te gjunjët gjatë aksioneve në terren. Dhe pyetja tjetër - çfarë do të ndodhte nëse në vend të gjashtë vegëve kjo kompani do t’i kishte vendosur edhe nga dy më shumë për secilin në tenderin e fundit të PK-së. A thua “Unikati” do t’i kishte fituar 7 milionë euro më shumë për tre vjet, pra 13 milionë, sa edhe i janë dhënë fituesit, konsorciumit "Steda Kosova & AlbKos International & Hodra Forca”, e jo 6 milionë sa ka ofertuar ajo, e që për autoritetin kontraktues është dukur ofertë e “lodhtë”.
Si u bë që kjo kompani me eksperiencë për furnizim me uniforma dhe me referenca të shumta në këtë fushë për Policinë, ta huq punën e vegëve, të pëlhurës së brendshme të kapelave të policëve dhe të pesë butonave rezervë në “jaknet” e dimrit, e me këtë të shpallet e papërgjegjshme. E konsorciumi fitues (tri kompani të bëra në një), i panjohur për publikun, të jetë kaq i zgjuar në prokurim publik dhe me dy vega më shumë për mbajtjen e rripit të pantallonave t’i fitojë 7.1 milionë plus.
Një matematikë me operacione elementare na çon te shifrat marramendëse të vlerës së paguar të këtij tenderi. Ta zëmë se secila palë ka kushtuar 100 euro (çmimi me shumicë), që i bie për dy palë (verë-dimër) - pra 200 euro për policë apo 1.4 milionë euro në total (kuptohet janë llogaritur pantallonat me tetë vegë, sepse ka qenë njëri nga kriteret vendimtare). Po e dyfishojmë vlerë, ngase uniformat e reja mund të jenë të “shkrira në ari” (jo nga ari i vjedhur në dhomat e policisë), po na del 2.8 milionë euro. Nëse në këtë kosto, sipas adetit, hyn 10-përqindëshi ryshfet për vendimmarrësit, kostoja po shkon pak mbi 3 milionë. Edhe 10 për qind të tjera për ndërmjetësit dhe spiunët brenda autoritetit kontraktues, e çojnë shumën maksimalisht deri në 3.5 milionë. Dhe, me shpenzimet e fryra të përgatitjes së ofertës kostoja mezi po arrin në 4 milionë euro. Dy milionë euro do t’i mbeteshin fitim kompanisë me ofertën prej 6 milionë eurosh.
Paramendojeni se çfarë fitimi është me 13 milionë.
Edhe argumentimi i përfaqësuesit të Policisë së Kosovës para OSHP-së, se nga hulumtimet e tyre del se “Unikati” nuk e ka bërë atestin e materialit tek laboratori për tekstil, por te një institut për inspektim të tregut në Maqedoni, nxjerr një tjetër dyshim të madh. Ngase ky përfaqësues kur është pyetur se a i është bërë i njëjti hetim edhe kompanisë fituese, ai është përgjigjur me “Jo”. Sikundër që ka thënë se edhe qasja në dosjen e fituesit dhe verifikimi nëse ai i ka plotësuar kriteret e specifikuara janë të pamundur për arsye konfidencialiteti. Pra, çfarë ndodh nëse kompania fituese nuk e ka bërë atestin në laborator profesional dhe çfarë nëse nuk i ka plotësuar të gjitha kërkesat, siç ka ndodhur me “Unikatin”. Ngase në tërë këtë histori, gabimet i janë bërë publike vetëm kësaj kompanie, nga pesë sa ishin në garë.
Edhe për çmimin enorm krahasuar me atë të “Unikatit”, zyrtari i Policisë ka thënë se është diktuar nga cilësia e materialeve të ofruara. Që i bie se ky përfaqësues më shumë ngjante në avokatin e fituesit sesa që kishte dertin e kostos së tenderit. Dhe çudit fakti se si konsorciumi fitues nuk ka kërkuar 130 milionë euro, por vetëm 13 milionë, meqë për autoritetin kontraktues – Policinë e Kosovës- e rëndësishme po del të jetë më shumë pamja vizuale e uniformave, vegët e pantallonave, pëlhura me material poliester për kapelat e policëve dhe një zinxhir në xhepin rezervë, sesa kursimi i buxhetit.
Pavarësisht përpjekjes për ta parandaluar dhënien e këtij tenderi, kam të drejt të dyshoj se ankesa e “Unikatit” ka mundur të jetë pjesë e lojës, sa për t’i vënë vulë procesit. Por, ashtu kam të drejt të dyshoj se si edhe në shumicën e tenderëve humbësit dhe fituesit bashkohen diku në një pikë.
Ky dyshim mund të mos jetë i bazuar, por praktikat e deritashme kanë dëshmuar se gara shpeshherë është fiktive, ndërsa operatorët ekonomikë në garë janë pjesë e skenarit. Shpallet një fitues, por “tallin” e ndajnë bashkë, përveç me vendimmarrësit dhe ndërmjetësit, edhe me ndonjë nga kompanitë e tjera në garë. Madje, ka shumë shanse që kompania që e bën realisht furnizimin nuk ka qenë fare në garë.
Ka edhe të tjera driblime, kur për të plotësuar kriterin e pjesëmarrjes së dy e më tepër operatorëve të përgjegjshëm, njëri nga ta është për arsye formale, ose është krijesë e të njëjtëve njerëz, por me emër, adresë dhe referenca të tjera, siç ka ndodhur me të madhe në procesin e privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe atyre publike, apo siç lë për të dyshuar tenderi i fundit i Policisë, ku thuhet se në garën finale përveç fituesit ishte edhe një tjetër operator italian-slloven.
Puna e këtij tenderi dhe disa të tjerëve në Polici, siç është ta zëmë rasti i furnizimit me automjete i kthyer në telenovelë, ilustron mënyrën se si funksionon aparati shtetëror në Kosovë.
Asnjë reagim, asnjë shqetësim për këtë dhe për qindra të tjera procese kontroverse prokurimi, nga organet e ndjekjes, nga parti politike e organizata joqeveritare. Edhe qytetarët e “droguar” nga skena turbofolk politike këto skandale i marrin me qetësi. Madje nuk marrin mundin as të mbajnë distancë me autorët e tyre. Harrojnë se loja me milionat është lojë me djersën, me taksat dhe me kontributet e tyre. Dhe jo vetëm që harrojnë, por çirren pas emrave të përveçëm të politikës e të biznesit, që janë kreatorë të tenderomanisë, krimit dhe zhvatjes së buxhetit të shtetit dhe të mirave materiale të tij. Qytetarët më shumë tash janë të shqetësuar dhe përplasen mes vete se a po vjen në pushtet ky “kapo” i krimit, apo ai tjetri, sesa si po nëpërkëmben vendi dhe pasuria e tij. Sepse, në vetëdijen e tyre funksionon ende formula - e keqja mposhtet me të keqen, dhe se njerëzit e zhytur në haram ia hanë kryet njëri-tjetrit. E ata, të paktën deri tash nuk po e hanë kryet e “shoqi-shoqit”, pos të ne qytetarëve, të shpallur për shumë vjet rresht më optimistët në botë. Ata po i trashin qafat, po i shtrijnë mbretëritë e tyre dhe po na e shesin të ndershmin, shpëtimtarin, duke u përpjekur se nëse vazhdojnë (njëri grup) apo nëse e marrin pushtetin (grupi tjetër) do ta luftojnë krimin e korrupsionin, ndërsa qytetarit do t’ia kthejnë dinjitetin.
E nga ky zotim, në të vërtetë zbulohet fytyra e vërtetë e tyre. Pra, se ata po e ditkan që ky vend është zhytur në krim e korrupsion. Po e ditkan se qytetarit i është vënë këmba në qafë. Por, po harrojnë se ishin po këta që qeverisën këtë vend pas luftës, nga qendra deri në komuna, që kontrolluan ekonominë dhe financat e këtij vendi, ishin ata që kontrolluan privatizimin e ndërmarrjeve shoqërore, ishin ata që dërguan në gjyqësi, prokurori e polici vartësit e tyre, dhe ishin po ata që bënë ligjet dhe i shkelën ato. Pra, publikisht po e pranojnë se “na jemi ata që e kemi sjellë vendin në këtë derexhe, por ju lutem na jepni edhe një shans që t’i kthejmë gjërat në vend”.
Eh, s’kanë faj që tallen me ne. Mbase edhe janë një hap para nesh. Kriminelët kanë krijuar një perceptim real për qytetarët, se ndryshe nuk do t’i kishin hy “karate” institucioneve. Duket se e kanë bërë analizën e mendësisë sonë. Duke mbajtur në dorë frenat e shtetit kanë lejuar me apo pa qëllim që edhe qytetarët të sharrojnë në mëkate me takatin e vetë. Të abuzojnë aty ku kanë mundësi - të deklarojnë rrejshëm tatimin, të vjedhin e të mos i paguajnë rrymën e ujin, të abuzojnë me asistencën sociale, të punojnë në të zezën e të deklarohen si të papunë, të kontrabandojnë mallra, të zhyten në borxhe..., dhe krejt në fund të ndihen edhe ata bashkëpjesëmarrës në krim dhe me fytyrë të zanme.
Këta zhvatës të parasë publike dhe të mirave të shtetit me vite kanë lejuar qytetarin që në vend të përparimit të zgjedhë rrugën më të shkurtër – degjenerimin. Kanë ulur nivelin e shkollimit e të emancipimit, dhe nga një bashkësi qytetarësh t’i kthejnë në një kope trushpëlarësh. Kanë amnistuar shumë të këqija në këtë vend, kanë bërë që hajni të vlerësohet si njeri kreativ, e i ndershmi si i mjerë dhe i paaftë. Që kriminelin ta quajnë të guximshëm, e të ndershmin frikacak. Që kritikët t’i quajnë spiunë dhe të shitur, e të përulurit e puthadorët t’i quajnë patriotë.
E në këtë marrëdhënie pushtet-qytetarë nuk mund të presim që këta shtatë milionë dhe shumë të tjerë mbi vlerën reale të tenderëve t’u kthehen qytetarëve. Na mbetet vetëm të presim tenderin e radhës, ta zëmë për automjete të Policisë dhe të institucioneve qeverisëse. Dhe të mos çuditemi, kur një automjet i 15 mijë eurove blihet me 150 mijë, ashtu siç janë paguar uniformat e Policisë, 2000 euro në vend të 200 eurove.
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...