Premtimet që nuk bindin

21 Dhjetor 2014 - 09:23 - Elmaz Isufi      

Premtimet e partive politike në fushatën zgjedhore për uljen e papunësisë dhe të varfërisë ka shanse të realizohen më shpejt sesa parashikimet e tyre. Jo nga politikat e tyre zhvillimore, por nga ikja masive e qytetarëve të Kosovës, kryesisht të rinj. Nëse për asgjë tjetër, pushtetit, ky largim do t’i shërbejë për statistika të brendshme të përkthyera në sukses – më pak të papunë, më pak të varfër

Një mik imi që nuk përton të përfshihet në debate publike kishte ironizuar para disa ditësh me fenomenin e ikjes së qytetarëve - të papunëve dhe të varfërve të Kosovës drejt Evropës, por edhe me premtimet e partive në fushatën zgjedhore. “Po ikin se po tuten që po i shtin Hashimi në punë!”, kishte shkruar ai në një postim në rrjetin social.

Thënia e tij, sado që duket e kombinuar me humor, përshkruan mjeshtërisht situatën tragjikomike dhe realitetin e hidhur social e politik. Fenomeni i ikjes shënoi rritje pikërisht në kohën kur vinin premtimet spektakolare për 200 mijë vende të reja pune dhe dyfishim të pagave, për liberalizim të vizave dhe integrime të shpejta evropiane, për autostrada të reja dhe për gjysmë miliardi euro investime në bujqësi. Pra, luksi që premtonin liderët e partive për qytetarët jo që nuk i bëri ata të besonin më, por nëpërmjet ikjes t’i jepnin fund pritjes së pafund – se një ditë do të bëhet mirë.


E kundërta e asaj çfarë gjykojmë nga kjo perspektivë është se premtimet e partive politike në fushatën zgjedhore për uljen e papunësisë dhe të varfërisë ka shanse të realizohen më shpejt sesa parashikimet e tyre. Jo nga politikat e tyre zhvillimore, por nga ikja masive e qytetarëve të Kosovës, kryesisht të rinj. Nëse për asgjë tjetër, pushtetit ky largim do t’i shërbejë për statistika të brendshme të përkthyera në sukses – më pak të papunë, më pak të varfër.

Brenda disa muajsh, duke besuar se dikush është duke mbajtur evidencë, thuhet se kanë ikur afro 15 mijë veta. Dhe duke mos parë në horizont, jo ndonjë strategji zhvillimi rrjedhimisht dhe punësimi, por as reagim serioz verbal, me këtë ritëm brenda katër vjetëve ky numër do të arrijë në afro 100 mijë. Hiç një paraqitje publike të ministrit të Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, mbase të shtyrë nga mysafirët e tij, diplomati gjerman dhe ai austriak, ku ai zotohet jo për ta ndalur migrimin, por për t’i kapur trafikantët, nuk kemi parë asnjë veprim politik nga asnjë nivel i institucioneve që në agjendë ka fenomenin e largimit masiv të qytetarëve. Po edhe deklarata e ministrit Hyseni është krejt e pavlerë, madje e adresuar gabimisht. Ngase duke e dëgjuar atë të mbushet mendja se trafikantët janë nyja e problemit, se ata janë duke i “hipnotizuar” qytetarët dhe se janë duke i bindur se në këtë vend s’ka perspektivë.

Po çfarë faji kanë trafikantët. Po edhe ata janë produkt i kësaj stërkeqeje shoqërore. Ata kanë nuhatje për tregti ilegale, veprojnë në zona krize të ngjashme me Kosovën, dhe varësisht nga nevojat e njerëzve. Kam bindjen se ata, po të ishte Kosova si Zvicra, do ta bënin punën e njëjtë, vetëm se në kah të kundërtën – do t’u gjenin rrugët dhe do t’i bindnin shumë kosovarë të papunë në Evropë që të ktheheshin në vendin e origjinës.

Ndjekja dhe kapja e trafikantëve që përmend ministri i Punëve të Brendshme në fakt janë bishti i problemit të ikjes. Trafikantët e vërtetë janë në krye të shtetit. Ata janë duke trafikuar me pasurinë dhe vlerat e këtij vendi. Janë duke trafikuar me historinë dhe dhimbjen e qytetarëve të saj. Janë duke trafikuar më të drejtën e njerëzve për të jetuar dhe punuar të barabartë.


A thua trafikantët që po i ndjek MPB-ja kanë faj që Qeveria e ka besueshmërinë më të ulët tek qytetarët, që pas saj me këtë nivel pabesie janë institucionet gjyqësore dhe ato të sundimit të ligjit. Dhe, që po të njëjtat prijnë në sondazhe për nivel të lartë korrupsioni. A thua është vështirë të bindet dikush të largohet, nëse në Kosovë besimin më të madh e gëzojnë zjarrfikësit. Si mund të fajësohet dikush që s’ka asnjë përgjegjësi publike se është fajtor për besimin e humbur të njerëzve, të cilët luftën e brendshme me padrejtësinë për plot 15 vjet e kishin përkthyer në shpresë. Të atyre që për këto vite kanë shkatërruar perspektivën personale dhe të familjeve të tyre në pritje të një vendi të punës, të një “mrekullie” që do t’ua ofronte shteti.

Nuk ka nevojë të jesh magjistar që të bësh pazar me njerëzit, që vetë u bindën se janë gladiatorë të skenave dhe skemave mashtruese të politikanëve. Që u bindën, kur idhujt e tyre të pangopur i bënë personazhe të humorit në fushatën zgjedhore, sidomos në gjashtë muajt e betejës primitive për marrjen e pushtetit. U bindën duke parë se të gjitha debatet, strategjitë, premtimet, politikat bëhen për të punësuarit, e jo për ta. Edhe protestat që mbaheshin dikur dhe tash, bëhen në interes të të punësuarve. Edhe reagimet ndaj rritjes së tarifave të energjisë e të komunalive, ndaj mungesës së parkingjeve, parqeve, rrugëve me gropa, bërllokut, vijnë dhe bëhen për të përmbushur idealet e të kamurve. Edhe kushtet e shkollimit dhe të studimeve u përshtaten fëmijëve të të punësuarve.

A thua çfarë preokupimi kanë të papunët, të varfrit. A i adreson dikush nevojat e tyre. A ankohen ata për cilësinë e shërbimeve mjekësore, të transportit, për reduktimet e rrymës dhe për pagat që po bëjnë të mundur pushimet verore, por jo edhe ato dimërore. A ankohen ata se pllakat e sheshit në qendër të Prishtinës kanë filluar të “cpirrohen” vende-vende, apo se punimet në rregullimin e rrjetit të kanalizimit po vonohen, dhe kjo po i bezdis banorët. Se ngrohja ka rrezik të shtyhet për 10 ditë, se në Parkun e Gërmisë mungojnë edhe disa terrene të tjera sportive. Se bankat i kanë kamatat e larta, apo edhe deri te debati i fundit, që kryeqyteti na paska dështuar të jetë i stolisur për festat e fundvitit.


Papunësia godet pa mëshirë të gjitha grupmoshat. Për sa kohë që zgjatet pritja po aq shpejt shuhen shpresat te njerëzit. Jo vetëm ata që kërkojnë për herë të parë, por edhe ata që janë larguar nga puna, distancohen nga shoqëria dhe përjetojnë traumë afatgjate.

Një studim i kryer nga Daniel Sullivan dhe Till von Wachter tregon për rritjen prej 50 deri 100 për qind të koeficientit të vdekjeve te punëtorët meshkuj të moshuar menjëherë pasi ata janë pushuar nga puna,nëse gjatë gjithë jetës së tyre kanë qenë të punësuar. Koeficienti i lartë i vdekshmërisë tregon se një punëtor mashkull i papunë pritet të jetojë një vit, apo një vit e gjysmë më pak se një punëtor tjetër, i cili vazhdon të punojë.

Papunësia manifestohet edhe me përkeqësim të gjendjes shëndetësore, me prirjen për vetëvrasje, me tensione në marrëdhëniet familjare përfshirë divorcin dhe humbjen e perspektivës për fëmijët.

Sipas disa studimeve, shumë prej njerëzve, të cilët janë të papunë për një kohë të gjatë, e kanë shumë të vështirë të rigjejnë një punë tjetër - ka më tepër gjasa që të dekurajohen, apo të mos kenë më besim tek aftësitë e tyre dhe çfarë është më e keqja të shihen si rrezik për një të punësuar tjetër.
Andaj, është gati e kotë të debatohet për grupet e rrezikuara për sa kohë që nuk dimë se si ndihen ato. Çfarë zihet në kokat e tyre dhe si e shohin botën përreth. Se sa ata njerëz kanë brenda qetësi, gëzim e dashuri.

Pra, si mund t’u flasësh atyre për moralin shoqëror, për dashurinë, për sjelljen e kulturuar, për nderin dhe respektin, kur shoqëria ua ka kthyer shpinën, i ka tjetërsuar. Si mund t’i thuash një mbajtësi të një familjeje pa punë e pa të ardhura bëhu shembull, kur nuk bashkëjeton me të njëjtat kushte dhe me të njëjtin ideal si ai.

A ka kuptim më,që nga kjo pjesë e shoqërisë së nëpërkëmbur të kërkojmë më shumë sakrificë – t’iu themi të heshtin e të presin se këtë e kërkon vendi, edhe më keq t’i fajësojmë ata se me veprimet e tyre po na i dëmtojnë imazhin dhe perspektivën.

© KOHA.net

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...