Bilanc lufte në komunikacion

20 Dhjetor 2015 - 09:25 - Elmaz Isufi      

Është e papranueshme se me sa lehtësi raportohet zyrtarisht në Kosovë për të vdekurit dhe të lënduarit. E papranueshme është edhe përmendja vetëm për qëllime statistikore e bilanceve, të ngjashme me të luftës – 120 veta të vdekur dhe afro 10 mijë të tjerë të lënduar në komunikacion brenda një viti. Reagimi publik, jo vetëm institucional, do të duhej të ishte më i madh, duke marrë parasysh se një numër i madh i viktimave janë këmbësorë, e sidomos fëmijë

Kaosi urbanistik, infrastruktura e dobët e rrugëve, paaftësia për ta drejtuar automjetin, por edhe të tjerë faktorë, e renditin Kosovën si vend me nivel të lartë të viktimave në komunikacion. Sipas statistikave zyrtare, gati asnjë shofer nga afro 200 mijë nuk ka mbetur pa u përfshirë të paktën në një aksident gjatë 10 vjetëve të fundit. Ndërsa viktimat (të vdekur e të lënduar) kanë prekur gati secilën familje. Me fjalë të tjera, dalja në rrugë, me makinë apo këmbë, me automatizëm të vë jetën në rrezik.

Shtimi i mjeteve të motorizuara dhe dinamika e lëvizjes së njerëzve e mallrave ka vështirësuar menaxhimin e sigurisë rrugore. Por, është e papranueshme se me sa lehtësi raportohet zyrtarisht në Kosovë për të vdekurit dhe të lënduarit. E papranueshme është edhe përmendja vetëm për qëllime statistikore e bilanceve të ngjashme me të luftës - 120 veta të vdekur dhe afro 10 mijë të tjerë të lënduar në komunikacion brenda një viti. Reagimi publik, jo vetëm institucional, do të duhej të ishte më i madh duke marrë parasysh se një numër i madh i viktimave janë këmbësorë, e sidomos fëmijë.

Në vitin 2014 ka pasur 187 përplasje të automjeteve me drejtues të biçikletave, kurse janë regjistruar 1.216 goditje të këmbësorëve, nga të cilët 39 kanë qenë me fatalitet, me pjesëmarrje prej 30 për qind nga totali i të vdekurve gjatë kësaj periudhe, që ishte 125. Pjesa tjetër kanë përfunduar me lëndime.

Afro 40 për qind e këmbësorëve që janë goditur për vdekje i takojnë grupmoshës deri në 18 vjeç. Numri i vdekjes së këmbësorëve të kësaj moshe nga paslufta ka mbërritur në afro 500, ndërsa i të lënduarve në 15 mijë veta. Sipas Qendrës Emergjente llogaritet që 2 për qind e të mbijetuarve në aksidente mbeten me invaliditet të përhershëm. Pasojat e aksidenteve nuk përkufizohen vetëm në këto shifra. Humbja e jetëve është një dhembje e përhershme për familjarët. Nëse viktima është mbajtës i familjes, dëmi është i shumëfishtë. Me shumë sfida përballen edhe të lënduarit rëndë dhe të afërmit e tyre që duhet të kujdesen për ta dhe trajtimin e tyre afatgjatë. Humbjet materiale llogariten në dhjetëra miliona.

Kur jemi te këmbësorët, edhe hulumtimet në terren kanë nxjerrë përfundime shqetësuese për nivelin e dijes së fëmijëve për rregullat e sjelljes në trafik. Shumica e tyre kanë deklaruar se asnjëherë gjatë shkollimit nuk u është mbajtur ligjëratë për komunikacionin dhe se nuk kanë pasur në dorë një udhëzues që flet për rregullat elementare të komunikacionit.

Po ashtu prindërit e tyre janë deklaruar se nuk kanë besim t’i lënë fëmijët e tyre të shkojnë vetë në shkollë, se mungojnë trotuaret, se shkollat dhe terrenet sportive janë vendosur kryesisht pranë rrugëve të frekuentuara nga makinat, se mungon ndriçimi për ndërrimin e pasdites dhe mungojnë patrullat e policisë në ato akse rrugore.

Manipulimi i pasigurt me automjet, mosmbajtja e distancës dhe mospërshtatja e shpejtësisë kushteve të rrugës dhe atyre klimatike konsiderohen shkaktarët kryesorë të aksidenteve. Emërues i përbashkët i tyre është njeriu.

Secili nga ne kemi pasur rastin të shohim sesi shumë ngasës gjatë drejtimit të automjetit mbajnë në vesh celular (të mbushet mendja se janë në rrethana emergjence - duke menaxhuar me Bursën e Londrës apo të Nju-Jorkut), se si shfaqen të padurueshëm në kolonë, se si vozitjen e konsiderojnë edhe si një garë e sfidë (mbase për shkak se në jetën e tyre nuk janë dalluar asnjëherë si individë dhe automjeti mund të jetë i vetmi shans për të tërhequr vëmendjen e tjerëve), se si ata i ndalin makinat në rrugë duke krijuar kolonë të gjatë për të ndërruar disa fjalë kot e kot me një të ngjashëm si ta, që qëndron anash me duar në xhepa, dhe se si këmbësorët lëvizin nëpër rrugë, e makinat parkohen në trotuar... Lista e idiotësive është e shumë gjatë.

Duke e bërë përgjegjës kryesor moszbatimin e ligjit dhe mosefikasitetin e organeve të sigurisë, një pjesë e madhe e sjelljeve devijuese në komunikacion ka të bëjë edhe me deformimin kulturor dhe emancipues të shoqërisë. Është e pakuptimtë që një shoqëri me nivel të ulët të arsimimit dhe edukimit të ketë kaq shumë njerëz të pajisur me patentë shofer. Ky paradoks e vë në siklet edhe shkencën. Meqë si është e mundur që individët që për 8 apo 12 vjet shkollim s’kanë arritur të mbajnë mend as titullin e një teme mësimore dhe që kanë probleme me shkrim-lexim, t’i mësojnë qindra rregulla të komunikacionit për më pak se një javë. Që ata, një ditë, jo vetëm që drejtojnë automobil (kjo më nuk përbën arritje “profesionale”), por atyre u besohet transporti i udhëtarëve apo drejtimi i makinave të tonazhit të lartë dhe maunave.

Nuk dua të besoj se shoqëria jonë në vend të një strategjie parandaluese efektive, ka ende përgjigjen ngushëlluese që përdoret në popull pas çdo fatkeqësie se “ka qenë e shkruar”.

“E shkruara” në disa vende të Perëndimit ka arritur të korrigjohet. Programi i veprimit evropian për siguri rrugore ka pasur për objektiv uljen në 50 për qind të viktimave në aksidente në periudhën 2000- 2010 (pra nga 40 mijë në 20 mijë viktima). Ky qëllim është arritur gati plotësisht (44 për qind). Dhe, me gjithë masat parandaluese dhe rezultatet e tyre, shoqëritë perëndimore ende e konsiderojnë problem të madh numrin e aksidenteve me fatalitet. Ato kanë “shkruar” një tjetër plan masash që përfshinë periudhën deri më 2020.

Në Kosovë mbase mund të ketë grup masash për luftimin e këtij fenomeni shkatërrues. Por, rezultatet e deritashme nuk japin shpresë se institucionet përgjegjëse për sigurinë rrugore dhe instrumentet tjera joqeveritare mund të vënë në jetë praktikën e vendeve të BE-së.

Shitblerja e patentë shoferëve, kontrollimi teknik i automjeteve sa për sy e faqe nga kompanitë e licencuara, vjetërsia dhe amortizimi i tyre, mungesa e sinjalistikës dhe gjobat me vlera të ulëta për kundërvajtësit, vetëm sa do ta përkeqësojnë sigurinë rrugore.

© Koha Ditore 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...