26 Gusht 2015 - 12:36 - Krenar Gashi
Pas një komentimi të gjatë të efektit funksional të marrëveshjes, duke u përqendruar kryesisht në faktin se kosovarët megjithatë do jenë të obliguar të marrin targa të përkohshme sa herë kalojnë nëpër Serbi, Kelmendi bën një rekomandim konkret: “Nga shtatori edhe Kosova duhet ta aplikojë regjimin e ndërrimit të targave në kufi për të gjitha automjetet nga Serbia, bashkë me pagesë po ashtu reciproke.”
Duke mos dashur të komentoj tërë shkrimin, meqë pajtohem me shumë pika të ngritura në të, po ndalem për të kundërshtuar, fuqishëm, rekomandimin përfundimtar që ai jep. Këtë e bëj sidomos për faktin se shumë opinionbërës të tjerë janë të mendimit të njëjtë me të. Nëse Kosova do të aplikonte masa reciprociteti, duke lëshuar tabela të përkohshme për të gjitha automjetet e regjistruara në Serbi, kjo do nënkuptonte një rritje të konsiderueshme të burokracisë dhe të shpenzimit të parasë publike.
Serbia e bën pikërisht këtë, pra, e rrit shpenzimin publik, vetëm e vetëm për ta mbajtur krenarinë e kastës politike duke përforcuar idenë e mosnjohjes së shtetësisë së Kosovës, qëndrim ky që është i njohur.
Kosova nuk ka nevojë të bëjë të njëjtën gjë, duke imituar Serbinë, shtet ky i cili numëron mbi 800.000 të punësuar në sektorin publik dhe është shembulli më i keq në rajon sa i përket madhësisë së shtetit. Kelmendi, si një kritikues i ashpër i shpenzimeve të panevojshme publike, nuk bën punë të mirë në arsyetimin e një shpenzimi të tillë.
Ai thotë se ky reciprocitet do ta shtynte Serbinë ta rinegociojë marrëveshjen. Unë s’pajtohem! Serbia nuk do kishte kurrfarë humbjeje nga reciprociteti me targa, meqë, me të më shumë do të targetoheshin serbët e Kosovës dhe shqiptarët e Luginës sesa vetë shtetasit e Serbisë, numri i të cilëve që udhëtojnë nëpër Kosovë është tejet simbolik. E deri më tani e kemi kuptuar se Serbisë nuk i bëhet vonë për serbët e Kosovës, e lëre më për shqiptarët e Luginës. Andaj një masë e tillë nuk e prek Serbinë dhe rrjedhimisht nuk do të kishte efekt.
Pos kësaj distribuimi i tabelave si masë reciproke do të komplikonte edhe më tej kalimin kufitar dhe do të krijonte vonesa shtesë, të cilat edhe ashtu janë të tmerrshme gjatë stinës së verës. Ky reagim nuk duhet kuptuar në asnjë mënyrë si arsyetim apo mbrojtje e imja për marrëveshjen e arritur, e as si legjitimim i dështimeve të negociuesve apo të përfituesve nga zbatimi i saj.
Në fakt, nuk është as kundërshtim i elaborimit të Kelmendit në përgjithësi. Unë thjesht po reagoj ndaj idesë për një politikë të reciprocitetit në kontekstin aktual, të cilën troç po e quaj politikë e inatit.
Pra, po na vjen inat që Serbia është në pozitë më të favorshme, po na vjen inat që delegacioni ynë nuk ka arritur të negociojë një marrëveshje më të mirë, po na vjen inat që BE-ja e ka përkrahur këtë marrëveshje, dhe, për inat, duam reciprocitet. E sa herë politikat bëhen për inat – pa menduar rezultatet dhe pasojat që ato mund të sjellin – efekti i tyre është pothuajse gjithmonë negativ, apo në rastin më të mirë, i kotë.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
Lexoni edhe: Një përpjekje për lexim logjik të disa marrëveshjeve të palogjikshme
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...