12 Janar 2017 - 14:03 - Nita Lleshi
Për më pak se dy dekada, banorët e vendit fare të vogël ia dolën të qëndronin përsëri në këmbë të veta. Por ata e kishin ndihmën e një shkopi magjik, falë të cilit çdo gjë që humbën e rikthyen përsëri. Për ta ndërtuar në fund atë që sot është një prej shteteve më të suksesshme të globit.
Shkopi magjik që kishin ata preku fillimisht lidershipin, për t’ia dhuruar vendit një qeveri që shqetësohej sinqerisht për mirëqenien e popullit. Që i linte anash interesat personale dhe i vendoste në rend të parë qytetarët. Pikë së pari fëmijët. Të ardhmen e çdo shteti.
Për këtë arsye, kjo qeveri u ofroi atyre shkollimin më kualitativ në botë, të cilit s’kishte kush t’i gjente “behane”.
Këtë e arriti me të angazhuar si mësues vetëm më të mirët e fushës. Ndërkaq, për dallim prej shteteve të tjera të botës, asnjërin prej tyre nuk e punësonte bazuar në praktikën “me të njofshëm”. Pra, të gjithë ata e meritonin vendin e punës me diplomat që i kishin marrë me djersë e dije.
Anash nuk ishte lënë as siguria për nxënësit. Atyre që u duhej të ecin në këmbë deri në shkollë, qeveria me shkopin magjik ua ndau një shteg kalimi njëqind për qind të sigurt, në mënyrë që helbete të mos rrezikoheshin nga veturat e shumta, ndonëse ato edhe ashtu gjithnjë ua lëshonin rrugën. Përderisa e rrihnin rrugën drejt dijes, këta nxënës e kishin fatin t’i mbushnin mushkëritë me ajrin e pastër dhe të kthjellët të mëngjesit. Sepse jetonin në shtetin që renditej i pari nga të gjitha vendet e tjera të botës për sa i përket cilësisë së ajrit.
Me të gjitha këto, ata kishin goxha shtysa për të arritur suksese në mësime. Prandaj, falë angazhimit të madh si të vetë atyre ashtu edhe të mësimdhënësve, shkollarët e këtij vendi ecnin prej suksesit në sukses. Së fundmi, gjenerata e pesëmbëdhjetëvjeçarëve ishte renditur sivjet e treta në testin ndërkombëtar të matjes së dijes. Por, me të drejtë, të kënaqur nuk ishin, sepse i kishin të gjitha që u duhej për të dalë të parët në renditje.
* * *
Magjia, megjithatë, nuk përfundonte me kaq. Fëmijët në këtë vend nuk dinin për halle as brenda katër mureve të shtëpive të tyre. Kjo, sepse nënë e baba të punësuar i kishin që të gjithë. Ç’është më e mira, për vende të punës askush nuk detyrohej të hiqte të zinjtë e ullirit, duke aplikuar më kot për vite me radhë në konkurset e punësimit që institucionet shtetërore i shpallnin vetëm sa për sy e faqe. Me punë serioze, ky shtet e kishte fituar luftën ndaj papunësisë, duke i çrrënjosur njëherë e përgjithmonë varfërinë dhe dukurinë e lypsarëve që kërkojnë lëmoshë në sheshet e vendeve të tjera.
Pra, e para, mundësi kishte me bollëk për të gjithë. Andaj hall nuk përbënin as udhëtimet nëpër botë.
E gjitha që duhej të bënin këta qytetarë ishte që t’i kapnin pasaportat dhe ta vendosnin gishtin në hartë për ta zgjedhur vendin që donin ta shihnin. Fati më i madh ishte se paraprakisht nuk u duhej të prisnin për orë të tëra nëpër rreshtat kilometrikë të krijuar përpara ambasadave të huaja. Kjo, ngase ishin bërë vite e vite tashmë që e gëzonin të drejtën e udhëtimit pa viza në botën mbarë. Ama kjo liri nuk u duhej fare kur bëhej fjalë për udhëtimet me qëllim trajtimi mjekësor jashtë vendit. Sistemit shëndetësor këtu ia kishin lakmi të gjithë. Spitalet shtetërore i ofronin të gjitha shërbimet e mundshme në mënyrë korrekte dhe pa pagesë, pa e krijuar kështu nevojën as për trajtime nëpër klinika private dhe të kushtueshme. E kur krahasohen me të tjerët në botë, mjekët në këtë vend asnjëherë nuk bënin pazare mbi supet e pacientëve. Ishin kategorikisht kundër pagesave nën tryezë.
Në fakt, ryshfet e korrupsion nuk kishte në asnjë fushë të këtij shteti. Për më tepër, edhe ata pak njerëz që provonin të siguronin mirëqenie në këtë formë, përfundonin të burgosur. Ndonëse të tillë kishte vërtet tepër pak, ata dhe prapa grilave e ndienin fuqinë e shtetit, i cili u garantonte siguri dhe mbrojtje në çdo moment.
Ky shtet i kishte marrë punët vërtet me shumë seriozitet dhe tregonte zero tolerancë ndaj gjithçkaje të keqe. “Qytetarët në rend të parë”, ishte motoja, e cila zbatohej në çdo aspekt.
Prandaj ky popull jetoi i lumtur përgjithmonë.
* * *
“Dhe... përralla në shkallë, dukati në ballë”.
Me këtë frazë të zakonshme, nëna rreth të tridhjetave të hershme e përmbyll përrallën e saj të shpikur për vendin e përkryer, të cilën ia rrëfen pothuajse çdo natë të bijës së saj gjashtëvjeçare. Por jo, ajo nuk e ka fjalën për Finlandën e njohur për sistemin më të mirë arsimor në botë apo për Suedinë që e aplikon sistemin nordik të mirëqenies sociale, i cili u ofron përkujdesje universale shëndetësore të gjithë qytetarëve. S’e ka fjalën as për ndonjë prej metropoleve të zhvilluara të botës. Por për Kosovën, ama të tillë çfarë mund të ekzistojë vetëm nëpër përralla për fëmijë.
“Sa do të doja të jetonim vërtet në një vend të tillë magjik”, ia kthen secilën herë vajza, e cila sapo ka nisur klasën e parë, teksa e mban të shtrënguar fort në duar një shkop magjik lodër. Atë ia kishte dhuruar njëri nga Babadimrat e shumtë që parakalojnë nëpër sheshet e dekoruara për merak të Prishtinës.
“Por, mami, tani kam edhe unë një shkop magjik. A thua mund t’ia dal ta bëj unë Kosovën si në përrallë”, pyet vogëlushja dhe e pret përgjigjen, ndërsa e përdor edhe atomin e fundit të forcës së saj për t'i mbajtur të hapur kapakët e syve. E kur më në fund i dorëzohet gjumit, nëna e papunë që mezi ia del ta çojë muajin me paratë e pakta që i sjell në shtëpi burri i saj, zhytet në mendime. Që dëshira e vajzës për të jetuar në një vend përrallash një ditë të mundë të bëhej realitet, kuvendon ajo, mbase do të ishte mirë që ndonjë Babadimër t’ua dhuronte nga një shkop magjik atyre që duhet të sigurojnë mirëqenie për të gjithë qytetarët e Kosovës.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...