15 Dhjetor 2016 - 13:53 - Bilall Sherifi
Po qese edhe kësaj radhe do të kishin votuar ashtu sikur kanë votuar gjithmonë, sigurisht që do t’i kishin marrë edhe disa mandate më shumë, mirëpo e tërë kjo histori do të përmbyllej shumë shpejt. Fituesi i zgjedhjeve do të kishte dalë rrugëve të qyteteve shqiptare në Maqedoni për të festuar fitoren dhe të nesërmen do t'i kishte filluar bisedimet për të ndërtuar koalicion me partinë fituese maqedonase dhe kështu do të ishin zhytur sërish në përditshmërinë 4 vjeçare deri në zgjedhjet e ardhshme.
Votën e votuesit shqiptar në Maqedoni duhet kuptuar si ndezje të alarmit të kuq përmes të cilit ai në këto zgjedhje shprehu pakënaqësinë mbi gjendjen në të cilën është katandisur. Në këtë shkrim do të përpiqem të jap këndvështrimin tim se cilat janë arsyet që e shtynë votuesin shqiptar në Maqedoni të veprojë në këtë mënyrë dhe cila është porosia e verdiktit të tij që e dha më 11 dhjetor.
Në demokraci pushtetin askush nuk e ka të garantuar përgjithmonë. Nuk është një e dhënë e përhershme. Në shumicën e vendeve demokratike, së paku në çdo katër vite, përmes zgjedhjeve të lira dhe të drejta ai duhet të rimerret. Pushteti është fuqi e shpërndarë në qindra mijëra apo miliona pjesë, e cila përmes një procesi zgjedhor koncentrohet në një vend, në këtë rast te partia politike e më pas përmes saj bartet te organet shtetërore, dhe pas një periudhe të caktuar kjo fuqi kthehet sërish te ‘Aksionarët’, që në këtë rast janë votuesit. Shprehur me logjikën e "Shoqatave Aksionare" partitë janë një lloj "Shoqate Aksionare" ku votuesi është aksionar ndërsa vota e tij një "Aksion", të cilin, si pronar i saj që është, ka të drejtë ta investojë te cila do "Shoqatë Aksionare", parti politike që beson se do t'i mbrojë më së miri interesat e "aksionit" të tij.
Analiza mbi arsyet pse shqiptarët e Maqedonisë votuan ashtu sikur votuan të dielën e kaluar do të ishte e mangët nëse nuk do të analizoheshin së pari arsyet dhe rrethanat në të cilat u organizuan këto zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Këndvështrimi im mbi votën e elektoratit shqiptar në këto zgjedhje në Maqedoni do të përqendrohet në ato arsye që, sipas meje, i shtynë shqiptarët e Maqedonisë të japin këtë verdikt ashtu të tillë sikur e dhanë. Po t’i hedhim një sy rezultatit të zgjedhjeve në Maqedoni do të shohim se për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare, votuesit shqiptar në Maqedoni nuk kanë prodhuar një fitues të vetëm te blloku politik shqiptar.
Në historinë 25 vjeçare pluraliste shqiptarët e Maqedonisë kanë pasur tre lider, i pari ishte kryetari i PPD-së Nevzat Halili, i dyti ai i PDSH-së Arbër Xhaferi, i treti dhe i fundit kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. Fuqia e tyre vendimmarrëse shtrihej përtej fuqisë që zakonisht kanë drejtuesit e një partie politike. Për shkak të specifikave në të cilat jetonin shqiptarët në Maqedoni shpesh herë që të tre kanë pasur fuqi të marrin vendime që shtriheshin përtej një mandati pa pasur nevojë që këtë vendim marrje ta ndajnë edhe me dikë tjetër.
Në veçanti me një pushtet të tillë, pothuajse absolut, përmes zgjedhjeve, shqiptarët në Maqedoni që nga viti 2001 e kanë pajisur Ali Ahmetin dhe partinë e tij BDI-në. Arsyet pse Ali Ahmeti është pajisur në vazhdimësi me pushtet kaq të madh nga votuesit shqiptar besoj që publikut i janë të njohura.
Në këto zgjedhje për herë të parë në historinë e zgjedhjeve parlamentare shqiptarët në Maqedoni votën e tyre e shpërndanë te 5 parti politike: BDI, BESA, ALENCA për SHQIPTARËT, PDSH, dhe për herrë të parë edhe te një parti politike maqedonase te Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM).
Pra, për herë të parë në historinë e zgjedhjeve shqiptarët në Maqedoni nuk prodhuan një fitues të vetëm të zgjedhjeve, asnjërës parti nuk i dha mjaftueshëm mandate në mënyrë që e vetme të mund të hyjë në koalicion me partitë politike maqedonase dhe të mund të marrë vendime në emër të tyre. Përmes këtij verdikti, porosia e votuesve shqiptar duket të jetë shumë e qartë. Nëse deri me tani bashkëpunimi mes politikanëve shqiptar në Maqedoni me njëri tjetrin ka qenë çështje e vullnetit të tyre, tani e tutje, përmes këtij rezultati të shpërndarë në kaq shume forca politike është shndërruar në detyrim. Në detyrim sepse as njërit veç e veç nuk i mjafton fuqia që i ka dhënë elektorati shqiptar për t'i përfaqësuar e vetme në institucionet e shtetit.
Kaq sa i përket pjesës së elektoratit shqiptar që i votoi partitë politike shqiptare. Tani, do të jap mendimin tim se cilat janë arsyet që një pjesë e shqiptarëve e votoi LSDM-në e Zoran Zaevit. Maqedonia që nga viti 2006 udhëhiqet nga Nikolla Gruevski, ndërsa pjesë e qeverisjes me të, me përjashtim të mandatit të tij të parë 2006-2008 ku për partner kishte PDSH-në e Menduh Thaçit, që nga viti 2008 e deri më sot në qeverisje me te ishte BDI e Ali Ahmetit.
Nikola Gruevski dhe VMRO që nga viti 2006, me një lehtësi dhe diferencë të madhe i fitonte të gjitha betejat elektorale në kampin maqedonas. Në gjithë Maqedoninë, madje edhe në qarqet ndërkombëtare flitej hapur se kjo diferencë nuk ishte produkt vetëm i vullnetit të zgjedhësve maqedon por arrihej edhe me ndihmën e mjeteve tjera por që në rrethana të shtetit të kapur ishte e vështirë të dëshmohej dhe të provohej një gjë e tillë, prandaj edhe rezultatet e zgjedhjeve pranoheshin ashtu sikur edhe certifikoheshin nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor i Maqedonisë (KSHZ). Si rezultat i këtij fakti, në Maqedoni u krijua miti se Gruevski është i pa thyeshëm prandaj ajo që duhej bërë ishte të mësohemi të jetojmë me te dhe të përpiqemi të nxjerrim atë që mundemi të nxjerrim. Kështu në Maqedoni u krijua një gjendje dëshpëruese dhe pothuajse e pa shpresë.
Nga momenti kur opozita Maqedonase në krye me Zaevin filloi të publikojë një seri të telefonatave të përgjuara në të cilat shpërfaqej fytyra e vërtetë e regjimit që kishte instaluar Gruevski, u ngjall shpresa se epoka e tij do të merrte fund. Përgjimet e publikuara, përveç tjerash, shpërfaqën edhe mënyrën se si Gruevski kishte arritur në vazhdimësi ta krijojë atë diferencën e madhe mes partisë së tij dhe kundërshtarit të tij LSDM-së.
Mirëpo, përkundër këtyre publikimeve, të cilat në çdo vend me demokraci madje jo shumë të zhvilluar, do të kishte shkaktuar një tërmet të vërtetë në skenën politike të atij vendi ku, politikanët që do të kishin qenë pjesë e një skandali të tillë, në zgjedhjet e radhës nuk do të kishin pasur asnjë shans për të fituar sërish, në Maqedoni nuk po e jepte efektin e pritur sepse të gjitha anketat e besueshme tregonin se Gruevski kishte një rënie të lehtë te elektorati maqedonas por jo mjaftueshëm saqë t'i shkaktonte atij humbjen e zgjedhjeve. Kjo situatë krijonte frustrime edhe te kampi opozitar maqedonas por edhe te ai shqiptar.
Pra, skandalet e publikuara krijuan një situatë të atillë në të cilën i tërë diskursi publik u orientua vetëm në një drejtim, në shpalljen e Gruevskit si fajtorin e vetëm për gjendjen në cilën kishte rënë Maqedonia dhe rrjedhimisht edhe kërkonin rrëzimin e tij.
Rrëzimi i tij u shndërrua pothuajse në kauzë të përbashkët të të gjithëve, madje edhe e atyre që në periudha të ndryshme kishin bashkë qeverisur me te. Që kauza e rrëzimit të Gruevskit nga pushteti tani mbështetej edhe nga faktorët ndërkombëtar ishte bërë sekreti më i madh publik në historinë pluraliste të Maqedonisë.
Zaevi i bindur se vetëm me votat nga elektorati maqedonas, i cili historikisht në shumicë nuk ka qenë miqësor me shqiptarët, nuk do të mund ta rrëzonte Gruevskin, në strategjinë për të fituar zgjedhjet e radhës, filloi të kërkojë ndihmën edhe të shqiptarëve. Dhe, sikur edhe del nga rezultati i këtyre zgjedhjeve me një sukses relativisht të mirë.
Në këto rrethana të krijuara në Maqedoni, një numër i konsiderueshëm i votuesve shqiptar, të shtyrë nga arsye dhe motive të ndryshme por gjithsesi duke besuar që e keqja më e madhe e Maqedonisë ishte Gruevski, rrjedhimisht edhe shkaktar i gjendjes së tyre të rëndë ekonomike dhe sociale, si dhe të bindur se Zaevi vetëm me votat e maqedonasve nuk do të arrijë ta mund Gruevskin, vendosën që votën e tyre t’ia japin Zaevit.
Gjithashtu një ndër arsyet e votës për Zaevin të votuesve shqiptar është edhe fakti se votuesi shqiptar i LSDM-së duke dashur me çdo kusht rrëzimin e Gruevskin më shumë ka besuar se një gjë të tillë do ta arrijë përmes votës dhënë LSDM-së sesa votës së dhënë partive shqiptare.
Alarmi i ndezur i votuesve shqiptar duhet kuptuar drejt dhe jo të fillohet linçimi i atyre që në këto zgjedhje kanë votuar ndryshe nga që kanë votuar deri më sot. Sidomos përpjekja që votuesi shqiptar i LSDM-së, ose të shpallet thjesht vetëm i zhgënjyer, apo edhe më keq, të etiketohet deri në nivelin e tradhtisë është jo vetëm e pasaktë por edhe e pa pranueshme.
Fakti që LSDM ka votues edhe në Tanushë aty ku filloi lufta e shqiptarëve në Maqedoni, dhe në Haraqinë aty ku përpos që u zhvilluan beteja të ashpra është edhe simbol i përfundimit të luftës, e përjashton një akuzë të tillë.
Paradoksalisht, tani që shqiptarët në Maqedoni dolën më të dobët në mandate, kanë një shans historik që përmes një bashkëpunimi mes forcave politike të realizojnë shumë më shumë të drejta sesa që kanë realizuar apo do të realizonin përmes më shumë mandateve por të siguruara vetëm nga një parti politike.
Iniciativat për ta bërë të mundur këtë bashkëpunim mes partive politike shqiptare tanimë kanë filluar. Sidomos iniciativa e filluar nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama është një mundësi e mirë që humbja e vogël, ajo e disa mandateve, të mund të shndërrohet në një fitore të madhe, ajo e realizimit të atyre të drejtave që, përkundër pasjes deri më tani të më shumë mandateve, nuk u realizuan deri më sot.
Për fund, Gjermanët e kanë një shprehje për zgjedhjet e cila thotë "Erste Tag nach der Wahl, ist erste Tag vor der Wahl" që në shqip do të thotë "Dita e parë pas zgjedhjeve është dita e parë para zgjedhjeve”.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...