11 Janar 2017 - 14:02 - Arbana Mjekiqi
Është njëra prej 30 strofave për programin e Vitit të Ri, në një shkollë fillore në Prishtinë. Nga një për secilin fëmijë. Shtatëvjeçarët, që vetëm disa muaj më parë janë ulur në bankat shkollore, presin në radhë për të recituar. Mësuesja e tyre e di fare mirë se nuk është forca ajo që bën fuqinë, por bashkimi. Nuk njihet si “e vështirë”, që dijen e imponon me frikë. Nuk është as ajo mësuesja, që, e orientuar kah rezultatet, e përjashton më shumë se gjysmën e klasës, duke e mbajtur programin me dy-tre fëmijë, fëmijë këta brenda pak orësh kapërcejnë prej disiplinës së recitimit, në valle moderne, për ta finalizuar me vallen popullore. Ajo nuk i dekurajon fëmijët me fjali të tipit, “Rri mbrapa se s’di”. Për të nuk ka rëndësi se cili mban mend më shumë, e cili reciton më shpejt. Me rëndësi është pjesëmarrja dhe angazhimi i të gjithëve. Fundja, suksesi i saj lidhet me suksesin e tërë klasës.
Ama, këtë gjë duket se nuk e ka kuptuar pjesa dërrmuese e mësimdhënësve nëpër shkollat në Kosovë. Interaktiviteti në klasa dhe fryma e bashkëpunimit mungojnë. Shumica e fëmijëve “nokautohen” qysh në start, me vlerësime të tipit, “S’di ti”. Rrjedhimisht procesi mësimor përqendrohet vetëm tek një numër i kufizuar i nxënësve. E fajin për këtë e kanë vetë mësimdhënësit, shumica e të cilëve janë produkt i një sistemi ku për bazë nuk merren shkathtësitë, por lidhjet partiake e njohja e njerëzve të duhur.
Është tragjike se mësueset e mirëfillta mbesin të pakta. Ato vazhdojnë të luftojnë sfidat në mjerimin që ka mbërthyer shkollat e Kosovës.
* * * *
Kjo gjendje u dëshmua shumë qartë këtë vit, pas publikimit të rezultateve të PISA-s. U pa se pesëmbëdhjetëvjeçarët e Kosovës për nga dija janë mesatarisht tre vjet prapa bashkëmoshatarëve të tyre nëpër shtetet e zhvilluara, si dhe një apo dy vjet prapa atyre në rajon.
“Qysh bre ranë bash ata që nuk kanë mësuar?”, ishte përpjekja për shfajësim e një prej atyre që arsimin e kanë sjellë në këtë derexhe. E përgjigjen do të duhej ta dinte: PISA bën përzgjedhjen e nxënësve në mënyrë rastësore, pasi që synohet të kuptohet gjendja e përgjithshme në arsim.
Përpos përpjekjeve të tilla për shfajësim, pati shprehje të madhe të pakënaqësisë, ndonëse vetëm në rrjete sociale. “Facebook”-u u bë vendi ku u dhanë shumë analiza dhe rekomandime se si do të mundë të kapërcehej gjendja.
Ministria e Arsimit e Kosovës ndërkaq paralajmëroi strategjinë me të cilën do të përmirësohej gjendja. Strategji kjo që midis tjerash përmban masa si ndryshimin e librave, më shumë interaktivitet në klasa, ndryshimin e metodave të mësimdhënies e të tilla. Por, si dëshmohet përmes storieve të suksesit në botë, strategjitë duhen kohë për të dhënë rezultate. Po ashtu, duhet të ketë gatishmëri për zgjidhje të dhimbshme. Në rastin e Singaporit, arsimit i ishte dhënë prioritet që kur ky shtet u pavarësua, në vitin 1965. Arsyeja ishte që arsimimi në këtë shtet perceptohej si mënyrë e zhvillimit të ekonomisë dhe ngritjes së standardeve të jetesës. U deshën dhjetëra vjet që Singapori, një prej shteteve më të varfra të botës dhe një me popullsinë më diverse në aspektin e etnive e fesë, të mbërrijë aty ku është tani: në krye të listës.
Strategjia për arsim e këtij shteti është bazuar në tërësi tek standardi i mësimdhënies. Është investuar shumë në cilësinë e mësimdhënësve. Është ngritur prestigji dhe statusi i profesionit, në mënyrë që të tërhiqen të diplomuarit me rezultatet më të mira. Ky shtet e di që mësimdhënësi është ai që bën dallimin.
Theksi tek cilësia e mësimdhënies është vendosur edhe në shtetin që njihet botërisht si ai me sistemin më të mirë të arsimit, Finlanda. Në Finlandë, mësimdhënësit nuk janë të ngarkuar me rregullore e planprograme. Ata e kanë lirinë, që ua siguron shteti, për inovacion dhe eksperimentim të metodave të ndryshme. Krejt kjo me qëllim që të përfitojë e tërë klasa. Ata, në rend të parë, gëzojnë besimin e lartë të autoriteteve.
“Çfarëdo që të duhet”, është motoja e tyre. Nëse një metodë nuk del t’ua zgjojë interesimin nxënësve, atëherë ata konsultohen me kolegët, për të provuar diçka tjetër.
Por, për t’u bërë mësimdhënës në Finlandë nuk është punë e lehtë. Ndonëse një profesion të tillë e dëshiron shumica, shkaku i pagës dhe reputacionit që ka mësuesi, të paktë janë ata që kalojnë nëpër filtrat e vendosur nga autoritetet. Një metodë strikte e përzgjedhjes përdoret në këtë shtet. Përpos testeve që kanë të bëjnë jo vetëm me përmbajtje të një teksti por edhe zbatimin e tyre, kandidatët i nënshtrohen në fund edhe procesit të intervistave, ku ekspertët përcaktojnë nëse ata kanë “personalitetin e një mësimdhënësi”.
* * *
E atmosfera në klasat në Finlandë është mbresëlënëse. E tillë sa është përmendur në shumë shkrime në media botërore.
“Në klasën e mësueses Hieteva, fëmijët lejohen të ngrihen në këmbë, të lëvizin e të qeshin herë pas here, po qe se duan, pasi që këtë gjë e bëjnë fëmijët, si në Finlandë, Amerikë, Azi”, shkruan gazeta amerikane, “The New York Times”.
Një atmosferë kjo që klasave të Kosovës iu mungon. Një sistem diktature mbretëron aty. Në klasat në Kosovë “dëgjohet vetëm miza”, derisa nxënësit një nga një presin në radhë për ta thënë mësimin “si bilbil”. Komunikimi nxënës-mësues është i mangët. Madje pyetjet eventuale të ndonjë nxënësi marrin përgjigje të llojit: “Qysh s’pe din a?”.
“Nëse nuk gabon, atëherë kurrë nuk do të mund të bësh diçka origjinale, në një botë ku kreativiteti do të ketë gjithnjë e më shumë rëndësi. Por, shoqëritë stigmatizojnë gabimet. Shtetet kanë sisteme arsimi ku gabimet janë gjëja më e keqe që mund të të ndodhë. Rezultat i kësaj është se shkollat po ua mbysin fëmijëve kapacitetet kreative”, thotë Ken Robison, ekspert britanik i Arsimit, në një prej ligjëratave më të shikuara në TED.
E nëse në botë gabimi stigmatizohet, në Kosovë ndëshkohet rëndë. Nganjëherë edhe me dajak!
Kosova mund të miratojë strategji, por pa gatishmërinë dhe vullnetin për të marrë vendime të dhimbshme, pa vendosmërinë për ta goditur esencën e problemit, cilësinë e mësimdhënies, gjërat do të mbesin në letër. E fëmijët kosovarë do të vazhdojnë të dëgjojnë vlerësime të tipit: “Turp i klasës je!”
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...