Mot, më mirë!

9 Janar 2017 - 14:00 - Lutfi Dervishi      

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës shfaqen më shumë spektakolare dhe më pak efektive. Marrëdhëniet mes dy vendeve prej vitesh shkëlqejnë aty ku nuk ka punë qeveria: muzika, televizioni, futbolli, dhe shfaqin probleme aty ku ngërthehen politika dhe burokracia

Çdo gjë po ndryshon me shpejtësi dhe ngjarjet e bujshme ia lënë vendin njëra-tjetrës. Ditë e re, nafakë e re - thotë një proverb. Në kushtet e mediave sociale është shumë e vështirë që në mbrëmje t'i japësh përgjigje pyetjes: çfarë ishin ngjarjet e rëndësishme për këtë ditë? Akoma më e vështirë është pyetja: për ngjarjet e javës dhe muajit. Ndoshta pak më e thjeshtë për ngjarjet e vitit?

Vitit 2016 ishte një vit i rëndësishëm për Shqipërinë në rrugën drejt BE-së! Rekomandimi i Komisionit evropian për çeljen e negociatave me BE-në dhe kushtet e përcaktuara nga Këshilli Evropian po vetëdijesojnë politikëbërësit dhe opinionin se rruga do të jetë e gjatë dhe kushtet jo të lehta.
Njëra prej kushteve më të artikuluara dhe më të politizuara është reforma në drejtësi. Në muajin korrik Parlamenti Shqipërisë ndryshoi në mënyrë rrënjësore Kushtetutën e vendit, për t'i hapur rrugën një eksperimenti, që nëse del me sukses me gjasë mund të aplikohet edhe në vende të tjera të rajonit. - Drejtësi në Drejtësi.

Në kushtet kur flitet për parlament me elementë kriminalë, për ekonomi në të zezë, për gjyqtarë të korruptuar, pyetja hamletiane: nga t'ia nisim, me ndihmën e ndërkombëtarëve, mori përgjigjen: niseni nga fillimi, nga pushteti drejtësisë. Me shpresën se do t'i vijë radha edhe pushteteve të tjera.
Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka dhënë miratimin për procesin e diskutuar të vettingut - një skaner për të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët. Besohet se nga trupa prej 600-700 punonjësish një pjesë e mirë do të lënë me dëshirë profesionin.

Rezultatet e para priten në fillim të vitit 2017, por procesi do të marrë së paku dy vite të tjera.

Kuvendi në fillim të 2016-s miratoi një ligj për dekriminalizimin. Akuzat për të shkuarën kriminale të disa deputetëve u vendosën në shtrat ligjor me një ligj dhe rezultatet e para janë kumtuar nga Prokuroria. Deputetë që duhet të lënë mandatet. Politika mori pjesën e luanit në debatin parlamentar, ndërsa debatet për ekonominë u përmblodhën në koncesionet dhe formulën e pëlqyer nga Qeveria "partneritet publik privat"

Ekonomia e vendit sipas shifrave zyrtare vijon rritjen - dhe këtë vit e mbyll me 3%. Por në anën tjetër nuk po ndalen azilkërkuesit - që synojnë Gjermaninë dhe vlerësohet se mbi 200 mijë shqiptarë plotësojnë rregullisht lotarinë amerikane - në kërkim të një jete më të mirë jashtë Shqipërisë.

Një tregues i ditëve të fundit është kursi euros me lekun. Euro në Shqipëri është në kuotën më të ulët që prej 15 viteve dhe kjo nuk i dedikohet uljes apo rritjes së eksporteve shqiptare, por futjes në masë të të ardhurave të përfituara nga tregtia e hashashit. 2016-a do të mbahet në mend si vit ku hashashi ishte kryefjala e ditës në Kuvend - (Fjalimet në Kuvend shpesh të kujtojnë momentin e heqjes së siguresës së granatës). Media të njohura ndërkombëtarisht si BBC, France 24 etj. i kushtuan reportazhe "hashashit shqiptar".

Lajmi më i gëzueshëm për shqiptarët ishte pjesëmarrja e Kombëtares së Futbollit në Euro 2016. Por ky moment shënoi edhe nisjen e debatit (kryesisht në portale) Shqipëri - Kosovë. Përtej tautologjisë së pashmangshme: jemi një apo jemi dy, slogani një komb dy shtete duket se mbizotëron mbi idenë e "kombit kosovar".

Vetë marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës shfaqen më shumë spektakolare dhe më pak efektive. Marrëdhëniet mes dy vendeve prej vitesh shkëlqejnë aty ku nuk ka punë qeveria: muzika, televizioni, futbolli, dhe shfaqin probleme aty ku ngërthehen politika dhe burokracia. Në arsim: arritja më e madhe është abetarja e përbashkët, por në kushtet e një bote që ndryshon në çdo minutë - abetarja rrezikon të mbetet relikt për muzeun e transicionit shqiptar.
Përafrimi legjislacionit, krijimi kushteve të njëjta për arsim dhe punë si në Prishtinë ashtu edhe në Tiranë janë ende larg. Forcat e tregut nuk po orientohen dhe nxiten drejt njëri-tjetrit. Sikur puna e kryer nga Tirana të ishte në nivelin e retorikës nacionaliste, situata do të ishte ku e ku më e mirë.

Tiranës zyrtare ende i kërkohet nga partnerë perëndimorë, ende përgëzohet nga partnerë perëndimorë për rolin e saj konstruktiv në rajon. Por ka një dallim mes rolit konstruktiv dhe angazhimit konstruktiv.

Zgjedhjet në Maqedoni dhe në Mal të Zi, dhe zhvillimet dramatike në Parlamentin e Kosovës u përcollën me po atë qetësi që përcillen krizat në Lindjen e Mesme apo në Kaukaz.
Fotot mes kryeministrave apo presidentëve të Shqipërisë dhe Kosovës nuk mbulojnë dot shtratin e problemeve që duhen adresuar me urgjencë. Shqipëria e ka ndryshuar rrënjësisht kushtetutën në korrik të këtij viti, por jo preambulën e saj që e detyron të jetë e vëmendshme, aktive dhe e përgjegjshme për fatin e gjithë kombit.

Viti 2016 ishte një vit i mbushur me ngjarje të mëdha dhe të rëndësishme ndërkombëtare. Ngjarje që pavarësisht vendndodhjes, në një botë të globalizuar ndikojnë edhe në Tiranë, Prishtinë, Shkup apo Podgoricë. Brexit, terrorizmi, zgjedhja e Donald Trump president i SHBA-së, janë ngjarje që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë ndikojnë në rajonin dhe vendet tona.

Diplomati i njohur amerikan, Chris Hill, në librin e tij "Outpost: life on the frontlines of american diplomacy", tregon për një moment të takimit të udhëheqjes së Kosovës me Presidentin amerikan Bill Klinton në aeroportin e Prishtinës në përfundim të luftës. Hill nënvizion porosinë e presidentit që ju nuk do të jeni më në qendër të vëmendjes së botës. ndërtoni shtetin ligjor. Diplomati amerikan, nënvizon habinë e udhëheqjes së Kosovës se si nuk mund të jetë Kosova në qendër të vëmendjes...
Sot është e qartë se as Kosova, as Shqipëria, madje as rajoni si i tërë nuk është më në qendër të vëmendjes së botës. Por sfida mbetet e njëjtë: ndërtimi i shtetit të së drejtës.
Shqipëria në vitin 2017 do të kalojë sfidën e zgjedhjeve parlamentare, që këtë vit koincidojnë edhe me zgjedhjen e Presidentit.
Gjëja më e vështirë sot është të parashikosh se çfarë do të ndodhë. Por çfarëdo që të ngjasë, me shumë gjasë vitin tjetër do të themi: shumë gjëra mund të ishin bërë më mirë. Ishte një vit i shanseve të humbura, ishte një vit ku interesat politike mbizotëruan mbi ato të vendit. Ishte viti ku u krijuan parti të reja politike (në Mal të Zi, Shqipëri, Maqedoni, Kosovë) dhe mbetet e gjallë shpresa që: mot do të jetë mirë!

(Autori është gazetar i njohur nga Shqipëria)

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...