Aventurat e demokracisë

7 Janar 2017 - 10:09 - Vigan Qorrolli      

Për pasigurinë, trishtimin dhe demagogjinë politike të vitit 2016. Si u karakterizua universi në vitin politik më të pazakontë të shekullit 21? Ose, si Donald Trump dhe Brexit do të kenë efekte të nostalgjisë për kosovarët.

31 dhjetor 2016: Lamtumirë viti i urrejtjes, i frikës dhe i pandershmërisë më të madhe intelektuale, që njerëzimi e ka përjetuar nga Lufta e Dytë Botërore e deri më sot. Si çdo fundvit tjetër, koha është për t’i bërë bilancet dhe pasiguritë e kaluara.
Nëse shekulli i njëzet ka qenë teatër për katastrofat më të mëdha të njerëzimit, sidomos i dy luftërave botërore – viti 2016 do të gjykohet politikisht si viti i pasigurisë, i trishtimit dhe, me patjetër viti më i çuditshëm politik i shekullit 21.

Në rrafshin politik njerëzimi u trullos me tri ngjarje, të cilat do të lënë gjurmë të jashtëzakonshme në histori. Sulmet terroriste nëpër kryeqendrat evropiane, sidomos ato të cilat ndodhën në Nicë dhe Bruksel; votimi pro-daljes nga Bashkimi Evropian i Britanisë së Madhe; dhe pa dyshim qershia e vitit – fitorja e një popullisti demagog si Donald Trump, në zgjedhjet presidenciale në SHBA.
Bota po bëhet secilën ditë më e çmendur seç ishte. Shumë çrregullime globale kanë ndodhur gjithandej. Kryengritjet moderne mund të mos jenë të tipit Orwellian, ku e vërteta e ka ministrinë e vet, por ta zëmë efektet Brexit, Trump dhe ngritja e së djathtës ekstreme në Evropë, nuk mund të jenë kurrsesi ngjarje rastësore.
Mbase do të jenë historianët ata të cilët për të tri këto zhvillime në të ardhmen – do të argumentojnë pafundësisht, por për vitin e komedisë më të madhe politike të shekullit të ri, kjo do të thotë rritje të pasigurisë njerëzore dhe fillimi i fundit të demokracisë, edhe ashtu regjimit politik, më të papërqafuar politikisht në krejt globin.

Demokracia në zgripc

Duke qenë se vetëm 43 për qind e popullsisë së botës jeton në regjime demokratike, zgjedhja e Donald Trumpit president i SHBA-së është tërmeti më i madh për demokracinë. Para se të betohet më 20 janar 2017, si president i zgjedhur, ai vazhdon t’iu ngjajë në retorikë homologëve të tij nga pjesa jodemokratike e botës. Përveç dy demagogëve të zakonshëm, Vladimir Putin dhe Recep Taip Erdogan, bota është pasuruar tej mase edhe me popullsitë të tjerë të rrezikshëm. Vetëm në Evropë shumë parti me retorikë ultra të djathtë populliste po i dominojnë parlamentet kombëtare në Greqi, Hungari, Itali, Poloni, Sllovaki dhe Zvicër, ndërsa si pjesë e koalicioneve qeverisëse në Finlandë, Norvegji dhe Lituani.
Donald Trump para se të bëhej president përdori retorikë të çmendur jo vetëm kundër kundërshtarëve të tij politikë, por edhe kundër çdo fenomeni tjetër.

Si një inatçi unikal në racën e tij prej politikani, një ditë tha që do ta zëvendësojë aeroplanin presidencial “Air Force One” me një tjetër edhe më të sofistikuar, ditën tjetër në twitterin e tij lëshoi kambanën për ndërtimin e murit me Meksikën, ndërsa 1 javë më vonë, tha se do t’ua ndalojë hyrjen myslimanëve në Amerikë. Kjo e bën realitetin edhe më të gënjeshtërt, sepse njerëzit (fatkeqësisht) vazhdojnë të joshen nga imagjinata dhe jo nga realiteti. Popullizmi dhe demagogjia janë kundërshtarët më të mëdhenj të demokracisë.

Në kushte të rënda të besimit në politikanë, popullistët të shndërruar në demagogë të politikës – e përdorin lidershipin e tyre për ta fuqizuar autoritetin/kultin personal. Me fjalë të tjera, më shumë lidership, më pak pjesëmarrje – e ky fenomen është armiku numër një i demokracisë. Në fjalët e Fareed Zakharias kjo do të thotë demokraci joliberale. Prandaj rritja e popullizmit gjithandej me në krye fanarin e tij, Donald Trump, është shqetësimi më vibrant i botës së lirë.

Evropa si nostalgji për Kosovën

Nëse do të mos përballesh me një problem, atëherë injoroje atë. Kjo patologji njerëzore në fakt u kushtoi britanikëve, të cilët jo vetëm që e injoruan Bashkimin Evropian, por kurrë nuk e llogaritën atë si shtëpinë e tyre. Dhe siç ndodh zakonisht, në një situatë të tillë të pasigurisë politike, besimi i njerëzve në globalizim është drejt fundit.
Përtej secilës analizë që flet për shkaqet se pse ndodhi Brexiti – viti 2016 është zyrtarisht fillimi i politikave antiemigrante dhe i fenomenit të izolacionizmit.

Siria, Iraku apo Jemeni do të vazhdojnë të prodhojnë refugjatë, dhe për sa kohë të jetë kështu, ato do t’i ndihmojnë rritjes së sentimentit antirefugjatë dhe vlerave kulturore që bartin popujt joevropianë.
Edhe Brexiti, edhe Trumpi, edhe gjithçka tjetër që ngjau në vitin 2016, janë si pasojë e pabarazisë ekonomike ndërmjet popujve të ndryshëm. Rritja e pasigurisë ekonomike dhe privimi social i njerëzve që s’kanë lindur në shtetet evropiane, kanë nxitur pakënaqësinë popullore – prej së cilës pakënaqësi – me një pandershmëri të madhe intelektuale ka përfituar një elitë popullistësh herë-herë nacionalistë orientalë.

Se politika sot në botë po bëhet gjithnjë e më tepër klanore, dhe se diskursi politik po përmbyset çdo ditë e më tepër me propagandë dhe “lajme të rreme”, – kjo tashmë përben një realitet të madh.
Realiteti është edhe më absurd në kontekstin tonë lokal, pra për Kosovën dhe kosovarët. Raporti ynë jokonvencional me Perëndimin e bën këtë realitet edhe më të zymtë. Vlerat kulturore të Evropës të papërqafuara nga kosovarët, për shkak të izolimit të mëtejmë që u bëhet atyre, e rrisin frustrimin në aspektin ideologjik.
Si mund t’i besohet një pandershmërie të tillë, kur kjo Evropë udhëhiqet prej një grupi politikanësh të ashtuquajtur liberalë, që demek promovojnë vlera, civilizim dhe integrim.

Për kosovarët kjo është jetesë nën efektin e nostalgjisë.
Prandaj, në krizën më të thellë të njerëzimit në politikë dhe veçanërisht në politikanë – ne kosovarët do të vazhdojmë edhe për një kohë të gjatë të jetojmë nën efektin e nostalgjisë.
Ne jemi të përmalluar për Evropën – kryekëput për shkak të gjërave që kurrë nuk i kemi përjetuar prej saj.

Duke qenë se mjekësisht nuk ekziston asnjë kurë për nostalgjinë, ajo prej kosovarëve duhet të menaxhohet, por kurrsesi nuk bën të harrohet.
Historia, e mësojmë ne, është ajo çka ka ndodhur. Prandaj ne jemi të izoluar. Nostalgjia është ajo që ne dëshirojmë të kishte ndodhur.
Kjo saktësisht është nostalgjia për Evropën, për botën e lirë, barazinë, drejtësinë, dhe […] demokracinë!

Gëzuar 2017! 

(Autori është ligjërues i së drejtës dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare në Fakultetin Juridik të universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”)

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...