A ka dallim midis serbit të uritur dhe shqiptarit të uritur?

5 Janar 2017 - 15:58 - Boshko Jakshiq      

Brukseli nuk e ka fuqinë ta ndryshojë topografinë. Vetëm serbët e shqiptarët munden që afërsinë gjeografike ta shndërrojnë ose në kob reciprok – si ka qenë kryesisht deri më tani – ose në fqinjësi të dobishme – si do të duhej të ishte në të ardhmen

Në historinë e gjatë përplot me konflikte, të raporteve serbo-shqiptare, duket se dy palët do të mundohen të arrijnë paqen e vërtetë vetëm kur të shteren të gjitha mundësitë tjera. E faza e radhës është ajo e negociatave.

Të gjithë betohen në përkushtimin për dialogun në Bruksel, por hija e rëndë e së kaluarës përkujton natyrën e negociatave: nuk është fjala për një nevojë spontane të normalizimit dhe pajtimit. Negociatat nuk janë vullnetare, nuk janë iniciuar në Beograd dhe Prishtinë.

Ky proces i mbikëqyrur është pjesë e presionit të Bashkimit Evropian, kusht për avancim në fushën e eurointegrimeve, por një gjë nuk duhet harruar: Brukseli nuk e ka fuqinë ta ndryshojë topografinë. Vetëm serbët e shqiptarët munden që afërsinë gjeografike ta shndërrojnë ose në kob reciprok – si ka qenë kryesisht deri më tani – ose në fqinjësi të dobishme – si do të duhej të ishte në të ardhmen.

Po negociohet tashmë gjashtë vjet, në një vend ku vetëm lajmi i keq përbën lajm. Dialogu ia ka mundësuar Aleksandar Vuçiqit dhe Hashim Thaçit që me mbështetjen e BE-së të mbesin në pushtet, serbët falë marrëveshjeve të Brukselit janë bërë pjesë e pushtetit në Prishtinë, por dialogu që po zhvillohet është në masë të madhe i mbyllur dhe i paqartë.

Lotsjellësi në Parlamentin e Kosovës në një masë të madhe e ka bllokuar jetën politike në Prishtinë, ka shkaktuar pengesa operative dhe ua ka dhënë alibinë si politikanëve serbë, ashtu edhe atyre shqiptarë që pjesën më të madhe të 2016-s ta humbin. Për disa gjëra është arritur marrëveshja, disa janë përmbushur në një masë të konsiderueshme – me përjashtim të formimit të Asociacionit të komunave serbe – por zbatimi vazhdon të mbetet i varur, si shpata e Demokleut, mbi të dyja kokat.

Megjithatë, më së shumti mungon guximi që njerëzve t’u tregohet qartë se për çfarë është fjala. Serbëve në Kosovë se jetojnë në një shtet të pavarur. Serbëve në Serbi se Beogradi, kështu apo ashtu, një ditë do ta pranojë pavarësinë e Kosovës. Shqiptarëve në Kosovë se serbët që vazhdojnë të jetojnë aty duhet të pranohen si pakicë me të gjitha të drejtat e harmonizuara me standardet evropiane, përfshirë sigurinë. Shqiptarëve nga jugu i Serbisë se nuk do të ketë bashkim territoresh.

Faktin se gjërat nuk tregohen ashtu si janë, në këtë proces të afrimit “zvarritës“ drejt zgjidhjes definitive, jam i prirur që ta kuptoj si koketim populist me disponimin e votuesve, shumica prej të cilëve të ndikuar nga zhvillimet e historisë jo shumë të largët. Ndonëse i kuptoj, nuk mund t’i arsyetoj mungesën e sinqeritetit dhe guximit.

Përpos, po qe se politikanëve u ka shkuar në mendje se negociatat do të shndërrohen në dialogun dekadësh izraelito-palestinez. Nëse është ashtu, atëherë të mos deklarojnë se duan që shtetet e tyre t’i anëtarësojnë sa më parë në BE. Le të vazhdojnë të shtyjnë dhe sabotojnë marrëveshjen dypalëshe për “normalizim“ – pa të cilën as Serbia dhe as Kosova nuk mund të hyjnë në BE.
Kjo vlen si për politikanët nga Prishtina, ashtu edhe për ata nga Beogradi – pasi që me përjashtimin e serbëve të Kosovës nga dialogu i Brukselit, të gjithë përgjegjësinë e kanë marrë mbi vete.

Procesi i negociatave po përparon ngadalë, por për hir të së ardhmes nuk bën të përfundojë me njërën palë fituese, e tjetrën humbëse. Lëshimet duhet të jenë të dyanshme. Jo në aspektin sasior, por cilësor të fjalës. Nganjëherë ato duhet të jenë madje edhe simbolike.
Në praktikë, negociatorët Edita Tahiri dhe Marko Gjuriq dalin rregullisht para gazetarëve në Bruksel, për t’i shpallur në mënyrë populiste fitoret e tyre. Në fund të gushtit të 2015-s, negociatori serb deklaroi me triumfalizëm se rezultati i dialogut Beograd – Prishtinë është 5:0 për Serbinë, për ta përshkruar më vonë njërën prej katër marrëveshjeve fillimisht të përgëzuara – atë për telekomunikacion – si “goditje e huqur“.

Në Serbi e dinë se kapitulli 35 për Kosovën është më i rëndësishmi në negociatat me BE-në – është hapur i pari dhe do të mbyllet i fundit – por në Beograd në të gjitha mënyrat po mundohet të fshihet se targat e veturave për Kosovën nuk janë vetëm pjesë e „marrëveshjeve teknike“, por edhe atribute të vogla të shtetit të pavarur. Insistohet se prefiksin ndërkombëtar +383, Kosova e ka marrë si „rajon gjeografik“. Në përplasjen absurde të letrave me realitetin, Gjuriq del para opinionit dhe thotë se Serbia ka shënuar suficit në tregtinë me provincën e saj jugore! Një Jonesko i pastër!

E çfarë të thuhet për marrëveshjen rreth urës në Ibër, në Mitrovicë, dhe heqjen e Parkut të Paqes, të cilin shqiptarët e panë si mundësi për integrimin e pjesës veriore dhe jugore të qytetit, derisa serbët si barrikadë nga ekstremistët shqiptarë nga jugu? Muri që e ngritën serbët, në afërsi të urës në Mitrovicë – në emër të rindërtimit të tij – nuk dërgon kurrfarë porosie për pajtim. Çfarë bashkëjetese të pritet, kur pamundësohet madje edhe kontakti vizual?

Marrëveshja për gjyqësorin është edhe një shembull i tillë. Në Prishtinë theksi bie mbi shpërbërjen e “strukturave të paligjshme gjyqësore“. Në Beograd, kryetari i Bordit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Milovan Drecun, po fsheh si gjarpri këmbët faktin se gjyqtarët serbë nga 10 janari do të inkuadrohen në sistemin gjyqësor të Kosovës, derisa theksin po e vë mbi atë se serbët nuk do të gjykohen sipas përkatësisë nacionale, por “në pajtim me ligjet që vlejnë në krahinë“.

“Ligjet që vlejnë në krahinë?“ A nuk është eufemizën që të mos thuhet “ligjet e shtetit të Kosovës?“ Është, por kështu do të mbetet të paktën për një kohë. Beogradi pak a shumë në heshtje është pajtuar me “sovranitetin sportiv“ të Kosovës – anëtarësimin në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar, FIFA, UEFA dhe federata tjera, por do të vazhdojë ta pengojë anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, teksa do të hedhë poshtë me vendosmëri secilin mendim për Kosovën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Krijohet përshtypja se të dyja palët më shumë u gëzohen provokimeve, sesa marrëveshjeve të reja dhe zbatimit të atyre të vjetrave. Provokimet paraqesin alibi të mirëpritur që pala e kundërt të ankohet në Bruksel. Kur negociatori Gjuriq, i fshehur në veturën e ndihmës së shpejtë, shkon në Kosovë, pa e marrë lejen, duhet ta dijë se misioni i tij i hapjes së pompave të benzinës të Industrisë Serbe të Naftës do të paraqesë provokim.
E kur më pas deklarohet se nota protestuese e Prishtinës është “muzikë për veshë“, atëherë do të duhej të ishte i vetëdijshëm se incidenti do t’u shërbejë si alibi atyre që kundërshtojnë formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

Kur kryeministri Isa Mustafa merr pjesë në inaugurimin e urës që lidh komunat e Leposaviqit dhe Zveçanit, në veri të Kosovës, atëherë duhet ta dijë se ka shumë serbë që një gjë të tillë e përjetojnë si provokim, e jo vizitë “historike“ me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës, përforcimit të komunikimit, përparimit të integrimeve dhe forcimit të sovranitetit të Kosovës.

Autoritetet në Prishtinë po ashtu fshihen prapa “çështjeve teknike“. Ata mundohen të bindin shqiptarët se dialogu nuk do ta përfshijë Serbinë, kur janë në pyetje aspektet kushtetuese në Kosovë. E kjo është larg prej së vërtetës. Dialogu gjithsesi se merret me çështje politike.
Prej nga atëherë reagimi në Prishtinë, kur duhet sqaruar se çfarë është Marrëveshja për Asociacionin, e nënshkruar qysh në gushtin e 2015-s? Nuk është i vogël numri i shqiptarëve të Kosovës që kundërshtojnë këtë projekt, pasi që më me dëshirë do të donin të mos kishte serbë në Kosovë, që të lirohen prej çfarëdo gjurme të pranisë së tyre historike.

Statusi i Asociacionit, i cili sipas marrëveshjes së mëparshme është dashur të harmonizohet deri më 20 nëntor, nuk është nënshkruar ende. Prishtina, me lotsjellës në Kuvend, ka stagnuar dhe ka bllokuar, Beogradi nuk i ka kontribuar përparimit të dialogut, por është dukur sikur mezi e ka pritur këtë situatë. Gjendja është vështirësuar edhe shkaku i bojkotit të deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës, që nuk pranojnë të kthehen në institucione, derisa të fillojë formimi i Asociacionit të komunave.
Asociacioni mbetet sfida më e madhe për vitin 2017, në të cilin edhe Serbia, e edhe Kosova hyjnë me shpresa të reja për afrim të mëtejmë me BE-në. Problemi do të duhet të zgjidhet brenda disa muajve. Zgjedhjet presidenciale në Serbi me gjasë do ta ngadalësojnë procesin edhe ashtu të ngadalshëm të negociatave, ndonëse në fund mund të ndihmojnë, po qe se rezultojnë me largimin e negociatorit politik – pasi Marko Gjuriq nuk është i tillë, e Tomislav Nikoliq nuk ka dashur të jetë.
Vakuumi padyshim se do t'u sjellë lehtësim autoriteteve të Kosovës, pasi që në atë mënyrë u shmangen akuzave për zvarritjen e negociatave rreth Asociacionit, njëjtë sikur që tensionet politike në Prishtinë gjatë 2016-s ishin arsye e mirëseardhur për autoritetet në Beograd.
Sa i përket zbatimit të marrëveshjeve, po pritet shumë, por për kohën e humbur, një pjesë të fajit e bart edhe Brukseli. E vërtetë se BE-ja është e preokupuar me krizat dhe mëdyshjet e veta, prej Brexitit, e deri tek fitorja e Donald Trumpit, por sidoqoftë do të duhej që t'u qasej më me seriozitet të dyja palëve.
Pres që më 2017, BE-ja, pa i marrë parasysh krizat e veta, ta kthejë më shumë vëmendjen tek problemi i Kosovës. Pres që Serbia të fillojë ndryshimet në Kushtetutën e saj, prej së cilës do të duhej të fshinte atë preambulën për Kosovën, të miratuar në kohën e Vojislav Koshtunicës, që ndiente neveri prej çdo mendimi për negocim rreth “fjalës më të shenjtë serbe“.
Pres që procesi politik të zvarritet, por është mençuri të shkohet udhës me më pak pengesa. Për shembull udhës së bashkëpunimit ekonomik. Biznesi është njëqind hapa para politikës, por politika edhe më tutje ka ndikim të madh në krijimin e barrierave. Qëndrimi në një vend është diçka e keqe për të dyja palët. As Kosova dhe as Serbia nuk i afrohen BE-së në atë mënyrë, por vetëm e zvarrisin procesin mbi të cilin betohen autoritetet e tyre. Kjo në një masë të konsiderueshme i kontribuon humbjes së kredibilitetit të negociatorëve, sinqeritetit të tyre që t'u tregojnë popujve se cili do të jetë epilogu.
Duke ndërtuar ngadalë shtetin e tyre demokratik, liderët shqiptarë nuk do të humbin patriotizmin, po qe se bashkëqytetarëve të tyre ua bëjnë të qartë se nuk është mirë që serbët të lëvizin nën përcjelljen ushtarake të KFOR-it. Se duhet krijuar një shoqëri të lirë, në të cilën të gjithë joshqiptarët mund të jetojnë pa frikë, e jo nën mallkimin e deputetëve të Vetëvendosjes së „rreziku më i madh Kosovës i kanoset nga Serbia“, pasi që prej saj vijnë „krimi i organizuar, korrupsioni dhe terrorizmi“.
Gjesti i Hashim Thaçit, i cili vuri lule në përmendoren e viktimave serbe në Gorazhdevc, nuk është i sinqertë, thotë Marko Gjuriq. Mbase edhe nuk është. Gjuriqi ka të drejtë të mos besojë personalisht, por në cilësinë e negociatorit, gjestin e tillë do të duhej ta mbështeste, pasi që një gjë e tillë i kontribuon përmirësimit të atmosferës tensionuese që mbretëron në opinion.
Shkalla e lartë e ndjeshmërisë lyp kujdes. Perceptimet janë edhe më tutje larg njëra- tjetrës. Shkëmbimi i akuzave për “propagandë armiqësore“ të palës tjetër nuk po ndalet. Përse, për fillim, serbët dhe shqiptarët të mos njihen më mirë? Nuk mendoj se autobusët janë duke bartur në mënyrë të organizuar banorët e Prizrenit në Banjë të Vranjës apo serbët nga Vranja në Prishtinë. Njohjes do të mundë t’i kontribuonin mediat. Kështu, ato do të mundë të shkruanin për jetën e përditshme në Serbi, përkatësisht në Kosovë, duke mos u përqendruar ekskluzivisht në përcjelljen e asaj se çfarë kanë për të thënë politikanët.
Le ta kryejnë politikanët punën e tyre dhe le të ndihmojnë mediat që serbët dhe shqiptarët ta zbulojnë se përballen me probleme të njëjta: papunësinë, varfërinë, korrupsionin, institucionet e dobëta, problemet në shëndetësi dhe arsim... Të përbashkëtat e këtij fati tragjik mbase do t’i afrojnë si njerëz. A ka dallim midis serbit të uritur dhe shqiptarit të uritur?

(Boshko Jakshiq është gazetar dhe kolumnist i njohur serb)
 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...