19 Janar 2017 - 18:59 - Miodrag Vlahoviq
Treni, të cilin autoritetet serbe e dërguan me pompozitet drejt Mitrovicës, nuk arriti në destinacionin përfundimtar. Arsyeja është e thjeshtë: ashtu nuk udhëtohet sot prej Serbisë në Kosovë. Edhe nëse një mjet i tillë laraman i transportit shërben për transport njerëzish, e jo vetëm për një propagandë të kushtueshme afatshkurtër.
E zbukuruar me freska nga manastiret serbe dhe mbishkrimet në shumë gjuhë se Kosova është Serbi, treni ka mbërritur deri në Rashkë dhe ka qëndruar mjaftueshëm për ta krijuar përshtypjen se drejtuesit në Beograd e kanë ditur se kjo “manovër demonstruese” do të përfundojë ashtu si përfundoi, duke u kthyer në kryeqytetin e Serbisë.
Cili është rezultati, efekti, porosia?
Sot është e qartë, pas të gjitha reagimeve zyrtare dhe reagimeve të tjera në Serbi, por edhe në qarqet ndërkombëtare, se dikush ka dashur, para së gjithash, ta testojë gatishmërinë e autoriteteve kosovare për t’i bërë ballë këtij provokimi. Përgjigjja është marrë.
Përshtypja e cila i krijohet vëzhguesit të paanshëm, e Mali i Zi është në atë mes, fatmirësisht dhe me politikën e mençur që ka zhvilluar Podgorica zyrtare prej 1997-s dhe më tutje, duke u liruar nga imponimi për të pasuar eskapadat e politikës serbe karshi Kosovës dhe në rastin e Kosovës (të theksojmë: një vëzhguesi që tenton të jetë objektiv, si është, të themi, finlandezi apo norvegjezi), është se ata që e kanë ideuar një aksion të tillë, do t’i bënin shërbim më të mirë vetes dhe tjerëve po ta dërgonin një tren të zakonshëm, me njerëz të zakonshëm, prej Beogradit për në Mitrovicë. Aq më tepër po t’i ishte kujtuar dikujt mrekullisht që në itinerar të vihet stacioni përfundimtar, Prishtina – ky do të ishte lajmi i duhur për mediet botërore! Si dhe përkrahja më e mirë për serbët në veri të Kosovës.
E në këtë mënyrë, Beogradi zyrtar po vazhdon projekte të ndryshme propaganduese, me qëllime të paqarta dhe pasoja të kundërta prej atyre të proklamuara.
Paramendoni, për shembull, autobusët e Kosovës me fotografi të presidentit Thaçi duke lëvizur nëpër Serbi, me porosinë e shkruar në cirilik se “Kosova është e pavarur” apo “Përshëndetje të përzemërta nga Prishtina”… që të mos improvizojmë tani se sa porosi serioze dhe tallëse mund të dërgohen në atë mënyrë. Autobusët e tillë nuk do të mbërrinin larg. E arsyeja është e njëjtë si edhe në rastin e këtij “treni pa itinerar”, nëse e përdorim titullin e filmit të Velko Bulajiqit, të vitit 1959.
Ata, të cilëve iu është dedikuar ky tren me pllakate – e fjala është për serbët e Kosovës – mund t’i shikojnë këto shprehje kreative nga largësitë beogradase dhe ta kërkojnë kuptimin më të thellë të një propagande të tillë lëvizëse të lirisë së kufizuar të lëvizjes. Çfarë shërbimi iu bëhet atyre? A mendon dikush për interesat e tyre? Kjo çështje në Kosovë është e vjetër një shekull. Jemi pajtuar paraprakisht se malazezë nuk janë këtu për të gjykuar. Por, pyetjet qëndrojnë pezull e ky tren, edhe një herë, i ktheu për në Beograd.
(Ndonëse, ka pasur malazezë, të cilëve mund t’iu referohemi me këtë rast. Një herë, që tani është kohë e largët, fisniku dhe i mençuri Velko Vlahoviq, duke e analizuar gjendjen në Kosovë, në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, kishte thënë se atje të gjithë duhet ta mësojnë dhe ta flasin edhe gjuhën shqipe. Një bashkësi që flet dy gjuhë do të kontribuonte që njerëzit të kuptohen dhe të respektohen më shumë. Nuk ka segregacion, nëse e flisni gjuhën dhe respektoni zakonet dhe kulturën e fqinjit tuaj, pa marrë parasysh se kush është shumicë, e kush pakicë. Por, e dimë se vetëm disa njerëz të rrallë e kanë kuptuar dhe askush nuk e ka dëgjuar Vlahoviqin e mençur. Ka shkuar ai tren, jo vetëm në Kosovë…).
Prandaj, për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë dhe synimeve të fisme, ky udhëtim i trenit me parullën që, në të gjitha gjuhët e përdorura është njëjtë “e bindshme”, ka treguar se politika beogradase karshi Kosovës nuk ka lëvizur prej hekurudhës qorre, në të cilën ndodhet tashmë një shekull.
Treni është paralajmërim i veprimeve të tjera. Që shkaktojnë reagime. E kështu me radhë. Problemet në Ballkan janë të pranishme, sërish, e bota ka telashe dhe sfida më të mëdha.
Pasiguria dhe paqartësia e politikës së Evropës karshi Ballkanit ka inkurajuar të gjithë ata, të cilët largimin prej problemeve të brendshme e shohin në formë të konfrontimit dhe të thellimit të ndasive të vjetra. Nuk është vetëm Milorad Dodik ai që po kërcënon kohët e fundit, kemi bashkëmendimtarë dhe bashkëluftëtarë të tij në të gjitha vendet në Ballkan, jo vetëm në Beograd, Prishtinë e Podgoricë.
As nuk guxojmë të parashikojmë rrezikun që rajoni ynë të rrëshqasë në një spirale të re të konfrontimit dhe luftës.
Prandaj, na duhen më shumë se më parë krerë shtetesh dhe politikanë të vërtetë, porositë e sinqerta dhe synimet e të cilëve do t’i kuptojnë, si njerëzit brenda, ashtu edhe ata “të palës tjetër”.
Na duhen, pra, trenat e vërtetë dhe udhëtarët e vërtetë”.
(Autori ishte ministër i Jashtëm i Malit të Zi. Ky vështrim është botuar në gazetën malazeze, “Pobjeda”)
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...