Kosova ka nevojë urgjente për xhandarmëri

23 Janar 2017 - 08:02 - Lumir Abdixhiku dhe Agron Bajrami      

Transformimi i FSK-së në ushtri duhet të mbetet prioritet, por në rrethanat ekzistuese, krijimi i xhandarmerisë së Kosovës do të ishte përgjigjja e duhur për disa nga kërcënimet serioze që janë shfaqur para Kosovës, sidomos në veri

Çdo analizë serioze e zhvillimeve të javëve të fundit, posaçërisht e incidentit me “Trenin serb” dhe diskursin politik që e kishte përcjellë atë, do të rezultojë me konkludimin se situata mes Kosovës dhe Serbisë është e tensionuar dhe e rrezikshme. Ky tensionim dhe kjo rrezikshmëri, ka gjasa të vazhdojë në javët e muajt në vijim. “Treni” në fund të ditës është veçse një hap tjetër provokues, por assesi i fundit, i Serbisë drejtë destabilizimit të Kosovës.

Tensionimin e relacioneve, në një mënyrë apo tjetër, e konfirmojnë të gjitha palët; duke përfshirë edhe vlerësimet që japin segmente të ndryshme të bashkësisë ndërkombëtare, të cilat kanë reaguar pas kërcënimit për luftë që Serbia ia bëri Kosovës.

Madje, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, publikisht ka akuzuar Beogradin se ka në plan aneksimin e pjesës veriore të Kosovës, sipas modelit të përdorur nga Rusia në Krime.

Në anën tjetër, agresiviteti i pushtetit në Beograd është shtuar me deklaratat e presidentit serb, Tomislav Nikoliq, i cili ka kërcënuar me dërgim të ushtrisë në Kosovë. Kjo deklaratë është përcjellë me mobilizim e lëvizje të forcave mbrojtëse të Serbisë në drejtim të Kosovës.

Kërcënimeve të Nikoliqit i është përgjigjur, pjesërisht dhe në mënyrë mjaft standarde, një pjesë e prezencës ndërkombëtare në Kosovë (KFOR-i), por për Kosovën duhet të jetë brengosëse qasja që ka marrë Bashkimi Evropian, i cili, përveçse kërkon vazhdimin e dialogut të Brukselit si mjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve, nuk pozicionohet qartë rreth kërcënimeve që Kosovës po i vijnë nga Serbia.

Andaj, në rrethana si këto, është e qartë se institucionet e Kosovës do të duhej të dilnin me një vlerësim të ri për kërcënimet që e rrezikojnë Kosovën. Ato, para së gjithash, duhet të ndërmarrin veprime e vendime që kanë për qëllim përmirësimin e kapaciteteve të shtetit për përballje me kërcënime si këto. Kosova, në fund të ditës, nuk guxon të ushtrojë rolin e vet vetëm si spektator që pret fatin e vet varësisht nga disponimet e një fqinji kërcënues.

1. Ushtria

Në rrethana normale, kërcënimet që i vijnë shtetit nga jashtë, do të duhej të adresoheshin me ndërtimin e kapaciteteve ushtarake. Kosova, si shtet i pavarur që është, duhet të ketë ushtrinë e vet; ani pse momentalisht në vend funksionon forca ndërkombëtare paqeruajtëse nën komandën e NATO-s.

Por, procesi i transformimit të FSK-së në Forcë të Armatosur ka ngecur. Pjesërisht për shkak të mospajtimeve të brendshme politike ndërshqiptare, e më pas edhe për shkak të kundërshtimit të palës serbe në koalicionin qeveritar, pa pajtimin e të cilëve duket se Qeveria nuk ka vendosmërinë për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore për themelimin e Forcës së Armatosura të Kosovës.

Formimi i ushtrisë së shtetit të Kosovës duhet të nisë sa më parë. Qoftë nëpërmjet arritjes së konsensusit fillimisht brendashqiptar e më pas tejkalimit të bllokimit serb, qoftë nëpërmjet amendamentimeve ligjore që kapërcejnë detyrimet kushtetuese. Në të gjitha rrethanat, formimi i ushtrisë do të duhet të ndjekë hapat orientues të sponsorëve kryesorë të forcës së Kosovës. Dhe kjo ndjekje, duke i marrë parasysh zhvillimet jo vetëm rajonale por dhe më gjerë, mund të jetë një rrugë më e gjatë.

2: Xhandarmëria

Rrugëtimi ynë drejt formimit të ushtrisë, është i realizueshëm, por dhe i komplikuar. Në këtë rrugëtim të komplikuar, Kosova duhet të marrë masa të tjera paralelisht. Masa të përkohshme, që do të mbushin zbrazëtinë që kemi në sistemin mbrojtës për shkak të mungesës së forcave ushtarake mbrojtëse. Masat, natyrisht, në asnjë rrethanë nuk duhen të shihen si zëvendësim i domosdoshmërisë për krijimin e ushtrisë. Ato s’janë përjashtuese, janë veçse plotësuese.

Një mënyrë për të arritur këtë, relativisht shpejt dhe lehtë, do të ishte krijimi i xhandarmërisë së Kosovës.

Në aspektin funksional, si njësit për nga natyra i kombinuar policoro-ushtarak, xhandarmëria e Kosovës do të ndërtonte kapacitetet më të mëdha se sa Policia e Kosovës për të adresuar kërcënimet direkte që po shfaqen kohët e fundit nga Beogradi.

Në aspektin ligjor, krijimi i xhandarmërisë ka gjasa të bëhet edhe brenda kuadrit të tanishëm ligjor dhe pa ndryshime kushtetuese, meqë Ligji për Policinë (Neni 32 Pika 3) i jep mandat drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës që me miratimin e ministrit të Brendshëm, të themelojë “njësitë policore të përkohshme për të kryer detyra të veçanta”.

“Përkohshmëria” është definicion shumë elastik – për shembull, deri sa të mos e njohë Serbia pavarësinë e Kosovës, apo deri sa të vlerësohet se Beogradi nuk përbën rrezik për integritetin territorial të vendit.

Një tjetër mënyrë do të ishte amendamentimi i Ligjit për Policinë për të inkorporuar specifikisht xhandarmërinë dhe detyrat e saj brenda tij.

Në të dy rastet, përfaqësuesit serbë nuk do të mund ta bllokonin krijimin e xhandarmërisë. Krijimi i saj mund të arrihet me shumicën e thjeshtë parlamentare.

3. Financimi

Themelimi si akt ligjor, është vetëm një hap. Financimi i një trupe të re policore, më të avancuar e me aftësi më të mëdha mbrojtëse, kërkon financim. Ky financim duhet të sigurohet domosdo nga buxheti i Kosovës, madje në mundësinë e parë rishikuese të tij – në gjysmën e vitit që jemi tani.

Sipas projeksioneve të tanishme buxhetore, Kosova ndan jo më shumë se 1.3 milionë euro në vit, për armë dhe pajisje speciale për forcat speciale policore. Ndan jo më shumë se 6 milionë të tjera në armatim e pajisje për Forcat e Sigurisë së Kosovës. Në përgjithësi, ndanë më pak se 10 milionë euro për mbrojtje, apo 0.1% të bruto produktit vendës. Vendet e BE-së, në mesatare ndajnë nga 2% të BPV-së për qëllime të mbrojtjes. Vendet e rrezikuara me kërcënime për luftë, siç janë vendet baltike, ndajnë deri në 6% të BPV-së. Thënë ndryshe, Kosova, mbrojtjen nuk e ka pjesë të projeksionit të vet financiar – rrjedhimisht, nuk e ka pjesë të prioriteteve politikëbërëse.

Themelimi i xhandarmërisë do të kërkonte ndryshim rrënjësor të këtij disproporcioni. Dhe ka disa alternativa financuese për të. E para, më e rëndësishmja, Kosova mund të shkurtojë luksin publik. Do të mjaftonte përgjysmimi i mëditjeve, i drekave e i darkave të zyrtarëve publikë për të arritur një buxhet rreth 50 milionësh në vit për forcat e xhandarmërisë. Po flasim pra për pesëfishim të buxhetit mbrojtës me një vendim kursyes.

E dyta, po aq e rëndësishme, Kosova mund të gjenerojë të hyra të rregullta, në vlerë të përafërt me kursimet e luksit, vetëm nga fiskalizimi i mëtutjeshëm i bizneseve të pafiskalizuara, siç janë, ndër të tjera, tregtarët e derivateve të naftës – apo edhe duke luftuar evazionin fiskal e informalitetin në shumë pjesë të vendit. Diku rreth 34% e shitjeve të bizneseve të regjistruara nuk deklarohen për qëllime tatimore.

E treta, jo pak e aplikueshme nga vendet e tjera, Kosova mund të marrë kredi për financimin e blerjeve të pajisjeve e mjeteve mbrojtëse për njësinë.

4. Bashkësia ndërkombëtare

Sigurisht, një hap i tillë është i pritshëm të përballet me reagime të përziera nga segmente të ndryshme të bashkësisë ndërkombëtare, si ato në vend ashtu edhe ato jashtë.

Dhe, me gjithë faktin se ky është një vendim sovran, të cilin Kosova si shtet i pavarur e ka të drejtën e plotë ta marrë, qasja më e rekomandueshme do të ishte që para ndërmarrjes së një hapi të tillë të sigurohet një përkrahje e qëndrueshme ndërkombëtare, e cila ka gjasa të arrihet më lehtë në këtë moment të agresivitetit të skajshëm serb.

Për këtë, përkrahja e tillë duhet të kërkohet mbështetur në zhvillimet e fundit, sidomos thirrjet për luftë nga ana e Serbisë, duke mos harruar se ka qenë vetë Serbia ajo që e ka krijuar xhandarmërinë si forcë për të adresuar situatën pas luftës në Kosovë dhe konfliktit të mëpasëm në Luginën e Preshevës.

Për më tepër, si pjesë e Policisë së Kosovës që u nënshtrohet të gjitha dispozitave të Ligjit për Policinë edhe funksionon në kuadër të fushëveprimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, xhandarmëria e Kosovës nuk mund të kuptohet as si zëvendësim për Ushtrinë e munguar të Kosovës as si forcë konkurrente me KFOR-in, gjë që do të duhej të jetë argument i mjaftueshëm që të përfitohet përkrahja e nevojshme ndërkombëtare për krijimin e saj.

5. Politika

Politikisht, krijimi i xhandarmërisë po ashtu do të ishte një hap i mirë përpara. Së pari, do të ishte një veprim proaktiv politik, që me vete bart mesazhe të shumëfishta edhe për Serbinë, edhe për bashkësinë ndërkombëtare. Së dyti, do të tregonte vendosmërinë e vendit që të mbrojë sovranitetin, integriteti territorial dhe rendin kushtetues.

Së treti, do të krijonte kapacitet të ri të veprimit për Policinë e Kosovës, e cila me gjithë përkushtimin e treguar për zbatimin e detyrave, nuk duket se i ka kapacitetet e plota për përballje me sfidat e reja e të shumëfishta, që tashmë po shfaqen para Kosovës.

Thënë ndryshe, nëse presidenti thotë se Serbia ka plan të aneksojë veriun e vendit, institucionet shtetërore të Kosovës e kanë obligim të ndërmarrin hapa parandalues ndaj këtij agresioni të paralajmëruar.

Xhandarmeria do të ishte një hap i tillë jo vetëm i mirë, por edhe i shpejtë. E shpejtësia e reagimit shpeshherë është shumë më përcaktuese sesa forca. 

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...