10 Janar 2017 - 16:01 - Drenusha Zajmi-Hoxha
Loti me emotikon vs. realitetit
Në këtë kohë festash, si çdo vit, edhe sivjet, vrapon i madh e i vogël për t’u bërë gati për natën festive, duke mbushur shportat plot sikur të ishte afër apokalipsi përfundimtar. Shtyhen burra e gra supermarketeve me karrocat plot ushqime e zbukurime festive, të bindur se kanë shfrytëzuar momentin e “zbritjeve të mëdha“ të cilat janë të vërteta sa është kosovar kodi telefonik ose “skajore zbukuruese” muri ndarës në mes të Mitrovicës. Lypsarët e panumërt, të shtrirë nëpër tokë bashkë me fëmijë, shtohen nëpër hyrjet e shitoreve, qendrave tregtare e restoranteve dhe njerëzit u falin para, të bindur se po lajnë gjynahet e vitit duke dhuruar disa metelikë.
Të tjerë kapërcejnë mbi trupat e tyre të shtrirë, krejt indiferentë për ekzistencën e tyre, duke shikuar plot kureshtje nëpër telefonat e tyre të mençur, helbete për ndonjë ngjarje nga estrada a skandal nga politika. Mbase edhe dërgojnë ndonjë emotikon loti për iks person të varfër mijëra kilometra larg, derisa përpiqen të mos u ngatërrohen këmbët mbi ndonjë trup të shtrirë e të ngrirë fëmije lypsar.
Populli tërë vitin priti ca ndryshime që nuk erdhën asnjëherë, shpresoi për disa të mira që i dolën rrena, bëri kishe turr e nuk luajti nga kolltuku, kërkoi të ndërrohet ky, ai, qeveria, opozita, gjendja, situata, por nuk provoi asnjëherë që ndryshimet t’i fillojë nga vetvetja. Normal. Jemi shumë të mirë për t’u ndryshuar, bile po të ishte e mundur, do klonoheshim secili nga dy.
E kështu, hë se po ndryshon kjo sivjet, hë se po ndryshon ajo. Sivjet po bëhemi me këtë e atë. Jo do ndryshojë qeveria, jo do ndryshojë politika kosovare. Jo po na japin sivjet vizat në pranverë, pastaj në verë, pastaj në dimër. Jo po bëhemi me karton të gjelbër, jo me kod telefonik. Kosovar po them. Jo po burgosen të korruptuarit e keqbërësit e tjerë, jo po hiqet ndikimi i politikës mafioze nga gjyqësori, jo po vijnë ditë të mira për pensionistët, po ndërtohen rrokaqiej e salla të Operës (pse vetëm një?), po mbyllen fakultetet ilegale, pompat ilegale, gurthyesit ilegalë. Do të ndërtohen shkolla, biblioteka, strehimore, kuzhina popullore, rrugë, spitale. Dhe atë jo vetëm në Prishtinë! Edhe në qytetet e tjera! Sivjet u kujtuam se edhe ato ekzistojnë . Bile-bile, kishte edhe asi njerëz shpresë mëdhenj që thoshin se sivjet edhe do të bashkohet edhe Mitrovica. Për të mos thënë se elita jonë politike me gjithë atë pozitivitet që ka, as që e shihte të ndarë ndonjëherë! I kushtuan këngë xhanëm: Jo nuk ndahet o Mitrovica! Nuk ndahet pra! Nuk është Kosovë ajo që të ndahet sa herë kush ka qejf. Çka po i hap sytë kishe po çuditna! Pse bëhemi ne që nuk shohim mur qe 17 vite, kush na ka faj? Ti vazhdo popull çdo vit, prit e prit.
Sepse, jam e bindur se të gjitha pritjet tona për këtë vit që po lëmë, do të jenë aty sërish vitin tjetër në këtë kohë. Kështu i bartim ne, prej viti në vit. Po them që jemi kaproj natyralë.
Ana e mirë vs. ana e keqe
Por, pa siklet. Me rëndësi, po vjen Viti i Ri. Qytetet janë zbukuruar plot me drita që na ndriçojnë jo veç ambientin, por na iluminojnë mendjen! Na duket sikur u poqëm më shumë, sikur gjërat po i shohim më qartë, thuajse gabimet që bëmë nuk do t’i përsërisim dhjetëfish vitin që po vjen!
Betohemi me vete se do të jemi prindër më të mirë për fëmijët tanë, që ëndërrojnë Babadimrin, meqë nuk munden ardhmërinë. Ka kush mendon për ta. Qeveria jonë e lavdishme çdo ditë e më tepër po mundohet t’u gjejë mundësi pune jashtë vendit.
Epo do jemi bijë e bija më të mira për prindërit tanë pensionistë, që nuk kanë para as për ilaçet e tensionit, derisa ne krenohemi me pendlat e tyre akoma. Do të kujdesemi më shumë për ta sivjet, nëse janë gjallë, kismet.
Do të jemi banorë më të përgjegjshëm për ambientin, qytetin, kafshët e braktisura. Nuk do të gjuajmë më pleh në lumë, por do t’i lëmë skaj secilës pemë në trotuar. Nuk do t’i vrasim qentë, pos kur na lejon komuna fshehtas ligjit.
Do të jemi edhe njerëz më të mirë. Do të provojmë të nxjerrim atë anën më të mirë, të butë e bamirëse, karshi të varfrit, të dobëtit, të miturit, të paaftit. Do të provojmë pra. Ta nxjerrim anën e mirë. Okej fillojmë.... Zilet, Babadimri, dritat, muzika.... Hiç. Mundohemi akoma dhe...kot. Nuk po del kurrgjë hamadreq! Mbase duhet një bager i fortë. E çka nëse nuk kemi fare anë të mirë? Ose ajo është thellë, aq thellë, sa është më mirë të mos ia prishim terezinë duke nxjerrë paraprakisht të gjitha fundërrinat që na kanë uzurpuar shpirtin e mendjen.
I dashur Babadimër
I dashur Babadimër, sivjet, pas atyre dëshirave të zakonshme që bëj çdo vit, d.m.th. për një mal me para, në dukje si të Giselle dhe suksese të njëpasnjëshme, këtë herë kam vendosur ta bëj edhe një dëshirë të veçantë:
Aman Babadimër, a ka mundësi që ta sjellësh një president ose kryeministër serb për Kosovën në 2017? Nëse veç së shpejti nuk arrin të zgjidhet vetë, a ka mundësi ta sjellësh ti për ne, hiç pa zarf? Ama të punojë zellshëm si këta tanët, krejt me atë strategji të “ndershme “ dhe puthadorëse? Ndryshe nuk ka lezet. Thjesht krejt njësoj si sot, veç si të thuash, ta kthejmë anën këndej.
Mund të tingëllojë vrazhdë në fillim, por merreni me mend sa mirë do të ishte për ne, nëse ky tipi serb do merrte pak përvojë nga paraardhësit e tij kosovarë.
Fillimisht, përderisa sot çdo gjë dialogohet (lexo: pyetet) me Beogradin, në atë rast presidenti për çdo gjë do ta konsultonte Shqipërinë. Thjesht, që të na hyjë në qejf! Nuk do të kishim prodhime serbe si sot, por prodhime shqiptare nesër. Nëse presidenti shqiptar sot përkulet para “viktimave” serbe, i lejon të shëtitin të tjerët pa targa, pa leje, pa pasaportë kosovare, në atë rast i bie se presidenti serb do të na favorizonte shumë, bile do ta hiqte fare murin e Mitrovicës (të cilin po mundohen të na e shesin si bukuri përrallore, thua ti është Muri kinez!).Do të na mundësonte rrymë pa pagesë, do të na ndërtonte shtëpi falas, do të përkulej sahat e dakik, do na merrte me të mirë, plus çka është më e rëndësishmja, do të na i siguronte karriget në parlament, pa u lodhur fare ne me votime koti!
Tutje, ndoshta presidenti a kryeministri serb, për t’u treguar dashamirës, do të kërkonte prej Serbisë të na japë dyshtetësi bashkë me vizat. Meqë Shqipëria është vendi i vetëm në botë që nuk i jep dyshtetësi bashkëkombësve të vet!
Me presidentin serb do të ndalohej ndarja e Kosovës, përkundrazi, ndoshta tipi në vend të faljes se tokave si me demarkacionin sot, ky do të mundohej të na i bashkëngjiste ato të Luginës e Preshevës. Dhe askush nuk do t’ia zinte për të madhe as në Serbi, as në Kosovë. Bile as miqtë ndërkombëtarë.
Nëse veç pak do ta kishim për vete presidentin a kryeministrin serb, ashtu sikur ata i kanë sot këta tanët, ne do të lulëzonim sivjet si vjollcat përmbi borën 17-vjeçare.
Ndaj po them Babadimër. Mendo mirë se përndryshe nuk ka gurabija për ty sivjet.
Nuk dua më zilka, pallavra, qese me xhingla-mingla e ushqime me afat të skaduar.
Veç një Kosovë më ndryshe. Hajde, Gëzuar!
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...