Bizarritete politike edhe në Francën demokratike kontemporare!

8 Janar 2017 - 09:34 - Riza Smakaj      

Z. Ramush Haradinaj, së pakut, konform me parimet juridike ndërkombëtarisht valide dhe afirmative “Ne Bis In Idem“ & “Res Iudiciata”, nga autoritetet ndërkombëtare, çfarë është Interpol-i, Europoli e, veçanërisht nga ato të Francës së Revolucionit Borgjez të shek. XVIII-të dhe të Code Civile-s të shek. XIX-të, kurdoherë do të duhej ta nderonin e, kurrsesi, ta arrestonin për hire tekanjoze hegjemoniste serbe

Politikat shtetërore dhe juridikat imperative

Në shtetet e së drejtës, politikat dhe praktikat shtetërore apo publike, kurdoherë, kërkohet të jenë në shërbim të plotë të përfilljes së padiskutuar të normave juridike në aplikim.

Në anën tjetër, politikat dhe praktikat në fjalë, e kanë autorizimin që,në procedurë të caktuar, të veprojnë për modifikime, novelime, amendime (jo ”amandamentime”) të normave juridike në aplikim.

Pas novelimeve legale të miratuara në procedurë të kërkuar, juridike përkatësisht e drejta, prapë, i mbivëhet politikës dhe praktikave të saja.

Gjithsesi, politikat dhe praktikat shtetërore, përderisa normat juridike të caktuara janë në fuqi, të njëjtat, Nolens Volens, doemeos duhet (Ius Imperativum, Cogens) t’i përfillin. Aq më parë, parimet juridike ndërkombëtarisht të mirënjohura e valide, obligojnë për përfillje të padiskutuar nga të gjitha institucionet publike shtetërore e ndërshtetërore përkatësisht ndërkombëtare e veçanërisht nga titullarët respektivë sikundër nga cili do entitet natyral apo legal!

Ne Bis In Idem & Res Iudiciata

Në doktrinat juridike, në dimensionin historik, pozitiv, shtetëror e ndërshtetëror (ndërkombëtar), njihet, kultivohet dhe përgjithësisht përfillet parimi juridik valid “Res Iudiciata” përkatësisht “Ne Bis In Idem” referuar ndalimit të procedimit juridik të rastit juridik të trajtuar, proceduar dhe të përfunduar më parë!

Ky parim juridik është fundamental dhe në funksion të sigurisë juridike, të stabilitetit juridik, socio-ekonomik e posaçërisht politik dhe, si i tillë, në shtetet demokratike qe synojnë të jenë shtete të së drejtës ( jo “shtete juridike”) është i inkorporuar dhe i afirmuar në rendet juridike respektive. Inkorporimi i këtij parimi,varësisht nga rendet juridike të shteteve të ndryshme, praktikohet në postulate ose dispozita kushtetutare. Në vendin tonë, ky parim juridik i mirënjohur, përkitazi me çështjet penale, është normuar në dispozitën e nenit 34 të Kushtetutës, me të cilën është përjashtuar gjykimi më se njëherë për të njëjtin akt penal!

Ndalimi i Ramush Haradinajt në Francë, në kundërshtim flagrant me të drejtën ndërkombëtare madje edhe me të drejtën pozitive franceze!

Vite më parë, z Ramush Haradinaj, padrejtësisht, ishte i akuzuar për kinse kryerje të akteve penale të caktuara!

Konform me të drejtën aplikative, Tribunali për Krime Lufte në Hagë, z Ramush Haradinajn, me aktgjykime meritore, të njëjtin, duke konstatuar se ishte i akuzuar padrejtësisht, e ka liruar nga të gjitha alinetë e aktakuzave penale! Ndryshe, po ai institucion gjyqësor ndërkombëtar z Ramush Haradinaj-n, e ka shpallur dy herë (sic) të pafajshëm si të akuzuar pa bazë, pa të drejt! Rastet e tilla perkojnë me institutin juridik të mirënjohur Res Iudiciata, rast i gjykuar dhe i përmbyllur përkatësisht me “ Ne Bis In Idem” apo jo më tepër se një herë për raste juridike – penale të njëjta!

Së andejmi, organet e drejtësisë franceze,aq më parë,të një shtetit me traditë demokratike të afirmuar, së pakut, nga Revolucioni Borgjez Francez ( 1798) përkatësisht nga miratimi i Code Civile në fillimin e shekullit XIX-të, së pakut, është dashtë të dinë se,askush, pra, as z Ramush Haradinaj, nuk lejohet të procedohet juridikisht, në këtë rast penalisht, më së një herë!

Fletë arresti i shtetit serb, tendencioz, politik dhe hipotezë juridike diskutabile

Autoritetet franceze, është dashtë të dinë, nëse, eventualisht nuk e kanë ditë se, shteti serb, gjithnjë i motivuar nga apetite hegjemoniste, makijavelisht dhe pa skrupulla elementare, kurdoherë ka vepruar dhe aktualisht vepron kundër çështjes shqiptare, në përgjithësi e, veçanërisht kundër shtetit Kosovës, në veçanti! Në këtë kontekst, po ato dhe,autoritete ndërkombëtare si dhe të shteteve tjera, kurdoherë duhet të dinë, të mos harrojnë dhe të përkujtojnë seriozisht se, forcat militare e politire të shtetit serb, veçanërisht, gjatë periudhës 1998-9, edhe në Kosovë kanë kryer shumë krime lufte madje gjenocidiste kundër civilëve shqiptarë të të gjitha moshave e gjinive- Alas, sic!

Po ashtu, po ato autoritete është dashtë të dinë se, shteti serb, në saje të statusit anëtar në Eupol përkatësisht Interpol, ad hoc dhe për aq makijavelisht mund të lëshojë urdhër arrestim kundër cilit do person ( shqiptarë veçanërisht nga Kosova) në rastin konkret, edhe kundër z Ramush Haradinajt, aq më parë kur akti i tillë, apriori, është hipotezë juridike diskutabile që, fillimisht mund të apelohet vetëm në presumime (sic) dhe, tek në vijim, në argumente përkatëse. Mirëpo, gjatë periudhës së procedimeve preliminare, personi i “mbajtur” praktikisht i arrestuar, pashmangshëm pëson vuajtje morale e fizike të intensitetit të lartë e tok me to dëmtime morale e fizike të pamatura dhe virtuelisht të pakompensuara.

Rrjedhimisht, po që se kërkuesi i fletëarrestit, konkretisht, autoriteti përkatës i shteti serb, nuk e argumenton kërkesën në fjalë, personi përkatësisht pala e arrestuar lirohet! Megjithatë kërkuesi i fletë -ndalimit të atillë, edhe pse tërësisht arbitrar, arrin satisfikacionin e vetë të pandershëm nëpërmjet arrestimit të personit të caktuar, në rastin konkret,të personalitetit të shquar të Kosovës, z Ramush Haradinajt! Kërkuesi i fletë-ndalimit kur nuk e argumenton pretendimin e vet, çfarë edhe rasti konkret,i pandehuri do të lirohej! Inicuesi i procesit të tillë, virtuelisht dhe mjerisht, zakonisht mbetet i papërgjegjshëm juridikisht,pos,eventualisht, i përgjegjshëm për rimbursimin e dëmit të shkaktuar personit padrejtësisht të arrestuar.

Përkitazi me papërgjegjësinë morale të kërkuesit të arrestimit tendencioz, të motivuar politikisht dhe pa baza juridike, çfarë është rasti konkret, kur është në çështje shteti serb, të mos flitet- Sic!

Ndryshe, autoritetet serbe, gjatë ushtrimit të politikave hegjemoniste antishqiptare- veçanërisht antikosovare, kanë vepruar në mënyrën e sipërthënë, kanë keqshfrytëzuar okasionin e statusit të shtetit serb - anëtar në EUPol përkatësisht në Interpol ashtu që, kundër, jo pak personave përkatësisht personaliteteve shqiptare- kosovare, edhe në ato institucione ndërkombëtare, kanë depozituar kërkesa për arrestime të caktuara ndryshe juridikisht të paargumentuara e tërësisht të motivuara politikisht!

Memorandë

Ndryshe, Eupoli përkatësisht Interpoli e konkretisht autoritetet franceze, nder të tjera, Nolens Volens, do të duhej që, paraprakisht, jo t’i refuzonte, por, t’i flakte (rejections) kërkesat e autoriteteve të shtetit serb për ndalime përkatësisht për arrestime të qytetarëve kosovarë, së pakut, nga se, të njëjtat janë arbitrare dhe tendencioze, janë të karakterit makijavelist, kanë tendenca për degradime, denigrime, etiketime dhe fusnotime negative të qytetarëve përkatësisht personaliteteve shqiptare të caktuara posaçërisht nga Kosova, titullohen si të shtetit “jugosllav”, ndryshe, shtet inekzistent, shtet i disolucionuar më kohë dhe,shtet i panjohur aktualisht, ishin, janë dhe ngelën krejtësisht të paargumentuara, të motivuara nga politika serbe hegjemoniste dhe për aq antishqiptare!

Në këtë kontekst, vlen të apostrofohet dhe, autoriteteve ndërkombëtare në fjalë e veçanërisht atyre franceze konkretisht, se z Ramush Haradinaj, ish komandant i shquar i UÇK-së, posaçërisht gjatë periudhës 1998 – 9, ka zhvilluar luftë çlirimtare të drejtë dhe të afirmuar edhe nga e drejta ndërkombëtare publike pikërisht kundër forcave militare e politare të shtetit serb (të cilat, vetëm gjatë po asaj periudhe, në territorin e UÇK-së, në Kosovë, nder të tjera, kanë privuar nga jeta barbarisht rreth 13 ooo civilë shqiptarë të të gjitha moshave, kanë përdhunuar dhjetëra mia femra shqiptare,nder të cilat, jo pak të mitura, kanë plaçkitur e shkrumbuar mbi 150 000 ndertesa të destinimeve të ndryshme, disa mia civilë shqiptarë të masakruar i kanë hedhë në kanale masive dhe, mija të tillë, gjithnjë, nuk janë zbuluar, pasi që “autoritetet serbe nuk dijtkan së në të cilat hendeqe e gropa masive nëpër territorin e shtetit serb qenkan groposur”) Alas! Z. Ramush Haradinaj, së pakut, konform me parimet juridike ndërkombëtarisht valide dhe afirmative “Ne Bis In Idem“ & “Res Iudiciata”, nga autoritetet ndërkombëtare, çfarë është Interpol-i, Europoli e, veçanërisht nga ato të Francës së Revolucionit Borgjez të shek. XVIII-të dhe të Code Civile-s të shek. XIX-të, kurdoherë do të duhej ta nderonin e, kurrsesi, ta arrestonin për hire tekanjoze hegjemoniste serbe!  

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...