Pse penda e Gazivodës i takon Kosovës dhe jo Serbisë

6 Korrik 2015 - 14:06 - Esad Mehmeti      

E dimë fare mirë se Republika e Serbisë me çdo kusht po mundohet të marrë nën kontroll Liqenin e Gazivodës dhe objektet energjetike strategjike “Gazivoda”. Pse po ndodh kjo? Cilat janë motivet e këtij qëllimi?

Motivet janë të shumta, mirëpo qëllimi kryesor është, në njërën anë, përfitimi ekonomik tash, e në anën tjetër, vënia nën kontroll e politikës në Kosovë në të ardhmen. Siç dihet, Diga e Gazivodes ka një kapacitet të prodhimit energjetik prej 38 MegaWatt dhe një rrjedhje uji me 14 m3/s.

Me fjalë tjera, kjo digë ka kapacitet të madh për prodhimin energjetik dhe distribuimin e ujit në territorin e Kosovës. Këtu pikërisht qëndron faji i institucioneve të Kosovës, të cilat me neglizhencë e kanë harruar këtë pasuri të Kosovës.

Penda e Gazivodës, ku tani gjendet Liqeni i Ujmanit, është ndërtuar prej vitit 1973 deri në vitin 1978, nga kompania e ndërtimit “Hidroteknika” dhe është projektuar nga Kompania “EnergoProjekt” me seli në Beograd. Kjo digë është e veçantë pasi që realizimi i saj është bërë në kohën e ish-Jugosllavisë.
Pas shpalljes së pavarësisë së Republikës se Kosovës në vitin 2008, një pjesë e Liqenit të Ujmanit mbetet në territorin e Serbisë. Mirëpo, mbi një sipërfaqe prej 29 km2 të liqenit, vetëm 3 km2 janë në pjesën e Republikës së Serbisë.

Është me rëndësi të bëhet e qartë se Diga e Gazivodës i takon Kosovës, e jo Serbisë. Së pari, liqeni dhe penda (diga) janë në territorin e Republikës së Kosovës. E vërtetë që shumica e banorëve në fshatrat afër liqenit janë të komunitetit serb, por ky nuk është problemi pasi që edhe ata janë qytetarë të Republikës së Kosovës. Ne e dimë mirë se këta banorë janë viktimë e manipulimit politik të Beogradit me qytetarë serbë të Kosovës.

Së dyti, jo vetëm çështjet ekonomike janë të rëndësishme të negociohen me Serbinë për sa i përket çështjes së Gazivodës, por është shumë me rëndësi çështja e sigurisë së pendës. Dhe për këtë arsye, në këtë artikull duam t’ia bëjmë me dije publikut masën e rrezikut dhe problemin e sigurisë që ka kjo pendë.

Penda është e lartë 107.5 metra, ka një gjerësi themelore me 406 metra kurse gjerësia e koronës është 10 metra. Kuota e koronës është 694.5 metra mbi nivelin e detit. Pas simulimeve përmes programeve dhe modeleve matematikore, kemi arritur në rezultate katastrofike për fshatrat dhe vendbanimet që gjenden në luginën prej pendës deri në qytetin e Mitrovicës.

Gjithmonë në bazë të simulimeve, nëse penda e Gazivodës dëmtohet apo në rast shembjeje, niveli i ujit që arrin në Mitrovicë duhet të jetë deri në 20 metra i lartë. Kjo do të thotë se shtëpitë deri në katin e katërt do të mbusheshin me ujë. Për ndryshe, numri i viktimave dhe dëmet materiale që do t’i shkaktonte një katastrofë eventuale do të ishin të pallogaritshme.

Shtrohet pyetja si mund të shkatërrohet diga? Thjeshtë, mund të ndodhë një sulm terrorist apo një sulm raketor apo një tërmet i fuqishëm. Në këto raste duhet të ketë një projekt për të mundësuar shpëtimin e sa më të shpejtë dhe efikas të popullatës.

A e imagjinoni rastin e Digës së Vajontit? Në atë rast, më 9 tetor 1963, një pjesë e bjeshkës Toc ka ra mbi liqenin e Vajontit dhe ka krijuar një valë uji me lartësi 200 metra mbi penden. Numri i viktimave të shkaktuara nga katastrofa ka qenë 1917 persona, e dëmet materiale të pallogaritshme. Imagjinoni po që se penda të kishte qenë nën kontrollin e Jugosllavisë dhe problemi do të shkaktonte dëme në Itali?

Sipas të gjitha gjasave një luftë mes dy shteteve do të kishte ndodhur. Fatkeqësia e Vajontit ka ndodh për shkak të problemeve që italianët vet i kanë krijuar. Një fatkeqësi e tillë mund të përsëritet edhe në raste e vende tjera. Për këtë arsye, projektet e digave janë shumë të rrezikshme dhe duhet një mbikëqyrje shumë serioze.

Pse Serbia kërkon kontrollin e Gazivodës?
Pse Republika e Kosovës nuk bën asgjë për kontrollin dhe mbikëqyrjen e kësaj dige? Ne e dimë se prej vitit 1997 askush nuk merr informata për rrjetin e ujit të liqenit dhe kjo, me fjalë tjera, do të thotë se prej vitit 1997 e këndej askush nuk kujdeset për sigurinë e kësaj dige. Në vendet perëndimore kjo kurrë nuk do të mund të vinte në konsideratë. Sidoqoftë kjo digë ka nevojë urgjente për mbikëqyrje dhe rinovim në bazë të standardeve ndërkombëtare moderne.

Serbia e kërkon kontrollin e digës sepse, jo vetëm për dëmet ekonomike që do t’ia shkaktonte Kosovës, në rast të një menaxhimi të gabuar, por prej saj do të varej edhe siguria e popullatës, pa marrë parasysh se të cilës etni janë.
Çështja e digës së Gazivodës nuk është i vetmi problem në botë. Jo më larg se pak ditë më parë, trupat e Shtetit Islamik morën në kontroll Digën e Ramadisë në lumin Eufrat. Për një strategji ushtarake, që trupat e Shtetit Islamik të kalojnë lumin, kanë vendosur të mbyllin burimin e Digës dhe në një kohë shumë të shkurtë, nuk do të ketë ujë në lumin Eufrat dhe kështu do të ketë krizë humanitare nga se popullata nuk do të ketë ujë për pije.

Mirëpo kemi probleme edhe mes shteteve të ndryshme, si për shembull problemi për realizimin e një pende në Etiopi në lumin Nilo blu. Realizimi i “digës Rilindja e Etiopisë” (Grand Ethiopian Renaissance Dam Project) ka krijuar probleme ndërmjet Etiopisë, Sudanit dhe Egjiptit. Mirëpo në këtë rast lumi Nilo shkon në drejtim të Egjiptit dhe kjo mund të krijojë probleme ekonomike Egjiptit kurse në rastin e Gazivodës lumi Ibër vazhdon në drejtim të Mitrovicës.

Prandaj në rastin e Kosovës nuk nevojitet kurrfarë marrëveshjeje për Liqenin e Gazivodës, sepse në rast të ndonjë ndërprerjeje me qëllim të rrjedhës së ujit, lumi Ibër do të mbetej pa ujë. Kjo është një arsye tjetër pse Gazivoda i takon Kosovës, e jo Serbisë.

comments powered by Disqus

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...