18 Tetor 2015 - 08:00 - Veton Surroi
1.
“Ne nuk humbin asgjë!”.
Një fjali si kjo qe shqiptuar më 1989 dhe më 2015.
Në të dyja rastet shqiptuesit e këtyre fjalive ishin politikanë shqiptarë. Në të dyja rastet fjalia u përmend brenda një procesi ku duhej akomoduar disi kërkesat e Beogradit zyrtar për ndryshim të normave juridike të Kosovës në favor të akomodimit të interesave të Serbisë (në emër të akomodimit të interesave të serbëve të Kosovës).
Në të dyja rastet u arrit pika ku një pjesë e popullatës shqiptare vë në pyetje jo vetëm fjalinë me të cilën shpjegohen këto ndryshime (“mos u mërzitni, ne nuk humbim asgjë”), por tashmë edhe bazamentin politik të shqiptuesve: kanë apo jo të drejtë fare të vendosin për një gjë të tillë (për ç’gjë ne qytetarët e rëndomtë nuk duhet të mërzitemi, sepse nuk humbim gjë).
2.
Një amator i psikologjisë a dashamir i letërsisë menjëherë do të vërejë se prapa fjalisë “ne nuk humbim asgjë” mund të fshihet një mekanizëm mbrojtës prej një të vërtete të fshehur thellë tek shqiptuesi, se, megjithatë, ka çka humbet, por këtë nuk guxon ta shqiptojë.
Pastaj,një amator logjike do të parashtrojë pyetjen logjike që rrjedh prej një formulimi të këtillë: nëse ne nuk humbim asgjë, ndërkohë që merremi me ndryshime të normave tona juridike, pse duhet t’i bëjmë ato? Nëse nuk humbim asgjë, a fitojmë gjë?
Kjo pyetje nuk u bë më 1989. Nuk u lejua të bëhej pyetja. Kushdo që hapte debat a bënte pyetje konkrete, merrte përgjigje papagalli: “ne nuk humbim asgjë”. Kur dikush insistonte, rrezikonte të shpallej nacionalist, kundërshtar i sistemit, armik. Kur një shumicë njerëzish nuk ishte e bindur me përgjigjen se “nuk humbim asgjë” u ngre në protesta, demonstrata e minatorët e “Trepçës” u ngujuan në minierë për të marrë shpjegim më racional sesa “nuk humbim asgjë”. U shpall gjendja e jashtëzakonshme, minatorët u nxorën nga miniera me mashtrim, prijësit e tyre u futën në burg, Kuvendi i Kosovës u rrethua me autoblinda e brenda sallës së tij u futën edhe njerëz që nuk ishin deputetë ( mes të tjerash agjentë të Shërbimit sekret serb dhe një kolaboracionist shqiptar) dhe u votuan ndryshimet kushtetuese me të cilat “ne nuk do të humbnim gjë”.
Kriza e ndryshimeve me të cilat “nuk humbnim gjë” u shndërrua në një krizë më të madhe, të zhbërjes së Jugosllavisë, dhe për dhjetë vjet rresht Kosova kaloi nëpër një kalvar, përfshirë edhe luftën, derisa u vendos një sistem tjetër juridik në vend.
3.
Natyrisht, nuk ekziston një analogji sa i përket kontekstit të jashtëm të vitit 1989 dhe atij të vitit 2015; Kosova e lirë dhe e pavarur e vitit 2015 është fatmirësisht shumë larg asaj të sapopushtuar nga Serbia më 1989. Por, për këtë rrëfim më me rëndësi sesa konteksti i jashtëm është analogjia e një fenomeni që po përsëritet tashmë në vitin 2015.
Më 1989 po bëhej ndryshimi i dhunshëm i një konsensusi shoqëror. Konsensusi ishte i vendosur më 1974, me aprovimin e Kushtetutës së Kosovës, me të cilën Krahina e atëhershme Autonome brenda Jugosllavisë Socialiste merrte ingerenca të plota qeverisëse (brenda kufizimeve të sistemit socialist) dhe përjashtonte nga vendimmarrja Serbinë. Po të pyetej lirisht popullata e Kosovës,përfshirë liderët e saj komunistë, shumica do të preferonte një status tjetër,atë të Republikës, sikurse edhe republikat e tjera, por krerët e Jugosllavisë, që nga Tito e tutje, nuk pranonin një zgjedhje të këtillë. Kompromisi i gjetur, që Kosova të mos quhet Republikë, por që Serbia të mos ketë ingerenca qeverisëse mbi të, ishte formësuar në Kushtetutën e vitit 1974 dhe u shndërrua në themel të dyfishtë konsensusi. Në njërin, kompromisi ishte i kënaqshëm për shumicën e qytetarëve të Kosovës, dhe si i tillë krijoi një zhvillim të paprecedent të shoqërisë dhe institucioneve të veta. Në tjetrin, kompromisi ishte i kënaqshëm për relacionet brenda Federatës jugosllave.
Kompromisi, me konsensusin e ndërtuar shoqëror u mbajt derisa Serbia, udhëheqësit e së cilës qenë të pakënaqur me përjashtimin nga vendimmarrja në Kosovë që nga viti 1974, vendosi në formë të dhunshme ta suspendojë këtë konsensus në të dyja dimensionet e tij. Pra, suspendoi konsensusin e brendshëm në Kosovë, duke futur klauzola të marrjes së kompetencave për punët e brendshme të Kosovës. E suspendoi gjithashtu konsensusin e jashtëm, pra atë të marrëdhënieve brenda Jugosllavisë: në vend të tetë njësive federale, Jugosllavia e humbiste Kosovën (e pastaj edhe të tjerat që transformoheshin në Serbi të madhe).
Më 1989 ndodhi ajo që Jurgen Habermas, filozofi i madh gjerman, e cilësoi si “krizë të legjitimitetit”, në librin me të njëjtin titull , të botuar më 1973. Pra, më 1989 ndodhi momenti kur thyhet ajo që ai e quan “integrim shoqëror”, në të cilin ekziston një sistem i përbashkët besimesh, normash dhe vlerash. Dhe, së bashku me atë thyerje, bëhet edhe thyerja e “integrimit sistemor”, pra të thyerjes së strukturave shoqërore, gjegjësisht mundësisë së tyre për të zgjidhur problemet që e rrezikojnë ekzistencën e shoqërisë.
Përkthyer në ngjarjet e vitit 1989, teoria e Habermasit do të thotë se u sulmua Kushtetuta e vitit 1974 si një sistem i përbashkët vlerash e normash dhe u krijua një thyerje në normat e vetme juridike që deri atëherë garantonin zgjidhje të problemeve esenciale të shoqërisë.
Nga kjo krizë legjitimiteti, dhjetë vjetët e ardhshëm do të jenë ekzistencialisht të rëndë, deri në vendosjen e bazave të një, të përdorim fjalorin e Habermasit, ekuilibri të ri të integrimit sistemor dhe shoqëror.
4.
Ekuilibri i ri i Kosovës nuk ishte i lehtë, dhe sikur më 1974, nuk ishte optimal, por një kompromis. Ekuilibri i ri i Kosovës nuk ishte produkt i pyetjes së drejtpërdrejtë se çka do shumica e qytetarëve të saj. Po të ishte shtruar kështu, shumica e qytetarëve të Kosovës do të votonin për një shtet të pavarur pa kufizime të brendshme e ndërkombëtare, e një numër i konsiderueshëm sish madje do të shprehej në favor të bashkimit me Shqipërinë.
Por, ekuilibri i ri i Kosovës, në formën e Republikës së pavarur, u arrit fillimisht duke bërë kompromise që në Rambouillet, në mënyrë që të çlirohej vendi me ndërhyrje të NATO-s. Pastaj, pas disa vjetësh nën administrim ndërkombëtar, ekuilibri i ri mori formën e Pakos së Ahtisaarit, të formuluar më pastaj si pjesë të Kushtetutës së Kosovës.
Ekuilibri i ri përpiqej që të mbante ushtrimin e kompetencave sovrane të shumicës në Kosovë duke u përpjekur që pakicave, e në radhë të parë asaj serbe , t’i krijonte një ambient diskriminimi pozitiv që do t’i jepte edhe mbrojtje juridike e edhe ndjenjën e përkatësisë dhe integrimit. Masat e diskriminimit pozitiv shkonin më larg se cilido shtet tjetër evropian dhe arrinin në kufijtë e funksionalitetit shtetëror.
Në historinë e shkurtër disavjeçare të këtij ekuilibri u arrit që në masë të madhe të krijohej një konsensus shoqëror rreth tij, duke integruar në këtë konsensus madje edhe kundërshtarët e shprehur nga ana shqiptare (sikurse Lëvizja Vetëvendosje) apo nga ana serbe (komunat serbe në jug të lumit Ibër).
Nuk u arrit, megjithatë, që pjesë e këtij ekuilibri të jetë Serbia (duke e njohur realitetin e ri të Kosovës së pavarur), andaj me mjete të jashtme (përkrahje të Rusisë, shantazh në OKB, përkrahje të pesë vendeve anëtare të BE-së) arriti që në proces negociator, të pranuar nga pala kosovare, të fusë zgjidhje juridike që do të duhej të krijonin një autonomi territoriale serbe në Kosovë.
Këto zgjidhje juridike e ndryshojnë natyrën e deritanishme të ekuilibrit, pra e fusin Kosovën e prodhuar nga Pakoja e Ahtisaarit në një krizë legjitimiteti.
Përgjigjja e pushtetit kosovar se me Marrëveshje të Brukselit “nuk humbim asgjë” ka aq vlerë sa kishte edhe më 1989. Pyetja e shtruar më 1989 vlen edhe sot: nëse nuk “humbim asgjë”, çka është ajo që fitojmë dhe si është e mundur që të marrësh pjesë në një proces negociator të ndërtuar mbi parimet e kompromisit e të dalësh vetëm fitues? Për më tepër, kur kompromisi i ri do të thotë mbindërtim mbi kompromisin e vjetër, atij rreth të cilin mezi u krijua një konsensus shoqëror?
5.
Natyrisht, nëse dikush dyshon se “nuk humbim gjë”, do të thonë propozuesit e ekuilibrit të ri (ndryshimeve kushtetuese më 1989, Marrëveshjes së Brukselit më 2015), aty janë institucionet që do të mbrojnë interesat e qytetarëve. Ja , aty është Kuvendi. Ose, ja aty do të jetë Gjykata Kushtetuese.
Por, nëse ndjekim me kujdes Habermasin, shpjegimi i tij është se ndodhin dy fenomene në të njëjtën kohë. Nga njëra anë, humbet pika e bashkimit të vlerave të përbashkëta, e konsensusit shoqëror (Kushtetuta e vitit 1974, Pakoja e Ahtisaarit) e nga ana tjetër institucionet, në këtë ambient të humbjes së konsensusit, tregohen të pamjaftueshme për të trajtuar sfidat e shpërfaqura.
Më 1989, qytetarët e Kosovës në shumicë nuk iu besuan institucioneve, demonstruan, u rrahën dhe u burgosën e në fund ato institucione bënë ndryshimet me të cilat “nuk humbnim gjë”.
Më 2015, opozita në Kosovë po përdor metoda jashtëparlamentare, sepse nuk beson që institucionet kanë kapacitet për të rezistuar ndryshimet me të cilat “nuk humbim gjë”.
Por, a është e mundur që të zgjohemi një ditë dhe të përcaktojmë se që nga ai moment jemi në një krizë legjitimiteti, se prej atij momenti është prishur konsensusi shoqëror?
Përgjigjja është jo, meqë kemi të bëjmë me fenomene, me procese. Jo, Kosova nuk është zgjuar më 25 gusht të vitit 2015 dhe ka konstatuar se ka krizë legjitimiteti, sepse në këtë ditë kryeministri i Kosovës dhe ai i Serbisë nënshkruan bashkë formimin e autonomisë serbe në Kosovë.
6.
Kriza e legjitimitetit në Kosovë mund të identifikohet me disa episode; e të ndalemi vetëm te ato pas Shpalljes së Pavarësisë (dhe lista e tyre mund të jetë gjithsesi më e gjatë sesa kjo që paraqitet më poshtë).
Për shembull, momenti kur ambasadorët perëndimorë regjistrojnë se në Kosovë ka “vjedhje industriale të votave” , më 2010, dhe kur, njëkohësisht kërkojnë që sa më shpejt të formohet një qeveri e dalë nga kjo vjedhje industriale e votave, në masë të madhe e PDK-së, në mënyrë që të fillojnë negociatat me Serbinë, të quajtura “dialog”, emër i butë për të dyja palët.
Apo, për shembull, momenti kur PDK-ja , pas zgjedhjeve të 8 qershorit të vitit 2015, përcakton se Qeveria mund të formohet vetëm nëse ajo është pjesë e saj, dhe këtij verdikti, pas gjashtë muajsh bllokimi parlamentar, duhet t’i nënshtrohen Gjykata Kushtetuese dhe spektri politik?
Apo, kur i dënuari me burg Sami Lushtaku, njëri prej liderëve të PDK-së, vendos se e ka më mirë të mbajë takimet e biznesit në kafene të QKUK-së sesa në qeli të burgut, duke ilustruar në masë të madhe sistemin e sundimit të ligjit në Kosovë, prej Shërbimit Korrektues deri te Gjykata Kushtetuese?
Dhe, krejt këto mund të jenë ilustrime që dikush mund t’i quajë të njëanshme (me paragjykim ndaj PDK-së) krahasuar me ditën kur Kuvendi i Kosovës, me dy të tretat e votave miratoi formimin e Gjykatës Speciale bazuar në Raportin fillestar (“Marty”) të Këshillit të Evropës, të cilin e konfirmoi prokurori i veçantë Williamson pas tre vjetësh pune. Miratimi i formimit të Gjykatës Speciale nga Kuvendi i Kosovës ishte miratim i rekomandimeve të prokurorit të veçantë Williamson, bazuar në gjetjet e tij. Gjetjet e tij ishin se raporti i Martyt është i bazuar,në masë të madhe, në fakte të dëshmueshme në gjyq. E raporti i Martyt përshkruan një grup të organizuar politik-kriminal, i cili pos përndjekjes së minoriteteve dhe kundërshtarëve politikë (me vrasje, tortura, etj.) është përgjegjës për kapjen e shtetit. Në krye të këtij grupi, sipas Martyt, konfirmuar nga Williamsoni, është kryetari i PDK-së, aktualisht ministër i Jashtëm, e në këtë grup janë disa nga figurat kyç të PDK-së në Parlamentin e Kosovës.
Institucionet e një shteti, që akuzohen se janë të kapura nga një grup kriminal-politik, qartazi kanë problem elementar me legjitimitetin e një demokracie, madje edhe me legjitimitetin e një jodemokracie. Krahasuar me Kuvendin e Kosovës sot, Kuvendi i Kosovës i cili shpalli Deklaratën e Mëvetësisë më 2 korrik të vitit 1990, qartazi nuk ishte produkt i zgjedhjeve demokratike, por kishte legjitimitetin e shumicës. Kishte nivelin e besueshmërisë, elementin kyç që nuk e ka Kuvendi i Kosovës sot.
Për më tepër, kur me votë të vet ka pranuar konstatimin se sistemi politik i Kosovës është produkt, mes të tjerash, i përndjekjes së minoriteteve, kundërshtarëve politikë shqiptarë dhe i kapjes së shtetit. Këto janë konstatime të cilat i ka pranuar Kuvendi i Kosovës duke krijuar një gjykatë, e cila nuk do të përcaktojë se a ka pasur këso krimesh dhe kapje shteti, por a janë fajtorë të apostrofuarit e raportit Marty, gjegjësisht të akuzuarit që mund t’i nxjerrë si listë Prokuroria.
7.
“Nënsistemi politik i botës sociale ka nevojë për një input lojaliteti masiv, në mënyrë që të prodhojë një output që konsiston në vendime administrative legjitime që janë të ekzekutuara nga shteti”, thotë Habermasi në librin e tij “Kriza e legjitimitetit”. Me fjalë të tjera, vendimet e Kuvendit dhe të Qeverisë së Kosovës rreth Autonomisë serbe kanë nevojë për një lojalitet të plotë të qytetarëve të Kosovës, në mënyrë që të bëhen ekzekutive. Do të thotë, kanë nevojë për konsensus.
Në vend të konsensusit, elitat mund të provojnë truqe dhe dhiare.
Më 1989, me gjithë dhunën dhe represionin, në sallën e Kuvendit të Kosovës, për çdo eventualitet, u futën edhe agjentët e Shërbimit të sigurimit dhe një kolaboracionist shqiptar, që nuk ishte deputet, për të siguruar votat e mjaftueshme për ndryshime.
Më 2015, bëhet përpjekja që me truqe juridike (“Marrëveshja e 25 gushtit derivohet nga Ligji i mëparmë i ratifikimit të Marrëveshjes së parë) të anashkalohet edhe formalisht Kuvendi i Kosovës.
Mungesa e lojalitetit për vendimet e vitit 1989 qartazi i humbi jo vetëm vendimet, por transformimi do të vijë nëpërmjet institucioneve.
Mungesa e lojalitetit për vendimet e vitit 2015 e ka sjellë Kosovën në pikën ku pushteti dhe opozita po e zhvlerësojnë, për arsyet e veta, transformimin nëpërmjet institucioneve. Pushteti po e bën këtë duke shpërfillur nevojën që të krijojë konsensus (“lojalitet”) ndaj Marrëveshjes së 25 gushtit brenda Kuvendit të Kosovës, e shpërfilljen po e bën duke mos pranuar potencialin ndërhyrës kushtetues që ka Marrëveshja. Opozita po e bën këtë duke e bllokuar Kuvendin e Kosovës në vendimmarrje, derisa gjendja të mos kthehet në status-quo ante, pra në gjendjen para 25 gushtit të këtij viti.
Kjo është rrugë e sigurt drejt krizës së legjitimitetit të sistemit parlamentar ndër ne. Dhe në këtë rrugë është evident konkluzioni se hapat e ardhshëm, pas delegjitimimit parlamentar, janë rruga.
8.
Para se të përdorej në kontekstin e shkencave shoqërore, shkruan filozofi Habermas në librin e tij tashmë të cituar, fjala krizë identifikohej në mjekësi si “faza e sëmundjes në të cilën vendoset se a janë të mjaftueshme për rimëkëmbje fuqitë vetëshëruese të organizmit”.
Ka shumë gjasa që ky përshkrim të jetë afër të përshkruarit se ku gjendet kriza politike në Kosovë sot. Pra, është në fazën ku përcaktohet a është konfrontimi pushtet-opozitë një episod kalimtar, i cili disi do të tejkalohet dhe të vijë në vend të vetin.
Apo, do të ketë nevojë për një ndërhyrje të jashtme -mjeku, infuzione, kirurgjia- që në jetën politike të Kosovës rëndom janë diplomatët e huaj, që me joshje a kërcënime do të tejkalojnë këtë situatë.
Gjasat janë që do të jetë vështirë që të ndodhë njëra apo tjetra. Nuk mund të imagjinohet lehtë gjendja ku qoftë pushteti apo opozita u nënshtrohen kërkesave të njëri-tjetrit, dhe gjërat të vazhdojnë siç ishin.
Nuk imagjinohet lehtë, gjithashtu se si diplomatët e huaj do të krijojnë një rrethanë bashkëpunimi me magjinë e joshjeve dhe të kërcënimeve. Nga llumi i jetës politike kosovare nuk ka dalë i papërlyer as legjitimiteti i diplomatëve perëndimorë: në vend të imazheve të engjëjve që vinin për ta shpëtuar Kosovën nga gjenocidi, janë krijuar imazhe djajsh që nxjerrin emra presidentësh nga zarfet dhe që në fund të mandatit punësohen në firmat, të cilave ua kanë siguruar tenderët gjatë mandatit diplomatik në vend.
Thellësia e krizës së legjitimitetit është shumë më e rëndë seç mund ta tejkalojë një hekurosje e lehtë diplomatike. Për më tepër, edhe po të merreshin , me një mrekulli, sot pushteti e opozita, kjo do ta tejkalonte krizën politike, por jo edhe atë të legjitimitetit. Jo atë të “lojalitetit të nevojshëm”.
Po të përdorim analogjinë mjekësore të Habermasit, Kosova nuk ka fuqi vetëshëruese. Nuk mund të kthehet aty ku ishte para së të shpërthente në sipërfaqe ajo që zihej për një kohë të gjatë, kriza e legjitimitetit.
9.
Ajo që mund të thuhet me siguri janë dy gjëra. Kosova do të mbërrijë një pikë të re konsensusi. Në këtë pikë do të arrihet të sigurohet “lojaliteti i shumicës”. Kjo pikë e re konsensusi do të mbërrihet pasi të kenë marrë pjesë në hartimin e tij (në “tryezë të rrumbullakët”) aktorët politikë të konfrontuar sot.
Ajo që mund të thuhet po ashtu me siguri janë dy gjëra të tjera. Nuk dimë sot se çfarë do të jetë ajo pikë e re konsensusi. Dhe, nuk dimë sot se kur do të ndodhë kjo: pas sa javësh, muajsh, madje në rastin ekstrem, vitesh.
Ah, po , edhe një gjë e dimë. Përpjekjet që të imponohen ndryshimet me “nuk humbin gjë” janë të parapërcaktuara për ta futur Kosovën në një cikël të ri kërkimi konsensusi. Ai i fundit filloi më 1989 dhe na u ripërsërit më 2015.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...