Manovra në shishe

6 Maj 2014 - 10:53 - Veton Surroi      

Pse janë mashtrim iniciativat për ulëset e minoriteteve në Kuvend dhe të ndërrimit të emrit të FSK-së

1.
Ky pushtet po largohet dhe si çdo pushtet i kësaj natyre (të kontrollit jodemokratik të shtetit) po largohet me gjëmë.

Gjatë javës së shkuar me presion të theksuar ndërkombëtar e me iniciativën e detyruar dhe formale të këtij pushteti, Kuvendi i Kosovës miratoi masat e jashtëzakonshme ndaj sistemit të deritanishëm të drejtësisë dhe hapi rrugë që të vendoset një sistem shtesë i ndjekjes penale të banorëve të Kosovës, shumica sish të dyshuar si kriminelë dhe njëkohësisht udhëheqës të partisë së deritanishme në pushtet.

Për këtë javë ky pushtet në largim po paralajmëron kombinimin e dy iniciativave të reja e të shpejta legjislative.

Në njërën do të propozohej që pjesëtarëve të komuniteteve pakicë në Kuvend t’u sigurohej edhe një mandat shtesë i kombinimit të ulëseve të garantuara dhe atyre të rezervuara.

Në tjetrën, gjoja si kundërshpërblim që do ta bënin deputetët e tanishëm të komuniteteve pakicë, do të miratohej formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës (FAK).

2.
Këto ekspres-ndryshime të Kushtetutës, thonë spin-doktorët e pushtetit, ose do të miratohen nga Kuvendi, ose do të imponohen pastaj në negociata në Bruksel.

Në fakt, asnjë nga këto nuk janë të vërteta. Kuvendi i Kosovës s’ka pse të miratojë asnjë ndryshim të këtillë kushtetues, e Kosova nuk ka pse të negociojë çështjen e ulëseve të rezervuara në Bruksel apo kund tjetër.

Të shkojmë radhazi.

Ulëset e garantuara/rezervuara qenë objekt trajtimi në procesin negociator të Vjenës. Si kryesues i Grupit për çështje të komuniteteve joshumicë, kam negociuar drejtpërsëdrejti me presidentin Ahtisaari dhe me zëvendësin e tij Rohan këtë çështje. Kam kërkuar (dhe për këtë kam pasur përkrahjen e anëtarëve të tjerë të delegacionit të Kosovës) që të bëhet përcaktimi i njërës apo zgjidhjes tjetër, ose që të bëhet përcaktimi (ashtu siç është sot në Kushtetutën e Republikës së Kosovës) që komunitetet pakicë të kenë 20 vende të garantuara.

Shpjegimi im ka qenë që komunitetet, me këto vende edhe ashtu fitojnë tej përfaqësimit të tyre demografik dhe janë brenda konceptit të “diskriminimit pozitiv”, të cilin po e adopton shteti i ardhshëm demokratik i Kosovës. Por, që këtyre 20 vendeve t’u shtohen edhe ato të rezervuara, d.m.th. të fituara si shtesë votash, është një diskriminim “jopozitiv” që i bëhet popullit shumicë, d.m.th. shqiptarëve.
Shpjegimi i ekipit të zotit Ahtisaari u mbështet mbi “të drejtat e arritura”, d.m.th. një koktej vendesh të rezervuara/garantuara ua kishin siguruar hartuesit e Kornizës Kushtetuese, dhe kjo gjë nuk mund të kthehej prapa.

Pas një sërë raundesh negociatore arritëm kompromisin që modeli i vjetër i Kornizës Kushtetuese të vlejë për dy palë zgjedhje, dhe pastaj të kalohet në modelin e pastër të vendeve të garantuara, pra 20 sosh.

Kështu është sot në Kushtetutë, të cilën e aprovoi Kuvendi i Kosovës, përfshirë edhe anëtarët e komunitetit pakicë. Dhe si të këtillë e bekuan sponsorët e pavarësisë së Kosovës, të përfaqësuar nga ICO-ja.


3.
Për ta ndërruar Kushtetutën në këtë segment nevojiten tri gjëra: shpjegimi racional (pse-ja), vullneti politik, dhe në fund, dy të tretat e deputetëve të Kuvendit dhe njëkohësisht dy të tretat e deputetëve të komuniteteve pakicë.

Shpjegimi racional deri më tani është përmbledhur në fjalinë: “vendet e rezervuara do të ndihmojnë integrimin e komuniteteve pakicë në Kosovë”.

Mua nuk më duket shpjegim racional. Nuk shoh pse 30 deputetë të pakicave do të ndikojnë në integrimin e pakicave në institucionet e Kosovës se sa 20 deputetë të pakicave.

Pra, nuk shoh se si vullneti integrues i pakicave mund të kuantifikohet me numra deputetësh.

Përkundrazi, shoh se si pjesëtarët e komunitetit shumicë, duke e përfshirë edhe veten, këtë manovër për më shumë ulëse do ta shihnin si diskriminim të shumicës, e diskriminimi i shumicës kurrë nuk i ndihmon integrimit të pakicave.

Pra, nëse mungon shpjegimi racional vështirë është të gjendet vullneti autentik politik, dhe kjo është evidente te së paku dy subjekte opozitare në Kuvend (LDK dhe VV).

Në mungesë të vullnetit politik mund të hyjë presioni, a kërcënimi, kategoria “vullnetarisht me zor”, siç qe votimi për Gjykatën Speciale.

Por, as këtu nuk shoh ndonjë presion ndërkombëtar: për dallim prej Gjykatës Speciale, nuk ekziston as edhe një institucion ndërkombëtar (si puna e Asamblesë së Këshillit të Evropës) që të ketë miratuar ndonjë rezolutë për vendet e rezervuara të pakicave të Kuvendin e Kosovës. Përkundrazi, zgjidhjet për minoritetet në Kosovë çmohen si të nivelit më të lartë mu aty, pra mu në Këshillin e Evropës.

Atëherë presioni na qenka i shpikur prej pushtetit në largim.

Këtë presion artificial po e krijon gjoja me nevojën që komunitetet pakicë të votojnë për ndryshimet kushtetuese që Kosovën e bëjnë me ushtri.

4.
Dhe këtu është mashtrimi i radhës, me ushtrinë.
Edhe këtu po shkojmë me radhë.
Në fakt, Kosova e ka ushtrinë e vet ç’prej miratimit të Kushtetutës së Kosovës. FSK-ja është në përshkrim kushtetues si Forcë e Sigurisë, ashtu siç është Forca Vetëmbrojtëse e Japonisë (kështu quhet ushtria e tyre) apo Forca Mbrojtëse e Izraelit (kështu quhet njëra prej ushtrive më bashkëkohore në botë).

Gjatë procesit negociator në Vjenë e kam biseduar personalisht (me siguri e kanë biseduar edhe të tjerët) këtë çështje me ndërmjetësit. Jo rastësisht e kanë propozuar ndërmjetësit një emër sikur atë të Japonisë dhe Izraelit. Emri, për arsye historike në Japoni e Izrael, e për arsye pragmatike në rastin e Kosovës (Paketa e Ahtisaarit duhej të kalonte në Këshill të Sigurimit të OKB-së, ku Rusia do të ndihej e ofenduar me emrin “Ushtria e Kosovës”), përdor fjalët “forcë” dhe “mbrojtje”, apo në rastin e Kosovës, “siguri”.

Spin-doktorët e pushtetit në largim duan që në ditët e fundit të tyre t’i japin edhe një institucioni një emër. Ashtu sikur aeroporti u quajt Adem Jashari, autostrada Ibrahim Rugova, biblioteka Pjetër Bogdani ashtu edhe FSK-ja duhet të quhet ushtri, d.m.th. FAK.

Edhe përzgjedhja e emrit të ri e bën si pjesë të lojërave politike. Ashtu siç nuk u quajt aeroporti i Prishtinës me emrin Ibrahim Rugova (në analogji me Charles de Gaulle në Paris apo Ronald Reagan në Washington) ashtu edhe emri i ri nuk mund të ishte FARK, Forcat e Armatosura të Republikës së Kosovës, pra të një formacioni që para 15 vjetësh identifikohej me LDK-në dhe Rugovën, ata që pushteti në largim i trajtonte si kundërshtarë historikë e të tanishëm.

5.
Por edhe debati për emrin është artificial: FAK apo FARK nuk e bën ushtrinë.
Në fakt, cilido emër do të ishte i gabueshëm, sepse koncepti i Forcave të Armatosura në çdo doktrinë të mbrojtjes është tërësia e njësiteve që mund të dalin në mbrojtje të atdheut. Pra FAK apo FARK domosdoshmërisht do të përfshinte edhe policinë, AKI-në e po të ekzistonte edhe mbrojtjen territoriale.

FSK-ja është që sot ushtri, me prerogativa kushtetuese dhe atë nuk e bën më tepër ushtri emri.

E bëjnë tri gjëra që nuk kanë kurrfarë lidhjeje me Kushtetutën e Kosovës.
Një, në rast të begatimit të FSK-së me detyra të reja operacionale (dhe armatim shtesë) aty është ligji përkatës, i cili mund të ndryshohet pa e prekur Kushtetutën.
Dy, FSK-ja bëhet më shumë ushtri atëherë kur Kosova bëhet më shumë shtet, e kjo do të thotë edhe kur të ketë më shumë para për të ndarë për mbrojtje.

Dhe tre, FSK-ja bëhet më shumë ushtri atëherë kur të funksionojë brenda një sistemi të sigurisë kolektive. Për Kosovën ky sistem është NATO-ja dhe pengesat për integrim në të janë tani për tani më shumë politike se sa kapaciteti operacional i FSK-së. FSK-ja që sot mund të marrë pjesë, nga aspekti i prerogativave të veta kushtetuese dhe nga aspekti i përgatitjes operacionale, në misione të NATO-s; pengesat janë tjetërkund dhe ato nuk i zgjidh as FAK-u, as FARK-u.

6.
Pushteti në largim i sheh Kushtetutën dhe ligjet si pjesë të artefakteve për lojën e tyre të specializuar, guxhas.

Edhe manovrat rreth ulëseve të minoriteteve dhe FSK-së janë të së njëjtës natyrë.
Por, tashmë bëhen në shishe, në atë shishe ku e ktheu veten me votimin për Gjykatën Speciale.

Në atë shishe që tash e shohin të gjithë.

© KOHA.net 

comments powered by Disqus
Veton Surroi
Veton Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...