13 Nëntor 2016 - 19:35 - Veton Surroi
1.
Mëngjesin e nëntë nëntorit të vitit 2016 Donald Trumpi i fitoi zgjedhjet presidenciale në Amerikë, disa orë pasi kishte shpallur në stilin e Brexitit se "kjo do të jetë dita e pavarësisë sonë"; përfaqësuesja e BE-së në Kosovë ia dorëzoi kryeministrit Isa Mustafa versionin 2016 të Raportit të Progresit të BE-së për Kosovën, ndërsa ministrja e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, shikonte në kalendar ditën historike të 15 nëntorit, kur qytetarët e Kosovës do të duhej të qarkullonin lirshëm në Serbi, duke i mbuluar me letër ngjitëse një pjesë të targave të veturave të tyre. Mëngjesin e asaj dite kishte përfunduar nata e parë e Astrit Deharit në varr.
2.
Nëse presidenti Donald Trumpi është i njëjtë me kandidatin Donald Trump, atëherë e tërë bota, dhe jo vetëm Amerika, ka arsye të frikësohet. Credoja e manifestuar politike e kandidatit Trump shkon ndesh me shumë parime të demokracisë liberale. Ai ka manifestuar nivel urrejtjeje-shpërfilljeje a mostolerance (sido të vlerësohet) ndaj meksikanëve, myslimanëve, zezakëve, imigrantëve, grave dhe çfarëdo grupi që nuk u përket meshkujve të bardhë e të krishterë - që edhe në Ballkanin jo shumë të sofistikuar do të konsideroheshin si të skajshme.
Ky është një problem i përgjithshëm për demokracinë në botë dhe për shqiptarët në tërësi, sepse në Evropë sot janë në veprim sinkron lëvizjet dhe ideologjitë jodemokratike dhe antidemokratike. Hapësirën e shoqërive shqiptare e sulmon sot veprimi i Rusisë së Putinit, autoritarizmi i Erdoganit, islamizmi politik, që vjen nga Lindja e Mesme dhe joshjet e demokracisë "joliberale", prej Hungarisë, Serbisë e deri te Maqedonia.
Tash kemi një frikë të mungesës së mbështetjes: një Amerikë, e udhëhequr nga një president që nuk ka besim te vlerat e demokracisë liberale, i frikëson shumë shtete e popuj, dhe në veçanti i frikëson shqiptarët në Evropë, për shkak të lidhjes së veçantë, pothuajse ekzistenciale me Amerikën.
3.
Por, a është kështu? A është e mundur që një kandidat, i cili sikur Trumpi, tregoi mungesë njohurish të demokracisë liberale a besimi në të, njëherë i bërë president, të bëhet faktor dëmi për demokracinë e një populli të vogël, të humbur në Evropë, siç janë shqiptarët?
Ta marrim Obaman si kundërargument. Presidenti i deritanishëm amerikan, Barak Obama, është shembulli i arritjes së demokracisë liberale: një intelektual i artikuluar, politikan i përkushtuar për ta bashkuar kombin e botën, besimtar në instrumentet e demokracisë, avancues i çështjeve të minoriteteve gjinore, seksuale e racore e njeriu që stabilizoi ekonominë amerikane gjatë krizës më të madhe financiare botërore pas asaj të viteve njëzet të shekullit të kaluar dhe e solli papunësinë në vend nën pesë për qind. Madje, presidenti i parë zezak.
Ka shumë gjasa të jetë ndër presidentët më të mirë amerikanë të njëqind vjetëve të fundit, por a është ndier kjo në Kosovë?
Në fakt jo. Paradoksalisht ka ndodhur e kundërta. Gjatë tetë vjetëve të qeverisjes së Barak Obamas, presidentit më të spikatur liberal amerikan pas Luftës së Dytë Botërore, Kosova ka shkuar në drejtim tjetër, në drejtim të shtetit të kapur. Ndërsa Amerika zbulonte liritë kreative me mundësinë që ta kishte një zezak për president, Kosova zbulonte se si zaptohej nga një elitë e kriminalizuar.
4.
Si është e mundur që një mendje e ndritur sikur ajo e Obamas të mos manifestohet në përditshmërinë kosovare? Si është e mundur që sa më i mirë të jetë presidenti amerikan, aq më e keqe të jetë qeverisja në Kosovë?
Arsyeja është e thjeshtë: nuk ekziston një lidhje kërthize. Kapja e shtetit në Kosovë nuk u bë me dëshirën e presidentit Obama, por si produkt anësor i një vendimi strategjik të tij, që Kosova, si pjesë e Evropës, të mos jetë në krye të prioriteteve të politikës së tij të jashtme. Vendimi i tij strategjik përjashtoi nga vëmendja Kosovën, pastaj për më keq Ukrainën, më vonë Sirinë dhe çfarëdo konflikti në të cilin do të kërkohej lidershipi amerikan. Prioriteti i politikës së jashtme amerikane, ashtu siç besoi Obama, ishte forcimi i rolit amerikan në një hapësirë të tregtisë së lirë me Paqësorin dhe me Bashkimin Evropian.
Nga kjo perspektivë një pushtet kosovar që garanton një qetësi bazike në vend dhe pajtim me iniciativën e Brukselit për dialog me Serbinë është brenda radarit të nivelit të interesit amerikan. Kur kësaj i shtohen edhe dy kontrata për autostrada dhënë një konsorciumi amerikano-turk, atëherë çdo gjë tjetër duket dytësore.
Çështjet bazike të demokracisë liberale që janë pjesë e besimit të Obamas - sikur sundimi i ligjit, transparenca, ndarja e pushteteve, respekti për votën e lirë- qenë çështje dytësore. Obama mund të mbante fjalime brilante për demokracinë, por për përfaqësuesit amerikanë në Kosovë nuk qe shumë me rëndësi fakti që sot e kësaj dite janë të fshehura prej publikut kontratat për autostrada, që për nga vëllimi i shpenzimit të parasë janë lehtë të vlerësueshme si thellë të korruptuara.
Andaj, frika themelore e shqiptarëve nuk duhet të adresohet te besimet individuale të kandidatit Trump, nesër presidentit Trump. Frika themelore duhet të adresohet te vendimet strategjike të administratës së tij. Dhe po aq me rëndësi, dobësisë së shtetit të kapur kosovar për t'u marrë me ato vendime.
(Nesër: Si rreshtohen yjtë amerikanë dhe evropianë?)
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...