16 Nëntor 2016 - 08:35 - Veton Surroi
1.
Nëse është i vështirë parashikimi për politikën e jashtme të presidentit të ri amerikan, Trump, dhe pasojat që ka kjo në relacionet me BE-në, NATO-n, sigurinë e rrezikuar të Evropës nga Rusia - për t'i përmendur vetëm disa dhe nëse është i vështirë parashikimi se kah shkon BE-ja nëse merr hov nacionalizmi izolues, sikundër me Brexitin edhe në vendet e tjera evropiane, nuk është fare i vështirë parashikimi se si do të zhvillohet politika zyrtare e Kosovës.
Arsyeja e lehtësisë së parashikimit është se politika zyrtare e Kosovës tashmë ka marrë kontura të kontinuitetit, pra vula e pushtetit të karakterizuar me Hashim Thaçin është tashmë pjesë e mënyrës së vendimmarrjes në Kosovë.
2.
Herë me më shumë e herë me më pak primitivizëm të manifestuar, politika shtetërore e Kosovës kuptohet me këta përcaktues:
Një, natyra e pushtetit është, në terminologjinë e shkencave politike, ekstraktive, nxjerrëse. Pra, në masë të madhe shërben për të akomoduar interesat e strukturave në pushtet, të anëtarëve të partive në pushtet dhe familjarëve të tyre. Ilustrim i mjaftueshëm është numri i ministrive në Qeveri, i cili është më i madhi në regjion dhe me shpenzime dukshëm më të mëdha, ndonëse bëhet fjalë për vendin më të varfër në të. Ilustrim tjetër: ndarja e posteve në bordet e ndërmarrjeve publike. Partitë në pushtet e konsiderojnë aq të natyrshme që të marrin hisetë e tyre feudale aty ku duhet të mbrohet interesi publik saqë duhej ndërhyrja e jashtme, në formën e Ambasadës Britanike, që të përpiqet të vendosë një proces të jashtëm për të ndërprerë emërtimet partiake. Dhe ilustrimi i fundit: para çdo cikli zgjedhor Qeveria ka vendosur për rritje pagash në sektorin publik, në dëm të sektorit privat dhe kapaciteteve gjeneruese të vendit.
Dy, vendimet ekonomike janë të kushtëzuara me vendime të gabuara më parë. Qeveritë e Kosovës në pasluftë jo vetëm që kanë shpenzuar shumë në vetveten, por me kryeministër Hashim Thaçin janë marrë dy vendime për ndërtimin e autostradave (deri në kufirin me Shqipëri dhe deri në kufirin me Maqedoni) me të cilat është konsumuar çfarëdo pjesë zhvillimore e buxhetit jo vetëm në vitet e kaluara, por gjatë tërë këtij dhjetëvjetëshi. Shpenzimi prej 1.8 miliardë eurosh për projekte që nuk krijojnë rritje ekonomike dhe hapje të vendeve të reja të punës është goditja më e madhe e mundshme për një ekonomi të brishtë në dhjetëvjetëshin e parë të pavarësisë.
Tre, vendimmarrja kyç në Kosovë për çështje madhore është jokonsensuale dhe jotransparente. Në materie ekonomike, shpenzimi për autostrada, që është vendimi më strategjik i mundshëm, u mor pa konsultim të gjerë politik. Për më tepër, pa mbikëqyrje dhe llogaridhënie parlamentare e publike. Kontratat e ndërtimit të autostradave ende janë sekrete, dhe për shkak të kësaj arsyeje, si dhe për shkak të kostos enorme për njësi (kilometër), mund të trajtohen fare lehtë si potencialisht korruptuese.
Mungesa e konsensusit dhe transparencës në ekonomi qenë të dukshme e në formë më shpërthyese në vendimmarrjen politike. Jeta politike në Kosovë në vitet e fundit përcaktohet nga vendimet e marra nga kryeministrat Thaçi, pastaj Mustafa , në Procesin negociator të Brukselit. Vendi është i bllokuar në veprime politike tashmë mbi një vit e gjysmë nga tentimi i sulmit ndaj Kushtetutës së Kosovës që i bëri (me dhe pa vetëdije) pushteti i Kosovës në Marrëveshjen për Asociacionin e Komunave Serbe.
Dhe, katër, marrëdhënia e Kosovës me botën është e parapërcaktuar nga gabimet bazike dhe strategjike të Hashim Thaçit dhe vartësve të tij në procesin e negociatave me Serbinë. Identiteti ndërkombëtar, jo vetëm ai evropian, kushtëzohet me Procesin e dialogut me Serbinë në Bruksel: anëtarësimi në OKB, UNESCO, organizata të tjera ndërkombëtare; marrëdhënia me pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën, madje edhe marrëdhëniet me shtetet sponsore të pavarësisë, SHBA-ja dhe ato evropiane. Produkt i drejtpërdrejtë i këtij Procesi është pranimi nga autoritetet e Kosovës se shpallja e Pavarësisë së Kosovës është e barasvlershme me pretendimin për sovranitet të Serbisë mbi Kosovën; shndërrimi i Listës serbe në departament të “Zyrës për Kosovë e Metohi” të Qeverisë së Serbisë në Kosovë dhe banalizimi i çështjeve të hapura mes Kosovës dhe Serbisë në “fitore historike” si ajo e vendosjes së letërngjitësve në targat e veturave të Kosovës e Serbisë.
3.
Një pushtet i cili shërben për të akomoduar veten, duke marrë vendime strategjike (dhe jostrategjike) pa transparencë e llogaridhënie pak a shumë hyn në përshkrimin e shtetit të kapur. Këtij përshkrimi i ndihmon vit pas viti Raporti i Progresit i Komisionit Evropian, i cili në pikat kyç të ndarjes së pushteteve, posaçërisht gjyqësorit, shënon fenomenin e ndërhyrjes politike. Një shtet i këtillë, me institucione që, sipas Komisionit Evropian, janë ende “në fazën fillestare”, është në duart e vendimmarrjes jodemokratike. Është shtet i kapur.
Dhe, viktimë e këtij shteti të kapur janë të gjithë qytetarët e Kosovës. Janë viktimë ata që jetojnë në Kosovë. Qe viktimë ai që nuk jeton më, Astrit Dehari.
Aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje jetoi ditën e tij të fundit më 5 nëntor të vitit 2016 në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Në atë burg kishte kaluar 67 ditë, sepse Shteti i cili e mori në pranga e konsideroi si të dyshimtë për terrorizëm. Meqë në procedurat e Kosovës nuk është e nevojshme mbështetja prokuroriale për arrestim, çdo polic mund të arrestojë cilindo qytetar me dyshim për çfarëdo gjëje, pra edhe për terrorizëm, dhe i mbetet prokurorisë të mbledhë prova të mjaftueshme për ta dëshmuar dyshimin. Për 67 ditët e paraburgimit të Astrit Deharit, prokuroria nuk doli të mblidhte prova të mjaftueshme që do ta çonin në gjykim për veprën e terrorizmit.
Madje, vështirë të ketë besuar prokuroria se mund të mbledhë prova të mjaftueshme për akuzën e terrorizmit. Po të kishte indicien më të vogël se Astrit Dehari është terrorist, ai nuk do të guxonte të lihej as për një minutë në një qendër paraburgimi së bashku me të tjerët, të dyshuar për vepra krimi ordinere. Ose, në të kundërtën, prokuroria konsideron se terrorizmi është krim ordiner; në asi rasti Astrit Dehari mund të shkonte në shtëpi, dhe ta priste mbledhjen e provave në arrest shtëpiak, aty ku do të mund të mësonte për dy provimet e mbetura për të përfunduar Fakultetin e Mjekësisë.
4.
Shteti i kapur e dërgoi Astrit Deharin në burg, aty ku përfundoi jeta e tij, sepse ky ishte kundërshtar politik i këtij shteti të kapur. Si student protestoi për largimin e një rektori të vendosur nga politika, i cili kulmimin e vlerës së vet shkencore e arriti me punime qesharake të botuara në revista “predatore” shkencore të Indisë, të cilat do të botojnë çfarëdo punimi “shkencor” në kundërpagesë prej 60 dollarësh amerikanë. Si aktivist i Vetëvendosjes kundërshtoi, me sukses, Marrëveshjen kundërkushtetuese të Asociacionit të komunave serbe.
Astrit Dehari dhe Lëvizja së cilës i takon u vërtetua se kishin të drejtë; madje se ishin duke e mbrojtur Kushtetutën nga ata që janë të paguar ta ruajnë, Qeveria e vendit. Kjo gjendje krijoi një gjendje të rrezikshme perceptimesh për Pushtetin, atë se Astrit Dehari po i mbronte interesat e vendit, ndërsa Qeveria po i rrezikonte ato. Ky çrregullim perceptimesh për Qeverinë u trajtua nëpërmjet, fillimisht, vlerësimeve politike se Astrit Dehari dhe shokët e tij të VV-së ishin “Brigada të kuqe”, një organizatë terroriste sikur ajo në Gjermaninë e viteve '70 të shekullit të kaluar. Pastaj erdhën arrestimet për terrorizëm.
Astrit Dehari, duke qëndruar në burg, duhej të dëshmonte se ai dhe Lëvizja politike janë në fakt rrezik për rendin kushtetues të vendit, për lirinë dhe sigurinë e qytetarëve.
Kur vdiq, shteti i kapur, nëpërmjet komandantit të Policisë në Prizren, shpalli se ai kishte konsumuar medikamente.
Kur u krye obduksioni dhe u vërtetua se nuk kishte vdekur nga medikamentet, shteti i kapur dërgoi incizime të kamerës së burgut në mediat e veta (në kundërshtim me rregullat strikte të ruajtjes së çdo gjëje që mund të jetë provë) për të dëshmuar vdekje me dëshirë të të ndjerit, jo të shtetit të kapur.
5.
Fundi i jetës së Astrit Deharit mund të jetë fundi i parashikimit rutinor të Kosovës, se gjërat do të ecin siç po ecin me shtetin e kapur. Tetë vjet pas pavarësisë, ky vend ka toleruar hajninë industriale (jo vetëm të votave), gënjeshtrat për liberalizim vizash e anëtarësim në NATO, vendimet politike thellësisht të padrejta, luksin qeveritar dhe praninë gjithnjë e më të madhe të Serbisë në vendimmarrjen kosovare. Por, asnjëra prej padrejtësive nuk kishte emër e mbiemër konkret, nuk e kishte moshën 26-vjeçare, nuk kishte një ardhmëri profesionale dhe familjare - asnjë nuk e identifikoi humbësin e madh të këtyre viteve, qytetarin e Kosovës, sikur bënë Astrit Dehari dhe vdekja e tij.
Thirrja #drejtësipërAstritin ka potencial të shndërrohet në ekuivalencën e #drejtësipërKosovën.
(Nesër: Vetmia dhe diskontinuiteti)
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...