Vetmia dhe diskontinuiteti

17 Nëntor 2016 - 08:39 - Veton Surroi      

Për dallim prej vitit 1989, liria e demokracia duhet të kërkohen pa pritur përkrahje ndërkombëtare

1.

Si të çlirohet Kosova, kjo tashmë po bëhet pyetja sërish.

Më 1989, kur filloi Lëvizja demokratike në Kosovë, pyetja ishte si të çlirohemi nga Serbia, të vendosim lirisht për Kosovën dhe të vendosim lirisht në Kosovë.

Pas 27 vjetësh, pyetja është si ta çlirojmë shtetin nga kapja, si të vendosim lirisht për Kosovën dhe të vendosim lirisht në Kosovë.

Më 1989, yjet amerikane dhe evropiane ishin në anën tonë, gjegjësisht, ishim në anën e duhur të historisë. Lëvizja demokratike e Kosovës bëhej pjesë e një lëvizjeje demokratike perëndimore që shembte Murin e Berlinit dhe mundësonte vetëvendosje e demokraci për shumë popuj të Evropës Qendrore dhe të asaj Lindore. Konsekuencë e këtij rreshtimi qe ndërhyrja e NATO-s, më 1999, për çlirimin e vendit.

Më 2016, yjet amerikane dhe evropiane tregojnë një konstelacion tjetër. Në SHBA, me fitoren e D. Trumpit nuk është fare e qartë ardhmëria e politikave transatlantike porse është e qartë se gjërat nuk do të jenë si më parë. Në BE tendosja mes forcave politike (dhe shteteve) që janë për më shumë integrim dhe atyre për më pak integrim, sikur u manifestua nga Britania e Madhe me “Brexitin” ka gjasa të përshkallëzohet edhe më. Në këtë përshkallëzim çështja e zgjerimit të BE-së me anëtarë të rinj apo përkujdesja për ata që nuk janë ende të aftë për anëtarësim (si puna e Kosovës) zbresin seriozisht në listën e përparësive.

Konsekuencë e këtij konstelacioni yjesh është se çfarëdo lëvizjeje politike për demokraci në Kosovë ka gjasa për më pak përkrahje në lëvizjen historike perëndimore se ç'kishte para 27 vjetësh. (Përjashtim, me jo pak rëndësi, mbetet Gjermania e Angela Merkelit).

2.
Por, a e ndryshon konstelacioni amerikan dhe evropian i vitit 2016 nevojën e ndryshimit brenda Kosovës?

Në fakt, kjo është një pyetje e cila mund të transformohet edhe më. Nëse nuk kemi gjasa të jemi shtet anëtar i BE-së deri në vitin 2030 dhe nëse në krye të SHBA-së vjen një njeri i cili nuk e sheh me sy të mirë as NATO-n e as atë grumbull popujsh e shtetesh të vogla evropiane që kanë ndërtuar periudhën më të gjatë të paqes e prosperitetit falë NATO-s, a do të thotë kjo se duhet të presim që të ndryshojnë yjet amerikane dhe evropiane?

Natyrisht, se jo. Kosova ka nevojë të jetë shtet i standardeve të BE-së dhe NATO-s në funksionimin e vet shtetëror për hir të vetes - madje edhe me vetëdije se anëtarësimi në to është bukur i largët.

Për më tepër, është e detyruar të jetë një shtet i tillë. Për dallim prej vitit 1989, kur Lëvizja demokratike kishte shtytës të brendshëm dhe një forcë magnetike të jashtme në formën e lëvizjes evropiane për demokraci, këso here, lëvizja për çlirim dhe demokraci në Kosovë ka vetëm shtytës të brendshëm. Dhe ky shtytës i brendshëm duhet të jetë i fuqishëm më vete, ngase Kosova e shtetit të kapur tashmë ka mbërritur te tavani i tolerancës. Kosova është shtet i kapur në vendimmarrje politike, restriktiv në mundësitë e zhvillimit ekonomik dhe punësim, dëbues për qindra e mijëra qytetarë që duan të ikin nga ai, i paaftë të parandalojë ndërhyrjen e Serbisë në vendimmarrjen e vet. Në fund është edhe shtet i cili ka humbur jetën e një të riu, Astrit Dehari, i cili ka qenë kundërshtar i një degradimi të këtillë monumental të vendit.

Më shumë veprime të shtetit të kapur mund të prodhojnë vetëm më shumë rezultate të njëjta. Pra, mund të sjellin më shumë vendime jodemokratike (për shembull Asociacionin e Komunave Serbe), më shumë vendnumërim ekonomik (për shembull, në favorizimin buxhetor klientelist, në dëm të sektorëve zhvillimorë), më shumë ikje të qytetarëve nga vendi, më shumë vendimmarrje të Serbisë në Kosovë. Dhe më shumë viktima njerëzore në konfliktet politike që na presin.

3.
Ndryshimi në Kosovë ka mundësi të cilësohet me një fjalë. Diskontinuiteti.

Pra, në mënyrë që të ndryshojë ky vend ka nevojë që të ndërpresë rrugëtimin strategjik negativ, ka nevojë që ta ndërpresë kontinuitetin negativ.

Ky koncept, në dukje abstrakt, është fare konkret dhe i aplikueshëm, i aplikueshëm madje që nga dje. Astrit Dehari është shembulli i një rrugëtimi negativ të shtetit, një rrugëtimi që ia përfundoi jetën. Kontinuiteti do të thoshte që vdekja e Astrit Deharit disi të harrohet, disi të mbulohet, disi të hyjë në shiritin e ngadalshëm dhe të sigurt të zhvendosjes burokratike në një dosje që pritet të shqyrtohet, me titullin “Aksident”.

Diskontinuiteti do të thotë që të jepet përgjegjësia për vdekjen e një kundërshtari politik të pushtetit e që mbahej nën përkujdesjen e shtetit, në burg.

Diskontinuitet do të thotë që ministri i Brendshëm të japë përgjegjësi, ngase dikasteri i tij e ka arrestuar këtë të ri 26-vjeçar me pretendim se është terrorist. Ministri nuk ka dhënë përgjigje, në tre muajt e fundit, e as deri më sot, se përse qenka i dyshuar për terrorizëm. Ministri ka heshtur, ndonëse ka obligim të ruajë rendin, kur një terrorist i dyshuar ka qëndruar në burg me të burgosur për krime ordinere dhe kur për mbi dy muaj provat për aktivitetin e tij të supozuar terrorist nuk kanë mjaftuar për ta dërguar Astrit Deharin në gjykim. Ministri i Brendshëm duhet të përgjigjet për lehtësinë me të cilin dikasteri i tij arreston të rinj dhe të reja që janë kundërshtarë politikë të pushtetit dhe i akuzon për terrorizëm.

Diskontinuitet do të thotë që ministrja e Drejtësisë të japë përgjegjësi për vdekjen e një njeriu brenda institucionit që është pjesë e dikasterit të saj. Duhet të japë përgjegjësi për funksionimin e burgut, vendosjen e një të dyshuari për terrorizëm së bashku me kryesit e krimeve ordinere. Duhet të japë përgjegjësi për 67 ditët e Astrit Deharit të kaluara duke pritur intervistimin nga Prokuroria. Duhet të japë përgjegjësi së bashku me ministrin e Brendshëm se si përfundojnë incizimet nga burgu në një medium, medium i pushtetit apo jo, nuk ka rëndësi.

Diskontinuitet do të thotë llogaridhënie, një prej shtyllave themelore të demokracisë.

4.
Diskontinuitet është edhe shtylla tjetër që shkon me llogaridhënien, transparenca.

Në Kosovë janë vjedhur 360 milionë euro nga kontratat e autostradave; në Kosovë nuk u vodh asnjë cent nga kontratat e autostradave. Asnjëri prej këtyre pohimeve nuk mund të vërtetohet, sepse pushteti në Kosovë nuk i publikon kontratat. Deputetët e Kuvendit të Kosovës, ata që duhet të përkujdesen për mjetet e qytetarëve të Kosovës nuk i kanë parë, lëre më autorizuar këto kontrata. E ato kontrata përcaktojnë tërë jetën ekonomike të vendit brenda një dhjetëvjetëshi.

Instrumenti me të cilin shërbehet pushteti me autostrada është i njëjtë si me Astrit Deharin. Është heshtja, me bindje të vërtetuar nga praktika, se çdo problem do të tejkalohet me atë të radhës.

Diskontinuitet është obligimi i pushtetit të shpjegojë çdo veprim të vetin dhe të japë përgjegjësi për të.

Sikur me autostradat dhe me Astrit Deharin, diskontinuitet është që ky pushtet të mos pretendojë se do të vazhdojë procesin negociator me Serbinë - në kushtet dhe kornizën e njëjtë- dhe të nxjerrë rezultate të tjera.

5.
Në fund, diskontinuitet mund të jetë njohuria se në këtë nëntor nuk po ravijëzohet vetëm fundi i forcës së një qeverisjeje, por në masë më të madhe po shpërfaqet e plotë kriza e shtetit të kapur.

(Nesër: Rruga, zgjedhjet, konsensusi)

comments powered by Disqus
Veton Surroi
Veton Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...