Përpjekje për t’ia mbuluar gruas fytyrën, veshët edhe gojën

23 Dhjetor 2014 - 12:01 - Veton Surroi      

1. Para dhjetë vjetësh u largova nga drejtimi i Kompanisë KOHA, dhe në krye të saj erdhi Flaka. Për një pjesë të njerëzve, edhe të atyre qëllimmirë, edhe të atyre që nuk ishin të tillë, ky ndryshim në krye të kompanisë trajtohej si një gjest simbolik, në të cilin disi nga hija, me mjeshtërinë e drejtuesit të Teatrit të Kukullave, unë do të vazhdoja të isha në krye, të tërhiqja penjtë e fshehur, të merrja vendime, të caktoja storiet në gazetë, kronikat në televizion.

Nuk kanë mundur të jenë më larg nga e vërteta, edhe qëllimmirët, edhe ata që nuk janë të tillë.
Nuk kanë ditur se edhe kur kam qenë në krye të kompanisë, besimi im në gazetarinë e pavarur më ka udhëzuar që kurrën e kurrës të mos ia cenoj integritetin profesional një gazetareje apo gazetari, një redaktoreje apo një redaktori.
Nuk e kanë ditur se jam aq kokëfortë sa t’i rezistoj tundimit.
Dhe nuk kanë ditur, gjithashtu, se ka edhe më kokëfortë se unë.
Po, po, ka.
E kjo është Flaka.

2.
Na ka udhëhequr, besoj, Flakën dhe mua, i njëjti besim, ai i ndërtimit të një institucioni të gazetarisë së pavarur:
-besimi se një shtet që do të jetë i pavarur duhet ta ndërtojë pavarësinë brenda,
-besimi se një shoqëri që do të jetë demokratike, për herë të parë në historinë e saj, nuk mund ta arrijë këtë pa lirinë e medies,
-besimi se një ditë, kur cilido prej nesh, anëtarëve të familjes Surroi, të mos e drejtojmë këtë institucion, ai do të jetë tashmë i konsoliduar, me energjinë e njerëzve që e ndërtuan, të të rejave dhe të rinjve që prej kohësh besojnë.

Por, këtë besim, Flaka e ka zbatuar më mirë.
Prej se e ka marrë timonin në duar, gazeta “KOHA Ditore”, ka ndryshuar pamje, është pjekur edhe më, dhe është padyshim gazeta kryesore ndër shqiptarë gjithandej.
Është një institucion, i cili i udhëhequr nga stafi redaktorial, në krye të të cilit është spiranca e kryeredaktorit Agron Bajrami, është bërë një model evropian i gazetarisë në gjuhën shqipe.
KTV-ja ka marrë sinonimin e njëjtë të besueshmërisë- të besimit se ngjarja nuk ka ndodhur nëse për të nuk ka lajmëruar a debatuar për të KTV-ja.

Portali KOHA, në kohët e përtacisë së leximit - të arsyetimit banal “e lexova në Internet”- është shndërruar gjithashtu në pikë reference mediatike.
Botimet KOHA janë shndërruar prej një hobi fillestar në përpjekjen më serioze deri tani për ngritjen e librit.
Të gjitha këto që shihen si prodhime të kompanisë KOHA, janë larg më mirë, më profesionale, më kreative, sesa kur unë e drejtoja kompaninë.

Orë pas ore, ditë pas dite, familja KOHA e sheh Flakën duke u marrë me detaje nga më të hollësishmet të funksionimit të medieve: kontraktimin e kamerave më të mira për transmetim digjital në TV, interesimin për makinën fotografike të pllakave në shtypshkronjë , negociimin me banka që ta ulin, aman ta ulin, pak kamatën e kredive të nevojshme për të mbajtur në rregull financat; festimin e ditëlindjes së 70 të anëtarit më të vjetër të stafit….
Orë pas ore, ditë pas dite aty është një siguri se nuk ka gjë që mund t’i ndodhë Kompanisë KOHA, sepse aty është duke kujdestaruar Flaka.


3.
Kushtet për ta ruajtur pavarësinë nuk janë bërë më të lehta.
Kur unë isha në krye të Kompanisë KOHA, Kosova ishte e okupuar nga Serbia.
Prej se është në krye Flaka, Kosova është okupuar nga zaptuesit e shtetit.

Zaptuesit nuk vrasin e rrahin sikur ka bërë Serbia. Ata orë pas ore, ditë pas dite, marrin nën kontroll institucionet e administrimit, ato të kulturës, atë hapësirë mediatike që i nënshtrohet. Në shtetin e zënë është më lehtë të vlerësosh sesa është hapësira që nuk është zaptuar sesa ajo e zaptuar - vendin më meritor të hapësirës së pazaptuar e zë kompania KOHA.

Shteti i zaptuar, me hapësirë ekonomike e kulturore të zaptuar, me dhunues si modelues të kulturës prijëse politike natyrisht që e sheh si halë në sy institucionin që nuk do t’i nënshtrohet.
Dhe këtë e bën me dije çdo ditë me shembujt e jetës. Me porosinë se po të nënshtrohesh, çdo gjë do të jetë më mirë në jetën tënde. Kulaçi i madh i pushtetit është aty për t’u ndarë, po qe se nënshtrohesh.
Pavarësia kushton: kushton me telefonatat e kërcënimeve, kushton me leje komunale që nuk jepen me vite të tëra, kushton me reklamat që kompanitë e “pavarura” përnjëherë mendojnë se duhet t’i ndërpresin; kushton me ballafaqimin e përditshëm të imazhit të medieve që nuk janë të pavarura e që përnjëherë krijojnë pasuri për drejtuesit e tyre.


4.
Në këso kushtesh, Flaka e ka udhëhequr edhe një betejë, në mesin e atyre të shumtave nga, siç e quan ajo, “Zgafellja” - betejën që tashmë e ka fituar vetë, por që do të fitohet edhe nga të tjerët.
Është beteja që e mohon padrejtësinë e trashëguar, atë të pamundësisë që fjalët “grua” dhe “e suksesshme” të jenë në të njëjtën fjali.
Në traditën tonë familjare, të qenit grua dhe me sukses nuk është ndonjë risi e as përjashtim.
Tezja ime, Rahmija, shkoi për të studiuar në Itali para Luftës së Dytë Botërore dhe e pasionuar pas arsimit, në kohën e autonomisë së Kosovës, duke e menaxhuar buxhetin e Kosovës, u përqendrua që çdo metelik të shkonte për hapjen e shkollave shqipe, edhe në fshatrat më të largëta.

Tezja Vahide, si gjimnaziste, u priu demonstratave antifashiste në Prizren, e pastaj u priu gjeneratave të reja të normalistëve që do të jenë ngritësit e arsimit universitar në Kosovë.
Halla ime, Hadije, ishte shqiptarja e parë në Jugosllavi që kreu fakultetin.
Nëna, Nahire, etnologia e parë, dhe udhëheqëse shumëvjeçare e kulturës.
Bashkëshortja Blerta, në muajin e tetë të shtatzënisë, hapi ekspozitën me shprehje të re në qeramikën artistike.

Por beteja e Flakës po zhvillohet në kushtet e përpjekjes për prapakthim të barazisë së gruas.
Shtatëdhjetë vjet pasi që e hoqi çarçafin, gjyshja jonë Sadife po bëhet sërish përpjekja që femra kosovare të mbulohet me shami e çarçaf- një përpjekje për t’ia mbuluar edhe fytyrën, edhe veshët, edhe gojën, edhe dinjitetin, edhe dinjitetin e gruas, edhe dinjitetin tonë në përgjithësi.
Shtatëdhjetë vjet pas fillimit të një emancipimi të përgjithshëm, i cili ka treguar se në konkurrencë me meshkujt femra di të jetë po aq e suksesshme, e edhe më shumë se aq, po ofrohet modeli publik i gruas si kuotë. Ajo është kuotë parlamentare, por jo edhe e ftuar që të drejtojë ministri, drejtori e kompani publike.

Ajo, në shembullin më eklatant, është e mirë si “Muslim woman” , një grua që e ka vështirë t’i lidhë dy fjali radhazi pa ndihmën e teleprompterit, por që shërben si fotografi për ta shëtitur nëpër botë si një mesazh primitiv të relacioneve publike - ja ka edhe myslimane që mund të veshin kostum.
Gruaja kuotë dhe gruaja e kotë duken sinonime jo të rastësishme.
Gruaja kosovare, e ngarkuar me varfërinë e këtij vendi, me trysninë politike që nuk është ndalur dhe një trashëgimi varrësh nga lufta, tash është edhe nën trysninë e modelit të shamisë, që duhet ta kthejë në fillim të shekullit të kaluar, apo modelin bashkëkohor të prapakthimit, asaj të femrës kukull, e cila sa më boshe të jetë, aq më e vlefshme është për një imazh të ri të “Muslim woman”.

Flaka ka dëshmuar të kundërtën. Beteja e fituar për të qenë një grua e suksesshme është fitore që ka një domethënie të veçantë për mua dhe për shumë kë që beson se dinjiteti i gruas kosovare është dinjiteti i vet Kosovës.
© KOHA.net

comments powered by Disqus
Veton Surroi
Veton Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...