14 Nëntor 2016 - 10:49 - Veton Surroi
1.
Me Barak Obaman, shembullin e një demokrati liberal, të shekullit XXI, Kosova degradoi më tutje në shtet të kapur dhe me këtë u dëshmua se nuk ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë kauzale mes bindjeve të presidentit dhe efektit të këtyre bindjeve në vende periferike si Kosova. Dhe ky është argumenti, i cili duhet të relativizojë efektin e mundshëm të Donald Trumpit, shembullit (së paku në fushatë zgjedhore) të së kundërtës së demokracisë liberale të shekullit XXI. Do të thotë, diplomacia amerikane jo domosdo do të reflektojë bindjet joliberale të presidentit Trump.
E njëjta gjë vlen edhe me frikën nga izolacionizmi i Trumpit. Gjatë fushatës ai premtoi se do të kthejë vëmendjen drejt zemrës së Amerikës, asaj që më në fund e votoi, të bardhë, rurale dhe skeptike ndaj tregjeve globale dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Logjika do të thoshte se Kosova dhe shqiptarët duhet të frikësohen se do të harrohen nga Amerika. Por, kjo gjë, harresa, tashmë ka ndodhur gjatë presidentit Obama, doktrina e jashtme e të cilit ishte t'ia linte problemet e Evropës (sikurse Kosova, më vonë Ukraina) BE-së. Gjatë tetë vjetëve të presidencës Obama, roli amerikan në Kosovë qe vendosur në autopilot, në përkrahje të një përpjekjeje të BE-së që të ndërtojë politikën e vet të jashtme me eksperimente si Marrëveshja e Brukselit.
2.
Por nëse Obama e tërhoqi mënjanë nga Evropa, Amerika ka mundësi, në formë paradoksale, të kthehet në kontinent me presidentin e ri Trump. Dhe këtu duhet të fillojmë të frikësohemi.
Nëse presidenti Trump beson atë që ka deklaruar si politikë të jashtme kandidati Trump, atëherë SHBA-ja mund t'i shohë problemet si Kosova brenda një harte të re gjeopolitike, ngjashëm me mënyrën se si i sheh presidenti rus Putin. Në këndvështrimin e Moskës, Kosova është njëra prej pikave të fërkimit mes Perëndimit dhe Rusisë. Në hartat gjeopolitike ruse, Kosova është në listë me Ukrainën e Ukraina është në listë me Sirinë, e Siria është në listë me Gjeorgjinë...
Politika e jashtme e kandidatit Trump, vërtet e varfër me fjalë, ishte gatishmëria që të arrihet një marrëveshje e re me presidentin rus Putin. Në agjendën e asaj marrëveshjeje, njëherë të iniciuara çështjet si Siria apo Ukraina, në formë të heshtur do të gjenden edhe çështjet si Kosova e Gjeorgjia.
Në një kësi konfiguracioni, Kosova ka shumë më pak vlerë gjeopolitike sesa Siria dhe Ukraina, rrjedhimisht, për një biznesmen si presidenti i ardhshëm Trump, më pak vëmendje për investim politik dhe gjeostrategjik.
3.
Por, do të mundë të ngrihej argumenti, Kosova është pjesë e një investimi shumëvjeçar të NATO-s, e NATO-ja është një investim tashmë 70-vjeçar i SHBA-së për ta ruajtur paqen në Evropë dhe për të lejuar popujt evropianë të jenë pjesë e një Aleance vlerash të përbashkëta të demokracisë liberale. Pra, si mund të lihet manash ky investim?
Kjo pyetje do të vlente për presidentët tradicionalë amerikanë. Por, kandidati Trump është shprehur kundër traditës. Ai nuk e sheh NATO-n me të njëjtët sy si paraardhësit e tij, që të gjithë pa përjashtim në 70 vjetët e fundit. Për kandidatin Trump, gatishmëria për të mbrojtur shtetet anëtare të NATO-s nuk është automatike dhe roli amerikan në sigurinë botërore mund të vlerësohet nga aleatët potencialë vetëm nëse paguajnë për të.
Gatishmëria për të negociuar me Putinin, ulur mbi një hartë, ku definohen interesat e ndërsjella amerikane dhe ruse me shpërfilljen e njëkohshme të rolit të NATO-s e bën kandidatin Trump një faktor pasigurie për Evropë.
Nëse ky është besimi i presidentit Trump dhe administratës së tij, atëherë kemi të bëjmë me një situatë dramatike, analoge me fundin e Luftës së Dytë Botërore dhe shembjen e Murit të Berlinit.
Këtë situatë dramatike tashmë e kanë parë qytetarët e Mitrovicës, si një paralajmërim i gjërave që mund të vijnë. Ura e cila ka mbetur e mbyllur për 17 vjet me radhë ka qenë një ilustrim simbolik i të dyja anëve të qytetit, të cilat përfaqësojnë po ashtu simbolikisht ndarjen Perëndim-Rusi.
Ndërhyrja e NATO-s, që solli çlirimin e Kosovës, dhe në fund pavarësimin e saj, u sfidua me sukses nga Serbia, me përkrahje të Rusisë (pak me logjistikë, më shumë me diplomaci në nivel të OKB-së). Kjo sfidë me vite të tëra u manifestua tek ura e Mitrovicës, si një kufi mes NATO-s dhe Rusisë. Dhe kjo sfidë u integrua me sukses për politikën serbe dhe atë ruse, si një problem i brendshëm i Bashkimit Evropian.
4.
Politika e re e jashtme amerikane e presidentit Trump në masë të madhe do të jetë indikator i fatit të mëtejmë të kësaj ure, dhe njëri prej opsioneve që ka më së paku gjasa të realizohet - ai i Kosovës. Në rrethana ideale, Veriu i Kosovës duhet të integrohet në vend e vendi të integrohet në NATO, fillimisht me Partneritetin për Paqe. Partneriteti për Paqe, një ide e presidentit Clinton, shërben si oferta amerikane për hapin e parë formal të integrimit, por kjo nuk është domosdo politika e presidentit Trump. Për më tepër, për një hap të tillë do të kërkohej edhe dakordimi i partnerëve evropianë në NATO, përfshirë ata që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
Në rrethana ideale, Kosova do të ishte anëtare e OKB-së e me kontroll të plotë të territorit të vet, por për 17 vjet kjo nuk u bë realitet. Realiteti është tjetër, ai i një shteti të papërfunduar në integritetin dhe sovranitetin e tij.
Nëse vazhdojnë rrethanat e tanishme, ato të statu-quosë, nëpërmjet Marrëveshjes së tanishme të Brukselit, atëherë nga Serbia dhe Rusia do të jepej sinjal i qartë se duan që ura e Mitrovicës të jetë pjesë e pazarit, së bashku me Donjetskun, Halepin, Osetinë Jugore... Pra, do të ishte sinjal se pranohen parimet ruse, që Kosova të trajtohet së bashku me Ukrainën, Sirinë, Gjeorgjinë dhe çfarëdo vendi që Rusia e Putinit e konsideron si zonë fërkimi me SHBA-në.
Dhe një gjendje e këtillë do të mundë të ishte hapësirë testuese për projektin e ardhshëm të Rusisë, rirregullimet territoriale, duke filluar me Krimenë e duke vazhduar në Ballkan, në të dyja shtetet e papërfunduara, Bosnjë e Hercegovinë dhe Kosovë.
(Nesër: A ka përgjigje evropiane?)
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...