FAK-u, dilemë false (2)

16 Gusht 2015 - 09:41 - Veton Surroi      

FSK-ja është ushtri. FSK-ja nuk do të bëhet më shumë ushtri nëse në Kushtetutë quhet FAK, Forca e Armatosur e Kosovës

6.
Fatin e “va banque” do ta përjetojnë qytetarët e Kosovës në pesë vjetët e ardhshëm; në rast suksesi, duke u shndërruar në një lloj purgatori social e politik, në rast mossuksesi, duke e konsoliduar krimin brenda klasës politike dhe institucioneve të shtetit.

Por, vëmendja e Kosovës politike sot nuk duhet të shndërrohet në atë të bastores, do të ketë apo jo sukses Gjykata Speciale. Që në ditët e para pas votimit në Kuvendin e Kosovës në mediumet, të redaktuara apo jo, filluan të dalin spekulimet mbi emrat e të akuzuarve potencialë, e nuk do të pritet shumë dhe do të dalin analizat për atë se si do të ndikohet skena politike me këtë apo atë aktakuzë.

Por, duke e pritur tronditjen e radhës, ka gjasa të harrohet tronditja e sapopërjetuar. Themelimi i Gjykatës Speciale është cedim i një pjese të sovranitetit të vendit në formë të vullnetshme dhe eksplicite. Jo duke u bishtnuar obligimeve kushtetuese - (me keqpërdorim të parasë publike, me kontrollin politik të shërbyesve civilë, me pranimin e Gjashtëpikëshit të Ban Ki- moonit, hyrje në negociata me parime të pafavorshme për Kosovën e të favorshme për Serbinë), as duke mos mundur a dashur të ndërpritet shtrirja gjysmëklandestine e Serbisë në Kosovë - por duke pranuar paaftësinë për zbatimin e një pjese të obligimeve të veta kushtetuese, atë të garantimit të drejtësisë.

Cedimi i sovranitetit (cedim “stabilizues” për dallim prej atij “integrues”) është në fakt vlerësim i paaftësisë së tërë shoqërisë për t’u marrë me një çështje të rëndësisë së parë, siç është drejtësia. Por, për shoqërinë si tërësi dhe për rendin e saj kushtetues, cedimi i vullnetshëm i sovranitetit ka analogji me kirurgjinë invazive. Sikurse në këtë fushë që bëhet prerja e lëkurës (mishit, indit) dhe futet një trup i huaj, që duhet të sanojë funksionimin e organizmit, ashtu është bërë edhe ndërhyrja në rendin kushtetues të Kosovës: është futur skalpeli, është prerë një pjesë të trupit kushtetues, është futur brenda neni 162 dhe është qepur prapa trupi kushtetues.

Tash jemi në procesin e shërimit të plagëve.
Dhe, nëse i ndihmon psikikisht shërimit të plagëve, atëherë atë çka kanë bërë BE-ja dhe SHBA-ja nuk quhet “va banque”, por një “bypass” i fortë në zemër, së bashku me instalimin e një “pacemakeri”, i cili për pesë vjetët e ardhshëm duhet të japë ritmin e funksionimit të zemrës së drejtësisë kosovare.

7.
Analogjia mjekësore kirurgjikale qe e nevojshme në këtë shkrim jo për dekor, por për të përcaktuar seriozitetin e ndërhyrjes euro-amerikane në sovranitetin e vendit.

Po ashtu për të përcaktuar një vendim politik, i cili duhet të pasojë brenda trupit politik kosovar në vijim: vendimi për themelimin e Gjykatës Speciale duhet të jetë vendimi i fundit për ndryshime kushtetuese përcjellë pastaj nga një periudhë moratoriumi. Duke përdorur analogjinë mjekësore, pas këtij “bypassi” nuk duhet hapur sërish trupi kushtetues kosovar për ndërhyrje të mëtejme kirurgjikale. Sikur në mjekësi, arsyeja kushtetuese për këtë është e njëjtë: trupi duhet ta marrë veten, të forcohet, të jetë në gjendje të absorbojë ndryshimet që i janë bërë, të mësohet me to dhe tek pas një kohe të jetë në gjendje të absorbojë ndryshime të tjera traumatike në trupin e vet.

Ky trup i traumatizuar me vendimin e Gjykatës Speciale në formë imediate po ballafaqohet me kirurgji të mëtejme invazive kushtetuese. Në javët dhe muajt në vijim, në rend të ditës të Kuvendit të Kosovës po bëhet apo do të bëhet përpjekja për të instaluar dy paketa të ardhshme ndryshimesh kushtetuese, madje që të dyja të ndërlidhura. Për të siguruar dy të tretat e votave të nevojshme të Kuvendit, mund të ndodhë që të përgatiten ndryshimet kushtetuese për shndërrimin e FSK-së në FAK (gjë që kërkojnë shqiptarët) dhe për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe si kategori kushtetuese (gjë që kërkojnë serbët).

Që të dyja pakot janë të panevojshme, e në rastin e Asociacionit edhe të dëmshme për funksionimin e mëtejmë të Kosovës.

8.
T’ia fillojmë prej ushtrisë së Kosovës, gjegjësisht shndërrimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës. Në përshkrimin që i bëhet FSK-së në Kushtetutën e Kosovës , ajo është “forcë kombëtare e sigurisë për Republikën e Kosovës, dhe mund të dërgojë pjesëtarët e saj jashtë vendit në përputhje të plotë me përgjegjësitë e saj ndërkombëtare”. Kjo forcë kombëtare e sigurisë, për më tepër, Kushtetuta vendos që “gjithmonë i nënshtrohet kontrollit të autoriteteve civile të zgjedhura në mënyrë demokratike”.

Përcaktimi i këtillë i FSK-së është i tipologjisë gjenerike të ushtrive të vendeve të NATO-s. Dhe, jo rastësisht, kështu është dizajnuar kjo pjesë e Kushtetutës nga ekipi i presidentit Ahtisaari, madje me insistim personal të tijin. Nga negociatat e Vjenës, për pavarësinë e Kosovës, vendi doli me ushtrinë e vet, e cila pas mbikëqyrjes pesëvjeçare (siç përcaktohet në Ligjin për FSK-në) mund të marrë më shumë pajisje e përgjegjësi.

FSK-ja është ushtri, e theksi mbi pjesëmarrjen e saj në operacione jashtë vendit nuk qe vendosur aty vetëm për shkak të përcaktimit historik që duhet ta ketë Kosova për ndihmë në operacione për ruajtje të paqes aty ku mundet, por edhe për shkak se pjesëmarrjen në operacione të këtilla e bëjnë ushtritë.

FSK-ja nuk do të bëhet më shumë ushtri nëse në Kushtetutë quhet FAK, Forca e Armatosur e Kosovës. Për më tepër, në terminologjinë e mbrojtjes, forcat e armatosura të një vendi nënkuptojnë çdo të uniformuar që mund t’i vihet në shërbim mbrojtjes, përfshirë edhe policinë, rojat e pyllit, etj.

Përcaktimin se “sa” është ushtri FSK-ja e bën Ligji për FSK-në. E Ligji për FSK-në, vënë thjeshtësuar, duhet t’i shërbejë doktrinës së mbrojtjes së vendit. Të supozojmë, me të drejtë, se aspirata e qytetarëve të Kosovës është të jenë pjesë e ombrellës së sigurisë së NATO-s. Në kësi rasti, Ligji për FSK-në duhet të përshkruajë, në bashkëpunim me sponsorët e Pavarësisë së Kosovës, FSK-në si forcë ushtarake, e cila është konvergjente me NATO-n dhe operacionet e saj shumëkombëshe. Pra, në doktrinën e mbrojtjes së vendit, theksi duhet të jetë te konvergjenca brenda NATO-s e jo te ëndrra e një ushtrie statike, e cila supozohet se vetvetiu do ta mbronte Kosovën prej agresionit (e në komshillëk është vetëm një vend, Serbia, që nuk e njeh pavarësinë e sovranitetin e këtij vendi). Dhe, pra, në ligjin e ri të FSK-së duhet të vendosen parametrat e qartë të një force me mobilitet të lartë, brenda standardit të NATO-s të ndërhyrjes së shpejtë (dhe historisë guerile që i ka paraprirë FSK-së). Kjo forcë duhet të reflektojë, natyrisht, realitetet e vendit, që do të thotë financim për aq sa mund ta durojë buxheti i vendit, gjuhën komanduese shqipe (dhe përgatitje anglisht për operacione shumëkombëshe) e kështu me radhë.

9.
FAK-u është dilemë false dhe shërben kryekëput për qëllime politike. Edhe po të sigurohej përkrahja e plotë për një amendament që do ta bënte FSK-në FAK, amendamenti në thelb nuk do të kishte çka tjetër të thoshte se ç’thotë Kushtetuta tani. Rrjedhimisht, tërë puna rreth “ndërtimit” të ushtrisë do të kthehej prapë tek ligji.

Përse atëherë kjo dilemë false? Për shkak të simbolizmit pothuajse parapolitik. Kur popujt si izraelitët apo japonezët u ballafaquan me këso dilemash, zgjodhën përmbajtjen në vend të simbolizmit. Ushtria izraelite, ndër më të fortat në botë, e quan veten IDF, Forca mbrojtëse izraelite dhe u themelua me një dekret të presidentit të parë të izraelit, Ben Gurion. Në vend se ta presë definicionin e vet kushtetues, IDF ka vazhduar të ndërtohet brenda standardeve bashkëkohore (ndonëse, për fat të keq, edhe si forcë okupatore). Po të priste amendamentin e vet kushtetues, IDF nuk do të ecte as edhe një hap përpara, meqë Izraeli ende nuk e ka një kushtetutë të shkruar.

Japonia, për shkak të së kaluarës së vet historike, zgjodhi që ushtria e vet të quhet JDSF, Forca Vetëmbrojtëse e Japonisë, por kjo gjë nuk e bëri më pak ushtri se ç’kishte nevojë apo mundësi praktike në atë moment. E as që priti që së pari të vendoset Ministria e Mbrojtjes, që pastaj të krijojë ushtrinë. Japonia deri në vitin 2006 ka funksionuar me një Agjenci të Vetëmbrojtjes dhe tek në vitin 2006 e fitoi Ministrinë e Mbrojtjes si pjesë e kabinetit qeveritar.

Izraelitët e japonezët nuk pritën që të quhen ushtri e as që të përshkruhen si të tillë në Kushtetutë. Të njëjtën gjë mund ta bëjë edhe Kosova. Ushtria e Kosovës në fakt nuk varet fare prej amendamentit kushtetues. Varet kryekëput prej vendimit politik për të vazhduar ndërtimin mbi bazat e deritanishme, e brenda doktrinës mbrojtëse të Kosovës në NATO.

10.
Përse atëherë kjo përpëlitje për FAK-un?
Për shkak të misticizmit: në Kuvendin e Kosovës dhe Qeveri ende ka njerëz që besojnë se pa e bërë në Kushtetutë FAK-un Kosova nuk ka ushtri, rrjedhimisht se vendi ka problem me sovranitet (ani pse sovraniteti, siç e pamë, është humbur pjesërisht mu për shkak të mosveprimit apo veprimit të keq politik të institucioneve të Kosovës).

Për shkak të pikave zgjedhore: ai që e bën amendamentin e FAK-ut mendon se mund të dalë si flamurtar i Ushtrisë.
Për shkak të pazarit: ish-kryeministri Thaçi propozonte që FAK-u të kalojë në Kushtetutë me votat e serbëve, ndërsa me votat e shqiptarëve serbët të kenë të drejtë që të kenë më shumë se 10 vende në Parlamentin e Kosovës (varësisht prej daljes në zgjedhje).

Dhe ky pazar ka gjasa të rikthehet, tashmë me idenë që ka filluar të qarkullojë në media të redaktuara dhe ato të paredaktuara, se amendamenti për FAK-un mund të paraqitet para Kuvendit të Kosovës në një paketë me amendamentet që do të dalin nga bisedimet e Brukselit për Asociacionin e Komunave Serbe të Kosovës.

Pra, FAK-u paraqitet çdoherë kur duhet t’u shitet deputetëve shqiptarë ndonjë propozim jo aq i këndshëm.

(Nesër: Pse Asociacioni apo Bashkësia e Komunave Serbe është në fakt autonomi territoriale serbe, e cila mund të paralizojë Kosovën)
 

comments powered by Disqus
Veton Surroi
Veton Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...