Asociacioni është autonomi territoriale serbe (3)

17 Gusht 2015 - 10:03 - Veton Surroi      

Duke pasur të drejtën e vetos efektive brenda Kosovës për çështje qenësore, autonomia territoriale serbe mund të paralizonte vendimmarrjen në nivel qendror për të mbrojtur interesat e veta. Intenca për të mbrojtur interesat e pakicave mund të linte interesat e shumicës si të nevojshme për mbrojtje. Shkurt, të dy konceptet nuk mund të përzihen në Kosovë. Për të funksionuar të drejtat minoritare ato nuk mund të jenë në dëm të shumicës

11.
Propozimi që Asociacioni i Komunave Serbe të hyjë si amendament kushtetues (me apo FAK-un) është jo vetëm i pakëndshëm, por është i dëmshëm për vendin.

Në përshkrimin që i bëhet Asociacionit në Marrëveshjen e Brukselit, nënshkruar nga ish- kryeministrat Thaçi dhe Daçiq, ky entitet juridik, i formuar nga komunat serbe të Kosovës (dhe të tjerat nëse pranohen nga ato serbe) do të “ketë mbikëqyrje të plotë të fushave të zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, zhvillimit urban dhe rural”.

Me përfaqësimin zgjedhor politik, pra me president, zv. president, Asamble dhe Këshill, Asociacioni i Komunave, apo siç quhet në serbisht Bashkësia, është lehtë e identifikueshme si një rrafsh i tretë i pushtetit në Kosovë, me kompetenca që gjenden mes atyre të autoriteteve të zgjedhura vendore dhe atyre qendrore. Me fjalë të tjera, flasim për një autonomi territoriale politike.

Pyetja, nga miq të mirëdisponuar apo cinikë ndërkombëtarë, mund të jetë: çka ju pengon autonomia kur e tëra mbetet brenda Kosovës?
Përgjigjja është e thjeshtë në tërë ndërlikueshmërinë e saj dhe ka të bëjë me funksionalitetin e shtetit.

Për të mbërritur, juridikisht, këtu ku është, Kosova ka bërë një sërë zgjidhjesh, unilaterale, të diskriminimit pozitiv të pakicave që e kanë sjellë në kufij të funksionalitetit. Ndonëse nuk e kërkonte kush nga ajo, Kosova e okupuar e vitit 1990 ndërmori në formë unilaterale në Kushtetutën e Kaçanikut klauzolën për përfaqësim mbiproporcional të serbëve në Parlamentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës. Pastaj, Delegacioni i Kosovës në Rambouillet pranoi parimin e mbipërfaqësimit të minoriteteve në Kuvendin e Kosovës, që do të dilte nga kjo marrëveshje, ani pse Delegacioni i Beogradit nuk e nënshkroi.

Pastaj me një shkurtpamësi të madhe të pjesëmarrësve shqiptarë u integruan të gjitha klauzolat e mbipërfaqësimit, plus përcaktimi etnik i ministrive (domosdoshmëria e një a më shumë ministrash serbë e të tjerë në çfarëdo qeverie që të formohej në Kosovë) në Kornizën Kushtetuese të Kosovës të hartuar nga danezi Haekerupp. Pastaj do të bëhej, në formë unilaterale, decentralizimi etnik në Kosovë, me formimin e komunave të reja serbe (plus Mamusha dhe Juniku, për balancë).

Pastaj të gjitha këto vendime do të ishin vështirë të kthyeshme në procesin negociator të Vjenës, ku megjithatë u përcaktua një parim i rëndësishëm i të drejtave minoritare, gjegjësisht serbëve, ai i joterritorialitetit. Sërish në formë unilaterale, delegacioni i Kosovës (e më vonë edhe Kuvendi me votimin e Kushtetutës) miratoi një paketë të drejtash minoritare që u cilësuan si ndër më të avancuarat në Evropë, dhe që u garantonin të drejtat pjesëtarëve të pakicave pa marrë parasysh se në cilën pjesë të Kosovës jetonin. Që të gjitha këto mbroheshin me ligj, pastaj edhe me Kushtetutë, e cila nuk mund të ndërrohej pa marrjen e pëlqimit edhe të dy të tretave të minoriteteve.

Evoluimi njëzetepesëvjeçar i kulturës ligjore të Kosovës ndaj minoriteteve nuk gjeti përgjigje pozitive nga përfaqësuesit politikë të serbëve. Për më tepër, një politikë jo shumë e mençur e shqiptarëve i ka shpënë serbët e Kosovës në pozicionin ku ishin vetëm gjatë protestave e demonstratave të Fushë-Kosovës të viteve tetëdhjetë të shekullit të kaluar, pra ku ishin të dirigjuar drejtpërsëdrejti nga Beogradi. Përfaqësuesit serbë në institucionet e Kosovës nuk e fshehin këtë.

Rast ilustrativ është privatizimi i Brezovicës, me një investim të premtuar prej mbi 300 milionë eurosh. Për çdo politikan serb në Kosovë ky do të ishte lajm i mirë, sepse të gjitha ato para do të derdhen në njërën prej komunave me shumicë të dukshme serbe. Por për përfaqësuesit e Listës Sërpska komenti imediat ishte: kjo gjë nuk është e mundshme e as legale pa lejen e Beogradit.
Edhe më skandaloz qe reagimi me Ligjin për “Trepçën”, propozuar nga kryeministri Mustafa.

Sapo u propozua drafti, anëtarët serbë të Qeverisë së tij dolën në konferencë shtypi në Beograd për të denoncuar atë që ata konsideronin si dëmtim të pronës së Serbisë.
Nëse evoluimi unilateral i Kosovës në të drejtat minoritare, vlerësuar si njëra prej qasjeve më të avancuara në Evropë, ka sjellë paraqitjen e hapur të dy sovraniteteve në Kosovë, pse do të ndihmonte Bashkësia e Komunave Serbe?

12.
Pyetja paraprake nuk është retorike.
Është pjesë e një analize të nevojshme e të esëllt. Koncepti i të drejtave minoritare në Kosovë ka tre strumbullarë. Njëri është ai komunal, ku qytetarët brenda kornizës së Kartës evropiane për vetëqeverisje lokale përmbushin të drejtat e tyre. I dyti është paketa e të drejtave të veçanta që u nevojiten pjesëtarëve të komuniteteve joshumicë (edhe emërtimi është disenjuar në formë të veçantë për të mos i quajtur pakica).

Pra, me këtë paketë bëhet lista e atyre të drejtave që kanë të bëjnë me identitetin e kulturën, që shumica nuk mund t’i kufizojë apo zvogëlojë. Strumbullari i tretë është mbipërfaqësimi në Kuvend dhe pjesëmarrja jashtëproporcionale dhe e detyrueshme në Qeveri.
Këta të tre strumbullarë e kanë afruar Kosovën te kufijtë e funksionalitetit.

Dhe, duke qenë aq afër, Kosova mund të kalojë fare lehtë në jofunksionalitet me Bashkësinë e Komunave Serbe. Edhe një vend më i fortë ekonomikisht, me institucione më të forta të shtetit sovran do ta kishte problem kombinimin e kaq të drejtave minoritare, të drejtave joterritoriale (çfarë kanë ekzistuar deri më sot) edhe me një autonomi territoriale-politike.

Autonomia territoriale serbe në Kosovë do të formohej për të mbrojtur interesat e qytetarëve që jetojnë në të, dhe nuk ka gjë të keqe në këtë, përkundrazi, për këtë edhe themelohen autonomitë. Por duke pasur të drejtën e vetos efektive brenda Kosovës për çështje qenësore (siç u pa me “Trepçën”), autonomia territoriale serbe mund të paralizonte vendimmarrjen në nivel qendror për të mbrojtur interesat e veta. Intenca për të mbrojtur interesat e pakicave mund të linte interesat e shumicës si të nevojshme për mbrojtje.

Shkurt, të dy konceptet nuk mund të përzihen në Kosovë. Për të funksionuar të drejtat minoritare, ato nuk mund të jenë në dëm të shumicës. Në kësi rasti, zgjedhja është mes të drejtave joterritoriale, sipas konceptit të tanishëm kushtetues, apo të drejtave territoriale, brenda autonomisë serbe, që do të ishte koncept i ri kushtetues. Brenda atij koncepti të ri kushtetues do të duhej rivizituar e tërë pakoja e të drejtave minoritare, e filluar me Kushtetutën e Kaçanikut dhe e përfunduar me Paketën Ahtisaari.

Produkti i këtij rivizitimi do të ishte që Bashkësia e Komunave Serbe do të kishte kuvendin dhe këshillin e vet ekzekutiv, presidentin e zv. presidentin me kompetenca në arsim, shëndetësi e të tjera, por Qeveria e Kosovës nuk do të kishte obligim të ketë ministër serb e as Kuvendi i Kosovës domosdoshmërisht dhjetë deputetë serbë, por aq sa do të prodhonte trupi votues serb. Gjuha serbe, në asi rasti, do të ishte zyrtare vetëm brenda autonomisë serbe.

13.
Por, edhe po të pajtoheshin serbët e shqiptarët se do rishkruar Kushtetuta, duke këmbyer formulat e deritanishme të diskriminimit pozitiv në favor të bashkësisë autonome serbe në Kosovë, kjo gjë mund të mos bëhej për një fakt të thjeshtë, se ka minoritete të tjera, joserbe, të cilat janë të kënaqura me zgjidhjet e deritanishme, dhe duke u thirrur në parimin e “të drejtave të fituara” të mos ishin të pajtimit që të bëheshin ndryshimet kushtetuese. E për t’i bërë ato nuk mjaftojnë vetëm votat e serbëve, por edhe të myslimanëve, turqve, romëve e të tjerëve.

Dhe, fundja, kujt i nevojiten ndryshimet kushtetuese? Përse duhet ndryshuar Kushtetuta e Kosovës kur, siç kanë informuar javë pas jave, muaj pas muaji, dhe tashmë vit pas viti, negociatorët kosovarë, prej ish- kryeministrit Thaçi e poshtë në linjën e përgjegjësisë, Asociacioni i Komunave Serbe do të jetë i njëjtë si Asociacioni i tanishëm i komunave? Përse gjithë kjo zhurmë nëse bëhet fjalë për një organizatë joqeveritare, çmimi i së cilës nuk është ndryshimi i Kushtetutës, por taksa prej pesë eurosh paguar në zyrën përkatëse të ministrisë përkatëse?

Arsyeja e thjeshtë pse do të kërkohen ndryshimet kushtetuese është se Bashkësia e Komunave Serbe nuk është paraparë të jetë organizatë joqeveritare. Në Marrëveshjen e Brukselit, Bashkësia e Komunave Serbe ka ngjashmëri me Asociacionin e tanishëm të komunave në Kosovë shprehimisht vetëm për sa i përket skemës organizative (pra ka kryetar, zv.kryetar, Asamble dhe Këshill). Ndërkaq, përmbajtja është e përcaktuar shprehimisht, pra mbulimin e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë dhe planifikimit urban e rural me mundësinë shtesë që t’i delegohen kompetenca shtesë nga pushteti qendror.

Mu kjo mundësi e delegimit të kompetencave nga pushteti qendror e zhvesh edhe hierarkinë juridike të kësaj bashkësie. Pushteti qendror në sistemet e qeverisjes që i njohim nuk u delegon kompetenca organizatave joqeveritare. Pushteti qendror në sistemet e qeverisjes që njohim u delegon kompetenca autoriteteve të pushtetit të nivelit më të ulët.

Pra, në Marrëveshjen e Brukselit, Bashkësia e Komunave Serbe është një nivel më i ulët i pushtetit sesa ai qendror, dhe shprehimisht më i lartë sesa ai vendor (komunal). Marrëveshja e Brukselit madje shprehimisht tregon respekt për hierarkinë juridike të këtij entiteti, duke kërkuar që ai të themelohet me Statut e të mbrohet me forcën e ligjit kushtetues “(përfshirë edhe rregullin për shumicën prej 2/3)”.
Rregulli i shumicës së 2/3 të cilën e kërkon Marrëveshja e Brukselit, si instrument mbrojtës për Bashkësinë e Komunave Serbe, është në fakt rregull kushtetues, forca e vetos e minoriteteve për të mbrojtur interesat e tyre në Kushtetutë.

Në mënyrë që ky instrument të jetë i përdorshëm karshi Bashkësisë, Bashkësia e Komunave Serbe duhet të jetë entitet juridik i përcaktuar brenda Kushtetutës së Kosovës.
Pra, rrjedhimisht, në Bruksel ish-kryeministri i Kosovës, Thaçi, është pajtuar që Kosova, nëpërmjet ndryshimit të Kushtetutës së saj, të themelojë një autonomi serbe në Kosovë, me emrin Bashkësi e Komunave (apo Asociacion, krejt njëjtë), që do të jetë një entitet juridik i veçantë në lidhje pothuajse joekzistuese me pushtetin qendror.

14.
Negociatorët kosovarë, prej ish-kryeministrit Thaçi e vartësit e tij të ndryshëm, kanë përsëritur si argument mbrojtës se çdo gjë do të rregullohet sipas ligjeve të Kosovës; se nuk duhet brengosur, sepse Asociacioni i Komunave Serbe në fund do të jetë pjesë e ligjeve të Kosovës, e Kushtetutës së Kosovës.

Por Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës në fakt nuk janë ndonjë garanci e fortë. Në Marrëveshjen e Brukselit përmenden ligjet dhe Kushtetuta, por po ashtu përdoren dy kohë: ajo e tanishme (ligjet e aplikueshme) dhe ajo e ardhmja (garancia e duhur kushtetuese me shumicë 2/3 ). E Kushtetuta nuk mund ta mbrojë veten; atë e mbron Kuvendi. Dhe siç e pamë me votimin e Gjykatës Speciale, Kuvendi i Kosovës mund të votojë për ndryshimin e Kushtetutës duke krijuar rend ligjor paralel në të me cedim të sovranitetit një force të jashtme, duke vajtuar njëkohësisht pse e bën këtë gjë.

Pra, fakti që po kërkohet të integrohet koncepti i autonomisë serbe brenda sistemit ligjor të Kosovës nuk është rrethanë lehtësuese. Nuk është se ekzistojnë garanci morale, politike, të sigurisë e të tjera, që anëtarët e Kuvendit të Kosovës të mbrojnë funksionalitetin e vendit e në masë të madhe edhe sovranitetin e tij.

Është rrethanë rënduese. Nuk do të ishte larg mendsh që ashtu siç qe shtruar dilema në Kuvendin e Kosovës rreth Gjykatës Speciale se a do ta votojmë ne apo do të na imponohet nga jashtë, ashtu mund të shtrohet dilema së shpejti se a do të pranojë ta themelojë Kosova vetë autonominë serbe në Kosovë (“sipas ligjeve të Kosovës”) apo këtë do ta bëjë Serbia vetë, qoftë duke mbajtur gjendjen ekzistuese apo duke e ngritur atë, me përkrahje të heshtur të BE-së (“sepse kështu është bërë marrëveshja në Bruksel”).

15.
Pas themelimit të Gjykatës Speciale (dhe vënies së saj në funksion), Kosova ka nevojë për një qetësi stabilizimi. Ka nevojë për një moratorium në eksperimentet që i bëhen trupit të saj kushtetues e juridik. Ka nevojë për një moratorium që do t’i japë Qeverisë kohën dhe energjinë e nevojshme të përqendrimit urgjent në temat ekonomike e sociale. Ka nevojë që një temë kaq e ndjeshme, e ndjeshme për njëqind e sa vjet, të normalizimit të marrëdhënieve mes shqiptarëve e serbëve (në Kosovë, por edhe më gjerë) të mos jetë një paketë sallame që pritet rriskë pas rriske, pa ditur kur dhe si përfundon.

Ka nevojë që një temë kaq e ndjeshme siç janë marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve të mos jetë pjesë e procesit të njëjtë të ngritjes së akuzave ndaj disa prej drejtuesve më të spikatur të UÇK-së.
Një temë kaq e ndjeshme e meriton edhe kohën, edhe atmosferën e vet, e Kosova e (vet)traumatizuar nuk i ka kohën e as atmosferën për t’u marrë me këtë çështje.

Për më tepër Kushtetuta e Kosovës nuk ka më hapësirë eksperimentimi. Gjykata Speciale, si implant në trupin kushtetues e ka zënë tërë hapësirën e mundshme për impiantet e tjera.
Forcat politike në Kuvendin e Kosovës do të bënin mirë sikur të dakordoheshin së paku rreth këtyre fakteve e të shpallnin moratorium në ndryshimet kushtetuese për pesë vjetët e ardhshëm të funksionimit të Gjykatës Speciale.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

comments powered by Disqus
Veton Surroi
Veton Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...