5 Korrik 2014 - 08:34 - Veton Surroi
1.
Sikur në përrallë: takohem rastësisht me një njeri të mençur, të huaj, dhe dashamirës i shtetit tim. Thotë se ka menduar gjatë për punën e formimit të Qeverisë së Kosovës, dhe debatit juridik që po zhvillohet, dhe se e ka formulën e duhur. Do të ishte mirë- thotë njeriu i mençur, i huaj, dhe dashamirës- që presidentja t’ia japë mandatin herën e parë Partisë Demokratike të Kosovës, në mënyrë që ata, duke mos mundur ta formojnë Qeverinë, ta kthejnë këtë mandat dhe të mos kenë shkas për t’u ankuar në Gjykatën Kushtetuese (“ku i kanë numrat”). Dhe, atëherë , presidentja t’ia japë mandatin koalicionit të partive që deri dje ishin opozitare, dhe meqë ato kanë numrin e deputetëve për të formuar Qeverinë, këtë ta bëjnë.
Dhe të gjithë të jetojmë të lumtur pastaj.
Disa javë më vonë, rrëfimi i njeriut të mençur, të huaj, dhe dashamirës, shndërrohet në verdikt të Gjykatës Kushtetuese.
2.
Verdikti (Aktgjykimi ) i Gjykatës Kushtetuese mund të lexohet së paku në tri rrafshe: politik, juridik dhe - të përrallës, aty ku filloi.
Politikisht, po të kishte qenë njeriu i cili u takua rastësisht me mua porositësi i tekstit (sqarim: ai nuk ka ndonjë funksion që e bën me ndikim) atëherë verdikti i Kushtetueses nuk mund të dilte më ndryshe se ç’doli.
Por, edhe po ta kishte funksionin me ndikim, Gjykata Kushtetuese do të hidhërohej me këtë konstatim, e do të thoshte se është e pavarur dhe e pandikuar nga politika.
Ç’është e vërteta, Gjykata mund të jetë e pandikuar nga politika, por aktgjykimet e saj nuk mund të lexohen, në rrafshin juridik, pa dy disiplina përcjellëse: politikën, përkatësisht gjimnastikën. Apo të vëna bashkë: gjimnastikën politike.
Për të mbërritur aktgjykimin e shpallur ndaj pyetjeve të presidentes, Gjykata Kushtetuese ka marrë nenet dhe ligjet e nevojshme dhe i ka zgjatur a tkurrur, përzdredhur a ngjeshur sipas nevojës të përgjigjes që duhet dhënë.
Rrëfimi i shkurtër juridik i verdiktit të Gjykatës Kushtetuese është:
presidentja na shkroi se e ka lexuar tash Kushtetutën dhe se ka shpërputhje nenesh, dhe nuk po di se cilin nen si ta aplikojë.
Ne konstatojmë se nenet nuk shpërputhen, por nuk ka dert, vazhdojmë tutje.
I kërkojmë shënimet e hartuesve të Kushtetutës (“travaux preparatoires”), por na thonë me shkrim se nuk ka asnjë letër që përshkruan se si është shkruar Kushtetuta. Nuk ka dert, vazhdojmë.
Tash do ta përdorim precedencën dhe ligjet. Precedenca janë zgjedhjet e kaluara. Në asnjë zgjedhje nuk ka pasur fitues absolut, pra të gjithë ishin relativë. Rrjedhimisht, Kosova, meqë nuk mund të prodhojë fitues absolutë, dhe meqë prodhon fitues relativë, në tekstin e vet kushtetues nënkuptohet kur thuhet “fitues”, se është për fitues relativ.
Por ngadalë, dikush mund të thotë se nuk mund të përdoren rezultatet zgjedhore për të përshkruar gjuhën e Kushtetutës, se Kushtetuta është mbi lëvizjet e përditshmërisë. Nuk ka dert, vazhdojmë.
Tash do ta përdorim ligjin për të definuar koalicionin. E marrim Ligjin mbi zgjedhjet, bile atë që e ka hartuar UNMIK-u. Aty shkruan se koalicion është vetëm ai që është regjistruar si i tillë për të marrë pjesë në zgjedhje. Mirë boll, kaq mjafton. Kur presidentja ka dyshime se cili është koalicioni, ne ia tregojmë ligjin dhe i themi se koalicion është ai që është regjistruar para zgjedhjeve.
Por ngadalë, dikush mund të thotë se ky ligj ka hapësirën e ngushtë, pra vetëm zgjedhjet, të cilat përfundojnë me numërimin e votave. Nuk ka dert, vazhdojmë.
Por ngadalë, dikush mund të thotë se nuk mund të përdoret ligji për të dhënë interpretimin e Kushtetutës, se duhet të ndodhë e kundërta, se ligjet i adaptohen Kushtetutës e jo Kushtetuta ligjeve. Nuk ka dert, vazhdojmë.
Ulemi dhe e shkruajmë aktgjykimin, ashtu siç propozoi ai miku i Vetonit, i mençuri, i huaji, dashamiri: herën e parë le ta marrë PDK-ja, herën tjetër nuk përjashtohet PDK-ja, pra rrjedhimisht nuk përjashtohet as ndonjë parti tjetër. Rrjedhimisht, presidentja mund t’ua japë mandatin herën e dytë atyre, të tjerëve.
3.
Gjykata Kushtetuese dhe presidentja kanë, siç jam shprehur në artikullin e mëhershëm, një relacion të akrobacionit juridik në letërkëmbimet e tyre.
Tashmë ka hyrë si një rast eklatant arsyetimi i Kushtetueses rreth mosshkurtimit të mandatit të personit që aktualisht e ushtron detyrën e presidentit:
“Në rastin e presidentes aktuale të Republikës, kjo do të thotë që i gjithë populli i Kosovës pret që ajo të jetë presidentja e tyre gjatë pesë (5) vjetëve të ardhëm. Kështu që, shkurtimi i mandatit të saj, siç propozohet me amendamentin 10, e privon popullin e Kosovës nga përfaqësuesi i tyre legjitim dhe garantuesi në një kohë më të hershme sesa besonin dhe shpresonin”.
Gjykata, e cila di se i “gjithë populli i Kosovës pret që ajo të jetë presidentja e tyre gjatë pesë vjetëve të ardhshëm” dhe e cila di se po qe se asaj i shkurtohet mandati, edhe popullit i shkurtohen shpresat në aktgjykimin e ri, ndaj nuk mbetet prapa me invencion
Tash, në aktgjykimin e ri e në pikën 86, duke arsyetuar, me gjimnastikë shembullore, se çka do të thotë shumica e nevojshme për të formuar Qeverinë, Gjykata konstaton:
“Prandaj, Presidenti i Republikës nuk mund të parashikojë që partia politike ose koalicioni të cilin ai/ajo duhet ta konsultojë për nominim të mandatarit do të marrë shumicën e mjaftueshme të votave në Kuvend për të formuar Qeverinë e propozuar nga mandatari”.
Gjykata, pra, di për mungesën e aftësive të Presidentit të Republikës për të parashikuar.
Listës së fjalëve që për herë të parë hyjnë në fjalorin kushtetues, e që ishin “shpresa”, “besimi” dhe “i gjithë populli”, tash hyn edhe “parashikimi”.
Me çka hyjmë në lexim të verdikteve si përrallë.
4.
Na ishte një mbret, i dashur dhe i mirë. Një ditë vdiq. Nuk la trashëgimtarë. Të Urtët e oborrit zgjodhën njërin mbret pasardhës, ai doli të jetë më shumë për qatip sesa për mbret. E ndërruan. E zgjodhën tjetrin, ai ishte mashtrues. E ndërruan. Pastaj vendosën se mund të ishte një trashëgimtare, por nuk ishte e moshës madhore për të qenë mbretëreshë. E zgjodhën regjente, i thanë që të ushtrojë deri në ditën kur do të ishte e moshës madhore – do t’i tregonin kur është ajo moshë- dhe të mos mërzitet për punët e shtetit, kishte kush i kryente ato.
Gjykata Kushtetuese, në këtë lexim përrallor, po shndërrohet në Grupin e të urtëve (në disa përralla janë dajë e axhë, në disa të tjera janë peshkopë), i cili do të përcaktojë se si do të sillet regjentja, se çka duhet të bëjë.
Dhe presidentja, në këtë përrallë po sillet si regjentja, e cila tregon me disiplinë mungesën e njohurive për rolin e saj, dhe me po aq disiplinë e pyet Grupin e të urtëve se çka duhet të bëjë.
Në analogjinë me realitetin, presidenti i cili nuk është regjent, duhet të ushtrojë prerogativat e veta kushtetuese me besim të plotë. Pjesë e këtyre prerogativave është edhe fuqia politike. Presidenti/ja nuk është ofiqar (siç përshkruhet në aktgjykimin e Kushtetueses sa u përket të drejtave të veta) që vetëm përcjell emërtimet nga njëra adresë në tjetrën. Ajo/ai ka një funksion politik, e pjesë e këtij funksioni është edhe vlerësimi politik (“parashikimi” i famshëm i Kushtetueses) se kush mund të krijojë një shumicë, madje edhe shumicë stabile për vendin.
Në analogjinë me realitetin, me një president i cili nuk është regjent, Kushtetuesja nuk mund të bëhet ajo që i duket se është sot. Për dikë që punon në Presidencë, zyrë e avokatisë. Për vetë Gjykatën, Pushteti i Katërt, ai i cili do t’i tregojë, nëse ka nevojë edhe në gjykime të përditshme, se si duhet të sillet.
Në leximin përrallor, me regjentët e me të Urtët, është e qartë se duhet të ndryshojë diçka. Vetë përralla.
© KOHA Ditore
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...