“Bullshit” shqip

4 Shtator 2016 - 08:00 - Veton Surroi      

Thaçi nuk është gënjeshtar, sipas profesorit të Princetonit, Harry Frankfurt, sepse për të gënjyer duhet të dish se çka është e vërteta

1.
Njëri prej problemeve më të mëdha që nxiti publikimi i përgjimeve “Pronto 2” u shkaktua nga një problem në dukje banal, se si të përkthehen fjalët e kryetarit të atëhershëm të PDK-së e presidentit të tanishëm Thaçi në paralajmërimin e veprimeve që do të ketë me Ambasadën amerikane. Kur ai tha “Hajt se luj koqe me amerikanët” në lidhje me një iniciativë ligjore, nxori në pah dy sfida. E para, si të përshkruhet në përmbajtje, kultura politike e kryeministrit të atëhershëm që nivelin më të lartë të bisedës së përgjuar kishte (intelektualisht, politikisht dhe në aspektin semantik) paralajmërimin se do të lozte me gjenitale. E dyta, si të përkthehet kjo në anglishte, gjuhë mbiadministrative në Kosovë? Si t’u shpjegohet ambasadave, e në radhë të parë asaj amerikane, ç’intencë ka kryeministri i Kosovës në një moment të duhur të një krize të vogël legjislative?

Mund të paramendoj se në çfarë telashesh do të jenë gjendur fillimisht përkthyesit e ambasadave, e pastaj edhe këshilltarët politikë të tyre, që duhej të përkthenin në përmbajtje kontekstuale intencën e kryeministrit të Kosovës.

Përkthyesit e kanë pasur të pamundur të gjejnë ekuivalentin; në anglishte përkthimi i fjalëpërfjalshëm “play balls” (përfshirë edhe kur me “balls” bëhet fjalë për testikujt) nuk ka ndonjë kuptim. Për këshilltarët politikë, duhet të ketë qenë e qartë se kryeministri i atëhershëm do të lozte një lojë me Ambasadën amerikane, një lloj triku, por cilësimi kontekstual i atij triku kishte rëndësi të veçantë. Është një gjë të lozësh në trik të stilit të 1 prillit, Ditës së gënjeshtrave (nëse je në marrëdhënie të mira me palën tjetër) dhe do të jetë gjë tjetër nëse triku është një lloj mashtrimi që fsheh një keqbërje. Që të gjitha këto janë përmbajtje kontekstuale, dhe këshilltari politik duhej t’i sqaronte, por do ta kishte të pamundur meqë mungonte përkthimi fillestar, ai që do ta bënte të njohur në anglishte se çka donte të thoshte (pos sharjeve me nënë të kundërshtarëve politikë dhe pyetjeve “ani ç’a ka të re najsen” pas pyetjes “ani ç’a ka të re najsen”) fjalia e tij qetësuese, se do të lozte koqe me amerikanët.

2.
Shprehja amerikane (e anglishtes kulturore amerikane, jo domosdoshmërisht e gjuhës anglo-britanike) që më së shumti i përafrohet lojës së H. Thaçit është po aq e papërkthyeshme në gjuhë të tjera. Bëhet fjalë për shprehjen “bullshit”. Mund të përdoret në shumë kontekste të ndryshme ç’prej domethënies së fjalës “dokrra” (natyrisht me peshë më të rënduar se kaq) e deri te përafrimi i lojës së preferuar të H. Thaçit. E përkthyer fjalë për fjalë, si bajgë demi, nuk ka ndonjë vlerë, por ashtu si me shprehjen e Thaçit, kjo shprehje ka një domethënie tej vlerës nominale. Po t’i shpjegonte H. Thaçi në anglishten amerikane se si do ta tejkalonte problemin lidhur me iniciativën kontestuese ligjore, ai do të thoshte “I will bullshit the Americans”. Në të dyja versionet, “bullshit” dhe “lojë koqesh” janë veprime që ngërthejnë një manipulim.

Për zyrtarin politik të Ambasadës, që do t’ia shpjegojë Ambasadorit se çka ka dashur të thotë kryeministri i atëhershëm, tash ishte shumë më lehtë. Do të shpjegonte se kryeministri përdor “bullshit-in” në formë foljeje, pra ndërmerr “bullshit” ndaj Ambasadës amerikane. Në versionin e zbutur, zyrtari po ashtu mund të thoshte se kur zhvishej prej banalitetit, loja e testikujve e z. Thaçi përkthehet me fjalën “manipulim”, e meqë manipulimi si i tillë është një veprim që ikën (pak a shumë) nga e vërteta, kryeministri i atëhershëm kishte paralajmëruar një lloj shtrembërimi të së vërtetës.

3.
Zyrtari politik i Ambasadës do të bënte mirë po të mos e linte me kaq fjalën “bullshit”, e së bashku me zyrtarin politik edhe publiku kosovar atë “lojë koqesh”.

Në SHBA, njëri prej profesorëve më të njohur të filozofisë, Harry G. Frankfurt, i Universitetit të Princetonit, shkroi më 2005 një ese (botuar nga Princeton University Press), titulluar “On bullshit” (“Për bullshitin”, apo në kontekstin kosovar “Për lojë koqesh”). Sipas profesorit Frankfurt, “bullshit-i” është veprim që “ka shkëputje me brengën për të vërtetën”, është një lloj manipulimi që nuk kalon tërësisht në gënjeshtër.

Ky lloj manipulimi është bërë pothuajse vulë e veprimit politik të Thaçit. Dhe kjo vërehet në deklaratat e tij emblematike. Për shembull, për liberalizimin e vizave, kur më 27 dhjetor 2010 tha:

“Ju siguroj dhe garantoj sot, juve qytetarë, se vetëm për 15 muajt e ardhshëm nga janari i vitit të ardhshëm të gjithë qytetarët e Kosovës do të lëvizin lirshëm në gjithë Evropën…”.

Nga perspektiva e sotme, kjo del të jetë një e pavërtetë e madhe, gjegjësisht diçka që do të cilësohej si gënjeshtër. Por, Thaçi do të mund të mbrohej me këtë dhe atë ngjarje objektive që penguan liberalizimin (deri te Marrëveshja e tanishme e demarkacionit me Malin e Zi). Për më tepër kur ai përmendi 15 muajt nuk kishte njohuri bazike për aspektin procedural të liberalizimit (i cili në fund duhej të miratohej nga shtetet anëtare të zonës Schengen pa marrë parasysh çka do të thoshte Komisioni). Por, me fjalët e Frankfurtit, Thaçi ishte krejtësisht i shkëputur me brengën me të vërtetën; nuk merrej me detaje, merrej me manipulimin e një date që do ta paraqiste në një dritë më të mirë. Merrej me “bullshit”.

Dhe, nuk gënjente. “Të thuash një gënjeshtër është një akt me përqendrim të përpiktë”, thotë profesori Frankfurt. “Në mënyrë që ta shpikë një gënjeshtër, ai duhet të mendojë se di çka është e vërteta”. E Thaçi nuk e kishte as atëherë e as tash idenë e së vërtetës së liberalizimit të vizave. Për më tepër, e meqë kriteret për liberalizim janë sa teknike aq sa politike, as që pretendonte të kuptonte tërë ndërlikimin e së “vërtetës”. Pra, Thaçi nuk gënjeu. Ushtroi “bullshit”, apo me fjalët e tij, luajti koqe.

4.
“Bullshit-i” tashmë mund të quhet formë emblematike e politikëbërjes kosovare të dominuar nga Thaçi. Në mungesë të njohurive për të vërtetat, Thaçi angazhohet në deklarime që tejkalojnë dimensionet e reales.

“Në fakt, Serbia “de facto” veç e ka njohur Kosovën si shtet. Por, pritet durim, përkushtim, pritet edhe kohë, duhet pritur edhe de jure”. Kështu deklaronte Thaçi në dhjetor të vitit 2008, vitin kur Serbia kalli vendkalimet kufitare në veri të Kosovës për të treguar mu të kundërtën, se nuk e njeh as de facto e as de jure pavarësinë e Kosovës.

“Beogradi çdo ditë bën hapa që e shpien atë më afër një njohjeje zyrtare të Kosovës“, i thoshte Thaçi gazetës vjeneze “Die Presse” më 2015, vitin kur Serbia në formë të suksesshme loboi për pengimin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

Si mund të bëjë këso deklarata, kaq të “shkëputura nga brenga për të vërtetën”? Profesori Frankfurt ka shpjegim edhe për këtë:

“…personi i cili angazhohet që të ecë tutje me bullshit ka shumë më tepër liri”, sesa personi që e tregon të vërtetën, apo madje edhe ai që gënjen, sepse edhe ai që gënjen duhet së paku të dijë se çka është e vërteta.

(Nesër: Prej marksizmit-leninizmit në bullshitizëm)

comments powered by Disqus
Veton Surroi
Veton Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...