Kodi telefonik si një roman triler

19 Nëntor 2016 - 10:56 - Veton Surroi      

Në interpretimin negativ Kosova ka potencialin që me 383 ta fitojë një virus “I love you” dhe një kalë Troje

1.

Më 15 dhjetor të këtij viti ITU-ja, organizatë e Kombeve të Bashkuara për telekomunikacion pritet t’ia japë Kosovës kodin treshifror telefonik.
Atë ditë në buletinin e ITU-së do të shpallet, jashtë formave standarde, kjo komunikatë:

“Me pajtimin e Administratës të Republikës së Serbisë, drejtori i TSB (Byrosë së Standardizimit të Telekomunikimit) ia ka caktuar këto kode ndërkombëtare Kosovës: Kodi E.164 (siç është definuar në rekomandimin ITU-T.E. 164, seksioni 4.1): 383”

Ky lajm mund të lexohet, sikur e bën pushteti në Kosovë, si një shenjë të qartë të sovranitetit të Republikës së pavarur të Kosovës. Por, mund të lexohet edhe kështu:

Më 15 dhjetor të këtij viti, ITU-ja, organizata e Kombeve të Bashkuara për telekomunikacion, me kërkesë të Serbisë, do t’ia caktojë Kosovës kodin treshifror gjeografik .

Versioni shqiptar dhe ai serb, nuk ndryshojnë. Që të dy versionet tregojnë se Kosova mund ta përdorë kodin +383. Madje edhe seksioni 4.1. i Rekomandimit ITU-T.E. 165 ofrohet me dykuptimësi: vlen për shtete, grupe shtetesh apo “hapësirë specifike gjeografike”.

Por natyra politike e kodit (pronësia e tij) dhe mënyra se si arrihet tek ai, kanë një hendek shumë të gjerë dallimesh, madje dallimesh që mund të prekin në sovranitetin e vendit të ri të pavarur.

2.

Kush është pronari i kodit të ardhshëm +383? Kjo është një pyetje gati për të shkruar një roman-triler.

Ndërmjetësit evropianë e kanë paketuar informatën fillestare për Kodin, dhe vetë procesin negociator, asisoj që të mund të interpretohet pozitivisht nga të dy palët, Prishtina dhe Beogradi. Që nga Marrëveshja e parë për telekomunikacionin, Brukseli ka formuluar fjalinë beninje se “në kontekst të dialogut e me ndërmjetësim të BE-së, të dyja palët janë akorduar se ITU-ja do t’ia japë Kosovës kodin thirrës treshifror në pajtim me standardet, parimet dhe orarin e ITU-së”.

Prishtina zyrtare nuk e ka shpjeguar domethënien e kontratës në gjuhën shqipe. Në të, palët në Bruksel janë akorduar që Kosova ta ketë një kod treshifror, në pajtim me standardet dhe parimet e ITU-së, por duke mos e prezantuar veten si shtet sovran. Pra, Kosova që nga fillimi i negociatave është pajtuar që të mos jetë aplikuese për anëtarësim në ITU (me anëtarësim ITU-ja do t’ia jepte automatikisht kodin treshifror). Meqë është pajtuar të mos aplikojë si shtet sovran, ka pranuar që, brenda standardeve dhe parimeve të ITU-s, sovranitetin e vet ta ndajë me Serbinë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.

Dhe në formë të butë e implicite, një gjë të tillë e konfirmon edhe Austria, e cila doli si aktore në këtë lëmsh, për t’ia shkruar një letër ITU-së për kodin e Kosovës. Letra e përfaqësuesit austriak, e akorduar në Bruksel mes ndërmjetësit, Prishtinës dhe Beogradit, thotë kështu:
“Brenda kornizës së Dialogut mes Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga BE-ja, kam nderin e të kërkuarit, në emër të Serbisë dhe të Kosovës, që ITU-ja të fillojë procesin e dhënies së kodit thirrës treshifror Kosovës”.

Në formë të butë është manifestuar edhe sovraniteti i Serbisë. Në konkluzionet e ndërmjetësve, që është finalizimi i Marrëveshjes së telekomunikacionit, të botuara në nëntor të këtij viti, përcaktohet obligimi i një letre që “Serbia do të dërgojë në ITU me të cilën pajtohet që numri thirrës 383 t’i jepet Kosovës”. Një interpretim koherent mund të thotë se Serbia me këtë letër do të shprehë të drejtën e vet sovrane. Ajo shfaqet të jetë pronare e kodit 383 dhe rrjedhimisht të vendosë se ky kod është gjeografik dhe mund të administrohet nga kush do ajo. Po të mos ishte kështu, letra e Serbisë do të ishte e barasvlershme me atë të Bolivisë, Burundit dhe e Vanuatus - e asnjërën prej tyre s’e kërkon Brukseli zyrtar. E kërkon vetëm të Serbisë.

Po të mos ishte kështu, letra e Austrisë do të ishte bizare. Austria nuk ka pse të kërkojë kod telefonik për Kosovën, në emër të Kosovës dhe Serbisë, nëse edhe Serbia nuk është përfshirë në njëfarë forme juridike në hisenë e këtij kodi.

Prova për këtë mund të jetë e kuptuar së shpejti. Deri në fund të këtij muaji Serbia duhet ta dërgojë në Bruksel draftin e letrës të cilin e ka për obligim ta dërgojë në ITU. Nëse është i vërtetë arsyetimi i Prishtinës zyrtare, atëherë letra e Serbisë do të shkruajë kështu: “Republika e Serbisë ka nderin të pajtohet që Republika e Kosovës të jetë pronare e kodit shtetëror 383”. Nëse kjo është letra atëherë Marrëveshjen duhet përqafuar; një këso letre do ta kishte edhe një aneks gratis ku Serbia sponsorizon anëtarësimin e Kosovës në ITU.

Por, çka do të ndodhë nëse letra e Serbisë thotë përafërsisht kështu: “Republika e Serbisë, në pajtim me Marrëveshjet…, pajtohet që ITU-ja t’i japë në administrim ARKEP-it kodin gjeografik 383”?

3.

Pajtimi i Kosovës që të nënshkruhet në procesin legal të ITU-s si Kosovo* është pohim, tashmë brenda institucioneve të Kombeve të Bashkuara, se pushteti në Prishtinë ende nuk e konsideron të përmbyllur Shpalljen e vet të Pavarësisë. Pra se e konsideron Shpalljen e Pavarësisë dhe administrimin e OKB-së nën Rezolutën 1244 si të barasvlershëm.

Ky veprim, që nuk është i natyrës simbolike, mund të mbindërtohet më tej, me Marrëveshjen e Kodit. Nëse në të, Kosova pajtohet se sovraniteti mbi kodin qëndron te Serbia, por Kosova do ta shfrytëzojë përkohësisht përderisa ta ketë pëlqimin e saj, atëherë Marrëveshja për Kodin e ka potencialin e të shndërruarit në precedent juridik edhe për çdo çështje të hapur mes Kosovës dhe Serbisë. Nëse Serbia ka sovranitet mbi kodin, atëherë pse të mos ketë sovranitet (siç pretendon) mbi PTK-në, “Trepçën”, hapësirën ajrore, qymyrin, plumbin dhe çka do që hyn nën pretendimet e veta?

Kodi 383, kështu, ka potencialin që të bëhet kod për zhbërjen e çfarëdo parimi sovraniteti që të ketë pretenduar të ndërtojë Kosova që nga më herët, edhe para Shpalljes së Pavarësisë.

Dhe, sikur virusi kompjuterik i mbështjellë me fjalët “I love you” e që u bë i famshëm në fillim të këtij mileniumi edhe Marrëveshja-virus mund të jetë e mbështjellë për kosovarët me fjalën sovranitet dhe evitim të humbjeve të mëtejshme në trafikun telefonik ndërkombëtar.

4.

Nëse, nga ana tjetër, ndërmjetësit në Bruksel kanë gjetur një zgjidhje për kodin e Kosovës që nuk i jep hise, qoftë edhe pasive, Serbisë, atëherë kemi të bëjmë me një përparim të dukshëm negociator. Por, ky përparim nuk e eliminon rrezikun e radhës në Marrëveshjen për Telekomunikacion, kalin e Trojës. Me Marrëveshjen e Brukselit, Telekomi i Serbisë, ndërmarrje shtetërore, krijon prani të veten legale në Kosovë (me mbulesë juridike të një firme private) në kushtet kur Serbia ende nuk ka nënshkruar marrëveshje paqeje me Kosovën dhe kur me veprimet e veta, në mos të tjera ato “të butat” si në UNESCO e Interpol, pengon funksionimin normal të shtetit të Kosovës.

Fakti që Telekomi i Serbisë vepron nën juridiksionin kosovar nuk është ndonjë avantazh i madh. Këtë e bënte edhe “Civilna Zastita” në Mitrovicë, me policë të MPB të Serbisë që vepronin brenda një organizate komunale, të lejuar me ligjet e Kosovës.

Testimi i Kalit të Trojës është i thjeshtë: përgjimi. Nëse autoritetet kosovare nesër duan të përgjojnë legalisht ndonjë përdorues të telefonisë së Telekomit të Serbisë në Kosovë, këtë nuk mund ta bëjnë, sepse përgjimi i ligjshëm (legal interception) bëhet vetëm në burim, pra në centralen e Beogradit. Një prokuror i Kosovës, që nesër do që të kërkojë përgjimin e një numri telefonik në Kosovë, do të duhej ta bënte këtë kërkesë në Beograd.

Telekomi i Serbisë në Kosovë, kështu, shndërrohet në sistem komunikimi paralel në shërbim të një sistemi të administrimit paralel.

(Nesër: Kodi si Asociacioni?)

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

 

comments powered by Disqus
Veton Surroi
Veton Surroi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...