28 Nëntor 2015 - 10:02 - Adriatik Kelmendi
KJO NUK ËSHTË hera e parë që i gjithë spektri politik e edhe popullata në përgjithësi duke u përqendruar në miun nuk e shohin malin.
Qëndrimi i të akuzuarit për krime të luftës në Kosovë, gjeneralit serb LubishaDikoviq, përtej ofendimit të viktimave të luftës, lëshimit të rëndë të institucioneve të vendit, ose mospërfilljes së KFOR-it, ngërthen në vete diçka shumë më të tmerrshme dhe me pasoja të thella. Ka të bëjë me përpjekjen e Serbisë për të marrë nën kontroll të gjithë hapësirën ajrore të Kosovës dhe gatishmërinë e Brukselit që këtë ta miratojë.
Hapi i parë i kësaj ndërmarrjeje u bë pikërisht të dielën, kur COMKFOR-i gjeneralmajor Guglielmo Luigi Miglietta e nënshkroi me Dikoviqin, si përfaqësues i Armatës së Republikës së Serbisë, dakordimin për heqjen e zonës 25-kilometërshme të ndalim-fluturimit përgjatë kufirit të Kosovës me Serbinë, e cila ishte përcaktuar me Marrëveshjen Tekniko-Ushtarake të gushtit 1999.
Ky është rezultat i drejtpërdrejtë i përcaktimit të interesave të NATO-s dhe të Perëndimit në përgjithësi për ta përafruar Serbinë, si kundërpërgjigje të ambicieve gjithnjë e më të mëdha të Federatës Ruse në rajon. Në këtë frymë ndodhi edhe takimi në Beograd, javën e kaluar, ndërmjet kryeministrit serb, AleksandarVuçiq, dhe sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili tha se ky përafrim po ndodh “në bazë të përkushtimit të Serbisë në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”. Dhe qeveria në Beograd duket se e ka nuhatur mirë se në kontekst të gjeopolitikës aktuale - por edhe hutisë së përgjithshme e antagonizmit brendashqiptar për shkak të bllokadave të njëpasnjëshme institucionale në Kosovë - po i servohet një shans tepër i rrallë, të cilin nuk do ta lërë pa e shtrydhur maksimalisht.
HAPI I PARË i madh i synuar, pra, është shtrirja e kontrollit mbi gjithë hapësirën ajrore të Kosovës.
Nga burime diplomatike perëndimore kam kuptuar se në fillim të shtatorit në Bruksel ka qëndruar Marko Gjuriq, shef i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, dhe ka pasur takime zyrtare me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian. Aty ai e ka dorëzuar kërkesën e Qeverisë së tij, të mbështetur edhe me argumente teknike, që Serbia të marrë nën kontroll hapësirën ajrore të Kosovës, pasi që t’i kalojë mandati Hungarisë. Të njëjtat burime, theksojnë se zyrtarë në BE i kanë shfaqur mirëkuptim dhe arsyetim për këtë kërkesë dhe se ajo do të mund të bëhet realitet.
Për ta rikujtuar këtu, hapësira e lartë ajrore e Kosovës, pas bllokadës së pasluftës, ishte rihapur në prill të vitit 2012 me vendim të Këshillit të NATO-s, kurse përgjegjësia për kontrollin dhe ofrimin e shërbimeve i ishte besuar“Hungarocontrol”-it nga Hungaria.
Ka edhe më shumë: Serbia është duke e mbështetur kërkesën e saj për të pasur në zotërim hapësirën ajrore të Kosovës edhe nën petkun e bashkëpunimit dhe lidhjen e rajonit, nëpërmjet partneritetit të aviokompanisë “Air Serbia” me “Etihad Airways” me seli në Abu Dhabi, kur kjo e fundit mori përsipër të drejtën e menaxhimit me kompanitë. Tashmë, bashkëpunimi i këtyre dy kompanive është kurorëzuar me hapjen e tri linjave të rregullta nga aeroporti i Beogradit për në qytete kryesore në SHBA, si dhe me linja direkte me kryeqytetet e shteteve të dala nga ish-Jugosllavia. Në këtë rrafsh, synohet edhe hapja e linjës direkte komerciale ajrore Beograd-Prishtinë nga “Etihad Airways”, që i bie “Air Serbia”. Kjo ka qenë edhe një ndër pikat që tashmë është diskutuar në raundet e kaluara të dialogut Kosovë-Serbi.
Duke i pasur parasysh të gjithë faktorët e përmendur më lart, diplomatët perëndimorë në dijeni të kërkesës së Serbisë bërë në Bruksel, druajnë se marrja nën kontroll e hapësirës ajrore kosovare nga Beogradi mund të pranohet lehtësisht nga BE-ja dhe NATO-ja. Logjika mbizotëruese e përfaqësuesve të Brukselit në këtë rast është: sa më e afërt dhe e integruar që të jetë Serbia në institucionet e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, aq më pak ajo do të mund të shkaktojë probleme në Kosovë.
Në të njëjtën kohë, Beogradi është duke llogaritur edhe në minimizimin e debatit publiko-politik në Kosovë, të reduktuar vetëm në çështjen e Asociacionit/Bashkësisë... dhe demarkacionit në Mal të Zi, si diçka që nuk po u lë hapësirë as institucioneve kosovare e as opozitës për t’u marrë me probleme të tjera, shumë të rrezikshme. Për më tepër, që nga shtetet perëndimore mike të Kosovës, ajo çfarë po ndodh aktualisht në vend, është duke u dënuar ashpër dhe në të njëjtën kohë kanë filluar të shfaqë edhe shenja të antipatisë dhe lodhjes me politikën kosovare ose Kosovën përgjithësisht.
Deri më tash Kosova ka llogaritur në përkrahjen perëndimore dhe forcat e NATO-s në faktor të stabilitetit dhe pacenueshmërisë së integritetit territorial të Kosovës nga rreziku i Serbisë. Sot, shumëkush argumenton se përfaqësuesit politikë të Prishtinës po sillen me nonshalancë kundrejt Perëndimit, gjë të cilën po shihet se nuk do të hezitojë ta kapitalizojë Serbia.
Mirëpo, kjo do të ishte goditja më e madhe që do të mund t’i bëhej sovranitetit të Kosovës dhe do të ringjallte ambicien e pashuar të Serbisë për t’u kthyer në Kosovë.
NDOSHTA NUK DO të teprohej sikur të thuhej se edhe vetë vizita e Dikoviqit në Kosovë ka qenë pikërisht për të shkaktuar një incident të vogël me të cilin do të merreshin të gjithë dhe që në të njëjtën kohë askush të mos merrej me thelbin e vizitës. Nuk është hera e parë që takohen krerët e KFOR-it dhe të Armatës së Serbisë, ngase takime të rregullta ka pasur që nga paslufta e këndej shpesh, si në Kosovë, ashtu edhe në Nish ose Beograd. Kësaj radhe ka gjasa të jetë zgjedhur qëllimisht Prishtina, mu duke llogaritur në reagimet për atë që përfaqëson emri Dikoviq dhe jo për atë që në praktikë po ndodh.
Së këndejmi, me të drejtë ne pamë reagimin e gjithëmbarshëm politik e shoqëror ndaj vizitës së kriminelit të dyshuar të luftës Dikoviq në Kosovë, por thuaja asnjë fjalë për marrëveshjet me Serbinë.
Kryeministri Isa Mustafa, ashtu siç u shpreh se nuk ka ditur për vizitën, paramendojeni atëherë se sa pak mund të dijë për kërkesën e Serbisë për hapësirën ajrore të Kosovës.
Njëlloj edhe opozita, duke u marrë vetëm me dy tema, gjithsesi të rëndësishme, ka harruar edhe shumë të tjera me po aq rëndësi dhe i ka krijuar hapësirë të pandëshkueshme operimi Qeverisë.
Fatkeqësisht, shumica e politikanëve kosovarë vazhdojnë ta bëjnë politikën nga konteksti i mëhallëve. Shumica ende kujtojnë se Kosova është në qendër të vëmendjes së botës, si gjatë vitit 1999. Shumica ka harruar se Milosheviqi nuk është më në pushtet në Beograd, se SHBA-ja është përfshirë edhe në disa luftëra pas asaj për Kosovën, se Rusia është forcuar dukshëm, dhe se kriza e refugjatëve e terrorizmi i ISIS-it janë kryetema të qeverive botërore.
Se sa dëme do t’i shkaktohen me këtë miopi politike Kosovës dhe qytetarëve të saj, s’besoj se do të vonojmë shumë e të bindemi.
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
[email protected]
Twitter: @adriatikk
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...