9 Mars 2014 - 17:31 - Adriatik Kelmendi
PRISHTINA E KA mundësinë ta bëjë ndryshimin e madh. Ose tash, ose kurrë.
Të gjitha subjektet politike u pa se e kishin marrë shumë seriozisht garën për kryeqytetin në zgjedhjet e fundit lokale.
Në garë ishte menduar të ishin asat e thuaja secilit subjekt. PDK-ja kandidoi një ish-kryeministër, ministër e gjeneral. LDK-ja kryetarin e partisë dhe të kryeqytetit. “Vetëvendosja!” nënkryetarin e kështu me radhë.
Tash, për herë të parë në historinë e qeverisjes së komunave të Kosovës kemi një skuadër të parë nën udhëheqjen e një komune. E ka këtë Prishtina.
Jo vetëm që, natyrshëm, pritet që një kryetar i ri dhe me elan si Shpend Ahmeti të bëjë ndryshime, por edhe gjithë të tjerët që janë aty në qeveri dhe në asamble.
Për herë të parë, po ashtu, kemi filluar të dimë se kush janë dhe si duken drejtorët e drejtorive në komunë. Ata dalin në media, japin llogari para publikut dhe nuk ngurrojnë të ballafaqohen me mendimet ndryshe. Ky patjetër që është një fillim premtues, por vetëm premtues, tash për tash. Mbetet të shihen rezultatet konkrete të kësaj qasjeje me punët që do të kryhen dhe veprimet që do të ndërmerren.
Në anën tjetër, edhe Asambleja Komunale kurrë nuk ka pasur emra më me peshë dhe që mund të shtyjnë shumë çështje përpara. Ulen aty bashkë shumë politikanë të rryer e edhe ministra aktualë.
Përbërje më të mirë, pra, s’do të mund të kërkohej në secilin aspekt.
A do të mund të shfrytëzohet ky potencial?
PRISHTINA E KA mbase shansin e fundit që të bëjë ndryshime rrënjësore. Ka pasur përpjekje pozitive edhe në të kaluarën, por Prishtina i kishte dalë duarsh edhe qeverisjes, edhe qytetarëve. Përshtypja është se aq sa është ndërtuar, po aq edhe është shkatërruar.
Lagjet e reja si “Kalabria”, Lagjja e Spitalit dhe “Mati 1”, ndonëse shpesh me godina të bukura, ngjajnë në xhungla arkitektonike. Plot ndërtime pa leje ose me leje që s’janë respektuar, asgjë nuk është në vijë, rrugë të ngushta, mungesë trotuaresh, mungesë asfalti. Kaos – me shumicë.
Lajmi është i mirë që është filluar të lëvizet me vendosmëri në luftën ndaj ndërtimeve të egra dhe pa leje. Është koha që së paku të lëvizet kurba nga trendi degradues në atë ndërtues. Dhe duhet vazhduar pa kompromis, me të gjithë që nga ajo Dita 0 kanë vazhduar të shëmtojnë kryeqytetin.
Me rrënime. Pse jo? Është një ndër krimet më të mëdha që i janë bërë kryeqytetit.
Kjo pastaj do t’i bëjë që të mendohen dy herë të gjithë ata që rreken të bëjnë diçka jashtë planeve rregulluese dhe jashtë lejeve të marra.
Po ashtu, Komuna do të duhej të rivlerësonte edhe gjithë kompanitë ndërtuese të banesave kolektive dhe (mos)respektimit që ata u bëjnë edhe lejeve të dhëna nga Komuna, por edhe të kontratave me banorët që kanë blerë banesat prej tyre.
Ka shumë e shumë raste kur kompanitë ndërtuese kanë bërë ndërtime të reja, të paplanifikuara më herët, duke ua zënë pamjen ndërtesave që kishin ndërtuar më herët. Ka të tjera që kanë nënshkruar kontrata për bashkim mjetesh me blerësit, por në fund nuk i kanë kryer të gjitha obligimet kontraktuale. Ka edhe të atillë që nuk e kanë siguruar cilësinë më të lartë të ndërtimeve dhe atë të sigurisë së objekteve, duke rrezikuar kështu drejtpërdrejt edhe jetët e banuesve. Ndërtuesit deri më tash kanë pasur në anën e tyre edhe brishtësinë e gjykatave, të cilat shpesh kanë vonuar lëndët me ankesat nga blerësit banues, dhe kështu ia kanë dalë pa u ndëshkuar me manipulimet e bëra. Teksa banorët kanë mbetur, përgjithësisht – të lagtë!
Përfundimisht kësaj dukurie duhet t’i thuhet – stop! Një udhëheqje komunale e fortë, siç besohet të jetë sot në Prishtinë, do të mund t’i shqyrtojë të gjitha këto ankesa të qytetarëve që kanë blerë banesa në ndërtimet e reja dhe t’i kushtëzojë kompanitë ndërtimore me përmbarim të punëve dhe përmbushje të detyrimeve kontraktuale, ose në të kundërtën të mos u japë leje të reja për ndërtime.
TJETRA PUNË urgjente, të cilën do të duhej ta kthente në udhë të mbarë kjo udhëheqje komunale, është jo vetëm rrënimi dhe kërkesat për respektim të obligimeve ndërtimore, por edhe krijimi i hapësirave të reja të gjelbra në kryeqytet.
Kemi parë se viteve të fundit aq shumë janë dendësuar ndërtimet e reja në qendër të Prishtinës, sa edhe aty ku më herët ka pasur hapësira të gjelbëruara tash shohim vetëm beton.
Ku janë parqet? Ku do të mund të kemi një vend relaksimi për familje e shoqëri, në kryeqytet, që do të ketë disa drunj, bar e ndonjë lule?
Urgjentisht duhet të hartohen planet ku, si në qendër të qytetit ashtu edhe në lagjet e reja, do të ndahen hapësirat e destinuara vetëm për gjelbërim. Parqe, me plot kuptimin e fjalës.
Në një kryeqytet kaq të ndotur, siç është Prishtina, nevoja për parqe do të ishte e krahasueshme me nevojën e trupit për mushkëri.
Deri më tash nuk është vërejtur ndonjë iniciativë konkrete për të ndërtuar ndonjë park të ri në kryeqytet. Ende vazhdon, si me një shitim amoku, ngarendja për të bërë ndonjë ndërtim shumëkatësh përfitues nga të gjithë, kudo që vërehet një hapësirë e vogël, ose kudo që tri shtëpi mund të rrëzohen.
E po, deri kur?!
Tash është shansi! Tash është momenti!
Se Prishtina nuk do t’ia falë askujt!
Tash e ka fuqinë. Bashkë, me pushtet e me opozitë!
E për problemet e tjera, në ndonjë rast tjetër.
[email protected]
Tëitter: @adriatikk
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...