27 Qershor 2015 - 11:03 - Adriatik Kelmendi
TASHMË SHTËPIA është shndërruar në muze. Ferdane Qerkezi ka renditur aty gjësende të ndryshme, si dokumente, fotografi ose suvenire. Ato u përkasin bashkëshortit dhe katër djemve të saj të vrarë, që janë trajtuar si të zhdukur që nga 27 marsi i vitit 1999, kur u rrëmbyen nga forcat serbe në Gjakovë.
Kujdes të veçantë u është kushtuar këpucëve. Ato janë të renditura me kujdes, si në pritje mëngjesore, për t’u veshur nga Halimi dhe djemtë Artani, Armendi, Ardiani e Edmondi.
Mirëpo, ata asnjëherë më nuk mund t’i veshin ato.
Mbetjet e Ardianit janë gjetur në Vërmicë të Prizrenit, kurse të Edmondit në Rogovë të Hasit. Jo edhe ato të tre burrave të tjerë gjakovarë.
Ata vazhdojnë të jenë pjesë e listës prej më se 1700 të të pagjeturve në Kosovë që nga koha e luftës.
Dhe këtë vazhdojnë t’ua rikujtojnë Ferdanja bashkë me shumë nëna, bashkëshorte, bija e familjarë të tjerë të të pagjeturve kosovarëve. Shoqërisë dhe institucioneve.
E zëri i tyre shpesh fare nuk depërton te të tjerët. Bile ka edhe raste kur kalojnë edhe nëpër situata të reja të vështira.
Ferdanja, në këtë rast, është përballur me vështirësi edhe me vendimin që shtëpinë e saj ta kthejë në muze të hapur, meqë këtë e kanë kundërshtuar edhe nëpërmjet gjyqit disa nga familjarët e burrit të pagjetur.
Mirëpo ajo nuk dorëzohet. E vazhdon të veten. E vetme. Si ndërgjegje ndaj krimeve që janë bërë nga forcat serbe në Kosovë, si ndërgjegje e shoqërisë mospërfillëse të Kosovës.
NGA NUMRI i përgjithshëm prej mbi 1700 të të pagjeturve, janë vetëm rreth 300 familje që përfitojnë pensionin në emër të familjarit ose personit të pagjetur, në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Ky pension u takon atyre që nga viti 2011, në kuadër të Ligjit për vlerat e luftës, nenit që flet për të drejtat e viktimave civile të luftës.
Mirëpo, përse vetëm një e pesta e këtyre kategorive po shfrytëzon privilegjin (sa e rëndë kjo fjalë në këtë kontekst!) që ua siguron ligji?
Përgjigjja sigurisht do të kuptohet nëse vizitohen të gjallët e të të pagjeturve në ambientet ku ata jetojnë. Një pjesë e tyre as që e dinë mundësinë, një pjesë tjetër nuk ka pasur persona që të shkojnë për ta rregulluar dokumentacionin, në mënyrë që të kualifikohen për të marrë këtë ndihmë.
Sa ironike, për të mos thënë perverse, kjo situatë tek e krahason me një numër tjetër. 65 mijë persona kanë aplikuar për të përfituar statusin e veteranit të luftës së UÇK-së, mbi trefish më shumë sesa numri që përfundimisht u pranua.
A s’flet ky krahasim shkëlqyeshëm për mjerimin dhe zvetënimin e disa pjesëve të shoqërisë sonë?!
Gojët e vdekura nuk flasin, kurse ato të gjalla duan të përfitojnë edhe në kurrizin e atyre që nuk mund të flasin. Se mungojnë. Se nuk janë. Se familjarët iu nëpërkëmben.
Dhe këtu duhet të kërkojmë rolin e shtuar të institucioneve të shtetit.
Duke e parë se sa pak familjarë të të pagjeturve nuk i gëzojnë të drejtat që u takojnë me ligj, përse të mos krijojnë mekanizma që megjithatë atyre t’u ndihmohet financiarisht?
Përse të mos gjenden mënyra që megjithatë të pranojnë pensionet, por edhe më tepër?
Përse të mos krijohet, p.sh., edhe një fond i veçantë për familjarët e të të pagjeturve, shumica prej të cilëve kanë mbetur pa dorë mashkullore në shtëpi?
E RËNDA KËTU konsiston në faktin se pikërisht këta që na udhëhoqën dhe po na udhëheqin për këto 16 vjet çlirim, sytë i patën të orientuar më tepër te komandantët (dhe “komandantët”) se te viktimat e luftës.
Se këta komandantë vazhduan të sillen si komandantë edhe pas luftës, teksa viktimat mbetën viktima të luftës dhe të pasluftës.
A s’po e shohim këtë edhe sot?
A s’po kërkohet edhe sot e kësaj dite që të gjallët të kërkojnë privilegje duke u thirrur në luftën, kurse mbyllen sytë përballë të të pagjeturve dhe familjarëve të tyre?
E Ferdanja dhe shoqet e saja kaq mund të bëjnë. Shtëpitë e tyre do të shërbejnë si pika ku kërkohet ndërgjegjja e humbur e një shoqërie.
Vetëm se a po ka kush t’i kthejë sytë nga ato?
[email protected]
Twitter: @adriatikk
© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...