23 Mars 2014 - 16:04 - Adriatik Kelmendi
1. ZGJEDHJET NË SERBI kanë sjellë ndryshime aq të mëdha, ndonëse jo edhe të papritura, në skenën e atjeshme politike, gjë që s’do të kalojë pa ndikim edhe në rajonin dhe rrugën e kësaj republike drejt Bashkimit Evropian.
Në Serbi, dy nga tre votues kanë zgjedhur t’ua besojnë votën njerëzve të dy partive politike, të cilat kanë qenë në pushtet në kohën e luftës në Kosovë dhe të bombardimeve të NATO-s.
Atëbotë, siç dihet, në Kosovë janë vrarë mbi 13 mijë njerëz, janë dëbuar rreth një milionë shqiptarë, janë shkatërruar mbi 100 mijë shtëpi, janë dhunuar mijëra gra shqiptare e mizori të tjera të ngjashme me këto; si dhe të mos harrohet – Serbia ka zhvilluar luftë me aleancën më të madhe ushtarake në historinë moderne Paktin NATO.
Shumëçka ka ndryshuar në rajon dhe në botë që nga ajo kohë. Së këndejmi, përtej cilësimeve ultranacionalistë, radikalë, vrasës, dhunues e shkatërrues – sado e dhimbshme – është mirë që në Kosovë të bëhet një analizë gjakftohtë e të asaj se çka ka ndodhur në Serbi, në mënyrë që të bëhen strategji të ballafaqimit me këtë realitet të ri.
Kosova vazhdon ta ketë Serbinë armikun numër një, së këndejmi, pa e njohur realisht, nuk do të mund as t’i kundërvihet.
2. PARTIA PROGRESISTE SERBE (SNS) e Aleksandar Vuçiqit ka marrë 48.34 për qind të votave të zgjedhjeve parlamentare të 16 marsit, duke u bërë kështu subjekti politik që ka shënuar suksesin më të madh zgjedhor prej se është vendosur pluralizmi partiak në Serbi. Me këtë, ai ia ka kaluar edhe rezultatit elektoral të ish-diktatorit Slobodan Milosheviq nga fillimi i viteve ’90.
Përkthyer në mandate, i bie që Vuçiqi do të ketë 158 deputetë në Kuvendin prej 250 ulësesh të Serbisë, pasi që i janë shpërndarë edhe një përqindje e votave nga partitë të cilat nuk ia kanë dalë ta kalojnë pragun prej 5 për qind. Kjo do të thotë se ai ka mundësi që me lehtësi ta formojë vetë qeverinë.
Larg pas tij ka mbetur ish-partneri i deritashëm i koalicionit, Partia Socialiste e Serbisë (SPS) e Ivica Daçiqit që ka fituar 13.5 për qind të votave. Vetëm edhe një ish parti jopakicë, tash e ndarë në dy parti të ndryshme, ia kanë dalë që të kalojnë pragun zgjedhor. Partia Demokratike (DS) me në krye kryetarin e deritashëm të Beogradit, Dragan Gjilas, ka fituar 19 mandate (6.4%), si dhe Partia e Re Demokratike, e themeluar vetëm një muaj para zgjedhjeve, dhe e udhëhequr nga ish-Presidenti Boris Tadiq, ka siguruar 18 mandate (5.7%). Edhe po të mblidhen bashkë, ky është rezultati më i dobët i “demokratëve serbë” që nga themelimi i DS-së rreth 20 vjet më parë.
3. ASNJË NGA PARTITË që aktualisht shihen si ultranacionaliste nuk ia ka dalë që të hyjë në parlament të Serbisë. Jashtë kanë mbetur dy Vojislavët, njëri që akuzohet nga Haga me Partinë Radikale Serbe (SRS) dhe i dyti Koshtunica, ish-president dhe ish-kryeministër, i cili i dëshpëruar dha përfundimisht dorëheqje nga Partia Demokratike Serbe (DSS). Gjithashtu, jashtë janë edhe bashkëmendimtarët e tyre “Dveri”. Kurse për herë të parë nuk hyn në parlament subjekti i parë politik i Serbisë i cili ka avokuar se duhet pranuar pavarësia e Kosovës, Partia Demokratike Liberale (LDP) e Çedomir Jovanoviqit, si dhe Rajonet e Bashkuara të Serbisë (URS) e “ekonomistit më të mirë serb”, Mlagjan Dinkiq.
Ky rezultat flet për atë se gjysma e qytetarëve të Serbisë vlerësojnë se interesat nacionale të tyre më mirë se ultranacionalistët dhe liberalët i përfaqëson Aleksandar Vuçiq, teksa një e katërta mjaftohen me tri partitë e tjera.
4. REZULTATI I PARTISË Progresiste Serbe, u tha, nuk ka qenë i papritshëm. Ka kohë që sondazhet e kanë ranguar shumë lartë Vuçiqin dhe partinë e tij. Njeriu që dikur shquhej për idetë e tij të çmendura nacionaliste e shoviniste, përkrahës i Mladiqit e Karaxhiqit, kërcënues me vrasje të 100 shqiptarëve e myslimanëve për çdo serb të vrarë, ia ka dalë që t’i bindë së pari serbët e pastaj edhe bashkësinë ndërkombëtare se ai është – i duhuri.
Lirisht mund të thuhet se këto janë zgjedhjet e vetme në karrierën e tij politike kur i tërë Perëndimi nuk ka punuar kundër partisë ku ai bën pjesë, siç kishin bërë në kohët kur blanco përkrahnin Partinë Demokratike të Tadiqit vetëm për të mos i lejuar Progresistëve (Radikalëve) ardhjen në pushtet.
Mirëpo, për dy vjet të të qenit zv.kryeministër i parë dhe njeriu më i fuqishëm me vota në Serbi, ai “ka kryer punë” edhe në reformën ekonomike të vendit, luftimin e korrupsionit, rrugëtimin drejt BE-së dhe dialogun me Kosovën. Në këtë vijë, ka sjellë investitorë të shumtë të jashtëm në vend, ka futur në burg afaristin më të pasur të Ballkanit të përfshirë në privatizime të dyshimta, Miroslav Mishkoviq, ka fituar kandidaturën për BE dhe ka bërë “kompromise të dhimbshme” në raport me Kosovën (ndonëse shumë pak nga aspekti i Prishtinës, por diçka që nuk e kishte bërë asnjë pushtet i deritashëm në Serbi).
Pra, është kualifikuar si reformator, i pakorruptueshëm, përparimtar dhe i guximshëm. Të gjitha këto e kanë projektuar si fitues absolut të zgjedhjeve.
Frika tash është se një njeri, i cili ka pësuar kaq shumë transformime në karrierën politike, që e ka filluar si deputet 23-vjeçar në parlament dhe me 44 vjet bëhet njeriu më i votuar ndonjëherë në Serbi, ka krejt parakushtet për t’u kthyer në një – diktator.
5. NDONËSE FITUES ABSOLUT zgjedhjesh, Vuçiq ka bërë të ditur se do të ftojë edhe subjekte të tjera politike për ta formuar koalicionin qeveritar. Mundësitë janë që të krijohet një Koalicion i Madh, ku do të jetë sërish partia e Daçiqit, plus ajo e Tadiqit, ndonjë parti e pakicës, si dhe me gjasa që për herë të parë në qeveri të përfshihet edhe një parti shqiptare, në këtë rast Partia e Veprimit Demokratik (PVD) e Riza Halimit, e cila ka marrë dy mandate.
Për shqiptarët e Luginës së Preshevës ky do të ishte një rast i mirë për të ndikuar tash drejtpërdrejt si pushtet për të drejtat e tyre, duke shfrytëzuar edhe kriteret e kërkuara nga BE-ja në raport me popujt pakicë në Serbi.
Kështu, koalicioni qeveritar në Serbi mund të ketë rreth 80 për qind të votave në Kuvend – fuqi për ta çuar thuaja çdo agjendë përpara.
6. VUÇIQ DUKET E KA të qartë se bashkësia ndërkombëtare pret prej tij që në mandatin katërvjeçar të ndërmarrë disa vendime të vështira e të dhimbshme, së këndejmi kërkon të ketë mbështetjen sa më të gjerë të popullatës dhe të subjekteve politike.
Në rrugëtimin drejt BE-së, Serbia duhet të bëjë edhe shumë ndryshime në Kushtetutë dhe të ndryshojë ligje, në mënyrë që të mos stagnojë. Një ndër ndryshimet e mëdha që pritet të ndodhin në rrugëtimin e Serbisë drejt BE-së është edhe heqja e Kosovës nga preambula Kushtetuese, që do të nënkuptojë edhe fazën finale drejt njohjes së pavarësisë.
Asnjë parti politike serbe mbase nuk do të mundte ta ndërmerrte një hap të këtillë e vetme, përveç një koalicioni qeveritar ku do të bënin bëjnë pjesë “partitë e luftës” dhe “partitë e demokracisë”, në mënyrë që asnjëra palë të mos mbetet në histori si “humbëse e Kosovës” (diçka që reminishon koalicionin e madh PDK-LDK dhe “kompromiset” gjatë shpalljes së Pavarësisë së Kosovës). Kjo lehtësohet edhe për faktin që për herë të parë në Kuvend nuk është asnjë nga partitë serbe që e kundërshtojnë politikën e BE-së dhe të SHBA-së. E kësaj agjende sigurisht se mund t’i ndihmonte edhe pjesëmarrja e PVD-së shqiptare në qeveri.
7. SIDOQOFTË, TË GJITHA këto lëvizje në Serbi do të mund të rrisin shumë pritjet e bashkësisë ndërkombëtare ndaj Kosovës.
Në kohën kur shteti më armik i Perëndimit, Serbia, merr aq shumë mbështetje nga BE-ja për reformat e bëra në shumë fusha, presioni do të shtohet edhe ndaj Prishtinës.
Secila qeveri që do të formohet pas zgjedhjeve parlamentare në Kosovë do të ndodhet përballë presionit ndoshta të paparë deri më tash për të nxitur zhvillimin ekonomik, luftimin konkret të korrupsionit, ballafaqimin me të kaluarën dhe dialogut me Serbinë.
Në të kundërtën, mund të humbet hapi dhe ta shohim me dëshpërim se si përnjëherë Kasapët e Ballkanit janë bërë aleatët kryesorë të Perëndimit, kurse viktimat të mbesin në një vendnumërim të paparashikueshëm.
[email protected]
Twitter: @adriatikk
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...