Po, liberalizimi i vizave ul ikjen nga Kosova

7 Shkurt 2015 - 10:17 - Adriatik Kelmendi      

Kosovarët e kanë humbur durimin dhe me ikjen masive e histerike drejt Perëndimit kanë vendosur ta shkërdhejnë gjithë idenë naive se regjimi i vizave është politikë që do të ndalojë kalimin e paligjshëm të kufijve dhe emigrimin ilegal. Thjesht, muajt e fundit e kanë vërtetuar njëqind për qind teorinë se secili person që dëshiron të dalë ilegalisht në Perëndim e bën këtë, pavarësisht a ka vizë ose jo. Në këtë mënyrë, me dështimin me politikën e vizave, shtetet e BE-së vetëm sa kanë bërë që të gjithë ata që hyjnë në to pa viza, në të njëjtën kohë të jenë edhe shkelës të ligjit. Prandaj: Liberalizim i vizave për Kosovën – një ditë e më parë!

ENDE NUK KAM NJOHUR ndonjë kosovar, i cili ia kishte vënë vetes si qëllim që të emigrojë në ndonjë shtet të Perëndimit e të mos e ketë bërë realitet brenda një periudhe të shkurtër kohore.

Të paktët nga këta njerëz ikjen në Perëndim e kanë bërë duke u pajisur normalisht me vizë. Numri më i madh e kanë realizuar qëllimin në mënyra nga më të ndryshmet e trafikimit nëpër shtete e kufij, me pasaporta të huaja e metoda të tjera nga më origjinalet. Të gjitha këto metoda kanë dy të përbashkëta drejt përmbushjes së synimit, që janë dorëzimi në qasje kriminale dhe shpenzimi i shumave të majme të parave.

Mirëpo, besoj që shpesh ne, një numër i vogël njerëzish në Kosovë që kanë pasur një privilegj të pajisen me viza dhe mundësinë të vizitojnë shtete të ndryshme, kemi hasur shumë kosovarë që do të ktheheshin që nesër në atdhe. Ajo çfarë i pengon ata që të kthehen janë pikërisht vështirësitë që kanë kaluar derisa kanë arritur në vendet e Perëndimit. Shpesh kanë mbetur të zënë në situatë pengu. Presin të kalojë një numër i caktuar vjetësh në vendin ku kanë emigruar, për t‘u pajisur me dokumentet e nevojshme për të mundësuar rikthimin e tyre eventual. Nuk duan të rrezikojnë.

Ose edhe ambicie më e vogël - të punojnë aq gjatë sa të mund t’i kthejnë borxhet e marra para nisjes për të paguar udhëtimin e tyre të shtrenjtë klandestin drejt Perëndimit. As më shumë, as më pak.

Po të kishin këta persona mundësinë që të pajiseshin me lehtësi me viza, ose të qarkullonin pa viza fare, do të kishin shumë më pak arsye që të qëndronin në Perëndim. Rrjedhimisht, numri i të mërguarve do të ishte shumë më i vogël.

5 milionë polakët dhe histeria britanike

Duket një përfundim i thjeshtëzuar, mund të mendojë dikush. Ndonëse, në dukje të parë, vërtet mund të tingëllojë si një konkludim i shpejtë dhe bardhezi, ka një përvojë shumë interesante në vetë vendet e Bashkimit Evropian që e kanë argumentuar një llogari të tillë të thjeshtë. Ka të bëjë më 1 majin e vitit 2004, datë kjo kur ishte paraparë që Bashkimi Evropian të bënte zgjerimin e tij më të madh që nga krijimi, duke pranuar 10 shtete të reja brenda.

Sa më shumë që afrohej kjo datë, debatet parlamentare dhe ato në media bënin namin. Veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar ishte krijuar një atmosferë gati-gati histerie. Ishte e madhe frika nga ajo që do të sillte dita kur Bashkimit Evropian do t‘i shtoheshin plot 75 milionë banorë të tjerë, të cilët nga 1 maji do të kishin mundësi që pa pasaporta të udhëtonin në vendet brenda këtij unioni.

Një ditë para kësaj date, titujt në gazetat britanike ishin të tillë: "Nga nesër, 5 milionë polakë do të vendosen në Britani", "Ku do të punojnë britanikët, kur evropiano-lindorët do të vijnë me miliona dhe do të punojnë me një të pestën e pagave tona". Vetëm paramendimi i situatës kur miliona njerëz do të kenë të drejtë që lirisht të vijnë në shtetet më të zhvilluara, trajtohej si një ndërrim paradigme i asaj se çfarë ka qenë jeta në këto vende para dhe pas 1 majit të atij viti.

Mirëpo, çfarë ndodhi?

Asnjë nga të paralajmëruarat.

Vërtet, në ditët dhe muajt në vazhdim u rrit paksa numri i njerëzve nga 10 shtetet e reja që vinin për të kërkuar punë në Britani. Por as për së afërmi në numrat e trumbetuar dhe për më tepër duke mos sjellë ndonjë të keqe. Më e bukura ishte se shumë nga këta polakë, çekë, sllovakë e të tjerë, vinin lirisht në Britani dhe kishin mundësinë për ta vërtetuar se çfarë në të vërtetë ishte jeta atje. Tashmë jo vetëm nga filmat, televizori, romanet ose gazetat, por me përjetim personal të drejtpërdrejtë. Dhe disa e gjenin ndonjë punë dhe punonin. Të tjerë ose nuk gjenin, ose nuk u pëlqente Britania, ose vlerësonin se në vendin prej nga kishin ardhur e kishin një jetë shumë më të mirë se ajo që mund t‘u ofrohej në vendin e ri.

Kështu, numri më i madh i tyre, pas dy-tri javësh përvoje britanike, kthehej prej nga kishte ardhur. Teksa i njëjti në vete mbartte një siguri të madhe që ua mundësonte mundësia e qarkullimit të lirë - sido që të shkonin punët, gjithmonë mund të kthehej prapë atje pa pengesa.

Në vitin 2009, në kohën kur vendet anëtare të BE-së kanë bërë edhe një përllogaritje të gabuar rreth liberalizimit të lëvizjes së qytetarëve nga Ballkani Perëndimor, jeta e qytetarëve në Britani e në vendet simotra të saj pak ose aspak nuk ka ndërruar për të keq nga 1 maji i para pesë vjetëve. Aq më tepër, histeria e krijuar pa arsye para asaj date kujtohet si një episod qesharak. (...)

Standardet e dyfishta të BE-së

BESONI OSE JO, gjithë kjo që lexuat më lart është shkruar këtu e 6 vjet më parë në faqen e njëjtë të po kësaj gazete të njëjtë, më saktësisht në korrik të vitit 2009. Atëbotë, Komisioni Evropian kishte rekomanduar liberalizimin e vizave “Shengen” për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë, kishte lënë jashtë këtij afati kohor Shqipërinë e Bosnjën, dhe kishte përjashtuar krejtësisht Kosovën. Më vonë që të gjitha këto shtete do të fitonin të drejtën e qarkullimit pa viza, dhe Kosova, si e vetme në Evropë, do të mbetej padrejtësisht në geto. Mirëpo, siç nënvizoja edhe atëherë, argumentet e dhëna nga zyrtarët e lartë të Brukselit për këto vendime assesi të bindin dikë që njeh rrethanat dhe historinë e rajonit. Më tepër duken standarde të dyfishta politike.

Për shembull:

Nëse Kosova nuk i plotëson standardet e sigurisë së përgjithshme dhe asaj të kufijve, atëherë kjo njëkohësisht do të thotë mosplotësim i këtyre standardeve nga vetë vendet e BE-së, si dhe katër shtetet me të cilat kufizohet.

Në Kosovë ka një mision të BE-së, EULEX, pikërisht për të dhënë ndihmën në këto fusha të brishta, dhe nëse ky standard quhet i dështuar, atëherë duhen quajtur edhe vendet evropiane e SHBA-ja që kanë kontribuar staf në këtë mision.

Kurse, nëse kufijtë e Kosovës nuk janë të sigurt, atëherë si mund të quhen të sigurt kufijtë e Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Shqipërisë që i ndajnë ato me vetë Kosovën?!

Nëse në (mos)vendimin për Kosovën ka ndikuar mosnjohja e shtetësisë nga pesë shtetet e BE-së, atëherë ka mundur që të veprohet ngjashëm si dhe deri më tash nga këto shtete. Zgjidhja tashmë ishte në tavolinë. Vendet e BE-së që e kanë njohur pasaportën e Republikës së Kosovës, tash vendosin vizat “Shengen” në të, por me minus për vendet që nuk e kanë pranuar shtetin/pasaportën. E njëjta do të mund të aplikohej edhe me liberalizimin e vizave për pasaportën kosovare. Ato shtete që e njohin realitetin e ri të Kosovës, do të mund të lejonin hyrjen në territorin e tyre pa viza të qytetarëve me pasaporta kosovare - shtetet që nuk e njohin atë, nuk do të mundësonin hyrjen në territorin e vet të qytetarëve me pasaportë të Kosovës. Pavarësisht vizës, pra.

Këto argumente i kam shtruar shpesh në shumë takime me zyrtarë të ndryshëm të Komisionit Evropian, në konferenca ndërkombëtare e rajonale, në biseda me gazetarë të huaj e në çdo rast që më është dhënë mundësia. E di që ka edhe shumë të tjerë që e kanë bërë të njëjtën. Fatkeqësisht, deri më tash gjithçka ka hasur në vesh të shurdhër.

Kriteret e parashtruara Kosovës për liberalizim vizash kanë qenë më rigorozet nga secili shtet tjetër që deri më tash e ka kaluar të njëjtën rrugë, si dhe njëkohësisht ka qenë i ndikuar politikisht – inter alia - si ushtrim presioni ndaj Prishtinës për të qenë bashkëpunuese me Brukselin edhe në çështjet e dialogut me Serbinë.

Nëse ligji shkelet një herë, shkelet edhe të dytën

SI REZULTAT, EDHE në vitin 2015 Kosova vazhdon të mbetet shteti i vetëm pa liberalizim vizash në Evropë. Mirëpo, tashmë siç po shihet, kosovarët e kanë humbur durimin. Ata, me ikjen masive e histerike drejt Perëndimit, kanë vendosur ta shkërdhejnë gjithë idenë naive se regjimi i vizave është politikë që do të ndalojë kalimin e paligjshëm të kufijve dhe emigrimin ilegal. Thjesht, muajt e fundit e kanë vërtetuar njëqind për qind teorinë se secili person që dëshiron të dalë ilegalisht në Perëndim ia del ta bëjë këtë, pavarësisht a ka vizë ose jo. Për më tepër, nëse këtë do ta bënin pa viza, por me pasaporta, atëherë do të ishte shumë më i lehtë edhe kontrollimi i atyre që hyjnë në shtetet e BE-së me qëllim qëndrimi, dhe në të njëjtën kohë do të ishte edhe më i lehtë riatdhesimi i tyre.

Në këtë mënyrë, me dështimin me politikën e vizave, këto shtete të BE-së vetëm sa kanë bërë që të gjithë ata që hyjnë në to pa viza në mënyrat se si po hyjnë sot, në të njëjtën kohë të jenë edhe shkelës të ligjit. E, zakonisht, një person e ka të vështirë që ta bëjë kapërcimin e madh një herë, pra, që ta shkelë ligjin, dhe pastaj duke bartur mbi supe këtë damkë do të jetë shumë më e lehtë që të vazhdojë ta shkelë ligjin edhe me ndërmarrje të tjera.

Kjo i bie se në shtetet e Bashkimit Evropian në muajt e fundit, “si një shenjë hakmarrjeje për regjimin e vizave”, janë vendosur me automatizëm dhjetëra e mijëra shkelës të ligjit nga Kosova. Nëse ata do të hynin legalisht, nuk do të ishin shkelës të ligjit dhe do të ishte tepër e vështirë për secilin të bënte ndonjë shkelje tjetër. Në rrethanat aktuale gjithnjë do të ketë hapësirë që persona të caktuar t’i thonë vetes: ku është e para bën edhe e dyta.

Kush përfitoi këtu?

Sigurisht, jo burokratët e Brukselit.

Se kosovarët jo se jo. Ne ka kohë që jemi bërë për të na vajtuar!

Prandaj: Liberalizim i vizave për Kosovën – një ditë e më parë!

[email protected]
Twitter: @adriatikk

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...