2 Mars 2014 - 16:16 - Adriatik Kelmendi
LARGËQOFTË të quhen tradhtarë, por edhe hiç mirë s'po më vjen që disa futbollistë që lehtë mund të luajnë për Kosovën po i thonë jo reprezentacionit.
Ndeshja e cila do të luhet më 5 mars me përfaqësuesen e Haitit në futboll gjithsesi se do të bëjë historinë. Për herë të parë ekipi i shtetit të Kosovës, ndonëse me kufizime që s’i duam, do të luajë një ndeshje të pranuar nga FIFA.
Kjo ka qenë temë e madhe e medias, por edhe e politikës gjithandej, edhe për faktin tjetër që shumë futbollistë me nam sot nëpër klubet më të famshme evropiane kanë lindur ose kanë origjinë nga Kosova.
Dhënia e dritës së gjelbër për hapin e parë të Kosovës në futbollin ndërkombëtar – duke qenë futbolli sporti pa dyshim më popullor në glob – ka bërë që shumë përfaqësuese të shteteve ku sot luajnë djemtë kosovarë të druajnë se ata mund të zgjedhin atdheun e tyre para shteteve të tjera.
Me të drejtë Kosova, një ndër vendet më të varfra të kontinentit të vjetër, me probleme plot e me shtetësi e sovranitet ende të lënduar, ka aq shumë për lajme pozitive.
Çfarëdo suksesi me jehonë ndërkombëtare i Kosovës do të ishte një shtytje e mirë që vendi të sigurojë më tepër imazh pozitiv, më shumë vëmendje nga shtetet e organizatat multinacionale, të cilat mund të ndihmojnë edhe në njohje e edhe në investime të jashtme.
Një lajm i këtillë i mirë do të jetë sigurisht edhe suksesi i Kosovës në arenën sportive. Shumëkush ka marrë vesh për Kosovën pikërisht falë sukseseve të “dream team”-it të kosovarëve të Zvicrës në futboll, Majlinda Kelmendit në xhudo, ose Rita Orës në muzikë.
Së këndejmi, me të drejtë sytë e kosovarëve janë të kthyer nga ata. Dhe presin t’ia bëjnë nga një argat Kosovës, atëherë kur munden.
Dilema kenediane për kosovarët (edhe futbollistët)
MOS PYET se ç’mund të bëjë shteti për ty, por ç’mund të bësh ti për shtetin.
Thënia legjendare e presidentit po ashtu legjendar John F. Kennedy dorën në zemër i fle shumë më tepër Kosovës sot se ç’i duhej Amerikës dje.
Ndonëse Amerika e viteve ’60 edhe ishte shumë para Kosovës së viteve tona, kërkohej edhe më tepër vetëmohim nga qytetarët amerikanë për ta çuar shtetin përpara.
Amerika është sot ajo që është, sigurisht meqë amerikanët e kishin pasur të qartë se pa sakrificën e secilit nuk mund të ketë rezultate pozitive e mirëqenie shoqërore.
Ku do të jetë Kosova nesër?
Këtu duket se ka një problem me botëkuptimin e disa bashkatdhetarëve tanë.
Debatet që nxiten rëndomë kur kemi raste që mund të shfrytëzohen për promovimin e shtetit tonë të ri, zakonisht shohim të ndahen në dy taborë të ndryshëm arsyetues.
Për shembull, te angazhimi i futbollistëve kosovarë që luajnë për ekipe të rëndësishme botërore, ka të atillë që argumentojnë se këta s’kanë përse të vijnë të luajnë për Kosovën, pasi që Kosova s’është e gatshme për ta.
Po ashtu, se ata duke ardhur për të luajtur për Kosovën rrezikojnë të humbin shumë financiarisht dhe në aspekt të karrierës.
Pastaj se Qeveria dhe institucionet e Kosovës janë të korruptuara.
Se përfaqësuesja do të luajë me fusnotë e pa simbole shtetërore.
E deri te arsyetimet banale se në lojërat futbollistike në Kosovë mund të pësojnë lëndime, të cilat po mundkan t’iu kushtojnë atyre me të ardhmen sportive (sic!).
E para, Kosova asnjëherë nuk do të jetë e gatshme për asgjë në qoftë se të gjithë kosovarët nuk do të angazhohen ta bëjnë atë gati, me kontributin, sakrificën dhe vetëmohimin e secilit nga pak. Përndryshe, i bie që të çohemi edhe ne të gjithë shqiptarët e tjerë banorë “të mjerë” të Kosovës të shkojmë e të jetojmë në Zvicër ose Gjermani, për shkak se Kosova po u udhëheqka keq dhe e paska fusnotën!
E dyta, ka plot futbollistë që ende nuk luajnë në ndonjë përfaqësuesve. S'po them që këta të kthehen e të luajnë tash për ekipet e Prishtinës e Pejës, por mund të vijnë për reprezentacion, në të njëjtën kohë që do të vazhdojnë të luajnë për klubet e mëdha botërore. Kështu mund ta kenë edhe karrierën ndërkombëtare, edhe milionat e edhe t’i bëjnë reklamë të mirë vendit të tyre.
Fundi i fundit, pa sakrificat e shumëkujt prej nesh kjo Kosovë as do të ishte çliruar, as do ta fitonte pavarësinë e as do të bëhet vend i suksesshëm e i zhvilluar ndonjëherë.
Dhe përfundimisht, arsyetimi se në Kosovë futbollistët tanë kulmorë mund të lëndohen – më falni! – por ky është ofendimi më i madh që mund t’i bëhet secilit prej nesh që kemi vendosur të rrimë në këtë Kosovë çfarë e kemi, të rropatemi në të dhe të lindim fëmijë në të. S’besoj se dikush ka ndonjë dilemë se cilësia e jetës sot për sot është shumë më e mirë në Perëndim sesa në Kosovë, por edhe Kosova pa kosovarët që kanë vendosur të jetojnë e punojnë në të kurrë nuk do të mund të bëhet e mirë nesër.
Kështu që së paku – mos na quani xhunglashë!
Për Kosovën apo për Shqipërinë?
NË FUND KA edhe të atillë që kanë dilema nëse sportistët kulmorë shqiptarë të Kosovës duhet të luajnë për shtetin e ri apo për Shqipërinë. Dallimi është që Shqipëria sot është një vend me shtetësi të konsoliduar dhe në rrugë të pakërcënuar të ecjes përpara.
Kosova vazhdon të ketë ende armiq që nuk duan ta shohin si shtet të pavarur, ose që dëshirojnë të zhbëjnë gjithçka që është arritur deri më tash në vend.
Mirëpo, vetëm një Kosovë e fortë dhe e zhvilluar në çdo pikëpamje do ta mundësojë arritjen e çfarëdo aspirate përparimtare të të gjithë shqiptarëve.
Angazhimi i shqiptarëve për ta përforcuar vetëm Shqipërinë (londineze) në dëm të përforcimit të Kosovës, i çon prapa shqiptaret dhe çon ujë pikërisht në mullirin e Serbisë.
Serbia gjithmonë na ka thënë:
"Çka po kërkoni ju shqiptarë në Kosovë?! Shkoni në shtetin tuaj - Shqipëri (sic!)".
Kosova e dobët, qoftë në ekonomi, kulturë, sport, arsim etj. është argument për armiqtë e shqiptarëve, që mezi presin të thonë se "shqiptarët nuk dinë të bëjnë shtet".
Ne duhet të jemi aq vizionarë dhe të angazhuar, në mënyrë që t'iu kundërpërgjigjemi:
"Ne jemi aq të zotë, saqë mund të bëjmë jo një, por dy shtete (me shumicë) shqiptare".
Suksesi i Kosovës shtet dhe i Shqipërisë shtet do të jetë gjithmonë argumenti më i fuqishëm për ta bërë edhe një shtet shqiptar të përbashkët nesër, në qoftë se e duam vetë, ne, shqiptarët.
Një shtet hajgare i Kosovës dhe një shtet hajgare i Shqipërisë do t'i mundësojnë gjithmonë e kujtdo që të bëjë hajgare - me shqiptarët!
Shteti do punë e përkushtim serioz. Jo hajgare!
E ka raste të tilla nganjëherë kur edhe një gol i vetëm mund ta tregojë seriozitetin!
[email protected]
Twitter: @adriatikk
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...