Një rrëfim i vogël

19 Shtator 2015 - 09:42 - Adriatik Kelmendi      

Qëllimet e mira, megjithatë, nuk arrihen me zor. Pa u krijuar kushtet paraprakisht. Në të kundërtën, do të kthehen në dënime ndaj atyre për të cilët edhe janë planifikuar këto qëllime të mira fillimisht. I tillë çfarë është prezantuar vendimi i Komunës së Prishtinës për “mësimin tërëditor”, nëse nuk shtyhet për zbatim deri në krijimin e kushteve të domosdoshme, do të jetë jo lehtësim, por vetëm dënim për nxënësit

U GËZUAM! E pritëm si një lajm të mirë. Pikërisht klasat e treta së bashku me ato të gjashtat do të jenë pjesë e pilot-projektit për mësimin tërëditor në shkollën fillore “Faik Konica” të kryeqytetit.
Gjatë verës do të fillonin punët në objektin e shkollës në mënyrë që në shtator të fillohej me zbatimin e planprogramit që premtonte ecjen e vendosur drejt standardeve të përparuara perëndimore në mësimdhënie dhe nxënie. Do të ndërtohen salla të veçanta të pajisura me të gjitha elementet përcjellëse mësimore, do të ketë kuzhinë moderne me gjellë plot vitamina, do të kryhen detyrat dhe orët shpjeguese shtesë në objektin e shkollës, do të ketë salla të reja fizkulture e laboratorë... ndoshta do të ndërtohet edhe një pishinë e vogël. Këto ishin ato që u thuheshin nxënësve e edhe prindërve nga mësuesit, drejtoria e shkollës, Drejtoria Komunale e Arsimit ose kreu i komunës, në gjysmëvjetorin e dytë të vitit të kaluar mësimor.
Vërtet brez me fat, ëndërronin nxënësit dhe prindërit.

ERDHI 1 SHTATORI dhe vetëm një ditë më herët u njoftua se megjithatë mësimi tërëditor nuk do të fillojë atë ditë. Arsyeja: Në shkollë, pavarësisht fjalëve e premtimeve, gjatë pushimeve të verës nuk ishte ngulur as edhe një gozhdë e vetme.

Vetë Komuna, në një dokument planifikues, e pranonte se do të jetë sfidë e vërtetë që programi i planifikuar për mësim tërëditor të realizohej me dy brezat e shkollës “Faik Konica”. Nuk kishte kushte.
Pavarësisht këtyre, në javën e dytë të mësimit prindërit u thirrën në një mbledhje nga mësimdhënësit. Aty u kumtua lajmi: Komuna e Prishtinës na ka urdhëruar që nga data 1 tetor të fillohet me “mësimin tërëditor” dhe u shpërnda një shkresë dyfaqëshe me shumë gabime drejtshkrimore.

Në shkresën e mbiquajtur “Informatë për mësimin tërëditor”, në radhë të parë tregohej se në fakt nuk bëhej fjalë vërtet për mësim tërëditor, siç ishte prezantuar fillimisht ideja, pra me qëndrim nga ora 8:00 deri në 16:00, por vetëm për një orë shtesë mësimi prej 45 minutash. Sidoqoftë, kjo orë shtesë do të mbahej pas pushimit 30 minutash të drekës.

Por tutje në shkresë, Drejtoria e Arsimit e Prishtinës edhe vetë e pranonte se çështja e drekës është ngritur si shqetësim nëpër takimet me mësimdhënës dhe prindër për shkak se nuk mund të ofrohen ushqime të nxehta, të cilat – e pranon Komuna – “nuk do të jenë të mundshme për dy vjetët e ardhshëm shkollorë” (sic!). Çështja e drekës nuk përfundon me kaq; në shkresë thuhet se ajo ”do të jetë 30 minuta, kështu që nxënësit do të kenë kohë edhe të dalin, të blejnë drekën e tyre” (sic!), Mirëpo, menjëherë në fjalinë vijuese Komuna bëhet pishman: “Por ky nuk është sugjerimi ynë, sepse mendojmë që në të shumtën e rasteve ushqimi i shpejtë që blihet nga dyqanet përreth është më pak i ushqyeshëm dhe më i kushtueshëm sesa shujta që mund të përgatitet në shtëpi” (Sic!) “Ekspertët” e Komunës vazhdojnë pastaj duke e bërë nutricionistin dhe sugjerojnë se çfarë ushqimesh duhet të marrin nxënësit në shkollë. Kaq sa i përket brengës së ushqimit.

Në faqen e dytë të shkresës me gabime drejtshkrimore, aty ku Komuna shpjegon se për shkak të hapësirës së kufizuar mësimi “tërëditor” do të fillojë vetëm me klasat e treta dhe të gjashta, tregohet se fokusi do të jetë në dy fusha: 1. Lexim-shkrim/kuptueshmëri dhe 2. Edukatë fizike. Rregulli është ky: e hënë – lexim; e martë – sport; e mërkurë – lexim; e enjte – sport; e premte – lexim. Kaq!
Pra, kjo i bie se e gjithë ajo që po quhet “mësim tërëditor” është reduktuar aq shumë në të gjitha aspektet, që në fakt i bie imponim i një dreke jo të ushqyeshme për fëmijët e moshave 8 dhe 11 vjeç, si dhe 45 minuta sport ose lexim!

Tash, njeriu mund ta kuptojë se qëllimi i Komunës së Prishtinës, mbi të gjitha, ka qenë i sinqertë – për përfitimin e nxënësve. Por, kështu siç po synohet të imponohet është si t’i kërkohet një shoferi që ta ngasë një veturë pa rrota, pa benzinë dhe pa rrugë të shtruar, dhe të arrijë me kohë në një qytet tjetër. Vetëm se në këtë rast, edhe më keq, bëhet fjalë për nxënës të moshave të njoma, e jo për një shofer i cili domosdo duhet t’i ketë mbushur 18 vjet, në mënyrë që të lejohet ta drejtojë makinën.
Cili është përfitimi këtu?

Absolutisht nuk e besoj të ketë ndonjë, përveç dënimit të një brezi nxënësish që po përdoren pa vullnetin e tyre dhe të prindërve për eksperiment si minj të bardhë laboratori.
P.sh., një fëmijë 8-vjeçar, i cili fillon mësimin në orën 8:00, domosdo do të duhej të hante një kafjall të shpejtë në shtëpi, por do të duhej të hante një drekë të pasur dhe të shëndetshme pastaj. Marrja e ushqimit me vete nga 8-vjeçarët as nuk siguron se do të përdoret i njëjti në kushte higjienike e as se do të konsumohet diçka e freskët. Një 8-vjeçar nuk mund të dalë të blejë ushqime ose të shkojë në restorant (siç pajtohet edhe Komuna), por do të duhej ta hante ushqimin e marrë me vete në klasën ku e kanë mbajtur mësimin (meqë nuk ka hapësira të tjera). A do t’i pastrojë gjithmonë duart 8-vjeçari? A do të jetë e pastër banka ku ai do ta vërë ushqimin? A do të jetë e pastër klasa?

Tjetër: Përse duhet dënuar një 8-vjeçar që në orën e mësimit shtesë të mbetet në klasën me karrige të drunjta dhe – të lexojë? Përse së paku të mos i bëjnë detyrat? Ose të përsërisin ato që kanë mësuar? Ku është vlera shtesë këtu, kur të njëjtat mund t’i bëjë edhe në shtëpi?

Po për sportin? Në çdo udhëzues shëndeti shkruan se nuk rekomandohet që të merremi me sport pa kaluar deri në 2 orë pas shujtës, e kjo vlen sidomos për fëmijët. A janë konsultuar “ekspertët” e Komunës me ndonjë profesionist të lëmit para se ta vendosnin këtë? Apo, si dhe në tërë shkresën me gabime drejtshkrimore, i kanë marrë si vendime stihike, arbitrare e improvizuese, sa për të përmbushur një premtim të dhënë muaj me parë me qëllim sigurisht të mirë?!

Qëllimet e mira, megjithatë, nuk arrihen me zor. Pa u krijuar kushtet paraprakisht.
Në të kundërtën, do të kthehen në dënime ndaj atyre për të cilët edhe janë planifikuar këto qëllime të mira fillimisht.

I tillë çfarë është prezantuar vendimi i Komunës së Prishtinës, nëse nuk shtyhet për zbatim deri në krijimin e kushteve të domosdoshme, do të jetë jo lehtësim, por vetëm dënim për nxënësit.

KJO QË U përshkrua më lart mund edhe t’i duket dikujt si një problem i vogël i një shkolle të vetme në një qytet, ose i një prindi të brengosur për fëmijën e tij. Mirëpo, besoj se shpërfaq shumë më tepër. Me gjithë dëshirën e shumë qytetarëve që t’i shohin me shpresë, megjithatë tregon se edhe partia e mbushur me plot të rinj të mirëarsimuar e vizion, siç është në një masë “Vetëvendosje!”, ngadalë por sigurt po rrëshqet në fenomenin aq të përhapur të politikanëve të Ballkanit, që flet për formën dhe jo për përmbajtjen, për karrocerinë dhe jo për motorin.

Edhe Komuna e Prishtinës duhet ta kuptojë se muaji i mjaltit ka përfunduar. Udhëheqja me qytetarët e kryeqytetit nënkupton përmirësim real të kushteve për jetesë dhe jo lustra. Se popullata është lodhur me të njëjtat praktika të pushteteve të kaluara dhe do të fillojë të lodhet edhe me këto tash.

Se megjithatë qytetari e jeton jetën e tij edhe rrugëve të kryeqytetit e jo vetëm nëpërmjet statuseve të udhëheqësve të kryeqytetit në “Facebook”.

[email protected]
Twitter: @adriatikk


 

comments powered by Disqus
Adriatik  Kelmendi
Adriatik Kelmendi

Vështrime tjera

Enver Robelli

Enver Robelli

Muret

A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...

Augustin Palokaj

Augustin Palokaj

Rastet e humbura për njohje ndërkombëtare të Kosovës

Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...

Flaka Surroi

Flaka Surroi

Muret që i ngremë vetë

Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...

038 249 105     [email protected]    Sheshi Nënë Tereza pn, Prishtinë

Kjo faqe kontrollohet dhe menaxhohet nga KOHA. Të gjitha materialet në të, përfshirë fotografitë, janë të mbrojtura me copyright të KOHA-s dhe për to KOHA mban të drejtat e rezervuara. Materialet në këtë faqe nuk mund të përdoren për qëllime komerciale. Ndalohet kopjimi, riprodhimi, publikimi i paautorizuar qoftë origjinal apo i modifikuar në çfarëdo mënyre, pa lejen paraprake të KOHA-s. Shfrytëzimi i materialeve nga ndonjë faqe interneti a medium tjetër pa lejen e Grupit KOHA, në emër të krejt njësive që e përbëjnë (Koha Ditore, KohaVision, Koha.net, Botimet KOHA, KOHA Print dhe ARTA), është shkelje e drejtave të autorit dhe të pronës intelektuale sipas dispozitave ligjore në fuqi. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.

ec me kohën...