22 Gusht 2015 - 14:20 - Adriatik Kelmendi
SE GATI NA E mbushën mendjen... Vetëm këtë do të mund ta thosha duke parë reagim/”sqarimin” e shkruar të Ministrisë për Dialog, të udhëhequr nga Edita Tahiri, lidhur me atë që po quhet Marrëveshja e Brukselit për njohjen reciproke të sigurimeve të automjeteve.
Edhe një herë dhe që në fillim: marrëveshja nuk është reciproke dhe, ndonëse është një hap i nevojshëm përpara, vetëm sa e arnon problemin, pa e zgjidhur atë. Si e tillë, është më e mira e mundshme për Serbinë dhe me shumë dëme politike e ekonomike për shqiptarët dhe Kosovën.
BKS-ja gjeti një zgjidhje, Qeveria dështoi sërish
Dhe këtë problem tash duhet ndarë në dy rrafshe: i pari është ai që përfshin Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS) dhe i dyti - Qeverinë e Kosovës.
Dorën në zemër, ndoshta për herë të parë në këto 16 vjet pas luftës, përfaqësuesit e BKS-së e kanë kryer punën e tyre si duhet, me aq sa kanë pasur kaçik. Ata kanë pranuar që automjetet me targa të Kosovës ta paguajnë policën TPL+, e cila deri më tash ka vlejtur për territorin e Maqedonisë, dhe me të njëjtën për një vit të mund të kalojnë edhe nëpër territorin serb. Një problem i vogël këtu në fillim ishte se disa përfaqësues të kompanive të sigurimeve, në stilin e aksham-pazarit, bënë përpjekje që së paku t’i detyrojnë të paguajnë edhe një herë shoferët me rastin e ndërrimit të policave TPL+ me ato ku tash shënohet edhe Serbia, por si duket hoqën dorë duke parë reagimin e presionin medial dhe publik. Hiq këtë, tash mund të thuhet se sa i përket përgjegjësisë së tyre, marrëveshja është fer.
Mirëpo, njëjtë nuk mund të thuhet edhe për Qeverinë e Kosovës. Siç shihet edhe në tekstin e Memorandumit të mirëkuptimit, aty as që zihet ngoje fare çështja e targave.
Ministrja Tahiri është arsyetuar duke thënë se Serbia “përkundër trysnisë sonë dhe të BE-së ende nuk i pranon targat e automjeteve me regjistrimet RKS dhe kjo për arsye të pastra politike, edhe pse arsyetimi i palës serbe ka qenë se këtë nuk mund ta pranojnë për shkak se mund të jetë i ‘rrezikshëm’ kalimi nëpër territorin e Serbisë me targat RKS” (sic!)
Ky është arsyetimi më miop që mund të jepet dhe në fakt ilustron më së miri qasjen naive që e ka pasur shpesh Prishtina në raport me Beogradin në disa episode të dialogut. Kjo i bie prej e mos këput, ose ambiguitet i cili sa ka sjellë ndonjë lehtësi për qytetarët kosovarë aq i ka lejuar edhe Beogradit që të minimizojë shtetësinë e Kosovës.
Pasojat e “marrëveshjes” skandaloze të 2011-s as tash s’u përmirësuan
Në mënyrë që t’ia hiqte kartën e “frikësimit” nga dora e ekipit negociator serb, delegacioni i Kosovës do të duhej të ishte më i vëmendshëm qysh në kohën kur u arrit marrëveshja skandaloze për “lëvizjen e lirë”, më 2 korrik 2011.
Të kujtojmë se me atë marrëveshje, Prishtina kishte pranuar që t’i rikthente në funksion targat e vjetra KS, pavarësisht se ato ishin zëvendësuar me të rejat RKS, kishte pranuar që targat RKS të hiqeshin nga veturat dhe të zëvendësoheshin me targa “Proba” me mbishkrim SRB dhe 4 C-të e famshme, si dhe që të paguhej rreth 120 euro policë sigurimi dhe taksa shtesë për një muaj, si dhe nga 5 euro për secilën ditë që do të shfrytëzoheshin targat e letrës.
Ky ishte edhe gabimi i madh e trashanik i bërë atëbotë nga ministrja Tahiri, nga i cili as sot e kësaj dite nuk po mund të këndellemi.
Që nga ajo kohë, kemi parë që shumë nga serbët e Kosovës janë pajisur vetëm me targa KS, ose edhe i kanë mbajtur targat ilegale me emra të qyteteve të Kosovës, me të cilat edhe ashtu nuk kanë pasur fare problem që të dalin në territorin e Serbisë. Në këtë mënyrë, me ndonjë përjashtim, targat janë ndarë në etni, ku ato KS i kanë përdorur serbët, kurse ato RKS shqiptarët. Kështu, lehtësisht Beogradi ua kishte zgjidhur problemin e udhëtimit serbëve, por kishte vazhduar t’ua vështirësonte atë shqiptarëve. As sot e kësaj dite nuk e kam të qartë se si delegacioni kosovar e ka ngrënë këtë karrem naiv! Nëse sot të gjithë ngasësit nga Kosova, pavarësisht etnisë, do të kishin vetëm një targë të unisuar në automjetet e tyre, ky arsyetimi i rrezikut i Beogradit as që do të ekzistonte, se edhe ashtu shumica e veturave kosovare që lëvizin nëpër territorin e Serbisë janë ato të serbëve kosovarë. Kështu që vështirë se dikush do ta kërcënonte dikë që do të kishte targa kosovare, meqë nuk do të dihej se a bëhet fjalë për serbë apo shqiptarë nga Kosova.
Ndërkohë, në qoftë se atëbotë qeveria nuk do të pranonte që të ktheheshin në qarkullim targat KS dhe në qoftë se do të ishte efikase në detyrimin e të gjithë ngasësve pa dallim të pajiseshin me targa të Kosovës e të mos toleroheshin edhe ato ilegalet, Beogradi do të detyrohej që të gjendej një zgjidhje tjetër, nëse jo për hatër të shqiptarëve, atëherë gjithsesi për atë të serbëve. Kështu dështimi i shtrirjes së autoritetit dhe injoranca gjatë marrëveshjes së parë i ka dhënë hapësirë manipulative Beogradit për të siguruar situatë të favorshme për interesat e veta dhe të vazhdojë ta komplikojë lëvizjen e lirë për shqiptarët e Kosovës.
Tash për shkak të detyrimit të ndërrimit të targave, kur lëvizet nëpër territorin e Serbisë, një veturë me targa RKS do të vazhdojë të detyrohet të paguajë si haraç mbi 15 euro për “Proba” dhe taksa përcjellëse, si dhe nga 5 euro për çdo ditë të shfrytëzimit të tyre. Në këtë mënyrë, ta zëmë, një personi nga Kosova që shkon t’i vizitojë familjarët e vet në Preshevë –pavarësisht arritjes së zgjidhjes për policat sigurimit - do t’i duhet të paguajë rreth 170 euro në muaj nëse do të qëndrojë me veturë atje. Natyrisht, kjo nuk ka të bëjë me kurrfarë reciprociteti, meqë një personi nga Serbia nuk do t’i duhet të paguajë asgjë nëse do të qëndrojë një muaj me veturë në Graçanicë.
Automjete me dy identitete!
Dhe me kaq nuk përfundon kokëçarja. Aq i pakapshëm është pajtimi i ministres Tahiri që të pranojë në veturat e Kosovës të vazhdojnë të vihen targat “Proba” edhe pas marrëveshjes për policat, saqë ai do t’ia komplikojë jetën çfarëdo ngasësi që mund ta ketë fatkeqësinë të aksidentohet në territorin e Serbisë.
Logjikoni tash këtë situatë: Në policën TPL+ shënohet numri i targës së Kosovës, si p.sh. RKS 01-205-DP, mirëpo me të marrë targën “Proba”, atëherë targa e Kosovës bëhet e pavlefshme, kurse vlen ajo “Proba” që mund të jetë, p.sh. SRB BU 33-44. Ngasësi i aksidentuar nga Kosova do të detyrohet t’i drejtohet një kompanie të sigurimeve në territorin e Serbisë, mirëpo do të ndodhet përballë një situate absurdi – në policën e sigurimit TPL+ identiteti i veturës është tjetër (targa RKS), kurse vetura në momentin e aksidentit ka identitet tjetër (targa “Proba”), i cili nuk figuron fare në policën e sigurimit! Tash paramendojeni se nëpër çfarë odiseje do t’i duhet të kalojë ngasësit të aksidentuar kosovar për ta zhdëmtuar veturën, meqë përfaqësuesit e kompanive të sigurimeve në Serbi do të kenë aq shumë hapësirë të bëjnë lojëra me identitetin e dyfishtë, saqë vështirë që ndonjëherë do të kompensohet dëmi.
S’di, s’di!...
Nga shtatori, targa të përkohshme për automjetet e Serbisë
DUKE E PARË reagimet se çfarë dëmi po i shkaktohet Kosovës me mosnjohjen e targave RKS nga Serbia, si dhe me arritjen e dy marrëveshjeve me bazë qarkullimin e lirë pa u zgjidhur ky problem, ministrja Tahiri si me gjysmë zëri tash ka deklaruar se “tabelat provuese duhet të hiqen dhe tabelat RKS duhet të pranohen nga Serbia, në të kundërtën pala e Kosovës në një kohë të caktuar do të marrë masa reciproke” (sic!)
Nuk ma merr fare mendja se ministrja Tahiri pret që Beogradi do të pranojë edhe për herë të tretë të ulet dhe të bisedojë me Prishtinën për një “marrëveshje për qarkullim të lirë”. Kjo meqë problemi me automjetet nga Serbia është zgjidhur në mënyrë të përkryer - nuk ka ndërrim targash, nuk ka pagesa shtesë dhe nuk ka as policë sigurimi ekstra. Për ata kjo tashmë i përket së kaluarës, paçka që ngasësit shqiptarë nga Kosova do të vazhdojnë të maltretohen, poshtërohen dhe të paguajnë, shumë prej të cilëve detyrohen të udhëtojnë për çështje shëndetësore nëpër Serbi, disa të tjerë për të vazhduar tutje në Evropë e disa për të vizituar familjarët në Luginë të Preshevës. Beogradi do të pranojë që ta hapë sërish këtë çështje vetëm nëse do të shohë se Prishtina do të vendosë të ushtrojë reciprocitet të plotë në këtë drejtim.
Ndonëse, besoj se deri më tash Prishtina ka vepruar mirë që nuk i është përgjigjur njëjtë me politika diskriminuese Beogradit, duke treguar se i respekton njëlloj qytetarët e vet pavarësisht etnisë, tash nuk ka mbetur asnjë rrugë tjetër përveçse përgjigjes reciproke. Nga shtatori edhe Kosova duhet ta aplikojë regjimin e ndërrimit të targave në kufi për të gjitha automjetet nga Serbia, bashkë me pagesë po ashtu reciproke.
Jam i bindur se kjo formë përfundimisht do të sjellë rinegociim të marrëveshjes dhe fundin e diskriminimit për ngasësit shqiptarë të Kosovës.
[email protected]
Twitter: @adriatikk
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...