11 Tetor 2014 - 08:21 - Adriatik Kelmendi
Javën e kaluar e kishte PDK-ja, këtë javë e ka marrë për detyrë LAN+LVV. Farsat s’japin sinjal se do të ndalen.
Sot është ditë e enjte, 9 tetor. Janë rrumbullakuar kështu plot katër muaj, që nga 9 qershori, dita kur u bënë të ditura rezultatet e zgjedhjeve parlamentare. Katër muaj që subjektet për të cilat votuan qytetarët e Kosovës vazhdojnë të luajnë me votat e tyre, duke mbajtur peng edhe vendin e tyre.
Qytetarët kanë votuar për të preferuarit e tyre. Sigurisht që kanë dashur që edhe subjektet për të cilat ata kanë votuar t’i fitojnë mbi 50 për qind të votave dhe kështu t’i formojnë edhe institucionet vetë. Mirëpo, siç e dimë, kjo nuk ndodhi as kësaj radhe, ashtu siç nuk kishte ndodhur asnjëherë pas luftës.
Vullneti i popullit ishte i përzier, ashtu siç dolën të qarta edhe rezultatet e votimeve. Askush nuk i kontestoi. As të votuarit njëri-tjetrin. Realitetet ishin gjakftohta, partia që kishte udhëhequr vendin për dy mandate, PDK-ja bashkë me koalicion, sërish ia doli që të renditej e para, por me vetëm 30 për qind. Subjektet që ishin bashkuar në kauzën për ta dërguar në opozitë PDK-në (edhe pse me programe të ndryshme dhe me kritika ndërmjet vete) u renditën nga vendi dy e më poshtë, por i bashkuan votat e tyre për t’ia ndalur rrugën qeverisjes së kaluar.
Mirë shumë! E kemi përsëritur dhe stërpërsëritur këtë narrativë gjerë e gjatë për këta katër muaj sa më s’ka! Të njëjtën na e kanë përsëritur edhe të votuarit. Mirëpo, përse nuk po kemi rezultate?
TASHMË KA FILLUAR gjithçka të degradojë në një farsë cinike, në të njëjtën kohë edhe fyese për votuesin kosovar dhe të rrezikshme për vetë vendin.
Javën e kaluar e pamë vendimin grotesk të Hashim Thaçit (nëpërmjet rastësisë së quajtur Flora Brovina), që krye më vete të paragjykojë vullnetin e deputetëve të zgjedhur nga populli, duke e anuluar arbitrarisht seancën e thirrur zyrtarisht më herët.
Mesazhi ishte i qartë – pa u siguruar se unë i kam numrat për të zgjedhur drejtuesit e Kuvendit dhe të Qeverisë, mund edhe t’ia vë drynin vetë Parlamentit, e kështu edhe demokracisë në vend.
Ngaqë, në përpjekjen e tyre të parë, "Grupi më i madh parlamentar" inspektoi vullnetin e deputetëve dhe e vërtetoi se LAN-i i ka numrat.
Në të dytën "kujtoi" se i ka numrat, por nuk i dolën.
Në të tretën e diti se nuk i ka numrat dhe s'morën mundin as të "dalin në punë" në Kuvend!
Ky akt si precedent ishte një provokim i rëndë për demokracinë e brishtë kosovare, ndoshta djallëzisht i qëllimshëm, në mënyrë që të provokojë bllokun “opozitar” të ndërmarrë hapa të ngutshëm dhe të provokojë intervenim ndërkombëtar për të “sanuar gjendjen”.
E mira është që LAN-i dhe LVV-ja nuk ranë në provokim. Ose, thënë më saktë, jo krejtësisht ranë në provokim.
Thaçi, në mos në grackën e parë, ia ka dalë që t’i detyrojë kundërshtarët e tij të bien në atë të dytën - ta dëshmojnë edhe vetë se janë të pafuqishëm në krijimin e institucioneve pa aminin e PDK-së.
Kështu deputetët e LAN+LVV, ndonëse e kanë shumicën legjitime, mund të mblidhen në një seancë Kuvendi, mund të debatojnë sa të duan, por sërish në fund duket se nuk do të guxojnë të votojnë për kryetarin e Kuvendit, si dhe për Qeverinë.
Porosia e PDK-së do të jetë harbute: Ju mund të luani kuvendesh e seancash, por pa ne s’ju hyjnë në punë 62 votat shqiptare.
Kështu, në lajthitje, blloku LAN+LVV, që e ka fuqinë e numrave, do ta dëshmojë pikërisht atë që dëshiron e pafuqishmja PDK e izoluar në 37 vota shqiptare. Pafuqinë! Të numrave, por edhe më dhimbshëm – josinqeritetin e brendshëm të vetë Katërshes.
KA DY SEANCA që Katërshja, ndonëse ka shumicën, nuk po e ushtron “të drejtën” që po pohojnë se e kanë, votimin e Isa Mustafës për kryekuvendar, duke u bazuar në pikën 127 të aktgjykimit të Kushtetueses, nëpërmjet së cilës edhe e bazojnë këtë të drejtë. Pse?! Vështirë të ketë shpjegim logjik, por sigurisht se lë të kuptohet që nuk i besojnë as vetë përfundimisht kësaj “të drejte”.
Vetë Mustafa duket se nuk dëshiron që dy herë të gjendet i zgjedhur në një post në mënyrë që dalë të jetë antikushtetuese, pavarësisht vërejtjeve e rezervave në këtë interpretim. Në të kundërtën, sigurisht se Katërshja do të kapitalizonte numrat dhe do të ecte tutje me formim institucionesh, pa as më të voglën ndjenjë dhimbjeje për PDK-në.
Atëherë, si të ecet tutje?
Fatkeqësisht, duket se Katërshja ka mbetur aq e hutuar në situatën e krijuar saqë nuk ka vullnet as të na bindë ne të tjerëve që përfundimisht janë të vendosur të mos lëshojnë pe. Këtë e dëshmon edhe fakti që tash e katër muaj pas marrëveshjes Mustafa-Haradinaj-Limaj, e afro një muaj nga bashkimi me ta edhe i Kurtit me kompani, ata nuk na kanë prezantuar një program qeverisës.
Për më tepër, LAN-i në njërën anë dhe LVV-ja në tjetrën na japin edhe interpretime të ndryshme se a kanë nënshkruar marrëveshje të përbashkët vetëm për konstituimin e Kuvendit apo edhe për vetë Qeverinë, ose për mënyrën se si do të duket dialogu me Serbinë. Përndryshe, nëse do të besonin sinqerisht se është vetëm çështje kohe se kur Kosova do ta ketë Mustafën kryeparlamentar dhe Haradinajn kryeministër, sot jo vetëm se do të na prezantonin programin qeveritar, por do të na jepnin edhe emrat e ministrave e zëvendësministrave për secilin resor. Pse ka nevojë të pritet?!
E DHIMBSHMJA KËTU është se po harrohen ata, të cilët ia kanë dhënë secilit prej tyre fuqinë që sot e kanë. Votuesit.
PDK-ja, edhe pse me arrogancën e treguar dhe me keqqeverisjen në shumë sektorë, e ka bërë veten që askush të mos dëshirojë të bashkëqeverisë me ta, uzurpon të drejtën e mbledhjes së Kuvendit dhe kundërshton vullnetin e shumicës së krijuar.
LAN+LVV, ndonëse me të drejtë thirren në shumicën parlamentare, dështojnë që të na ofrojnë një zgjidhje zhbllokuese institucionale, për shkak të vetëbllokimit në ndarje postesh.
E vendi po vazhdon të qeveriset nga një qeveri e komprometuar në detyrë, pa legjitimitet të rikonfirmuar në Kuvend (në votimin e fundit mblodhi vetëm 44 vota). Teksa kriza nëse vazhdon do të bëjë që pas katër muajsh të mos ketë as buxhet për paga punëtorësh, liberalizimi i vizave do të vazhdojë të shtyhet, oligarkët ekonomikë të afërt me politikën do të vazhdojnë t’i monopolizojnë përfitimet dhe investimet e vendit dhe të huaja do të shtyhen në pacaktim.
Kush do ta paguajë faturën në fund?
Duket se janë pikërisht - votuesit. Populli. Se politikanët s’po i shohim të heqin shumë keq. Cinikët do të thoshin: U konstituua ose nuk u konstituua Kuvendi, 120 deputetët po vazhdojnë t’i marrin rrogat!
Twitter: @adriatikk
© KOHA.net
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...