20 Prill 2014 - 08:40 - Adriatik Kelmendi
BASHKATDHETARËT TANË tash së shpejti do t’i shohim tek presin me automjetet e tyre në radhë për të hyrë në atdheun e tyre Kosovën. Kronikat televizive sërish do të shfaqin radhë të gjata me fëmijë që djersijnë dhe të mëdhenj që flasin me nervozë për mosefikasitetin e punonjësve në pikat kufitare.
Skena të ngjashme përsëriten çdo verë tash e 15 vjet.
Çështja nuk është domosdoshmërisht se policët nga të dyja anët e kufirit janë të ngadalshëm. Ka të bëjë me “mirëseardhjen” që ua uron atyre mafia e vendit të tyre të dashur. Pjesëtarët e kësaj mafie - të bashkuar në organizatën e tyre të fortë financiarisht dhe me shumë mbështetje nga politika - ua shqiptojnë mirëseardhjen bashkatdhetarëve në formë të policës së sigurimit, me çmim 41 euro për një muaj.
Ata duhet të paguajnë për të hyrë në atdhe - pavarësisht se shumica kanë dhënë kontribute të çmueshme ndër vite që ky atdhe të bëhet shtet – shtetin ndër më të izoluarit e botës.
JO VETËM NË aspektin e vizave, por edhe në çdo aspekt tjetër kosovarët mbeten ndër shtetasit më të izoluar në botë.
Kosova mbetet vendi me çmimin më të lartë të udhëtimit jashtë në rrugë tokësore. Edhe 15 vjet pas luftës kosovarët vazhdojnë të paguajnë shuma të majme parash për të kaluar me automjete secilin kufi. Në shumë raste duhet paguar nga dy-tri herë sigurimet e automjeteve. Njësoj, duhet të paguajnë edhe ata që duan të hyjnë në Kosovë, ndonëse tarifat janë më të vogla se sa ato për kosovarët që udhëtojnë jashtë. Të gjitha këto për shkak se Kosova ende nuk e ka Kartonin e Gjelbër.
Pse Kosova sot edhe pas 6 vjetësh të pavarësisë ende nuk ia ka dalë që t’u sigurojë qytetarëve të saj, si dhe atyre që duan të hyjnë në shtet, mundësinë që të mos paguajnë sigurime të veçanta?
Besoj se nuk ka përgjigje tjetër:
Kosova është peng i mafisë së kompanive të sigurimeve. Bëhet fjalë për dhjetëra e dhjetëra milionë euro që kompanitë e sigurimeve fitojnë çdo vit nga fakti që Kosova nuk e ka ende Kartonin e Gjelbër. Për këtë arsye asnjëherë nuk ka ardhur kjo çështje në rend të parë të politikës kosovare, pavarësisht se me këtë janë dëmtuar shumë financiarisht banorët e Kosovës, si dhe bashkatdhetarët në mërgim, të cilët vizitojnë vendin.
Nëse shikohet përbërja e Byrosë Nacionale të Sigurimeve të Kosovës vërehet se udhëheqës dhe anëtarë të saj janë persona që kanë lidhje të ngushta, shpesh edhe familjare, me udhëheqësit më të lartë politikë e institucionalë të vendit. Shumica e kompanive të sigurimeve janë në pronësi të njerëzve të përfshirë drejtpërdrejt në politikë, ose të afërm me ndonjë subjekt politik.
Së këndejmi, përse të ndryshohet diçka që do të ishte në të mirën e përgjithshme, por që pastaj të humben të ardhurat e majme personale, si dhe financimet për partinë? Duket se kjo është edhe logjika prapa status quo-së në liberalizimin e qarkullimit me automjete të Kosovës.
Është kjo Byro kosovare e sigurimeve që gjithnjë si përgjigje për mospasjen e Kartonit të Gjelbër për Kosovën ka pasur faktin që Kosova nuk është shtet anëtar i OKB-së, por gjithë duke harruar se Këshilli i Byrosë për Karton të Gjelbër me seli në Bruksel kërkon edhe një depozitim disamilionësh për të filluar procedurat e anëtarësimit.
Po ashtu, kjo Byro kosovare harron se Kosova nuk është anëtarë e OKB-së edhe sot, por ka pasaportë që pranohet nga shumica e shteteve të botës, është anëtare e barabartë e shumë organizatave të rëndësishme politike e ekonomike të botës, ka gjetur mënyrën se si të negociojë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit me BE-në, etj. Përse vetëm këtu nuk paska pasur fare depërtim, kur Byroja e Kartonit të Gjelbër është sigurisht organizata më së paku politike nga të gjitha të tjerat?
Në shtator të vitit 2011, vetë Byroja Kosovare e Sigurimit kishte lëshuar këtë njoftim për media: “Byroja Kosovare e Sigurimit, më 30 shtator 2011, e ka paraqitur kërkesën për aplikim në Këshillin e Byrosë për Karton të Gjelbër, me seli në Bruksel. Nga ky institucion sot është kthyer një përgjigje pozitive, duke na dërguar edhe pakon me pyetësorin për aplikim në KBKGJ, të cilin duhet ta plotësojë BSK-ja dhe ta dërgojë në Bruksel para 28 tetorit të këtij viti. Jemi të bindur se aplikacioni për anëtarësim i BKS-së në KBKGJ do të plotësohet me sukses dhe në mbledhjen e radhës të KBKGJ-së do të shqyrtohet aplikimi ynë dhe shpresojmë se do të marrim një përgjigje pozitive”, është thënë aty. Pse tash e tre vjet nuk ndodhi asgjë?!
TASHMË KANË FILLUAR edhe vetë disa anëtarë të Byrosë kosovare të akuzojnë kolegët e tyre se po bllokohet qëllimisht anëtarësimi i Kosovës në Kartonin e Gjelbër gjithnjë për arsye financiare. Kryeministri Hashim Thaçi javë më parë ka theksuar se para verës së sivjetme kosovarët përfundimisht do ta kenë Kartonin e Gjelbër dhe do të jenë të barabartë me të tjerët.
Ndoshta me hëzin paraelektoral do të zhbllokohet më në fund edhe kjo bllokadë e vënë në masën e madhe nga vetë kosovarët. Nëse jo, do të vazhdojnë të duken të poshtra ato mbishkrimet “Mirë se erdhët, bashkatdhetarë” nëpër hyrjet kufitare të Kosovës, pasi që do të vazhdohet t’i vihet haraç po këtyre bashkatdhetarëve. Si dhe s’do të ketë fare kuptim puna për liberalizim vizash, kur një kosovari që do t’ia mësyjë Evropës me veturë do t’i duhet që t’i bëjë gati 200-300 euro shtesë, për të paguar policat e sigurimit në shtetet ku do të udhëtojë.
Mafia e sigurimeve duhet të marrë fund!
[email protected]
Twitter: @adriatikk
A do t’ia shesin serbët Donald Trumpit murin e Mitrovicës? A është dizajnuar ende flamuri i Bashkësisë së Komunave Serbe? Muri, n...
Kur liderët e Serbisë në takime në Bruksel ankohen se “BE-ja po i mbështet shqiptarët e Kosovës dhe Pavarësinë”, si argument se...
Muri ra me të pestin. Krejt u “gëzuan”. Shumë u veturuan. U fotografuan para bagerit – sepse Muri i Berlinit kishte rënë pa ...
ec me kohën...